Xhevat Avdalli: Këngëtarët vdesin, por kënga e tyre rron përjetë

nga Liri Çakërri dhe Gjovalin Shkurtaj
Këngëtarët vdesin, por kënga e tyre rron përjetë. I tillë, i paharrueshëm dhe i madhërishëm ishte edhe Xhevat Avdalli(1910-1992), kryemjeshtër i këngës polifonike gjirokastrite, Artist i Merituar, pa dyshim, një nga këngëtarët popullorë më të dashur jo vetëm nga bashkëqytetarët e tij të Gjirokastrës, të cilët e kishin pasur prej vitesh edhe furrëtar në lagjen Palorto, po edhe e donin se ishte njeri gojëmjaltë e, natyrisht, ia çmonin zërin si bilbil dhe intonacionet e thekura të polifonisë karakteristike të qytetit të gurtë.  

Furrëtar nga profesioni, i madh sa një mal e punëtor i pakursyer, gjatë ditës djersinte duke pjekur bukë e gatesa të nikoqireve gjirokastrite, të pakundshoqe për nga aftësia e të gauarit të gjellëve të shijshme, me mish po edhe “të rrema”, gati gjithmonë edhe duke kënduar nën zë motivet e kengëve të vjetra, po edhe duke krijuar të tjera, sipas modelit të bukur të të parëve. Qysh në moshë të re, i dalluar si djalë trupmadh e i pashëm, po edhe me dëshirën për të kënduar e për t’u argëtuar me shokë e miq, formoi  grupin e tij polifonik ku, me kohë, do të mblidhte ajkën e pleqve të qytetit dhe, me stilin e tij original të njohur edhe me termin “pleqërishte”, la një trashëgimi të vyer e të paçmueshme të polifonisë shqiptare. Kush  nuk i ka pëlqyer këngët e tij “Ç‘u mbush mali plot me rrush”, “Një ditë nga mali dola”, “Ç‘u ngreçë që menatë”, “Hiqe vallen shtruar” etj.

Xhevat Avdalli dhe grupi i tij kanë marrë pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastërs, qysh nga fillimi në vitin 1968 e deri më 1988, duke u dalluar për hijeshinë dhe bukurinë e harmonizimit të zërit të tij në rolin e marrësit dhe të këngëtarëve të tjerë të grupit në rolin e kthyesit.

Kanë kaluar plot 22 vjet qëkur është ndarë nga jeta Xhevat Avdalli, por adhuruesit e këngëve të tij e mbajnë mend,  i dëgjojnë dhe i adhurojnë këngët e tij dhe, plot përmallim e krenari, e quajnë atë si artistin e dalë nga gjiri i popullit dhe që mbetet si përmendore madhështore e kulturës gjirokastrite dhe i krejt këngës polifonike shqiptare.

Vargjet e këngës së tij kushtuar Çerçiz Topullit: 

Mylazim, largo taborrë, o se ju kuq o ju bëj me bojë, Çerçiz Topulli more më thonë” 

kanë mbetur të gdhendura në mendjen e në ndjenjat atdhetare të çdo shqiptari, prandaj, sa herë kujtohet Heroi i Popullit Çerçiz  Topulli, shqiptarët kujtojnë edhe vargjet e ison e hijshme të këngëtarit të paharrueshëm, Xhevat Avdalli.

E si mund të harrohen monumentet e tilla të kulturës sonë shqiptare? Kurrë mos u harrofshin!

Giorgio Napolitano: “Një dhe e pandashme, Refleksione mbi 150 vitet e Italisë sonë”

Giorgio Napolitano, Një dhe e pandashme, Refleksione mbi 150 vitet e Italisë sonë,Përkthyer nga Beti Njuma, Eva Dore,AiiS, Tiranë, 2014.

shkëlqesia Juaj, zoti Ambasador i Republikës Italiane, z. Masimo Gaiani,i nderuar zoti Albert Rakipi, drejtor i Instiutit të Marëdhënieve ndërkombëtare,e nderuar dr. Veneziani, drejtoreshë e Institutit Italian të Kulturës,zonja e zotërinj të pranishëm, mirëmbrëma të gjithëve,

Po i them edhe unë dy fjalë për këtë libër të Presidentit të Italisë, Giorgio Napolitano, i cili na nderoi këto ditë edhe me vizitën e tij zyrtare në Shqipëri dhe, natyrisht, la edhe gjurmë të tjera shumë interesante, mbresëlënse e të urta për politikanët shqiptarë e për popullin tonë.

Botimi i këtij libri në kolanën “Biblioteka e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe historisë” është pa dyshim një ide dhe një realizim i mirëseardhur, me rëndësi e vlerë të shënueshme, sepse ai paraqet pikat më kryesore të ecurisë shumëvjeçare e të kurorëzimit të bashkimit të Italisë në një komb  të vetëm e të pandashëm, duke vënë theksin edhe mbi problematikat e vjetra e të reja të kombit e të shtetit italian gjatë 150 viteve që nga bashkimi  në një shtet e komb të vetëm.

Mendoj se botimi i këtij libri, i cili  bëhet për të nderuar Giorgio Napolitanon, këtë burrë shteti  të përmasave të jashëtzakonshme, është edhe një mesazh miqësie ndaj popullit mik italian, por ai është një libër që na bën  mirë edhe neve shqiptarëve, sepse aty, në fakt, gjejmë edhe shumë analogji e pika të afërta ,të ngjashme ose edhe të njëjta me historinë e kombit e të shtetit tonë kombëtar shqiptar.

Po përmend dy a tri nga pikat që më kapi syri gjatë leximit “diagonal” që  i bëra librit, të cilin sapo e mora dhe do ta lexoj me ëndje në ditët që vijnë.

Së pari, dëshiroj të theksoj idenë e madhe të “bashkimit të pandashëm të Republikës Italiane”, për të cilën autori nënvizon me urtësi e  parimorësi:

“Thirrja për bashkim dhe pandashmëri të republikës, mes parimeve themelore vlen për të treguar atë lidhje të pathyeshme kombëtare; e në të njëjtën kohë të nxjerrë në pah se si njohja dhe promovimi i autonomive janë pjesë përbërëse të një vizioni të ri të unitetit të kombit e  shtetit italian”. (f.29)

Së dyti, më duket me interes vlerësimi i drejtë dhe largpamës i Napolitanos për evropianizimin dhe Evropën e Bashkuar, të cilat ai i përthekon aq qartë e shkoqur kur shkruan:

“Nuk është vetëm Italia që sheh t’i vihet në provë identiteti i saj dhe  funksioni i shtetit kombëtar në raport me integrimin evropian. Ky i yni ka qenë gjithmonë një ndër më të ndjeshmit në gjirin e shteteve themeluese të Evropës së Bashkuar, por edhe nga më të hapurit ndaj vetëkufizimit të sovranitetit kombëtar si element kushtetues i një Evrope të përbashkët. Kjo, megjithatë, nuk ka  nënkuptuar kurrë-edhe për mbështetësit më të palëkundur që prej 1950-ës, të një modeli të Evropës me konotacione të qarta mbikombëtare-nënvlerësimin e rolit të shteteve kombëtare dhe interesave kombëtare, e aq më pak rolin e identiteteve kombëtare historiko-kulturore.: (f.32).

Së treti, më pëlqen të vë në dukje kujdesin e Napolitanos për ta vënë theksin e konkluzioneve të tij për 150-vjetorin e bashkimit të kombit italian, në një kundrim sa më aktual e mësimdhënës për të sotmen e sidomos për të rinjtë, kur ai përmbyll:

“Jam i bindur se festimet e 150-vjetorit të shtetit tonë kombëtar na ofrojnë rastin për të përcaktuar një klimë të re në marrëdhëniet mes realiteteve të ndryshme të vendit, në mënyrën sesi çdokush e sheh tjetërin, me qëllimin madhor të një bashkimi të ri e më të fortë. Një bashkim që të jemi të sigurtë, është garancia  e vetme për të ardhmen tonë të përbashkët dhe për të ardhmen e të rinjve tanë”. (f.53)

Së katërit, desha të thkesoj se më pëlqeu shumë kreu  me titullin “Ideja e Romës”, ku autori vë në dukje edhe disa cilësi të Romës, si qytet, e të romanëve si popullsi mikpritëse  dhe  e hapur ndaj ardhësve, gjë që, pa dyshim, na kujton Tiranën tonë dhe tiranasit zemërgjerë e të gatshëm për të pritur me krahë hapur ardhësit nga qyetete e krahina të ndryshme të Shqipërisë.

Napolitano për Romën e tij thotë:

“Asnjëherë  nuk jam ndier në siklet, duke mos stimuluar thellësinë e burimit dhe të ndjesive që më lidhin  me Napolin. Ndoshta aftësia e napolitanëve për t’u integruar edhe në vende që gjenden larg tij, është një veçanti e tyre, por kështu është edhe prirja e Romës, e jashtëzakonshme, me kapacitetin e saj përfshirës, me aftësinë për t’u zgjeruar, për të pritur të tjerët, mb të gjitha për të përqafuar çdo italian”.(f.62).

A nuk është e tillë edhe Tirana jonë për të gjithë shqiptarët, madje edhe për të huajt që ia behin aty për të jetuar për disa kohë, për shumë kohë apo edhe përgjithmonë?

Dhe, së mbrami, si gjuhëtar që jam, nuk mund të mos ndalesha edhe te pjesa me titullin “Gjuha dhe identiteti kombëtar”.(f.93-96) Autori thekson se gjuha italiane  ka qenë dhe mbetet faktor bartës i identitetit kombëtar dhe, natyrisht, e tillë ka qenë dhe mbetet edhe për ne shqiptarët gjuha shqipe e njësuar, shqipja zyrtare  e njëjtë dhe e përbashkët për të gjithë shqiptarët.

Pra, ne sonte morëm në duar një libër shumë interesant, të një autori të dashur e të shtrenjtë për popullin e vet, për italiant dhe Italinë, por edhe një përsonalitet madhështor e i admirueshëm kudo në Evropë e  në botë, pra edhe në Shqipëri, ku ai, dje e pardje që edhe i ftuar në Kuvendin e Shqipërisë, në Presidencë dhe në Kryeministri.

Lexim të këndshëm të këtij libri sa interesant, që edhe të rëndësishëm e mësimdhënës.

Gjovalin Shkurtaj

Tiranë, 6 mars 2014

Përurimi i dy librave të rinj të Prof. Fatos Tarifa në Universitetin e Nju Jork-ut në Tiranë

nga Gjovalin Shkurtaj 

Sot, kisha kënaqësinë të marrë pjesë në përurimin e dy librave të tij më të rinj: “Imagjinata sociologjike dhe bota jonë sociale”, me parathënie nga Jay Weinsten dhe “Politika si gramatikë dhe metaforë”, që të dy botime të vëllimshme e tipografikisht shumë të hijshme, sikundër e ka zakon “Onufri”.

Dola në foltoren e këtij tubimi  të nderuar për të thënë vetëm pak fjalë. Pak, sespe nuk pata nge e rast t’i lexoja librat, ata thjesht sapo i mora në dorë dhe, ndërsa parafolësit e nderuar po kumtonin, unë munda  vetëm sa “t’i përkëdhel” e t’i shfletoj me ëndje, sepse qysh nga titujt ndjeva joshje e, si të thuash, u përthitha prej tyre dhe, sigurisht, në ditët që vijnë do të ulem me shumë dëshirë t’i lexoj e të thellohem në sa ndejnë këto dy vepra të reja.

Libri “Politika si gramatikë dhe metaforë” më ngacmoi që nga titulli meqë mjeshtëria ime është ajo e gjuhëtarit, me profil më të ngushtë të dialektologjisë dhe sociolinguistikës, disiplina gjithmonë e më të afërta e në marrëdhënie me sociologjinë dhe politologjinë.

Teksa po i shfletoja përkëdheltazi më bëri përshtypje të mirë se autori shkruan bukur, ka akribi e kujdes të dukshëm jo vetëm për “metaforat e gramatikën” nga ana sociologjike, por edhe për gjithçka që lidhet me formësimin ligjërimor e me shprehjen e përmbajtjes që ka marrë të trajtojë. Shohim se atij fjala i rrjedh këndshëm e natyrshëm, atë që i buron nga mendja  e përbluan  duke e kaluar  nga zemra me shkrirje të këndshme të arsyetimeve vetjake me shembujt e prurjet  e refermet ditunore aq të shumta e të pikuara me dorë mjeshtri.

Libri “Politika si gramatikë dhe metaforë”, si dhe botime të mëparshme të autorit, kanë rëndësi edhe për sociologjinë e të folurit dhe për etnografinë e komunikimit dhe vura re me ëndje se zoti Tarifa operon  me zotësi edhe me idetë e termat e sociolinguisticës, duke iu referuar  disa prej emrave më në zë të sociolinguisticës së sotme amerikane e botërore, si Alessandro Duranti, George Lakoff, Mark Johnoson, Dell Hymes, Edward Sapir etj. Emra të tillë janë fort të njohur edhe për mua si sociolinguist dhe, madje, i kam cituar me përfitim edhe në librat e mi “Sociolinguistika” (Toena, 1999), “Etnografi e të folurt të shqipes” ( Kristalina-KH, 2004, Morava, 2010) dhe “Sociolinguistikë e shqipes së sotme” (Morava, 2009, 2013).


Mbi të gjitha  me duken me interes sa parashtron prof.Tarifa në librin e tij lidhur me bashkësinë shoqërore dhe grupimet e nëngrupimet brenda saj, si faktorë me rëndësi edhe për shtresëzimet e problematikën e lëvizjeve të sotme gjuhësore e të marrëdhënieve gjuhë standarde-ligjërime të folura në qytetet e mëdha.  Me interes shumë të madh për sot e për vitet që vijnë do të jetë bashkëpunimi i gjuhëtarëve, sidomos i sociolinguistëve dhe dialektologëve me sociologët e politologët për të njohur, përshkruar e studiuar plojën e shndërriemve demografike që është kryer gjatë njëzet viteve të fundit në Tiranë e në qytete e tjera të mëdha të Shqipërisë.

Jemi një vend i vogël, por bëhemi edhe më të vegjël, kur “mbyllemi” si në  shtëpinë e “Vëllait të Madh” në skutat e ngushta të disiplinave, ndonëse  të afërta, pa kaluar përtej “mureve” metaforike tashmë të vjetra e të vjetëruara.

Uroj që librat dhe sidomos idetë dhe disa trajtime shumë interesante të prof.Fatos Tarifës të na vlejnë për t’i zgjeruar kufijtë e trajtimeve sociologjike edhe në një plan më të gjerë sociolinguistik dhe të etnografisë së komunikimit.

Fatos Tarifa është tashmë i mirënjohur si sociolog, si politolog e si diplomat.[i] Kjo na gëzon dhe na krenaron, jo vetëm si miq, po edhe në përgjithësi si shqiptarë. Kemi shumë artistë me famë, të cilët janë të shquar dhe jetojnë e kanë bërë emër të mirë në Evropë e në Botë. Paçim sa më shumë të tillë, por sonte kemi rastin të themi se emra të shquar kemi tashmë edhe në fushën e shkencave. Një prej tyre është, pa asnjë dyshim, edhe Fatos Tarifa, të cilit i urojmë suksese të mëtejshme dhe e përgëzojmë miqësisht e  çiltërsisht për dy librat e tij më të rinj, me të cilët e pasurova sot bibliotekën time vetjake.



[i]Fatos Tarifa është Drejtor i Institutit të Studimeve Sociale dhe të Politikave në Universitetin Europian të Tiranës nga viti 2008. Ai ka fituar gradat Master of Arts dhe PhD në sociologji nga Universiteti i Karolinës së Veriut në Chapel Hill (SHBA), si edhe gradën Doktor në shkencën politike nga Universitetit i Tiranës. Tarifa ka mbajtur një sërë pozicionesh akademike në disa universitete perëndimore si: The Institute of Social Studies (Hagë, 1993-1994), The University of North Carolina (Chapel Hill, 1995-1998), Campbell University (1996-1998), Webster University (1999-2001) dhe Eastern Michigan University (2006-2008). Në UET, Tarifa është titullar i një sërë lëndësh në fushën e sociologjisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare si, “Hyrje në Sociologji”, “Teoritë sociologjike klasike” dhe “Mendimi sociologjik bashkëkohor” (progami Bachelor), “Sociologjia politike”, “Gjeopolitika e shekullit XXI” dhe “Marrëdhëniet transatlantike” (programi Master Shkencor) dhe “Teoritë sociale” (programi Doktoral). Tarifa është autor i 33 librave (shumë prej të cilëve të botuar në anglisht jashtë vendit), si Vengeance is Mine (2008), Europe Adrift on the Wine Dark Sea (2007), Acrimonies of Transition (2007), To Albania, with Love (2007), Social Problems of Transition (2003), The Balkans: A Mission neither Accomplished nor Impossible (2002), The Quest for Legitimacy and the Withering Away of Utopia (2001) etj. Ai është, gjithashtu, autor i më shumë se 50 artikujve studimorë të botuar në revista akademike ndërkombëtare të indeksuara si, Social Forces, Policy Review, Studies in Comparative International Development, Development and Change, Journal of Applied Sociology, Modern Age, International Review of Education, Societies without Borders, Mediterranean Quarterly, East European Politics and Societies, Communist and Post-Communist Studies, Higher Education in Europe, Childhood, etj. Tarifa është themelues (në vitin 1998) dhe kryeredaktor i revistës ndërkombëtare Sociological Analysis dhe kryeredaktor i revistës Academe, organi zyrtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Ai është, gjithashtu, anëtar i bordeve editoriale të revistave ndërkombëtare Journal of Social Sciences (nga viti 1997) dhe Journal of Applied Social Science (nga viti 2006). Fatos Tarifa është një ndër anëtarët themelues të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe të Shkencave (2011), anëtar i Shoqatës Sociologjike Amerikane (nga viti 1992), anëtar i Akademisë së Shkencave Politike me qendër në Nju Jork (nga viti 1995) dhe i shumë organizatave të tjera profesionale amerikane e ndërkombëtare.

Ai është fitues i shumë granteve, fellowshipeve, çmimeve dhe medaljeve, përfshirë “The 2011 Distinguished Researcher President’s Prize” (UET), “Award for Outstanding Service” (Eastern Michigan University, 2008); Global Family Advocate Award (2004), “The Hattie Harris Good Spirits Club International Award for Encouragement of World Peace” (2004); Sociology Departmental Award (University of North Carolina at Chapel Hill, 1996), Senior Research Fellowship (Dutch Foreign Ministry, 1993-1994), Fulbright Senior Research Fellowship (1992), Medalja “Naim Frashëri” e klasit III për kontribut të shquar në fushën e mësimdhënies në Universitetin e Tiranës (1987) dhe Medalja “Naim Frashëri” e klasit III për kontribut në fushën e botimeve shkencore (1987). Fatos Tarifa ka qenë ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës (1998-2001) dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (2001-2005).

Redaktor te gjuhes shqipe ne cdo ministri…!



http://www.lajmifundit.al/lajme/2013/08/24/nisma-e-rames-redaktor-te-gjuhes-shqipe-ne-ministri/

Ideja e Zt Rama për t’i dhënë kujdesin dhe rëndësinë e duhur gjuhës shqipe në administratën shtëtërore dhe në të gjitha botimet me karakter zyrtar e publik është per t’u përshëndetur. Kërkesa për të zbatuar rregullat e drejtshkrimit dhe normat e kulturës së gjuhës në të gjithë praktikën shkrimore dhe botuese me karakter zyrtar nuk përbën censurë por kërkesë të domosdoshme për çdo vend të qytetëruar. Gjovalin Shkurtaj

Si të shkruajmë shqip: (Botimi 3)

Like ·  · Promote · Share

Libri: “Dialektet e Shqipes” (Botimet Morava)

Dialektet e gjuhës shqipe janë shumë të afërta me njëra-tjetrën, në kundruallësinë si dy degëzimet më të mëdha: gegërisht-toskërisht, po edhe në kundruallësinë më të ulët ose ndërmjet nënsistemeve dhe ndërdegëzimeve a nëndialekteve dhe grupeve të të folmeve, që mund të identifikojmë në secilin prej dy dialekteve të shqipes. 

Ideja e kufijve, sidomos e kufijve “të prerë” ose “absolutë” midis dy dialekteve të shqipes, ka shpënë ndonjëherë në vlerësime të gabuara, sidomos të atyre që kërkojnë të shohin jo dy degëzime dialektore të së njëjtës gjuhë, por dy “idioma”të ndryshme, madje, dy gjuhë të ndryshme. 

Koncepti ynë ka qenë dhe mbetet ky: shqipja është gjuhë e të gjithë shqiptarëve dhe, në të gjitha hapësirat shqiptare të trojeve kompakte ballkanike, këndej dhe përtej kufijve shtetërorë të RShsë, atje ku i thonë bukës “bukë” dhe ujit “ujë”, banorët e etnikumit shqiptar, e quajnë veten shqiptarë dhe gjuhën e tyre shqipe.

 

Libri i ri: “Si të shkruajmë shqip: Baza të shkrimit akademik” (Shtepia Botuese Toena)

Per te gjithe ata qe jane te interesuar , libri im i ri: “Si te shkurajme Shqip: Baza te shkrimit akademik” (Botim i Toenes, 2012)

Ky liber synon t’u vije ne ndihme te gjithe studenteve, studiuesve dhe pasuniversitareve, qe deshirojne te zbatojne rregullat e hartimit te diplomave, disertacioneve dhe pergjithesisht atyre qe merren me shkrime e botime me karakter akademik e studimor.

Libri jep edhe nje sasi te konsiderueshme modelesh te te shkruarit, qe nga letra e kartevizita, deri te disertacionet, recensionet per doktoratura e mbrojtje mikrotezash per master shkencor.

Po ashtu, jepet edhe nje pasqyre relativisht e plote e fjaleve te huaja, te cilat mund te zevendesohen me fjale shqipe. Aty flitet gjere edhe per qendrimin e sotem ndaj anglezizmave, duke percaktuar edhe disa kritere te qarta shkencore ndaj pranimit te tyre, kur eshte e domosdoshme.