Thesaret gjuhësore të së folmes së Hotit në një fjalor etimologjik (nga Akad. Kolec Topalli)

Akad. Kolec Topalli 
            Hoti është njëra nga krahinat më të veçanta të trojeve shqiptare, me faqe historie të përgjakshme por të lavdishme, me tradita e zakone fisnike, të ruajtura e të kultivuara brez pas brezi e me përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur gjallë besën e të parëve. Banorët e kësaj treve, të izoluar nga kohët e pushtimeve, por edhe të lidhur me besë e burrni me pjesët e tjera të atdheut, kanë mundur të ruajnë si gjënë më të vyer gjuhën, shqipen e kulluet e të pastër, ashtu siç janë përpjekur të ruajnë lirinë, qenien e tyre shqiptare e çdo gjë që i lidh me tokën, ajrin, fushën e malin. Edhe pse kjo krahinë u nda padrejtësisht në dy shtete, duke u kufizuar shqiptarët me shqiptarë, banorët e saj e kanë ruajtur identitetin dhe unitetin, duke trashëguar në brezat më të rinj gjithçka të bukur që lanë të parët, gjyshat e stërgjyshat. 

            E folmja e Hotit, një gegërishte e bukur dhe e pastër, ruan në gjirin e saj pasuri të mëdha, që përbëjnë një thesar jo vetëm për krahinën, por edhe për vetë shqipen, e cila pasurohet vazhdimisht prej gurrave të natyrshme që e ushqejnë, njëra prej të cilave është edhe ajo e Hotit. Karakteri konservativ i kësaj të folmeje lidhet me historinë e kësaj krahine, e cila, e strukur në vetvete dhe e vendosur për t’i bërë ballë furive e rrebesheve armike të njëpasnjëshme, ka mundur të ruajë thuajse të paprekur visarin e trashëguar të gjuhës së të parëve.


            Po mbushen katër vjet që kemi nisur punën për hartimin e një fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, mungesa e të cilit është e ndjeshme duke u bërë pengesë për studimet albanologjike. Gjatë punës sonë na është dashur të hulumtojmë e të nxjerrim në dritë shumë fjalë dialektore, fjalë plaka e të harrueme, siç thoshte Bogdani, pa të cilat shqipja nuk do të ishte ajo që është sot dhe nuk do të mund të frenonte sadopak valën e pandalshme të fjalëve të huaja, që po depërtojnë me shumicë në epokën tonë të globalizmit. Prandaj, studimi i të folmeve që kanë ruajtur shumëçka nga visari i trashëguar ka qenë një objektiv i punës sonë për të pasqyruar këtë pasuri leksikore në fjalorin e ardhshëm etimologjik të gjuhës shqipe. Nga e folmja e Hotit, duke u mbështetur në mbledhjet në terren të akad. Gjovalin Shkurtajt[1], kemi nxjerrë shumë materiale të vlefshme për shpjegimet tona duke i dhënë dritë e shkëlqim edhe vetë kësaj krahine, që ka ruajtur thesare të mëdha gjuhësore.

            Për të shpjeguar këtë rol që luan një e folme e tillë me pasuri kaq të çmuara, do të ndalemi në disa raste të veçanta, me të cilat mund të shtjellojmë rolin e madh që luan një e folme e ruajtur si kjo e Hotit për shpjegimet etimologjike të fjalëve të shqipes. Nga shembujt që do të paraqesim, disa janë të tillë që i përkasin vetëm kësaj së folmeje, disa kanë shtrirje më të gjerë në gegërishten veriperëndimore, disa kanë paralelet e tyre te shkrimtarët e vjetër; por të gjitha këto shërbejnë si ndihmesë e vyer për të depërtuar drejt etimonit të fjalës.

Nga fusha e leksikologjisë, ndër fjalët me interes të veçantë gjuhësor vëmë në dukje emrin dele, që në të folmen e Hotit del edhe në trajtën delme me prapashtesën –m, me të cilën formohet shumësi, si në rastin djalë ~ djelm. Trajta delme është një relikt gjuhësor, që ka mbetur aty-këtu në të folme të shqipes, në Kosovë dhe në Jug në Gjirokastër, në sintagmën qumësh i delmur. Sipas krahasimit që i kanë bërë ilirologët kësaj fjale, me trajtën delme është lidhur emri i një fisi ilir, Delmatae, si edhe krahina e Dalmacisë: Dalmatia, Delmatia me kuptimin “fushë që ushqen delet”, e cila, sipas përshkrimit të kronistëve të botës antike, është quajtur kështu si vend delesh. Ky relikt gjuhësor i së folmes së Hotit është treguar prodhimtar në krijim fjalësh të reja, si: delmer“bari dhensh”, që del me variantet delmuar, dylmyer, në arbërishten e Italisë dhe delmier, delmir, delmëtor në krahina të tjera. Me emrat delmere e dylmere quhet edhe “bishtatundësi, lat. Motacilla”, meqenëse ky zog i ngjitet tufës së bagëtisë, prandaj quhet edhe zog delesh apo zog dhensh. Fjala ka depërtuar edhe në toponimi, në pikën e quajtur Curri i Delmeres në Veri.

Emrin puçik e ka e folmja e Hotit për “gropë të vogël nëpër rrasa e shkëmbenj të mëdhenj që mbushet me ujë shiu”, prej së cilës ka dalë kuptimi figurativ “gropëz e vogël që u formohet disa njerëzve në faqe kur qeshin”. Po ta gjurmojmë më tej, këtë fjalë e ka mbledhur Cordignanoja[2], për të cilën jep kuptimin “fossa rotonda che fa l’acqua anche nella pietra”. Dhe pranë saj është shënuar edhe një trajtë tjetër, puçigâ me shpjegimin “fossa, baratro, inferno, stagno”. Fjalët janë huazime prej italishtes; puçik nga pozza me prapashtesën –ik; puçigâ nga it. pozzanghera “pellg i vogël, gropë me ujë”, që ka marrë prapashtesën nga -an brenda shqipes, duke u lidhur të dyja fjalët me it. pozzo prej lat. puteus “pus”.  

Emri kripshë i së folmes së Hotit, me të cilën emërtohet “një shkurre me gjethe gjithnjë të gjelbra dhe me lule si vile, që përdoret kryesisht për dru zjarri, lat. Phillyrea media”, dëshmon formën më të vjetër të kësaj fjale, e cila ka edhe format më të reja krishë, grifshë, krefshë, grishë etj. Për etimologjinë e fjalës, emri i kësaj shkurreje ka dalë nga tufa a xhufka e saj, prandaj burimi i fjalës është emri krip“flokë”, që ka marrë prapashtesën -sh. Prandaj forma më e vjetër e fjalës është ajo që e ka ruajtur Hoti me formën kripshë, kurse krifshë është më e re dhe ka dalë me hapjen e bashkëtingëllores -p- para një mbylltoreje tjetër duke krijuar një grup bashkëtingëllor të njohur në gjuhën shqipe.

Foljen jes ~ jet e ka e folmja e Hotit për “mbes, mbet”. Nga këto dy folje, jet është më e vjetër, sikurse e dëshmojnë të folmet arbëreshe të Greqisë e të Italisë me formën vjetempër “mbetem”, si edhe Buzuku, ku fjala shfaqet për herë të parë: pā zhdo të tjerë tek jesënë endë trekt pā punë. Për burimin e fjalës, jet është forma e vetës II shumës të foljes es- “me qenë” në një paradigmë të hershme: jemë ~ *jetë ~ janë, ku forma e vetës II shumës është zëvendësuar nga forma më e re jeni me mbaresën e foljeve me –nō: jenisi bani / bëni. Kësisoj, folja jet krahasohet në plan indoeuropian me format e vetës II shumës me mbaresën -t: gr. εστὲ, sll. vj. jeste, got. sijuþ. Kjo mbaresë, që në gjuhën shqipe del në të pakryerën ishit, në të kryerën e thjeshtë qetë e në mënyrën dëshirore qofshit, ka qenë edhe në të tashmen dhe gjurmët e saj kanë mbetur te folja jet, që ka zhvilluar një zgjedhim të plotë sipas shembullit të foljes mas ~ mat. Një rrjedhojë e kësaj foljeje është emri jetë duke u lidhur si në gjermanishte, ku lebenlidhet me bleiben[3]. 

            Emrin ragazi e folmja e Hotit e ka për një lloj rrushi kokërrgjatë me cipë të trashë. Burimi i fjalës është turq. razakí, që në këtë të folme ka pësuar metatezë, duke u përzier me mbiemrin i zi e duke krijuar emrat ragazi, ragazezë e me antonimin e saj ragabardhë[4]. Ky është një shembull i veprimit të asaj dukurie që quhet etimologji popullore, kur ndërhyrja e një fjale bëhet shkak për krijimin e një forme të re. 

            Pjesëzat niç e diç i ka e folmja e Hotit me kuptimin “pra, kështu”. Të dyja këto kanë dalë nga një formë më e përgjithshme ndiç, e formuar nga në ditësh “nëse e di”, me asimilim të grupit bashkëtingëllor[5]; ose me foljen ndiej“ndigjo” në shprehjen ndiej ç’, gjithsesi një fjalë-fjali, e cila dëshmohet së pari te Budi, që ka: e kush na mpson s pat, ndish në ato  fjalë pak kanë me na ndimuom[6].

            Me interes është folja bohet për “mbarset, çiftohet”, që është forma më e lashtë, e ruajtur në Hot, prej së cilës janë krijuar dëboj, sboj, zboj, cboj, bdoj, dvoj, vdoj, të gjitha variante me parashtesa, ku ka luajtur rol edhe metateza. Buzuku, ku fjala del së pari, ka bdonj, Matrënga ka dbonj e sbonj, Budi ka vdonj e Bogdani ka dvonj. Kësisoj, kjo folje ka ndjekur rrugën e fjalëve të tjera me grupin bashkëtingëllor db-; prandaj aty ku ka borë ka edhe boj, ku ka dëborë ka edhe dëboj, ku ka zborë ka edhe zboj. Buzuku që ka bdorë, ka edhe bdonj; Bogdani që ka dvorë ka edhe dvoj. Për burimin e fjalës, bojështë formim me prapashtesën foljore -o, nga një rrënjë bi- me kuptimin “dy”, nisur nga çiftimi i kafshëve. Kështu, kuptimi i parë ka qenë “çiftoj, bëj çift”, prej së cilës kanë dalë kuptimet e tjera. Rrënja bi me kuptimin “dy” gjendet në shqipe te emri bigë dhe përjashta saj në lat. bis“dy herë”[7].

Nga fushën e morfologjisë, vëmë në dukje disa trajta shumësi të emrave që gjenden në këtë të folme, të cilat dëshmojnë për një tipar të lashtë të shqipes: lëvizjen e theksit brenda fjalës e vendosjen e tij në formantin e shumësit. Raste të tilla kemi te shumësat gjerpáj, dërpáj etj. Shembullin e parë e ka Buzuku: As mos tentojmë Krishtnë, porsi disa qi e tentuonë, e klenë përfaruom en gjerpanjëshit. Rastin tjetër e kanë të folmet jugore. Këto relikte të ruajtura shprehin një veçori të lashtë të gjuhës shqipe, me të cilën bashkohet me gjuhë të vjetra e të reja, që e kanë ruajtur në sistemin e tyre gramatikor veçorinë e lëvizjes së theksit, që ka qenë tipar i gjuhës-nënë indoeuropiane. Vëmë në dukje, nga greqishtja e vjetër, në sistemin rasor: νύξ, νύκτα, në rasat emërore e kallëzore, por νυκτός, νυκτί në rasat gjinore e dhanore; në latinishte, në sistemin foljor, veta I laudo, por shumësi laudamus, në shqipe njëjës dhandërr, por shumësi dhandurrë[8].

Me rëndësi për historinë e gjuhës është përemri pronor yj, që në shqipen e sotme është zhdukur nga përdorimi, por e kanë ruajtur krahinat gege veriore, ndër të cilat edhe Hoti. Është një relikt gjuhësor, që e ka edhe Buzuku: përse Ati yj e di se ju kini nevojë en gjithë sosh. Ky përemër ka qenë i vetës II numër shumës për gjininë mashkullore, duke dalluar gjininë e pronarit, aty ku sot përdoret përemri juaj për të dyja gjinitë. Për nga gjeneza e tij, ashtu si përemri juaj që është formuar nga jo + u, edhe përemri yj është formuar nga i + u, ku elementi i parë është i gjinisë mashkullore duke përfaqësuar përemrin ai, njëlloj si ajo te përemri juaj, kurse përemri i dytë është u-ja, që përfaqëson përemrin ju. Nga bashkimi -i- + -u- ka dalë zanorja y-, që ruan tiparet e të dyja këtyre zanoreve, karakterin qiellzor të -i-së dhe karakterin buzor të -u-së; ndërsa bashkëtingëllorja fundore -j është një shtesë epitetike, ashtu si te përemrat e tjerë të kësaj natyre dhe ndajfoljet, si: saj, tij, tej, pastajetj.

            Nga fusha e sintaksës, albanizma jam i hot është një relikt gjuhësor me interes të veçantë shkencor. Me të tregohen etnika, si: i pukës, i mirditas, i hot, i shkodran, i tragjas etj., duke shënuar banorë të një krahine të caktuar, prejardhjen e tyre dhe duke pasur shtrirje në të gjithë shqipen, çka flet në të mirë të vjetërsisë së saj. Ato gjenden më shumë me prapashtesat -ës, -as, si: i pukës, i mirditës, i kelmendës, i dukagjinës, ose i pukas, i mirditas, i kurbijas etj., por ata dalin edhe me prapashtesa të tjera, si: i shkodran, i dibran, i matjan, i vlonjat, në disa emra edhe pa kurrfarë prapashtese, si: i hot, i tragjas, i dukat, i kuç, i has, i krasniqe. Sintagma të tilla i gjejmë tek autorët e vjetër. Kështu, Buzuku ka: e dërgoi tek aj Elize një të lajm, tue i thashunë “misitque ad eum Eliseus nuncium, dicens”[9], Bardhi ka: i katundas për “Paganus”, i temalas për “transmontanus”, i arbëneshë, i shkodërnjanë[10]; Bogdani ka: i misiras, të vendasitë[11]; Figlia ka: i Arbreshë[12].

            Meqenëse në këto raste kemi të bëjmë me emra kryesisht me burim toponimik, nyja e tyre e përparme e ka origjinën nga sintagma gjenitivale, në rastet e përdorimit të gjinores pa emër përpara, si rezultat i një elipse në rastet jam i Palit domethënë “jam djali i Palit” asht e Gjergjit “asht vajza e Gjergjit”, si rrjedhim edhe jam i Pukës “jam i fisit të Pukës”, jam i Mirditës “jam i krahinës së Mirditës”. Ndërkaq, mbaresa -ës e trajtës së shquar të rasës gjinore në ndërgjegjën gjuhësore është interpretuar sikur të ishte prapashtesa -ës, prandaj krahas formës së vjetër, nisi të përdoret edhe forma e re -ase kësaj prapashtese duke iu ngjitur edhe emrave të gjinisë mashkullore, si: i pukas, i kelmendas. Prej këndej nisi veprimi analogjik edhe në emra me prapashtesa të tjera (i shkodran, i matjan), si edhe në emra pa prapashtesa (i hot, i dukat). Në emrat e fundit, që mbarojnë me bashkëtingëlloren -t, mbaresa -it e gjinisë mashkullore ka rënë me anë të haplologjisë, meqenëse ajo ishte e njëjtë me bashkëtingëlloren e rrënjës së fjalës; domethënë nga jam i Hotitjam i hot, nga jam i Dukatitjam i dukat. Kjo gjen mbështetje në thjeshtimin që ka pësuar rasa gjinore e trajtës së shquar të disa emrave që mbarojnë me bashkëtingëlloren -t, dukuri që ka përfshirë të folme të Veriut e të Jugut; p.sh., në Veri, në Toplanë të Dukagjinit: Qafa Mjetpër Qafa Mjetit, në Jug, në çamërishte: mori vajzn e mbret për “vajzën e mbretit”[13].

            Materiali i paraqitur është i mjaftueshëm për të krijuar idenë e vlerës së veçantë që ka e folmja e Hotit për fushën e etimologjisë dhe në përgjithësi për pasurimin e shqipes. Është detyra jonë si lëvrues të gjuhës t’i nxjerrim në dritë këto visare të rralla dhe t’ia bashkangjesim thesarit të madh të gjuhës shqipe, për t’i ruajtur e për t’i zhvilluar ato më tej.
 —–
BIBLIOGRAFI
Bardhi, Frang
       Franciscus Blancus, Dictionarium latino-epiroticum. Romae, 1635.
Barić, Henrik
       Albanorumänische Studien, I Teil. Sarajevo, 1919, 1-142 (ARS I).
Boretzky, Norbert
       Der türkische Einfluss auf das Albanische. Wiesbaden, I 1975, II 1976 (TE).

Budi, Pjetër

       Speculum Confessionis. Roma, 1621 (SC).
Bugge, Sophus

       Beiträge zur etymologischen Erläuterung der albanesischen Sprache. BB XVIII 1891.

Buzuku, Gjon

        “Meshari” I, II. Tiranë, 1968.

Cordignano, Fulvio

       Dizionario albanese-italiano e italiano-albanese (il nuovo Jungg), Parte Albanese-Italiana. Milano, 1934 (Alb.-It.).
Çabej, Eqrem
       Studime rreth etimologjisë së gjuhës shqipe, I-XXVIII. BUST SSS 4, 1960 – 4, 1963; SF 1, 1964 – 3, 1968.
       Studime etimologjike në fushë të shqipes. Tiranë, I 1982, II 1976, III 1987, IV 1996, V (i pabotuar), VI 2002, VII 2006 (SE).
Dizdari, Tahir
       Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe. Tiranë, 2005.
Figlia, Nicola
       Il Codice Chieutino. A cura di Matteo Mandalà. Palermo, 1995 (CC).
Haxhihasani, Qemal
       Vështrim i përgjithshëm mbi të folmen e banorëve të Çamërisë. DS II 1974.
Jokl, Norbert
       Beiträge zur albanischen Grammatik 4. Die Verbreitung der Dehnstufenbildungen im Albanischen. IF 37, 1916/17, 90-122.
La Piana, Marco
       Studi linguistici albanesi. Varia. Palermo, 1949 (SLA Varia).
Mann, Stuart E.
       The Indo-Europian Consonants in Albanian. Lg. 28, 1952.
Meyer, Gustav
       Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache. Strassburg, 1891.
       Albanesische Studien. Wien; IV: Das griechisch ­ südrumänisch – albanesische Wörterverzeichnis des Kavalliotis (herausgegeben und erklärt), 1895.
Orel, Vladimir E.
       Albanian Etymological Dictionary. Leiden, 1998 (AED).
Shkurtaj, Gjovalin
       E folmja e Hotit. Dialektologjia shqiptare II. Tiranë, 1974.
Tagliavini, Carlo
       L’albanese di Dalmazia. Contributi alla conoscenza del dialetto ghego di Borgo Erizzo presso Zara. Firenze, 1937 (AD).
Topalli, Kolec
       Theksi në gjuhën shqipe. Tiranë, 1995 (Thek.).
       Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe. Tiranë, 2003 (Fërk.).
Walde, Alois ­ Hofmann, J. B.
       Lateinisches etymologisches Wörterbuch von A. Walde. Dritte neubearbeitete Auflage von J. B. Hofmann. Heidelberg, I A-L, 1938; II M-Z, 1954 (Walde-Hofmann).
Walde, Alois – Pokorny, Julius
       Vergleichendes Wörterbuch der indogermanischen Sprachen, herausgegeben und bearbeitet von J. Pokorny. Berlin – Leipzig; I 1930, II 1927, III 1932 (Walde-Pokorny).



     [1] Shkurtaj DSH II 1974, 405 v.
     [2] Alb.-It. 161.
     [3] Meyer EW 163, Barić ARS I 76, Tagliavini AD 134, Orel AED 250, Çabej SE V dg. 537.
     [4] Boretzky TE II 112, Çabej SE VI 279, Dizdari 833.
     [5] Çabej SF 4, 1964, 87, Orel AED 285.
     [6] P. Budi, SC.
     [7] Bugge BB XVIII 1891, 174, Meyer AS IV 44, Jokl IF 37, 1916/17, 119, Walde-Pokorny II 155, Walde-Hofmann I 483, La Piana SLA I Varia 23, Mann Lg. 28, 1952, 32, Çabej SE III 212, Topalli Fërk. 123.
     [8] Topalli Thek. 54.
     [9]LI b – Mbretërit IV 5, 10, Bogdani: Nji i lajm për të çpejtë kje dërguem prej së dȳ motrash (CP II 84, 1).
[10] Dict. 81, 175, 218, 221.
[11] CP I 131, 6.
[12] CC 53/24.
[13] Haxhihasani DS II 1974, 122.

Follow @gjshkurtaj

Dialektet e shqipes dhe standardi në kushtet e globalizmit

Akademik Kolec Topalli

Dihet se krijimi i standardit të një gjuhe, si mjet komunikimi mbarëkombëtar, nuk përjashton ekzistencën e dialekteve. Ato vijojnë jetën e tyre duke pësuar ndryshime në përshtatje me vetë zhvillimin e krahinës ku fliten dhe në marrëdhënie me standardin. Rastet e gjuhëve të mëdha të Europës, si anglishtes, frëngjishtes, italishtes etj.,  që kanë krijuar standardin e tyre prej disa shekujsh duke ruajtur edhe dialektet, janë një shembull i qartë për këtë. E njëjta gjë mund të thuhet për gjuhën shqipe, e cila, ndryshe nga gjuhët e mësipërme, ka një standard të ri, të krijuar prej jo më shumë se një gjysmë shekulli, por dialektet e saj gjëllijnë duke hyrë në marrëdhënie të ndërsjella me të: nga njëra anë, standardi ushtron ndikimin e vet mbi dialektet duke futur elemente të modernizimit të gjuhës, fjalë të reja që lidhen me mënyrën e re të jetesës dhe ndryshimet e mëdha ekonomike e shoqërore; nga ana tjetër, dialektet derdhin vazhdimisht pasurinë e tyre leksikore e frazeologjike në gjuhën standarde. Për këtë arsye çdo nënvleftësim i fuqisë krijuese të dialekteve sjell dobësim e varfërim jo vetëm të dialektit por edhe të vetë standardit.

Gjuha popullore, që jeton përmes dialekteve, është ajo që i jep jetë e gjallëri standardit, që e freskon dhe e njom, e përtërin, e këndell dhe e ardhang duke e mbrojtur nga shtërpësia e thatësira dhe nga krijimet me gjedhe të huaja. Sidomos standardi i shqipes, që është i ri, ka nevojë për pasurinë e dialekteve, për krijimet popullore, që mund të gjenden në të folmet e popullit. Nëse e përbashkëta e krijuar, gjuha standarde, shkëputet nga baza e vet prej së cilës ka dalë, ajo rrezikon të shterpëzohet e të dobësohet, duke u ushqyer jo më me gjakun e vet, por me gjak të huaj.
Jetojmë në epokën e globalizmit, kur marrëdhëniet e dendura ndërmjet shteteve, krahinave e gjuhëve janë shtuar së tepërmi; kur këmbimet kulturore, letrare e artistike janë shumëfishuar, kur zhvillimi i vrullshëm i shkencës e teknikës ecën me ritme të paparashikuara. Në kushte të tilla, të gjitha gjuhët ndodhen para një dukurie të re, që është globalizmi gjuhësor. Gjuhët e mëdha e të zhvilluara, që kanë përparësinë e zhvillimit ekonomik, shkencor, teknik e artistik, gëzojnë edhe përparësinë gjuhësore duke u bërë rrezatuese të fjalëve, shprehjeve dhe formave të reja në të gjitha gjuhët me të cilat janë në kontakt popujt e vendeve të ndryshme të globit. Një dukuri e tillë është e pashmangshme edhe për shqipen, madje, në një shkallë edhe më të lartë se gjuhët e tjera, që kanë pasur stabilitet më të hershëm kombëtar e gjuhësor, krahas stabilitetit politik, ekonomik e shoqëror.
Për gjuhën shqipe, globalizmi është një dukuri e pashmangshme. Shumë fjalë, shprehje dhe ndërtime gramatikore të gjuhëve të huaja depërtojnë çdo ditë, orë e minutë në gjuhën shqipe. Ky depërtim është i fuqishëm nga dy burime: nga gjuhët romane, për arsye të traditës së krijuar prej disa shekujsh, sipas së cilës elementet e reja të gjuhës kanë depërtuar kryesisht nga këto gjuhë, sidomos prej italishtes e frëngjishtes; e para me kontakte të drejtpërdrejta prej marrëdhënieve historike; e dyta si gjuhë kulture kudo në Evropë në shekujt e fundit. Burimi i dytë është anglishtja, fuqia e së cilës si gjuha me prestigjin më të madh botëror, është bërë e ndieshme në të gjitha gjuhët europiane, sidomos në shekullin e fundit, duke përfshirë edhe shqipen.
Në rrethana të tilla, duke qenë globalizmi një dukuri e pashmangshme, në shumë raste mund të mënjanohet duke përdorur në vend të fjalëve, shprehjeve a strukturave të huaja sintaksore, elemente dhe materiale prej brumit të vetë shqipes, që janë farkuar me mjeshtri prej popullit dhe mund të gjenden në dialekte e në të folmet të veçanta, që vijojnë të gjallojnë e të bëjnë jetën e tyre. Po jap ndonjë shembull. Për fjalën e huaj model, populli i krahinës së Elbasanit ka krijuar gjedhe, që shkon me foljen zgjedh, domethënë “ajo që zgjidhet”. Për foljen krijoj arbëneshët e Dalmacisë kanë lentoj nga fjala e shqipes landë. Janë dy shembuj që dëshmojnë se sa ndihmesë mund të sjellin dialektet për të mënjanuar fjalët e huaja, që po vërshojnë me fuqi e shpejtësi të madhe në gjuhën shqipe.
Shkrimtarët e mëdhenj dallohen për një punë të vullnetshme dhe frytdhënëse për gjurmimin e thesarit popullor, çka i jep jetë e gjallëri veprave të tyre. Po sjell vetëm ndonjë shembull nga fjalori i Fishtës, ku spikat puna e tij e madhe për të gjetur, për të hulumtuar e për të vënë në qarkullim fjalë të rralla të shqipes, siç janë ato që i kemi nxjerrë nga vepra “Lahuta e Malcis”, p.sh., adra  për “dokrra”, ag për “drita e mëngjesit”, angërr për “të brendshmet”, avër për “rrasë akulli”, baetë për “një lloj arme, hobe”, bercak për “peshk i vogël”, boenë për “përmbytje”, brâsh për “pjepër i vogël”, bubazhel për “gogol”, camerdhok për “fëmijë i vogël”, cecas për “grimcoj”, cokël për “copa të vogla druri”, çakla për “sende shtëpie” e shumë të tjera, që janë një pasuri e madhe dialektore, por edhe e mbarë shqipes po të vihen në qarkullim të përgjithshëm gjuhësor.
Standardi i shqipes, që kryen funksionet e tij kudo ku ka shqiptarë, ka nevojë për përmirësim, për latim e pasurim, për përsosje e zgjerim të mëtejshëm të funksioneve të tij. Të gjitha këto mund të realizohen më së miri duke u mbështetur në pasurinë e madhe që kanë krijuar prej shekujsh dialektet, në gjedhet e farkuara me mjetet e shqipes. Shqipja standarde krijon marrëdhënie bashkëveprimi të vazhdueshëm me dialektet e të folmet e veçanta të shqipes. Nëpërmjet lidhjeve të ngushta e të përhershme që mban me dialektet, ajo pasurohet e përsoset. Kontaktet e standardit me dialektet janë shumëfishuar dhe përshpejtuar sidomos në dhjetëvjeçarët e fundit, kur shqiptarët, që për gati një shekull qenë të copëtuar në disa shtete, hoqën kufijtë ndarës dhe filluan lëvizjen e lirë, duke rritur ndjeshëm komunikimin e drejtpërdrejtë gjuhësor me njëri-tjetrin.
Në fushën e leksikut, janë të gjitha mundësitë që shumë fjalë të huaja të zëvendësohen me fjalët shqipe; si p.sh.: për absorboj mund të përdoret përthith; për adaptoj, përshtas, për afirmoj, pohoj, për aks, bosht, për akumuloj, grumbulloj, për  akut, i mprehtë, për alivan, të fikët, për aluvion, lyshtër e lymishtë, për angazhohem, zotohem etj. 
Në fushën e frazeologjisë, ku dialektet kanë ruajtuar shprehje të bukura popullore, janë mundësitë e përdorimit të tyre për të zëvendësuar shprehjet e huaja frazeologjike, që shfaqen si kalke gjuhësore; si p.sh.: njeri gjysmë i vdekur, sipas gjerm. halbtot, mund të zëvendësohet me gati i vdekur a si i vdekur; shprehja kam një besim të verbër sipas fr. avoir une confiance aveugle mund të zëvendësohet me vë dorën në zjarr; shprehja ishte i mirënjohur sipas it. era ben conosciuto mund të zëvendësohet me e njihnin të gjithë etj.   
Veçanërisht të dëmshme e të rrezikshme janë gjedhet e huaja në sintaksë, në ndërtimin e fjalive. Si një gjuhë e lashtë që ka mundur t’u shpëtojë shumë ndikimeve të huaja, shqipja ka krijuar gjedhet e saj të ndërtimit të fjalive, të cilat më mirë se askund tjetër ruhen nëpër dialekte. Por në ditët tona, kur kontaktet me gjuhë të huaja janë shtuar së tepërmi, është rritur edhe rreziku i depërtimit të strukturave të huaja në fushën e sintakës, një rrezik që mund të mënjanohet letësisht duke studiuar e duke vënë në qarkullim strukturat e gjedhet popullore, që gjenden në çdo dialekt të shqipes. Sintaksa dhe morfologjia, me një fjalë gramatika, është kështjella e fundit që mund të tjetërsojë një gjuhë. Shformimi i tyre prish palcën kurrizore të gjuhës, skeletin e saj; prandaj ruajtja e tyre është detyrë parësore e çdo gjuhëtari, shkrimtari a intelektuali që përdor gjuhën amtare. Disa shembuj ku mund të mënjanohet ndikimi i huaj, janë: përdorimi i përemrit gjithëpara përcjellores, në raste si: gjithë duke ecur, sipas fr. tout en marchant; përdorimi i lidhores pas foljeve që shprehin të parë, të dëgjuar, të ndier etj., në raste si: jam i kënaqur ta kem njohur atë njeri, sipas fr. Je suis content d’avoir connu cet homme; përdorime të gabuara të parafjalëve, në raste si: i pasur në minerale, sipas gjerm. reich an Erzen; nën mbikqyrjen e tij sipas it. sotto la sorveglianza, pra, edhe nën edhe mbi etj.
Drejtimet e një pune të mirëfilltë shkencore për mbrojtjen e pasurisë dialektore mund të jenë sa vijojnë: mbledhja, evidentimi dhe hulumtimi i fjalëve, shprehjeve dhe strukturave ndërtimore të dialekteve, me qëllim që të bëhen pasuri e standardit duke ndihmuar mënjanimin e elementeve të huaja; studimi i pasurisë gjuhësore të autorëve të ndaluar ose të mënjanuar në periudhën e diktaturës komuniste për të marrë prej tyre atë pasuri që ata e shfrytëzuan nga thesari popullor për të krijuar veprat e tyre; hartimi i fjalorëve dialektorë, sidomos për të folme ende të pastudiuara; hartimi i një fjalori të tipit thesaurus, ku të përfshihet e gjithë pasuria leksikore e dialekteve të shqipes etj. Për të gjitha këto, nuk mjafton puna e kujdesshme dhe e vazhdueshme e institucioneve shkencore të specializuara, por nevojitet edhe qëndrmi i ndërgjegjshëm i të gjithë shoqërisë shqiptare, veçanërisht i intelektualëve që kultivojnë gjuhën amtare.

Kliko këtu për videon: http://youtu.be/1BsniGUQlNM

Kolec Topalli: Ja pse shqipja është gjuha më e vjetër indoevropiane

http://www.kombetare.al/kolec-topalli-ja-pse-shqipja-eshte-gjuha-me-e-vjeter-indoevropiane/

Gjuha Shqipe: – A DO TE NDRYSHOHET STANDARDI ‘72?

Edhe nëse konferenca shkencore për gjuhën do të propozonte rishikimin e standardit, ndryshimet nuk mund të sanksionohen pa vullnetin institucional. E treta herë në njëzet vjet që specialistët shtrohen në tryezë pune për hetuar dhe për të propozuar: Çfarë?

08.12.2010

Programi i konferencës shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e pasurimit dhe të përmirësimit të standardit” ka marrë formë përfundimtare: është bërë një grupim i referateve sipas temave që trajtojnë.

Akademik Kolec Topalli, anëtar i Komisionit Shkencor të Konferencës konfirmoi se konferenca organizohet në Durrës, Tropikal Resort, duke e mbajtur larg vëzhgimit dhe ndërhyrjeve të medias, sepse kjo është një tryezë ku specialistët kanë për të punuar.

Ka gjuhëtarë që e shikojnë të padrejtë mediatizimin që i është bërë konferencës ende pa filluar. Nuk është se aty do të merren vendime. Edhe sikur të donte, kjo elitë e disiplinave gjuhësore, nuk është vendimmarrëse.

“Ky nuk është kongres, është tryezë pune”, qetëson prof. Topalli i cili na tregoi dje programin e datave 15-17 dhjetor që ka përgatitur Qendra e Studimeve Albanologjike. Ky është edicioni II i Ditëve të Albanologjisë, ku paraqiten kërkimet dhe arritjet në studimet albanologjike. Vitin e kaluar kishte edhe formën e një konkursi ku u vlerësuan me çmime veprat më të mira në gjithë fushat e albanologjisë.

Konferenca e radhës prezanton disa tema të mëdha, në bazë të të cilave është bërë edhe një grupim i çështjeve të referuesve.

Për Historinë e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni, flasin: Bahri Beci, Rexhep Ismajli, Seit Mansaku, Bardhyl Demiraj, Gjovalin Shkurtaj etj..

Për Problemet gramatikore të standardit, flasin: Ethem Likaj, Wilfried Fiedler, Besim Bokshi, Anila Omari, etj.. Për Problemet e drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit, flasin: Kolec Topalli, Mehmet Elezi, Besim Kabashi, etj..

Për Marrëdhëniet e standardit me dialektet. Norma Leksikore, flasin: David Luka, Ardian Vehbiu, Ardian Klosi, Ledi Shamku-Shkreli, Ferdinand Leka, Asllan Hamiti, Ajten Qamili, etj.. Për Standardin dhe normën letrare, flasin: Sabri Hamiti, Valter Memisha, Imri Badallaj, Ali Jashari, Tomor Plangarica, etj..

Ndërmjet seancave do të ketë promovime të botimeve gjuhësore, takime me shkrimtarë.

Është konferenca e tretë shkencore që mbahet në këto njëzet vjet. Në platformën e kësaj të fundit thuhet: “Shqipja e sotme gjallon si gjuhë e mbarë shqiptarëve në formën e dy dialekteve kryesore dhe në variantin shqipe standarde.

E ndodhur përballë hapjes dhe liberalizimit të shoqërisë shqiptare, ajo po pëson zhvillime të fuqishme të brendshme, që lidhen me shtimin e jashtëzakonshëm të kontakteve ndërmjet vetë shqiptarëve, me migrimet dhe me emigracionin, me rikonfigurimin gjeopolitik e gjeokulturor të faktorit shqiptar në rajon, si dhe përgjithësisht me ngritjen e përshpejtuar ekonomike, sociale e kulturore të shoqërive shqiptare në dhjetëvjeçarin e fundit. Gjuha shqipe po kalon një proces të vrullshëm zhvillimi e pasurimi dhe në këtë dinamikë lipset shqyrtuar edhe vetë standardi, si një variant i saj.

Vërejmë se disa nga dukuritë dhe problemet e shumëllojshme që janë bërë të pranishme mbas Kongresit të Drejtshkrimit, kanë tërhequr më shumë vëmendjen e publikut sesa të gjuhëtarëve, ndërkohë që situata e sotme gjuhësore nuk e toleron më këtë komoditet. Gjykojmë se ka ardhur koha që çështja të shihet pa pasione të ndezura, në një prizëm thjesht shkencor, për të evidentuar me përgjegjësi problematikat e krijuara, me një vështrim përfshirës dhe me parashikime afatmesme e afatgjata.”

Prof. Kolec Topalli tha të njëjtën gjë që ka përsëritur këto ditë në media se qëllimi i gjithë kësaj është që të analizohet standardi i sotëm, politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të tij dhe të shihet se çfarë rrugësh do të ndiqen në të ardhmen.

Çfarë do synonin këto politika? Edhe njëherë, prof. Topalli thotë se politikat do synonin mundësitë e pasurimit të standardit, dhe “disa aspekte të tij të shqyrtohen për të ndryshuar në favor të rregullimit më të mirë të rregullave të drejtshkrimit.

Aty ku ka kontradiktë të rregullohet.”

Me sa është dukur deri tani në shkrimet në shtyp, është kjo vija e hollë e politikave të mundshme mbi standardin që i ndan gjuhëtarët në pro ndryshimit, pro sanksionimit të disa rregullave të reja, dhe ata që janë pro vetëm zbatimit korrekt të këtij standardi që e kemi të keqpërdorur tashmë.

Për çfarë natyre kontradiktash që mund të rregullohen, e ka fjalën prof. Topalli?

“Rregullat janë vendosur në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit” thotë ai, “Kongres që është zhvilluar në kushtet e diktaturës komuniste, të totalitarizmit.”

Raporti i standardit me dialektet është një temë për diskutim në konferencë.

Për këtë aspekt anëtari i Komisionit Shkencor të Konferencës mbron një ide që është mbështetur nga jo pak specialistë: studimi i gjuhës shqipe në shkolla, e cila duhet të ketë ekskluzivisht si bazë standardin e sotëm, duhet të përfshijë edhe dialektet, jo vetëm atë gegë, po edhe arbërishten e Italisë. “Shkolla duhet të japë njohuritë mbi dialektet që nuk janë përfshirë në standard”, shton prof. Topalli.

“Një nga gabimet në tekstet shkollore, që nga viti 1945 deri vonë, është ky: nuk janë dhënë njohuritë e nevojshme për pasuritë dialektore gramatikore të dialekteve të tjera por është marrë gramatika e mirëqenë duke menduar që dialektet e mbyllën historinë e tyre.”

Nevoja për ta rishikuar herë pas here standardin është parashikuar qysh në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit më 1972 dhe është parashtruar në Konferencën shkencore me rastin e 20-vjetorit të Kongresit, dhe sërish në 30-vjetorin e tij.

Në vitin 2002 është mbajtur një tjetër konferencë ku u vendos që të krijohet një Këshill Ndërakademik për të shqyrtuar problemet që ka nxjerrë standardi i sotëm.

Në vitin 2004 “duke u nisur nga vlerësimi i përbashkët se gjuha shqipe është tipari themelor i kombësisë shqiptare, se ajo siguron ndërlidhjen shpirtërore midis hapësirave dhe vendeve që flasin shqip dhe mjetin më të qenësishëm për komunikim midis tyre përtej ndarjeve administrativo-politike”, u krijua Këshilli Ndërakademik për Çështjen e Shqipes Standarde i përbërë nga anëtarë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Arbëria, i kryesuar nga akademikët Shaban Demiraj dhe Rexhep Ismajli.

Gjatë vitit 2005 Këshilli nxori rregulloren e punës, u krijuan komisione për çështje të drejtshkrimit, të kulturës së gjuhës, të morfologjisë e të sintaksës, të leksikut, etj, të cilët duhej të raportonin për gjendjen ekzistuese dhe problemet.

Në bazë të tyre Këshilli duhej të merrte një vendim. Në vitin 2006 në Takimin e Prishtinës, Këshilli konkludoi se për shqyrtimin e çështjeve drejtshkrimore që lidhen me përdorimin e gjysmëzanores ë në pozita të ndryshme, ishte i nevojshëm një material më i gjerë studimor dhe kjo iu kërkua Komisioneve në Tiranë dhe Prishtinë.

Por Këshilli arriti në përfundimin se “nuk është e nevojshme të ndërmerren “rishikime” për çështje që për një arsye a për një tjetër mund të jenë (para)gjykuar të rishikueshme.”

Kështu, asnjëherë nuk është sanksionuar asnjë ndërhyrje në Kodin Standard të Shqipes. Kësaj radhe prof. Topalli thotë: “Do të diskutohen realisht problemet pa duartrokitje, pa lëvdata, po si në një konferencë shkencore. Do të propozohen edhe rrugët e zgjidhjes. Por konferenca nuk është kongres. D.m.th ajo nuk do të marrë vendime. Ajo do të japë orientime se si do veprohet më vonë.”

Kanë deklaruar në “Shekulli”

Kolec Topalli: Ndryshimet të pasqyrohen në drejtshkrimi

“E kemi të nevojshme të ndjekim hap pas hapi zhvillimet e gjuhës dhe të bëjmë ndryshimet e nevojshme në kohën e duhur.

Sigurisht që gjuha nuk ndryshon kaq shpejt, por ato ndryshime që kanë ndodhur, mendoj se duhet të pasqyrohen edhe në drejtshkrimin e saj, sepse kryesisht bëhet fjalë për drejtshkrim.

Për disa probleme të tilla të cilat po rishikohen, edhe unë jam i mendimit që mund të gjejnë një rishikim të duhur, me qëllim që të mos krijohet një shkëputje e madhe ndërmjet gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar, siç ka ndodhur për shembull në anglishte.”

Kristina Jorgaqi: Përgjegjësia, indiferenca e institucioneve

“Niveli aspak i kënaqshëm i njohjes dhe i përvetësimit të standardit është sot, për fat të keq, një realitet i pamohueshëm ndër shumicën e shqiptarëve, toskërisht-e-gegërishtfolës pa përjashtim.

Të gjithë po jemi dëshmitarë të cilësisë së dobët të “produkteve” të shkollës sonë në lëmë të gjuhës shqipe, që, për nga përmbajtja e teksteve ashtu dhe nga metodat e mësimdhënies, qëndron sot në minimumin e vet historik. Dhe për këtë përgjegjësia kryesore do parë tek indiferenca e institucioneve, që e kanë detyrë të përkujdesen për standardin.

Rexhep Ismajli: Kongresi i Drejtshkrimit s’i përgjigjet rrethanave të sotme

“Shqipja flitet në hapësira të ndryshme shtetërore e politike me realitete të ndryshme ekonomike, shoqërore, kulturore.

Në mungesë të bashkërenditjes së ndërmarrjeve dhe të kujdesit për gjuhën, ka mundësi që realitetet e tilla të krijojnë zhvillime disparate në shkallë më të gjerë… Mënyra se si është vepruar me Kongresin e Drejtshkrimit në rrethanat e sotme nuk duket e mundshme. Pos tjerash, ajo ka qenë dhe objekt kritikash në opinion.”

Ledi Shamku-Shkreli: Standardi u zhvesh nga prestigji i gegërishtes

“Nga 1952 deri më 1972, pra plot 20 vjet, politika gjuhësore në Shqipëri (ose më mirë ‘politika’, pasi nuk vërehet kurrfarë ndarje mes Vijës Ideologjike dhe Politikës Gjuhësore) duke ndaluar lavrimin e mëtejshëm të gegnizmave dhe të krejt Koinesë Letrare Gege, e zhveshi këtë pjesë të shqipes nga një element tejet i rëndësishëm që quhet prestigj; pa u zgjatur do thoja se rezultati final i kësaj zhveshjeje, ish krijimi i një kompleksi faji i cili bëri që gegëfolësve, gati-gati, t’u vijë turp nga gjuha e tyre.”

Italo Fortino: A ekziston nevoja e riformulimit?

“Problemi nuk është riformulimi i kodit të standardit vetëm me qëllimin e riformulimit, por duhet verifikuar më parë nëse ekziston nevoja e riformulimit, d.m.th. nëse gjendja sociolinguistike kërkon një ndërhyrje në rishikimin e standardit për një rivlerësim të të gjitha mundësive gjuhësore. Besoj edhe që gjendja e re e Kosovës, që marshon në drejtim të pavarësisë, kërkon vëmendje të veçantë për një zhvillim harmonik të problemit gjuhësor.”

Ardian Vehbiu: Mangësi serioze në mësimin e shqipes së njësuar

Nëse përdoruesit e sotëm të ligjërimit publik nuk arrijnë ta përdorin shqipen e njësuar në pajtim me rregullat e miratuara, kjo nuk ka aq të bëjë me mangësitë strukturore dhe lëndore të standardit vetë, sesa me shkaqe dhe rrethana jashtëgjuhësore.

Mes këtyre vlejnë të përmenden, para së gjithash, mungesa e një zotimi të qëndrueshëm institucional për ta mbrojtur standardin; mangësitë serioze në mësimin e shqipes së njësuar në shkollat; dhe rënien e prestigjit të standardit vetë në publik, për shkak të përshoqërimit që i bëhet me regjimin komunist, monizmin kulturor dhe politikat gjuhësore totalitare.

Konferenca Arbereshe

Në kuadër të javës Kalabreze në Shqipëri, Rajoni i Kalabrisë në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë dhe Qendrën Kërkimore-Shkencore Albanologjike të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi“, organizuan ditën e enjte, më 14 tetor, ora 15.00, në sallën “ Walter Höflechner “ të Bibliotekës së këtij Universiteti, konferencën shkencore “Historia dhe evoluimi i raportit midis Italisë dhe Shqipërisë. Roli i prezencës Arbëreshe.“

Hapja e Konferences u bë nga rektori i Universitetit të Shkodrës Prof. Dr. Artan Haxhi, i cili referoi kumtesen “Kolegji i Shën Adrianit- vatër edukimi dhe dijeje“, i përgatitur në bashkëpunim me Prof. Dr. Tefë Topalli. Ndërsa, Matteo Mandala referoi mbi “Kolegjet arbëreshe në marrëdhëniet italo-shqiptare. Roli i Seminarit të Palermos.“

Mbas përshëndetjeve të rastit, vijuan dy seancat paralele të konferencës, të drejtuara përkatësisht: seanca e parë nga Tomor Osmani, Kolec Topalli, Francesco Altimari, Bardh Rugova si dhe seanca e dytë nga: Gjovalin Shkurtaj, Mimoza Priku, Imri Badallaj dhe Domenico A. Cassiano.

Në këto dy seanca, referuan profesorë nga Italia, Shqipëria (Shkodër, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër) dhe nga Kosova.