Letërsia dhe bota e arbëreshëve të Italisë në hulumtimet dhe botimet e Dhimitër Shuteriqit


nga Gjovalin Shkurtaj

(Kumtesa për Konferencën shkencore përkujtimore në ASH me rastin e 100-vjetoritë të ditëlindjes së Dh.Shuteriqit)

Kumtesën time  (nevojisht të shkurtër)  do ta nis  duke parafrazuar një vlerësim  të zonjës Mynyvere Shuteriqi, e cila, në librin e saj  “Një jetë në dashuri”, krahas kujtimeve të tjera të bukura e domethënëse për njohjen sa më të plotë të Jubilearit tonë të paharrueshëm, Akademikut Dhimitër S.Shuteriqi, shkruan:


Cilido që ka pasur rastin të ketë udhëtuar nëpër Shqipëri me Dhimitrin, ka provuar kënaqësi të veçanta.Ai ishte një lloj ciceroni i palodhur, që të pasuronte me lloj-lloj informacionesh, veçanërisht për historinë e vendit.”[i]


Dhe, duke iu përunjur Asaj, me nderimin e thellë që meriton, jo vetëm  si zonja e një Burri të Madh si Dhimitër Shuteriqi, po edhe për vullnetin e zotësinë e madhe që po shfaq për ta mbajtur të gjallë kujtimin e vlerësimin që i takon atij, po e filloj me mbështjen e këtij pohimi emblematik.

Kam pasur rastin e këndshëm të kem qenë edhe unë me prof.Shuteriqin, në një udhëtim studimor në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë dhe, kaq të shumta e të bukura i kam kujtimet prej asaj periudhe njëmujore saqë vitet, edhe pse  tashmë bukur të shumta që kanë kaluar, nuk kanë mundur t’i zbehin aspak. Ishim dy “skuadra” hulumtuesish: njëra për kërkime në arkiva e biblioteka, e përbërë nga Dhimitër Shuteriqi, Jup Kastrati, Ali Xhiku  dhe, tjetra, për ekspeditë në terren, e përbërë nga etnografi Spiro Shkurti dhe dy dialektologë: Jorgji Gjinari dhe unë.

Ka qenë pranvera e vitit 1981 dhe, në atë stinë, Kalabria duket aq e bukur, saqë me të drejtë shumë vizitorë të huaj e kanë quajtur edhe Kalifornia e Italisë. Në të dy anët e lumit Krati,  Fusha e Sibarit me aromën dehëse të lulëzimit të agrumeve, të dhuron edhe  pamjen madhështore e tërheqëse të ngulimeve arbëreshe, në kodrina e rrahishte me ullishta e vreshta, që shkojnë varg deri tej në këmbët e Polinit, ku, gjithashtu, fshihen disa ngulime arbëreshe malore, si Plataçi, Çifti (Civita) e Kastërnexhi (Castroreggio).Të gjithë atyre që në shkollë kanë mësuar me librat e Shuteriqit për letërsinë arbëreshe, teksa ndjekin këto pamje u vijnë natyrshëm në mendje edhe vargjet e Milosaos: “Vreshtat in verdhullore…”.

Hotel “Imperiali” i Kozencës, ku ne flinim  dhe mblidheshim në mbrëmje mbas punës, ishte kthyer në një “Mekë” për arbëreshët dhe dashamirët e shumtë të shqiptarëve e të Shqipërisë, aq sa, siç do të thoshte me të qeshur poeti i njohur Karmelo Kandreva, për hir të Shuteriqit e të studiuesve që ishim me të,  arbëreshët i harruan grindjet dhe ndarjet partiore e klanore, duke u bashkuar në hollin e hotelit e duke dëgjuar me dashuri e respekt ato që rrefente ky “orakull i arbëreshësisë”.[ii]

Prof.Shuteriqi dhe prof.Jup Kastrati, krejt sy e veshë, teksa ndiqnin në Frasnitë “Vallen e artire çë nxinjën” dhe “Kalorësve të Skandërbekut”, me stilografët e tyre  në duar, mbanin shënim me vrull djaloshar  dhe dukej sikur bënin ndonjë garë stenografie, duke synuar të mos linin asgjë pa fiksuar e shënuar. Profesori, ashtu si në të gjitha ekspeditat e hulumtimet e tij në vende të ndryshme e në diasporat e tjera, tregonte interesim e kureshtje të pashuar për emrat e mbiemtonyrat e atyre që takonte në katundet arbëreshe. Kemi diskutuar disa herë gjatë asaj eksepdite për mbiemrat dhe pseudonimet e shkrimtarëve dhe studiuesve arbëreshë të Frasnitës e të Ejnaninës, që, me përjashtim të  Lluka Perrones, gati të gjithë shkruanin me pseudonimet tipike e kureshtare për ne, si Vorea Ujko (Domeniko Bellizi), Buzëdhelpri (Agostino Giordano), Leshkuqi (Francesco Pace) etj. Po në ato mjedise, kur u takuam me Antonio Grobin, një piktor i njohur frasnjot, Profesori thoshte se ai mbiemër mund të përqaset e të shihet në lidhje me fjalën “gropë” të shqipes dhe mendoj se kishte të drejtë. Kështu edhe  të një tjetri që quhej Papari dhe që gjithashtu mund të ketë lidhje zanafille me toponimin Papër; për mbiemrin Skura të një gjeometri që na e njohu Ndon Bellushi, që lidhet me Skurajt e Mirditës dhe për shumë të tjerë. Ashtu si Eqrem Çabej, edhe Shuteriqi kishte vlerësimin se etnonimet e patronimet arbëreshe janë me vlerë të madhe treguese të shqiptarësisë së arbëreshëve dhe se nuk ishte e rastit që ta jo vetëm i ruajtën emrat e të parëve, si p.sh.Jul Variboba, mbimri i të cilit, pa dyshim, na kujton Varibopine Myzeqesë; ashtu si  Damësi i Ungrës  (Lungro) na shpie pikërisht në anët e Tepelenës.  Në Shën-Beneditk Ullano, në shtëpinë e Rosalino Muzakios, sapo hymë, prej mbiemrit, po edhe prej pamjes së tij të hieshme e fisnike, prof. Dhimitri (me atë buzëqeshjen e tij sa miqësore, aq edhe të pëlqyeshme, do të thosha të madhërishme), duke e përqafuar i tha: “Këtu qenkemi në farefisin tonë, në pinjojt e derës së Muzakajve” dhe biseda rrodhi aq e këndshme e plot rrëfime të pikuara me faktime e data historike, që ai dinte t’i përafronte si moskush tjetër.

      Po flisnim, një mbrëmje,  për Biblioteknë Kozentine, ku grupi do të shkonte për hulumtime të nesërmen dhe, për habinë e të gjithë të pranishmëve, disa prej të cilëve kishin punuar jo me me ditë e javë, por edhe me muaj në atë Bibliotekë, Profesori u tregonte se dinte se në aksh raft e në aksh kthinë të saj ndodheshin  dorëshkrime ose botime të rralla të De Radës e të autorëve të tjerë arbëreshë.

Në Maqin e De Radës, ato ditë, u organizua edhe një tubim shkencor  me temën “Mbalë De Radën” (=mbi De Radën)  dhe aty, prof. Shuteriqi, në atë log burrash të shquar arbëreshë e kalabrezë, që mbushnin kishën ku është edhe varri i “Tatëmadhit të arbëreshëve” (Jeronim de Radës), ishte pa dyshim jo vetëm ai që tërhiqte vëmendjen me pamjen e tij aq madhështore, me beretën e llullën e tij mitike, por mbi të gjitha me ato që kumtoi për De Radën, si dhe për figurat e tjera të mëdha të letërsisë arbëreshe, si për Seremben, Santorin, Stratigoin dhe autorët e tjerë arbëreshë, që të gjithë bij të atyre atyre ngulimeve që ne i shtegtuam dhe i vizituam ato ditë të paharrueshme. Profesor Shuteriqi i ngazëlleu zemrat e  arbëreshëve, duke e mbajtur kumtesën e tij gati të gjithën në të folmen arbëreshe të Maqit, të cilën e njihte më mirë se të gjithë ne të tjerët.

Grupi nuk la vend pa kërkuar, në Bibliotekën “Filomena Faraco” të Vakaricit, në Bibliotekën e Ndon Bellushit në Frasnitë, në Qendrën e Studimeve Jonike të V.Selvaxhit në Vakaricë, si dhe në qendrat e revistave arbëreshe. Dhe, natyrisht, edhe frytet e atij udhëtimi studimor katërjavor nuk mund të mos ishin të suksesshme, prandaj edhe Akademia jonë e Shkencave që na kishte dërguar, do të kënaqej e do të bindej se çfarë ndodh kur në kërkimet në biblioteka e arkiva të vendeve të huaja dërgohen specialistë dhe hulumtues të vërtetë, sikundër ishte  Dh.S.Shuteriqi.

2.Mbas asaj ekspedite studimore tek arbëreshët, puna e parë që kam bërë ka qenë rileximi i kujdesshëm  i studimeve dhe botimeve të prof.Shuteriqit për letërsinë arbëreshe dhe, sa herë kam shkruar e folur për ligjërimet arbëreshe ose për dukuri të tjera të botës arbëreshe, dijet dhe vlerësimet e shprehura nga prof.Dhimitër Shuteriqi (në botime të veta[iii] ose në bashkëpunim me kolegun e mikun e tij të nderuar prof.Mahir Domin[iv])  kanë qenë dhe mbeten për mua si busulla në shtegtimet e larget.

Në vitin 1984, kur botova librin tim të parë “Shpirti i Arbrit rron” , prof.Shuteriqi ka qenë i pari të cilit ia dhurova dhe, ndërsa prisja me ndruajtje mendimin e tij, ai vetëm pak ditë mbas vizitës që kisha bërë në shtëpinë e tij, botoi në gazetën “Drita” një recension të gjerë  e shumë dashamirës, i cili ka qenë për mua një nxitje shumë e madhe për ta vazhduar punën në lëmin e kërkimeve rreth ligjërimeve e letërsisë arbëreshe. E kisha si peng  nderimi dhe prej tij buronte edhe dëshira ime që të dilja sot në këtë  foltore për t’i bashkuar vlerësimin tim dhe disa kujtime të miat, me kumtesat e kolegëve të nderuar që dëgjuam e që do t’i dëgjojmë në vazhdim.

Po lejohem, tani, të nyjëtoj edhe disa vlerësime më konkrete që lidhen me këtë pohim dhe e ftillëzojnë atë.

Së pari, kur flasim për letërsinë arbëreshe  të shek.XIX, me të cilën, në fakt, fillon  një rrymë (dhe frymë) e re në letërsinë shqiptare, që do të quhej Rilindje, Dh.Shuteriqit i takon merita se në studimet e veta dhe sidomos në shtjellimet dhe analizat e holla rreth poezisë së De Radës, pa, pohoi dhe përthekoi me argumente të plotvlershme se poeti i Maqit ishte një romantik evropian, i kishte  edhe formimin, po edhe frymëzimin të tillë, që, siç do ta thoshte më vonë Rexhep Qosja, ishin të orientuar nga romantizimi evropian. Kritika  dhe studiuesit më të autoritetshëm të letërisë shqiptare kanë vlerësuar dhe i janë referuar prof.Shuteriqit, i  cili në shtjellimet rreth “Milosaos” citon fjalët e vetë De Radës, që thotë se veprën  e shkroi “nën modelin”  poezisë frënge të asaj kohe. Mbi atë bazë, Shuteriqi shkon edhe më tej, duke shtuar se “me të drejtë “Skandërbegu i pafanë” është krahasuar me “Legjendën e shekujve” të V.Hygoit, edhe pse tema e saj kufizohet në një shekull të vetëm dhe në një popull të vetëm në shek.XV shqiptar”.[v] Në mbështetje të këtij vlerësimi e pohimi të prof. Shuteriqit, akademiku Rexhep Qosja do të shtonte se “një studim krahasimtar do të dëshmonte ndikimin jo vetëm të Shatobrianit, të Lamartinit dhe të Mysesë, në pjesën më të madhe të poetëve më të shquar romantikë arbëreshë”.[vi]

Dhe, në fakt, duke u mbështetur në konceptet e prof.Shuteriqit, natyrisht edhe duke u thelluar  në  dritën e tyre, në studimet historiko-letrare do të bëhej zotërues mendimi se (me fjalët e akademik Rexhep Qoses) “qoftë konteksti shoqëror kulturor, qoftë ndikimet e pësuara prej letërsisë italiane dhe letërsive të mëdha të Evropës Perëndimore, kanë bërë që romantizimi arbëresh të artikulojë më dukshëm se romantizimi i kolonive të tjera shqiptare, disa prej tipareve cilësuese tematike të romantizmit evropian.”[vii]

Së dyti, duhet të themi se, sot, kur përkujtojmë dhe kremtojmë 100-vjetorin e akad. Dhimitër S.Shuteriqit, bota e arbëreshëve të Italisë ka pësuar ndryshime të mëdha, që kanë në bazë shndërrimet e modernizimet e kohëve të reja, si dhe trysninë që vjen gjithandej prej globalizimit kulturor dhe, po të parafrazojmë vargun proverbial e aq madhështor të De Radës  “Lis jeta kish ndërruar,ujë të ri ndë dejtit”, nuk mund të mos shohim  se sot “uji i ri” është bukur shumë më i  vrullshëm se i vjetri. Kjo vlen tashmë edhe për vlerësimet, pohimet dhe përgjithësimet për letërsinë arbëreshe, për kulturën dhe ligjërimet e arbëreshëve të Italisë. Prej ngulimeve të vogla e dikur të mënjanuara dhe me rrezikun e  se “gjaku ynë është shprishet  dhe se gjuha jonë e birret”(De Rada), kanë dalë e po dalin  pohime të tjera, rrjedha të tjera mendimi e veprimi të ndryshme në mjediset arbëreshe, ndaj të cilave historianët e rinj të letërsisë duhet ta rrudhin ballin, duke shtuar e shtruar udhë të reja bashkëpunimi midis qendrave universitare të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë  me letrarët dhe profesoratin e sotëm arbëresh të Italisë, sidomos me Universitetin e Kalabrisë, të Palermos, sidhe me katedrat e institutet albanologjike të Napolit, Romës etj. ku kanë vepruar  emra të njohur si A.Guzzetta e G.Gradilone dhe ku, mbas tyre e me kushte të tjera më të përparuara, dëgjohet zëri  i figurave të reja si Françesk Altimari ne Kozencë, Mateo Mandala në Palermo, Italo K.Fortino në Napoli, Elio Mirako në Romë etj.

Por, duke përfunduar, shpreh bindjen se nuk gabojmë aspak po të themi se, të gjithë sa janë (e jemi) këtu e në qendrat universitare e studimore të lartpërmendura, nëse dëshirojmë të bëjmë studime të vlefshme për letërisnë, kulturën dhe krejt botën arbëreshe, duhet ta nismim nga njohja, përfillja dhe vlerësimi i punës prej pionieri që ka bërë akademiku Dhimitër S.Shuteriqi, të cilin, nëse më lejohet , meqë po flasim  për arbëreshët e Italisë, do të thosha se ai meriton të quhet edhe “Tatëmadhi” i historisë së letërsisë arbëreshe dhe një nga burrat më të mëdhenj që ka nxjerrë Shqipëria në lëmin e  historisë së letërsisë  dhe të letrave shqipe.

Në figurën gjigande të akademikut Dhimitër S.Shuteriqi kombi shqiptar kishte gjetur njeriun që tërë jetën e tij të gjatë e shkriu për t’ia ndriçuar e pohuar vlerat historike, letrare, gjuhësore dhe përgjithësisht pasuritë etnokultuore, që foshkojnë e rrisin krenarinë kombëtare të çdo shqiptari.

Tiranë, 28 shtator 2015


[i]Shih: M.Shuteriqi,Një jetë në dashuri, Dituria, f.130.
[ii]Mblidheshin aty “ajka”e veprimtarëve dhe përfaqësuesve të kulturës arbëreshe, si Mario Bruneti  (eurodeputet dhe veprimtar i njohur), Damiano Gualiardi (deputet dhe figurë politike  Regjionit të Kalabrisë; studiues të vjetër e klerikë që kishin pasur rast të vizitonin Shqipërinë dhe që  e kishin njohur Profesorin e nderuar, si Emanule Giordano, Francesko Solano, Giuseppe Faraco e Antonio Bellushi;  drejtues të bashkive arbëreshe si Cesare Marini,  Nino Minishi, Damiano Bua dhe, madje, prej Kalabrisë së Epërme, në këtë “qokë” të madhe të takimeve me studiuesit shqiptarë  do të vinin edhe Vinçenzo Paçe, kryetar i bashkisë së Shënkollit Psipër (San Nicolo dell’Alto), edhe Aleksandër Kostantino nga Karfici (Carfizzi), si gjithmonë bashkë me veprimtaren e shquar të Garahës (Caraffa di Catanzaro) prof.Konçeta Mazzein dhe studiues e arsimtarë të tjerë të atyre anëve. Aty i kishim qysh në pikë të mëngjesit edhe poetin Karmell Kandrevën, i gatshëm që me makinën e tij ta shoqëronte Profesorin e grupin  e tij për të bërë kërkime në bibliotekat komunale dhe private; aty  vinte, pa asnjë mungesë a vonesë, Rosalino Musachio me “çetën“ e Shën-Benediktjotëve, të përbërë nga këngëtarët Alfio Moça, Camilo Mosciaro, studiuesi Italo Elmo dhe sa  e sa të tjerë,  të cilët në rrjedhë të moteve kanë treguar sa shumë i duan Shqipërinë e shqiptarët. Aty ishte, ditë për ditë e mbrëmje për mbrëmje, edhe Françesko  Altimari, aso kohe ende djalë i ri, por me treguesit e shenjat e studiuesit që e dinte se ku do ta shpinte ajo udhë e studimit të gjuhës e të letërsisë arbëreshe.
[iii]Shih: Dh.S.Shuteriqi,Skënderbeu në poezinë arbëreshe të Italisë, në librin “Nëpër shekujt letrarë”,Tiranë,1973, f.5-54.
[iv]Shih: GA, Historia e letërsisë shqipe, Kapitulli IIi-VII Letërsia arbëreshe në shekullin XIX, Tiranë, 1985, f.43-202.
[v]Shih: Dh.S.Shuteriqi, Nëpër shekujt letrarë, Naim Frashëri, Tiranë,1973,f.155.
[vi]Shih:R.Qosja, Prej tipologjisë deri te periodizimi, Prishtinë,1979, f.141, shënimi (footnote) nr.19.
[vii]Shih: R.Qosja,  Prej tipologjisë deri te periodizimi, Prishtinë,1979, f.141

Ndihmesat e vyera te Jup Kastratit edhe në fushën e dialektologjisë shqiptare

Prof. dr.Jup Kastratin, “Mësues i Popullit”, “Mjeshtër i Madh i Punës”, në 85-vjetorin e ditëlindjes së tij, e përkujtojmë me nderimin dhe vlerësimet e larta që meriton një burrë si Ai, i cili qe njëri prej atyre bijve të shquar të Shkodrës, që krenohej me vendlindjen e tij dhe nuk rreshti së dashuri, së vepruari dhe së shkruari për bëmat,vlerat dhe bijtë e saj.

Jup Kastrati qe rreshtambarë në pohimet, hulumtimet dhe shpallimet e tij të shumta e të larmishme rreth vlerave shkrimore të shkodranëve, por jo vetëm.
Si bir fisnik i Shkodrës sonë kulturëlashtë, Ai u nis prej këtij visi, prej një qyteti, por lakmoi hapësirat mbarëkombëtare të dijes, duke u pykëzuar sidomos në disa drejtime më madhore të albanologjisë, siç janë: bibliografia, filologjia, hartimi i teksteve për shkollën e lartë; ai qe gjuhëtar dhe historian i përkushtuar i gramatologjisë shqiptare e më gjerë, por duke mbetur i pakalueshëm sidomos me veprën e tij të jetës “Historia e albanologjisë”.

Ata që e kanë njohur nga afër, studentët dhe kolegët, miqtë e dashamirët e tij të shumtë, mjaft prej të cilëve janë mbledhur edhe sot në këtë tubim përkujtimor e përlëvdues, nuk mund të harrojnë kurrë dijet e tij të gjera, informacionin dhe njohjen shumë të saktë e të imtë të botimeve për gjuhësinë dhe albanologjinë në përgjithësi, si dhe pasionin e përkushtimin e tij proverbial për hulumtime e studime shkencore. Stilografin e tij ngjyrëvishnje e kishte kurdoherë në dorë dhe mbante shënim me zell e vrull studentor edhe kur i kishte fituar të gjitha gradat e titujt shkencorë, edhe pasi kishte shkruar e botuar mbi 900 punime, që kapin shifrën e rreth 15.000 faqe shtypi shkencor: disertacione, monografi, studime, artikuj shkencorë popullarizues, tekste mësimore për shkollat e larta, përshtatje të letërisë arbëreshe në gjuhën e sotme, përkthime në gjuhën shqipe nga latinishtja, italishtja dhe frëngjishtja.
Jup Kastrati lindi, u rrit, jetoi e punoi derisa mbylli sytë në qytetin e Shkodrës, të cilin ai e deshi dhe e përfaqësoi kurdoherë me dinjitet të lartë, porse ai mbante me krenari edhe mbiemrin Kastrati, që i kujtonte origjinën e hershme prej maleve tona, të cilat miku e studiuesi ynë i paharruar, edhe i deshi njësoj si qytetin e tij. Për këtë, ndër të tjera, na flet edhe një pjesë e mirë e veprimtarisë së tij shkencore, sidomos ajo që lidhet me dialektologjinë, me onomastikën dhe me kumtimet rreth temave që i përkasin malësisë sonë. Në vjeshtë të vitit 1996, në Sesionin shkencor “Sofra e letërsisë dhe e artit”, në Koplik, prof. Jupi mbajti kumtesën e tij të bukur “Edith Durham dhe Malësia e Madhe”, si dhe fjalën e mbylljes . Prof. Jupi ishte nga ata studiues që jo vetëm e deshi malësinë shqiptare, po edhe i begeniste dukshëm punën dhe nismat shkencore të mësuesve dhe veprimtarëve të zonave të ndryshme: ai kishte miqësi e nuk përtonte të marrë pjesë në sesione shkencore të Kabashit të Pukës, të Laçit të Kurbinit, të Koplikut,të Lezhës etj. dhe përgatitej për kumtimet që merrte përsipër njësoj si për konferencat a kongreset e mëdha kombëtare e ndërkombëtare, duke fituar kështu dashurinë dhe adhurimin e një plejade të tërë arsimtarësh dhe njerëzish që kishin rastin ta dëgjonin kur kumtonte dhe diskutonte ai . Dhe, për t’u pykëzuar në temën që kemi zgjedhur, do të përmendim se ai e filloi kurorëzimin e gradimin e tij shkencor pikërisht me një temë nga fusha e dialektologjisë. Më 1962 studiuesi ynë i paharruar fitoi gradën “Kandidat i shkencave filologjike” me studimin “E folmja e Thethit” , një punim interesant dhe i shkruar në një kohë kur dialektologjia shqiptare ishte krejt në fillesat e veta dhe njohja e të folmeve të tilla anësore si ajo e Dukagjinit, ku përfshihet e folmja e Thethit, sillte një ndihmesë të mirëseardhur e me vlerë. Po atë vit, në Konferencën e Parë të Studimeve Albanoogjike, ai do të kumtonte pikërisht rreth temës “Mbi disa tipare të së folmes së Thethit” , e cila , bashkë me studimin e V. Cimohovskit për të folmen e Dushmanit dhe të E.Lafes për të folmen e Nikaj Merturit, deri më sot mbeten burimet kryesore të botuara për të folmen e Shalës e të Dukagjinit.

Thethi apo siç e thonë malësorët Thethi i Shalës mund ta tërhiqte studiuesin për bukuritë e tij natyrore, si një nga vendverimet më të këndshme e shëndetkëndellëse të Shqipërisë, porse ai gjente aty edhe një pikë të qëlluar dialektologjike, sepse përbën pikërisht cakun ku ndahen dy degëzime të gegërishtes veripërëndimore: Shtegu i Dhenet (1826 m. lartësi mbi nivelin e detit) është i vetmi udhëkalim nga Malësia e Madhe, që mbetet në anën veriore e perëndimore, në Shalë, që shtrihet drejt pjesës verilindore dhe, në të vërtet, edhe gjuhësisht dallohet e ndahet disi, qoftë edhe në pika të imëta, pikërisht sepse merr diçka edhe nga tiparet e gegërishtes verilindore.

Studimi i së folmes së Thethit ndjek po atë “liturgji” ose metodë kërkimore të zbatuar gati masivisht në përshkrimet tona dialektologjike dhe që, pavarësisht nga mëtimet e deklarimet e ndonjë “modernisti”, vijon të jetë sa tradicionale aq edhe e patundshme përsa u takon vlerave e dobisë që sjell për dialektologjinë, sidomos kur ajo është në fillesat e saj.
Pra, ai nis me një përshkrim të shkurtër gjeografik e historik të Thethit, paraqet përbërjen dhe shtrirjen e nëntë lagjeve të tij, duke i përmendur me emër dhe ashtu si shqiptohen në të folmen e vendit:Gjelaj, Gjeçaj, Nikgjonej, Akol, që i takojnë anës së sipërme dhe quhen edhe me një emër të përbashkët Katundi, pastaj vijnë lagjet e anës së poshtme: Ndreaj, Ulaj, Kolaj, Grunas ose Aliçaj dhe Ndërlysaj. Të gjitha këto lagje, sipas studiuesit tonë, quhen edhe me emrin Fusha.

Kam qenë në Theth dhe në pjesët e tjera të Shalës për anketime dialektologjike në vitin 1980 dhe, në një farë mënyre, kam pasur edhe rastin të kaloj po në ato shtigje e të takoj,ndoshta, edhe të njëjtët njerëz që kishte pasur si informatorë edhe prof. Kastrati. Mund të them se lënda e studimit për të folmen e Thethit,si dhe përshkrimi i tipareve kryesore te saj, ndonëse autori nuk qe mirëfilli dialektolog, po të shprehemi me një mënyrë të thëni të shqipes së moçme, “nuk ka të fëjyem” dhe është mjaft i saktë dhe i shembullzuar më së miri.Punimi për të folmen e Thethit është cituar e përmendur shpesh në të gjitha studimet përgjithësuese rreth dialekteve të shqipes dhe mbetet edhe sot e kësaj dite një pike referimi me vlerë për të folmen e Shalës.
Autori është ndalur në tiparet fonetike të së folmes së Thethit sipas metodës tradicionale të zbatuar edhe në gati të gjitha përshkrimet e të folmeve të shqipes.(Asokohe ende nuk kishte marrë udhë mëtimi i përshkrimeve me metodën e sistemit të çifteve a bigëzimeve të fjalëve që dallohen nga fonemat për të dalluar inventarin fonologjik të së folmes,por, pavarësisht nga kjo, mund të themi se inventari i fonemave zanore dhe bashkëtingëllore të së folmes së Thethit del i qartë dhe i rrokshëm jo vetëm për specialistët, po edhe për një log të gjerë studiuesish të gjuhës).

Në mënyrë të qartë ai na parqet sidomos disa prej dukurive më kryesore që veprojnë në atë të folme, si hundorësia e zanoreve. Ai thekson se hundorësia është “e rëndomtë” në zanoret: â, ê, î, û dhe jep shembuj konkretë duke përcaktuar edhe pozicionet apo fqinjësinë tingullore në kushte e së cilës ndodh hundorësia. Kështu, për zanoren â , si kusht të hundorësisë përmend rënien e bashkëtingëllores n (patâ, bibâ , rikâ, gjâ, zâ, shullâ) dhe thekson se me këtë tipar Thethi “afrohet me Malësinë e Madhe”, gjë që është shumë e vërtetë.Përveç shembujve të tjerë me hundorësi të shkaktuar nga rënia e një n-je (âsht, bâke), dhe rasteve ku hundorësia është edhe sot fryt i ndikimit të bashkëtingëlloreve hundore n, m që vijnë pas zanoreve, Kastrati jep edhe raste të hundorësisë para bashkëtingëllores-j (kopâj, shkullâj).

Të njëjtën gjë ai konstaton edhe për zanoret e tjera hundore: ê, î, û.
Me interes është aty edhe konstatimi se në atë të folme zanorja e patheksuar ë “nuk ndigjohet fare”(ba:ll, pu:n, i fo:rt, dja:l,da:rk ), ndërsa në pozicion pastheksor, e ndodhur para bashkëtingëlloreve l, r, n merr timbrin e e-së (diten, naten, dhelpen). Po ashtu, autori përshkruan si tipar të së folmes së thethit praninë e zanores y (dy, brryl, fyt).
Togjet e zanoreve në Theth janë ue (grue, krue, thue, luej,kërkuen, truell), ye, ie, duke u dalluar kështu nga Malësia e Madhe ku kemi togjet uo dhe ua.

Autori jep në atë studim paraqitjen e tipareve fonetike diferencuese të së folmes, duke u ndalur edhe në pjesën kushtuar sistemit morfologjk si dhe të leksikut. Po lejohemi të përmendim, ndër të tjera, edhe ndonjë nga dukuritë morfologjike të së folmes së Thethit, që anojnë më fort nga pjesa verilindore, si veta e tretë e së pakryerës së foljeve, me mbaresën -ke, të cilën autori ynë e përshkruan si formë ku “janë përzie e pakryemja e dëftores dhe ajo e habitores” (thankesh, thanshnje, thanke, thanshim, thanshit, thanshin).
Me interes është edhe sprova që bën autori edhe për të gjetur e përcaktuar vendin e së folmes së Thethit në kuadrin e ndarjes dialektore të shqipes, duke shprehur sa vijon: “Tue përfundue mund të thomi se e folmja e Thethit, tue u gjetë në mes të Malsisë së Madhe (nga njena anë) dhe Shalës së Dukagjinit (nga ana tjetër), shkon me gegnishten veripërëndimore, pamvarësisht nga ndonjë ndikim nga gegnishtja verilindore, në fonetikë, si p.sh.në kalimin e zanores a në o (ko punue, konari = kandari, lon = ata lane); në kalimin e zanores u në i (liftue =luftue, “tui liftue me do zapti” kangë popullore) ose në leksik, veçanërisht në huazimet sllave” .
Me interes për dialektologjinë shqiptare janë edhe një numër studimesh të tjera të Jup Kastratit, si p.sh.:”Të dhënat e të folmeve të arbëreshëve të Italisë për historinë e gjuhës shqipe” , ”Mbi ekzistencën e difongut në gjuhën shqipe” dhe “Diftongu në gjuhën shqipe” , trajtim me vlerë për fonetikën,por edhe për dukurinë në fjalë në dialektet e shqipes; “ë-ja atone në shqipet” etj. Mendime dhe vlerësime me interes edhe për dialektolgjinë, prof. dr. Jup Kastrati ka shprehur edhe në disa artikuj kushtuar onomastikës arbëreshe, si : “Jeronim de Rada për toponiminë historike shqiptare”, kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor për toponimet në Kabash të Pukës, 21 maj 1977; “Të dhëna e toponime për Lezhën në “Fjamuri i Arbërit” të De Radës” etj.

Në mbyllje, dua të shpreh bindjen time se veprimtaria e prof. dr. Jup Kastratit, në fushën e dialektologjisë për të cilën folëm, po edhe në gjithë ato lëmije të rëndësishme të filologjisë dhe të albanologjisë për të cilat referuan me kompetencë e bindje parafolësit, tregojnë se studimet e tij të shumënduershme përbëjnë ndihmesa me vlerë, të cilave u jemi referuar dhe do t’u referohemi edhe për shumë kohë në studimet albanologjike.

Jam i bindur se të gjithë sa jeni në këtë auditor të nderuar e të dashur për mua, drejtues të Universitetit, profesorë dhe studiues e studentë, familjarë dhe të afërm të jubilearit tonë të paharrueshëm, bashkohemi në vlerësimin se ai qe i kudogjendur për të mirën dhe vlerësimin e pohimin e albanologjisë, të studimeve shqiptare dhe, kurdoherë, me ballin e rrudhur mbi shkrimet e shkrimtarinë e hershme të vendit të vet. Jup Kastrati dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (në krye të herës: ILP i Shkodrës), revista e mirënjohur “Buletin i Institutit të Shkodrës” (sot e revista shkencore e Universitetit), Sektori shkencor albanologjik dhe seria e botimeve shkencore të realizuara (e të pritme) prej tij, madje edhe vetë “trinomi”: prof. dr.Tomor Osmani, prof.dr.Simon Pepa dhe prof.as.dr.Tefë Topalli, kanë qenë pjesë e atij ideimi shpatullagjerë e hapësirëlargët të drejtimit dhe organizimit të punës mësimore në harmoni e gërshetim të natyrshëm me punën studimore shkencore prej ish-shefit të lavdishëm të Katedrës (pastaj: Departamentit) të gjuhësisë: prof.dr.Jup Kastratit.

Ai qe si lisat e mëdhenj, nën hijen e të cilëve freskohen të gjithë ata që e kanë pranë, banorë të vendit e shtegtarë në kalim, prandaj e kujtojnë dhe ndjejnë mall për të kur nuk e kanë më. Emri i Jup Kastratit mbetet përgjithmonë një emër i dalluar në fushën e letrave shqipe.Ai emër (dhe vetëm burrat si Ai) e meriton të kujtohet me citimin e vargjeve të famshme të Dantes, që thoshte:

“E po s’le nam të mirë mbi dhe, çka të duhet jeta?
Zhduket si reja në tym, si shkuma në vale,
Ai që pa lane një gjurmë çoi ditët e veta.”

Shkodër, 21 prill 2009