Letërsia dhe bota e arbëreshëve të Italisë në hulumtimet dhe botimet e Dhimitër Shuteriqit


nga Gjovalin Shkurtaj

(Kumtesa për Konferencën shkencore përkujtimore në ASH me rastin e 100-vjetoritë të ditëlindjes së Dh.Shuteriqit)

Kumtesën time  (nevojisht të shkurtër)  do ta nis  duke parafrazuar një vlerësim  të zonjës Mynyvere Shuteriqi, e cila, në librin e saj  “Një jetë në dashuri”, krahas kujtimeve të tjera të bukura e domethënëse për njohjen sa më të plotë të Jubilearit tonë të paharrueshëm, Akademikut Dhimitër S.Shuteriqi, shkruan:


Cilido që ka pasur rastin të ketë udhëtuar nëpër Shqipëri me Dhimitrin, ka provuar kënaqësi të veçanta.Ai ishte një lloj ciceroni i palodhur, që të pasuronte me lloj-lloj informacionesh, veçanërisht për historinë e vendit.”[i]


Dhe, duke iu përunjur Asaj, me nderimin e thellë që meriton, jo vetëm  si zonja e një Burri të Madh si Dhimitër Shuteriqi, po edhe për vullnetin e zotësinë e madhe që po shfaq për ta mbajtur të gjallë kujtimin e vlerësimin që i takon atij, po e filloj me mbështjen e këtij pohimi emblematik.

Kam pasur rastin e këndshëm të kem qenë edhe unë me prof.Shuteriqin, në një udhëtim studimor në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë dhe, kaq të shumta e të bukura i kam kujtimet prej asaj periudhe njëmujore saqë vitet, edhe pse  tashmë bukur të shumta që kanë kaluar, nuk kanë mundur t’i zbehin aspak. Ishim dy “skuadra” hulumtuesish: njëra për kërkime në arkiva e biblioteka, e përbërë nga Dhimitër Shuteriqi, Jup Kastrati, Ali Xhiku  dhe, tjetra, për ekspeditë në terren, e përbërë nga etnografi Spiro Shkurti dhe dy dialektologë: Jorgji Gjinari dhe unë.

Ka qenë pranvera e vitit 1981 dhe, në atë stinë, Kalabria duket aq e bukur, saqë me të drejtë shumë vizitorë të huaj e kanë quajtur edhe Kalifornia e Italisë. Në të dy anët e lumit Krati,  Fusha e Sibarit me aromën dehëse të lulëzimit të agrumeve, të dhuron edhe  pamjen madhështore e tërheqëse të ngulimeve arbëreshe, në kodrina e rrahishte me ullishta e vreshta, që shkojnë varg deri tej në këmbët e Polinit, ku, gjithashtu, fshihen disa ngulime arbëreshe malore, si Plataçi, Çifti (Civita) e Kastërnexhi (Castroreggio).Të gjithë atyre që në shkollë kanë mësuar me librat e Shuteriqit për letërsinë arbëreshe, teksa ndjekin këto pamje u vijnë natyrshëm në mendje edhe vargjet e Milosaos: “Vreshtat in verdhullore…”.

Hotel “Imperiali” i Kozencës, ku ne flinim  dhe mblidheshim në mbrëmje mbas punës, ishte kthyer në një “Mekë” për arbëreshët dhe dashamirët e shumtë të shqiptarëve e të Shqipërisë, aq sa, siç do të thoshte me të qeshur poeti i njohur Karmelo Kandreva, për hir të Shuteriqit e të studiuesve që ishim me të,  arbëreshët i harruan grindjet dhe ndarjet partiore e klanore, duke u bashkuar në hollin e hotelit e duke dëgjuar me dashuri e respekt ato që rrefente ky “orakull i arbëreshësisë”.[ii]

Prof.Shuteriqi dhe prof.Jup Kastrati, krejt sy e veshë, teksa ndiqnin në Frasnitë “Vallen e artire çë nxinjën” dhe “Kalorësve të Skandërbekut”, me stilografët e tyre  në duar, mbanin shënim me vrull djaloshar  dhe dukej sikur bënin ndonjë garë stenografie, duke synuar të mos linin asgjë pa fiksuar e shënuar. Profesori, ashtu si në të gjitha ekspeditat e hulumtimet e tij në vende të ndryshme e në diasporat e tjera, tregonte interesim e kureshtje të pashuar për emrat e mbiemtonyrat e atyre që takonte në katundet arbëreshe. Kemi diskutuar disa herë gjatë asaj eksepdite për mbiemrat dhe pseudonimet e shkrimtarëve dhe studiuesve arbëreshë të Frasnitës e të Ejnaninës, që, me përjashtim të  Lluka Perrones, gati të gjithë shkruanin me pseudonimet tipike e kureshtare për ne, si Vorea Ujko (Domeniko Bellizi), Buzëdhelpri (Agostino Giordano), Leshkuqi (Francesco Pace) etj. Po në ato mjedise, kur u takuam me Antonio Grobin, një piktor i njohur frasnjot, Profesori thoshte se ai mbiemër mund të përqaset e të shihet në lidhje me fjalën “gropë” të shqipes dhe mendoj se kishte të drejtë. Kështu edhe  të një tjetri që quhej Papari dhe që gjithashtu mund të ketë lidhje zanafille me toponimin Papër; për mbiemrin Skura të një gjeometri që na e njohu Ndon Bellushi, që lidhet me Skurajt e Mirditës dhe për shumë të tjerë. Ashtu si Eqrem Çabej, edhe Shuteriqi kishte vlerësimin se etnonimet e patronimet arbëreshe janë me vlerë të madhe treguese të shqiptarësisë së arbëreshëve dhe se nuk ishte e rastit që ta jo vetëm i ruajtën emrat e të parëve, si p.sh.Jul Variboba, mbimri i të cilit, pa dyshim, na kujton Varibopine Myzeqesë; ashtu si  Damësi i Ungrës  (Lungro) na shpie pikërisht në anët e Tepelenës.  Në Shën-Beneditk Ullano, në shtëpinë e Rosalino Muzakios, sapo hymë, prej mbiemrit, po edhe prej pamjes së tij të hieshme e fisnike, prof. Dhimitri (me atë buzëqeshjen e tij sa miqësore, aq edhe të pëlqyeshme, do të thosha të madhërishme), duke e përqafuar i tha: “Këtu qenkemi në farefisin tonë, në pinjojt e derës së Muzakajve” dhe biseda rrodhi aq e këndshme e plot rrëfime të pikuara me faktime e data historike, që ai dinte t’i përafronte si moskush tjetër.

      Po flisnim, një mbrëmje,  për Biblioteknë Kozentine, ku grupi do të shkonte për hulumtime të nesërmen dhe, për habinë e të gjithë të pranishmëve, disa prej të cilëve kishin punuar jo me me ditë e javë, por edhe me muaj në atë Bibliotekë, Profesori u tregonte se dinte se në aksh raft e në aksh kthinë të saj ndodheshin  dorëshkrime ose botime të rralla të De Radës e të autorëve të tjerë arbëreshë.

Në Maqin e De Radës, ato ditë, u organizua edhe një tubim shkencor  me temën “Mbalë De Radën” (=mbi De Radën)  dhe aty, prof. Shuteriqi, në atë log burrash të shquar arbëreshë e kalabrezë, që mbushnin kishën ku është edhe varri i “Tatëmadhit të arbëreshëve” (Jeronim de Radës), ishte pa dyshim jo vetëm ai që tërhiqte vëmendjen me pamjen e tij aq madhështore, me beretën e llullën e tij mitike, por mbi të gjitha me ato që kumtoi për De Radën, si dhe për figurat e tjera të mëdha të letërsisë arbëreshe, si për Seremben, Santorin, Stratigoin dhe autorët e tjerë arbëreshë, që të gjithë bij të atyre atyre ngulimeve që ne i shtegtuam dhe i vizituam ato ditë të paharrueshme. Profesor Shuteriqi i ngazëlleu zemrat e  arbëreshëve, duke e mbajtur kumtesën e tij gati të gjithën në të folmen arbëreshe të Maqit, të cilën e njihte më mirë se të gjithë ne të tjerët.

Grupi nuk la vend pa kërkuar, në Bibliotekën “Filomena Faraco” të Vakaricit, në Bibliotekën e Ndon Bellushit në Frasnitë, në Qendrën e Studimeve Jonike të V.Selvaxhit në Vakaricë, si dhe në qendrat e revistave arbëreshe. Dhe, natyrisht, edhe frytet e atij udhëtimi studimor katërjavor nuk mund të mos ishin të suksesshme, prandaj edhe Akademia jonë e Shkencave që na kishte dërguar, do të kënaqej e do të bindej se çfarë ndodh kur në kërkimet në biblioteka e arkiva të vendeve të huaja dërgohen specialistë dhe hulumtues të vërtetë, sikundër ishte  Dh.S.Shuteriqi.

2.Mbas asaj ekspedite studimore tek arbëreshët, puna e parë që kam bërë ka qenë rileximi i kujdesshëm  i studimeve dhe botimeve të prof.Shuteriqit për letërsinë arbëreshe dhe, sa herë kam shkruar e folur për ligjërimet arbëreshe ose për dukuri të tjera të botës arbëreshe, dijet dhe vlerësimet e shprehura nga prof.Dhimitër Shuteriqi (në botime të veta[iii] ose në bashkëpunim me kolegun e mikun e tij të nderuar prof.Mahir Domin[iv])  kanë qenë dhe mbeten për mua si busulla në shtegtimet e larget.

Në vitin 1984, kur botova librin tim të parë “Shpirti i Arbrit rron” , prof.Shuteriqi ka qenë i pari të cilit ia dhurova dhe, ndërsa prisja me ndruajtje mendimin e tij, ai vetëm pak ditë mbas vizitës që kisha bërë në shtëpinë e tij, botoi në gazetën “Drita” një recension të gjerë  e shumë dashamirës, i cili ka qenë për mua një nxitje shumë e madhe për ta vazhduar punën në lëmin e kërkimeve rreth ligjërimeve e letërsisë arbëreshe. E kisha si peng  nderimi dhe prej tij buronte edhe dëshira ime që të dilja sot në këtë  foltore për t’i bashkuar vlerësimin tim dhe disa kujtime të miat, me kumtesat e kolegëve të nderuar që dëgjuam e që do t’i dëgjojmë në vazhdim.

Po lejohem, tani, të nyjëtoj edhe disa vlerësime më konkrete që lidhen me këtë pohim dhe e ftillëzojnë atë.

Së pari, kur flasim për letërsinë arbëreshe  të shek.XIX, me të cilën, në fakt, fillon  një rrymë (dhe frymë) e re në letërsinë shqiptare, që do të quhej Rilindje, Dh.Shuteriqit i takon merita se në studimet e veta dhe sidomos në shtjellimet dhe analizat e holla rreth poezisë së De Radës, pa, pohoi dhe përthekoi me argumente të plotvlershme se poeti i Maqit ishte një romantik evropian, i kishte  edhe formimin, po edhe frymëzimin të tillë, që, siç do ta thoshte më vonë Rexhep Qosja, ishin të orientuar nga romantizimi evropian. Kritika  dhe studiuesit më të autoritetshëm të letërisë shqiptare kanë vlerësuar dhe i janë referuar prof.Shuteriqit, i  cili në shtjellimet rreth “Milosaos” citon fjalët e vetë De Radës, që thotë se veprën  e shkroi “nën modelin”  poezisë frënge të asaj kohe. Mbi atë bazë, Shuteriqi shkon edhe më tej, duke shtuar se “me të drejtë “Skandërbegu i pafanë” është krahasuar me “Legjendën e shekujve” të V.Hygoit, edhe pse tema e saj kufizohet në një shekull të vetëm dhe në një popull të vetëm në shek.XV shqiptar”.[v] Në mbështetje të këtij vlerësimi e pohimi të prof. Shuteriqit, akademiku Rexhep Qosja do të shtonte se “një studim krahasimtar do të dëshmonte ndikimin jo vetëm të Shatobrianit, të Lamartinit dhe të Mysesë, në pjesën më të madhe të poetëve më të shquar romantikë arbëreshë”.[vi]

Dhe, në fakt, duke u mbështetur në konceptet e prof.Shuteriqit, natyrisht edhe duke u thelluar  në  dritën e tyre, në studimet historiko-letrare do të bëhej zotërues mendimi se (me fjalët e akademik Rexhep Qoses) “qoftë konteksti shoqëror kulturor, qoftë ndikimet e pësuara prej letërsisë italiane dhe letërsive të mëdha të Evropës Perëndimore, kanë bërë që romantizimi arbëresh të artikulojë më dukshëm se romantizimi i kolonive të tjera shqiptare, disa prej tipareve cilësuese tematike të romantizmit evropian.”[vii]

Së dyti, duhet të themi se, sot, kur përkujtojmë dhe kremtojmë 100-vjetorin e akad. Dhimitër S.Shuteriqit, bota e arbëreshëve të Italisë ka pësuar ndryshime të mëdha, që kanë në bazë shndërrimet e modernizimet e kohëve të reja, si dhe trysninë që vjen gjithandej prej globalizimit kulturor dhe, po të parafrazojmë vargun proverbial e aq madhështor të De Radës  “Lis jeta kish ndërruar,ujë të ri ndë dejtit”, nuk mund të mos shohim  se sot “uji i ri” është bukur shumë më i  vrullshëm se i vjetri. Kjo vlen tashmë edhe për vlerësimet, pohimet dhe përgjithësimet për letërsinë arbëreshe, për kulturën dhe ligjërimet e arbëreshëve të Italisë. Prej ngulimeve të vogla e dikur të mënjanuara dhe me rrezikun e  se “gjaku ynë është shprishet  dhe se gjuha jonë e birret”(De Rada), kanë dalë e po dalin  pohime të tjera, rrjedha të tjera mendimi e veprimi të ndryshme në mjediset arbëreshe, ndaj të cilave historianët e rinj të letërsisë duhet ta rrudhin ballin, duke shtuar e shtruar udhë të reja bashkëpunimi midis qendrave universitare të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë  me letrarët dhe profesoratin e sotëm arbëresh të Italisë, sidomos me Universitetin e Kalabrisë, të Palermos, sidhe me katedrat e institutet albanologjike të Napolit, Romës etj. ku kanë vepruar  emra të njohur si A.Guzzetta e G.Gradilone dhe ku, mbas tyre e me kushte të tjera më të përparuara, dëgjohet zëri  i figurave të reja si Françesk Altimari ne Kozencë, Mateo Mandala në Palermo, Italo K.Fortino në Napoli, Elio Mirako në Romë etj.

Por, duke përfunduar, shpreh bindjen se nuk gabojmë aspak po të themi se, të gjithë sa janë (e jemi) këtu e në qendrat universitare e studimore të lartpërmendura, nëse dëshirojmë të bëjmë studime të vlefshme për letërisnë, kulturën dhe krejt botën arbëreshe, duhet ta nismim nga njohja, përfillja dhe vlerësimi i punës prej pionieri që ka bërë akademiku Dhimitër S.Shuteriqi, të cilin, nëse më lejohet , meqë po flasim  për arbëreshët e Italisë, do të thosha se ai meriton të quhet edhe “Tatëmadhi” i historisë së letërsisë arbëreshe dhe një nga burrat më të mëdhenj që ka nxjerrë Shqipëria në lëmin e  historisë së letërsisë  dhe të letrave shqipe.

Në figurën gjigande të akademikut Dhimitër S.Shuteriqi kombi shqiptar kishte gjetur njeriun që tërë jetën e tij të gjatë e shkriu për t’ia ndriçuar e pohuar vlerat historike, letrare, gjuhësore dhe përgjithësisht pasuritë etnokultuore, që foshkojnë e rrisin krenarinë kombëtare të çdo shqiptari.

Tiranë, 28 shtator 2015


[i]Shih: M.Shuteriqi,Një jetë në dashuri, Dituria, f.130.
[ii]Mblidheshin aty “ajka”e veprimtarëve dhe përfaqësuesve të kulturës arbëreshe, si Mario Bruneti  (eurodeputet dhe veprimtar i njohur), Damiano Gualiardi (deputet dhe figurë politike  Regjionit të Kalabrisë; studiues të vjetër e klerikë që kishin pasur rast të vizitonin Shqipërinë dhe që  e kishin njohur Profesorin e nderuar, si Emanule Giordano, Francesko Solano, Giuseppe Faraco e Antonio Bellushi;  drejtues të bashkive arbëreshe si Cesare Marini,  Nino Minishi, Damiano Bua dhe, madje, prej Kalabrisë së Epërme, në këtë “qokë” të madhe të takimeve me studiuesit shqiptarë  do të vinin edhe Vinçenzo Paçe, kryetar i bashkisë së Shënkollit Psipër (San Nicolo dell’Alto), edhe Aleksandër Kostantino nga Karfici (Carfizzi), si gjithmonë bashkë me veprimtaren e shquar të Garahës (Caraffa di Catanzaro) prof.Konçeta Mazzein dhe studiues e arsimtarë të tjerë të atyre anëve. Aty i kishim qysh në pikë të mëngjesit edhe poetin Karmell Kandrevën, i gatshëm që me makinën e tij ta shoqëronte Profesorin e grupin  e tij për të bërë kërkime në bibliotekat komunale dhe private; aty  vinte, pa asnjë mungesë a vonesë, Rosalino Musachio me “çetën“ e Shën-Benediktjotëve, të përbërë nga këngëtarët Alfio Moça, Camilo Mosciaro, studiuesi Italo Elmo dhe sa  e sa të tjerë,  të cilët në rrjedhë të moteve kanë treguar sa shumë i duan Shqipërinë e shqiptarët. Aty ishte, ditë për ditë e mbrëmje për mbrëmje, edhe Françesko  Altimari, aso kohe ende djalë i ri, por me treguesit e shenjat e studiuesit që e dinte se ku do ta shpinte ajo udhë e studimit të gjuhës e të letërsisë arbëreshe.
[iii]Shih: Dh.S.Shuteriqi,Skënderbeu në poezinë arbëreshe të Italisë, në librin “Nëpër shekujt letrarë”,Tiranë,1973, f.5-54.
[iv]Shih: GA, Historia e letërsisë shqipe, Kapitulli IIi-VII Letërsia arbëreshe në shekullin XIX, Tiranë, 1985, f.43-202.
[v]Shih: Dh.S.Shuteriqi, Nëpër shekujt letrarë, Naim Frashëri, Tiranë,1973,f.155.
[vi]Shih:R.Qosja, Prej tipologjisë deri te periodizimi, Prishtinë,1979, f.141, shënimi (footnote) nr.19.
[vii]Shih: R.Qosja,  Prej tipologjisë deri te periodizimi, Prishtinë,1979, f.141

Revista “Studime Filologjike” tribunë e mendimit shkencor Albanologjik

nga Gjovalin Shkurtaj

Tubimi i sotëm, me temën që i kushtohet 50-vjetorit të daljes së numrit të parë të revistës SF, përtej (dhe krahas) pohimit të rëndësisë dhe vlerave që ka pasur në vite kjo revistë, si tribunë e mendimit shkencor albanologjik, ka edhe rethanën që, pikërisht domosdoshmëria për të faktuar me objektivitet se si e mbajmë mend dhe sa kemi përfituar prej këtij organi shkencor, na shtyn të biem në pohime të njëjta ose, në mos tjetër,të ngjashme e të atilla që shkojnë sipas një metafore të bukur, që u përdor edhe nga parafolësit: Jani Thomai e quajti revistën “shkollë gjuhësore”, që shkon në të njëjtën hulli me “tribunën” që po  përdor unë dhe,natyrisht me krejt qerthullin e fjalëve miradijepohuese e përlëvduese që po i  blatohen sot në kumtesat tona.


Bashkohem, pra, me cilësimin e SF-së si “shkollë gjuhësore” dhe shtoj se asaj reviste i takon t’ia themi me gojën plot cilësimin si organ dorëmbarë e frymëgjatë, si tribunë e mendimit shkencor, e ideuar dhe e drejtuar nga burra të mëdhenj (po përmend emrat e anëtarëve të redaksisë së numrit të parë: Androkli Kostallari(kryeredaktor), Dhimitër Shuteriqi, Eqrem Çabej, Koço Bihiku, Mahir Domi (Zv/Kryeredaktor), Spiro Floqi, Shaban Demiraj, Zihni Sako), të cilët ndiqnin hullinë e mbarë të BISH dhe BUSHT,SSHSH, por që,  duke ia zgjeruar hapësirat albanologjisë, shpejt, ia dolën që revista SF të merrte pamjen e vet të veçantë, duke u klyzuar e zhvilluar si një tribunë albanologjike më vete dhe do të ecte duke u rritur, numër pas numri e vit pas viti, ashtu siç fiskajohet e lartësohet pilashnjoku i ri në trungun me rrënjë të forta.

SF, ka filluar të dalë më 1964 dhe, po të përdorja një togfjalësh të sistemit të numërimit të malësorëve të Mbishkodrës sime, i bie që, plot pesëdhet pa dy vjet më parë, kam nisur ta blej, ta lexoj e ta koleksionoj në raftin tim…

Dhe, vijmë kështu, tek pika më e rëndësishme që i takon SF-së në jubileun e saj të 50-të: seriozitetidhe kujdesi që tregonin drejtuesit dhe anëtarët e Redaksisë për afrimin e autorëve që të shkruanin në revistë, po, mbi të gjitha, për shqyrtimin e kujdesshëm e me përgjegjësi të artikujve a ndihmesave që pranoheshin për t’u botuar në faqet e SF-së. Jo vetëm nga diskutimi i punimit tim të parë, që i takon pranverës së vitit 1967, po edhe i të gjithë artikujve, recensioneve,qoftë edhe kronikave a nekrologjive, që kam  botuar aty në rrjedhë të viteve e,sidomos nga shtatori i vitit 1967 deri në maj të vitit 1990, kur kam qenë punonjës efektiv i IGJL-së, e ndiej si detyrë morale të theksoj se anëtarët e Redaksisë dhe oponentët që caktoheshin për t’i vlerësuar me shkrim e zyrtarisht artikujt, kanë pasur jo vetëm përkushtimin e seriozitetin më të lartë në punë, po edhe meritojnë të vlerësohen si editorë të lëvdueshëm e themelvëns së një tradite të të shkruarit me kujdes,me akribi e me zbatim të kërkesave të larta të hartimit e botimit shkencor.

Revista SF ka qenë në vite, organi ku janë botuar jo vetëm artikuj e kumtesa nga fusha e dialektologjisë, po edhe skica e monografi të plota dialektologjike derisa do të themelohej seria “Dialektologjia shqiptare” (në vitin 1971), duke ushqyer kështu jo vetëm studiuesit e interesuar mirëfilli për gjuhësinë , po edhe  masën e gjerë    arsimtarëve anëmbanë Shqipërisë, madje edhe më gjerë, aq sa mund të mbërrinin në atë kohë botimet shqiptare, sidomos në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi dhe në diasporën arbëreshe. Po përmend se aty në përmasat dhe hapësirat që i takonin dialektologjisë si njëra nga disiplinat a pjesët e IGJL-s (herë si pjesë e sektorit të gramatikës, herë (për një farë kohe) si sektor më vete),    janë botuar studime dhe artikuj për dialektet dhe të folmet e shqipes nga studiues specialistë të IGJS-së, si J.Gjinari, M.Totoni, M. Çeliku, B.Beci, Gj.Shkurtaj, Xh.Gosturani,V.Milkani etj.; po edhe nga të tjerë, bashkëpunëtorë të jashtëm, si: Q.Haxhihasani, F.Luli, H.Xhaferri, F. Mehmeti etj., janë botuar artikuj e ndihmesa të studiuesve nga Kosova, si: I.Ajeti, L.Mulaku, R.Ismajli, si edhe nga diaspora arbëreshe (F.Solano, F.Altimari, A.Guzzetta), duke zbatuar kurdoherë edhe një strategji të caktuar,që revista të kishte përfshirje sa më të gjerë kombëtare.

Nxjerrja  në formë elektronike e bibliografisë së artikujve dhe studimeve të botuara në revistën SF, punë që e kishte kryer në vite me zell e përkushtim të lëvdueshëm i ndjeri Palok Daka, na jep mundësinë të shohim se kush, kur dhe çfarë kanë shkruar në lëmin e dialektologjisë. Kjo punë shumë e mirë e bërë në vitet e fundit nga IGJL-ja, prej së cilës, edhe për të hartuar këtë kumtesë, përfitova shumë dhe nuk pata më nevojë t’i rishkruaj titujt që më duheshin, por i mora me “copy-past”,  më solli në mendje një propozim, i cili ndoshta edhe mund të jetë në mendjen e drejtuesve të IGJL-s: në pamundësi për t’i ribotuar në letër të gjithë numrat e SF-së, do të ishte mirë të bëhet dixhitalizimi i tyre dhe vënia në përdorim me CD ose në botim “On-line”, sikundër ka bërë, p.sh.Universiteti i Kalabrisë me revistën “Zjarri” dhe me botime të tjera të rralla, por të kërkuara e të domosdoshme për studiuesit e rinj.

Nga kalimi “diagonal” i shkrimeve në SF për dialektet dhe të folmet e shqipes, si edhe për marrëdhëniet gjuhë standard-dialekt si një nga pjesët e rëndësishme  të sociolinguistikës, del se ndihmesa e dialektologëve të IGJL-së dhe e bashkëpunëtorëve të jashtëm që kanë botuar në faqet e kësaj reviste ka qenë e rendësishme dhe me vlera, jo vetëm për atë kohë, po edhe për kohën tonë, porse ato shkrime tashmë janë të pagjendshme, janë të pakët studiuesit e rinj që mund t’i kenë në dorë e t’i shfrytëzojnë. Edhe koleksionet në bibliotekat kryesore të kryeqytetit e të qyteteve të mëdha nuk i kanë të gjithë numrat, ose i kanë, por, shpesh, janë të dëmtuara dhe mungojnë pikërisht artikujt e rëndësishëm të fushës sonë. Hera e mbarë e përkujtimit të 50-vjetorit të SF-së e pruri që, në këtë kumtesë, ashtu si kolegët e tjerë për fushat përkatëse, të nxjerr edhe një “inventar” të plotë të titujve të skicave, monografive, artikujve, recensioneve dhe kronikave ku flitet për dialektet dhe të folmet ose për ekspeditat dialektologjike. Mund të pohoj me gojën plot se ato, përveç vlerave si studime të mirëfillëta, kanë edhe vlerën e modeleve të të shkruarit.

Dhëntë Zoti që, një ditë, sikundër e shpreha, ato edhe të dixhitalizohen e të vihen në shërbim të studiuesve dhe studentëve. Sidomos të studentëve, të cilët, për hir të së vëtetës, në faqet e studimeve filologjike, jo vetëm për dialektologjinë, mund të gjejnë shumëçka të vlefshme, do të thosha edhe të domosdoshme, për formimin e tyre filologjik e alabanologjik që gjakojmë t’u japim.

Pasqyra bibliografike e shkrimeve për dialektet në faqet e revistës SF:

Së pari, përmendim se, në rrjedhë të viteve, deri sa do të fillointe botimi i serisë “Dialektologjia  Shqiptare”, po edhe mbas saj, në faqet e Revistës SF janë botuar skica e monografi dialektologjike për një numër të folmesh të shqipes, si:

Menella Totoni, E folmja e Bregdetit të Poshtëm I ,SF,1964/1, f. 129.
Menella Totoni, E folmja e Bregdetit të Poshtëm II, ,SF,1964/2,, f. 121.
Jorgji Gjinari, Vëzhgime mbi të folme të Krujës dhe Malësisë së Krujës I,SF, 1964/3, f. 91.
Emil Lafe, E folmja e Nikaj-Merturit ,SF,1964/3, f. 107.
Jorgji Gjinari, Vëzhgime mbi të folme të Krujës dhe Malësisë së Krujës II , SF,1964/4 f. 117.
Bahri Beci, E folmja e Reç-e-Dardhës së Dibrës I ,SF,1964/4, f. 135.
Mahir Domi & Dhimitër S. Shuteriqi, Një vështrim mbi të folmen shqipe të Mandricës ,SF, 1965/2, f. 103.
Dhimitër S. Shuteriqi, Fjalorth i të folmes shqipe të fshatit Mandricë (Bullgari) ,SF,1965/2, f. 153.
Menella Totoni, Vëzhgime për të folmen e Muzinës,SF, 1965/3, , f. 101.
Mehmet I. Çeliku, Vëzhgime mbi të folmen e krahinës së Peqinit , SF,1965/4, f. 91.
Menella Totoni, Vëzhgime rreth të folmes së qytetit të Gjirokastrës ,SF,1966/1, f. 77.
Mehmet Çeliku, Vëzhgime mbi të folmen e Kërrabës I ,SF,1966/1, f. 119.
Mehmet Çeliku, Vëzhgime mbi të folmen e Kërrabës II ,SF,1966/3, f. 99.
Gjovalin Shkurtaj, E folmja e Kastratit I ,SF,1967/2, , f. 35.
Gjovalin Shkurtaj, E folmja e Kastratit II ,SF,1967/3, f. 47.
Vaskë Milkani, E folmja e Bulgarecit, SF,1971/4, f. 163
Gjovalin Shkurtaj, Vëzhgime rreth të folmeve të banorëve të Bregut të Matës, ishullit të Lezhës dhe ishullit të Shëngjinit,SF, 1972/2, f. 81.
Bahri Beci, E folmja e Grykës së Madhe të Dibrës ,SF,1972/3, f. 85.
Fran Luli, E folmja e Postrripës , SF,1974/3, , f. 67.
Frano Luli, E folmja e Postribës II ,SF, 1975/1, f. 79
Gjovalin Shkurtaj, Shënime për të folmen arbëreshe të San Marcanos ,SF,1979/4, f. 113.
Gjovalin Shkurtaj, Disa veçori të të folmeve shqipe në Mal të Zi ,SF,1982/1, f. 179.
Elsa Maria Muzakio, Shënime në sistemin fonetik të së folmes arbëreshe të Portokanones,SF, 1989/1, f. 63.

Së dyti, kanë qenë me  rëndësi artikujt me karakter përgjithësues për ndarjen ose grupimin e të folmeve të shqies, si dhe për dukuri të rëndësishme dialektore,si rotacizmi, hundorësia e zanoreve, gjatësia e zanoreve, grupet e bashkëtingëlloreve etj., ku janë për t’u përmendur artikujt:

Mehmet Çeliku, Rotacizmi në të folmet kalimtare të gjuhës shqipe ,SF,1964/1, f. 159.
Menella Totoni, Trajtat e pjesores të foljeve me temë më likuide në toskërishten , SF, 1965/4, f. 133.
Jorgji Gjinari, Mbi disa elemente sllave në të folmet veriore të Shqipërisë jugore , SF, 1966/1, f. 157.
Jorgji Gjinari, Diftongjet ua/ue, ie dhe ye në të folmet e gjuhës shqipe, SF, 1968/1, f. 97.
Mehmet Çeliku, Mbi grupimin e të folmeve të gegërishtes jugore dhe mbi disa tipare të tyre ,SF,1968/3, f. 123.
Jorgji Gjinari, Për historinë e dialekteve të gjuhës shqipe,SF, 1968/4, f. 127.
Gjovalin Shkurtaj, Rreth disa veçorive të gjuhës së këngëve popullore ,SF,1969/1, f. 135.
Gjovalin Shkurtaj, Një vështrim mbi përdorimin e pasthirrmave dhe pjesëzave thirrëse në të folmet e Malësisë së Madhe ,SF,1972/1, f. 113.
Jorgji Gjinari, Dialektologjia shqiptare në vendin tonë gjatë 25 vjetve të çlirimit – Rezultate, probleme dhe detyra , SF,1969/4,, f. 99.
Bahri Beci, Gjurmimi i të folmeve qendrore të dialektit të veriut ,SF,1970/1, f. 109.
Bahri Beci, Grupi perëndimor i nëndialektit verior të gegërishtes ,SF,1970/3, f. 125.
Gjovalin Shkurtaj, Emrat e kafshëve sipas ngjyrës ,SF,1971/1, f. 95.
Bahri Beci, Realizime në studimin e të folmeve lindore të dialektit verior të shqipes , SF, 1971/1, f. 165.
Idriz Ajeti, Rreth disa veçorive të të folmeve të shqiptarëve të rrethit të Preshevës dhe të Bujanovcit,SF, 1971/3 , f. 65
Mehmet Çeliku, Kuantiteti i zanoreve të theksuara në të folmet e shqipes,SF,1971/4, f. 65.
Gjovalin Shkurtaj, Vështrim mbi trajtat foljore të mënyrës dëftore të të folmeve arbëreshe të krahinës së Kozencës , SF,1975/2, , f. 71.
Jorgji Gjinari, Ndërtime me folje që tregojnë fillimin e veprimit në të folmet e arbëreshëve të Italisë , SF,1975/3, f. 121.
Jorgji Gjinari, Struktura dialektore e shqipes e parë në lidhje me historinë e popullit,SF,1975/3, f. 127.
Gjovalin Shkurtaj, Të dhëna gjuhësore për lashtësinë e bujqësisë ndër shqiptarë,SF,1975/3 f. 149.
Jorgji Gjinari, Sistemi i fonemave bashkëtingëllore të dialekteve të shqipes i krahasuar me sistemin e gjuhës letrare , SF,1977/4, f. 3.
Bahri Beci, Rreth tipareve karakteristike të dy dialekteve të shqipes,SF, 1978/4, f. 53.
Menella Totoni, Çështje të studimit të sintaksës dialektore ,SF,1978/4f. 89.
Eqrem Çabej, Nga leksiku i dialekteve arbëreshe të Kalabrisë ,SF,1979/2, f. 51.
Jorgji Gjinari, Zanoret hundore të gegërishtes dhe ë-ja e theksuar e toskërishtes , SF,1981/3, f. 49.
Bahri Beci, Vëzhgime për hundorësinë e zanoreve në të folmet veriore të shqipes, SF,1981/3], f. 143.
Xheladin Gosturani, Sistemi i bashkëtingëlloreve në të folmen e qytetit të Elbasanit , SF,1981/3], f. 165.
Androkli Kostallari, Vëzhgime mbi disa grupe fjalësh popullore të trojeve verilindore të , SF,1982/1, f. 105.
Bahri Beci, Lashtësia e dialekteve të shqipes – dëshmi e vendbanimit të hershëm të shqiptarëve ,SF,1982/1, f. 65.
Bahri Beci, Mbi disa veçori fonetike të të folmeve të gjuhës shqipe në përqasje me gjuhën letrare ,SF,1982/4, f. 51.
Xheladin Gosturani, Dukuri fonetike në sistemin e zanoreve të së folmes së qytetit të Elbasanit ,SF,1983/1, f. 87.
Alessandro Konstantino, Një dyfishim në arbërishte udhës e udhës,SF,1983/3, f. 143.
Xheladin Gosturani, Veçori gjuhësore të gegërishtes verilindore ,SF,1983/4, f. 57.
Bahri Beci, Sistemi i zanoreve hundore në të folmen e Shkodrës , SF,1984/2, , f. 45.
Jorgji Gjinari, Sprovë për një klasifikim të dallimeve morfologjike të dialekteve të gjuhës shqipe ,SF,1984/3, f. 89.
Jorgji Gjinari, Dialektologjia shqiptare pas Çlirimit , SF,1984/4], f. 203.
Xheladin Gosturani, E pakryera në të folmet e gegërishtes verilindore, ,SF,f. 107.
Jorgji Gjinari, Vështrim i përgjithshëm mbi ndryshimet në sistemin e fonemave të dialekteve të shqipes gjatë historisë së tyre ,SF,1986/1, f. 137.
Xheladin Gosturani, Disa ndërtime të periudhës në të folmen e Elbasanit ,SF,1986/1, f. 87.
Androkli Kostallari, Disa veçori të arbërishtes së ngulimeve të Atikës në dritën e një “Fjalorthi” të Kristo N. Petro-Mesogjitit ,SF,1987/1, f. 45
Jani Thomai, Rreth leksikut popullor në të folmet verilindore të shqipes,SF,1987/2, f. 55.
Xheladin Gosturani, Disa ndërtime togfjalëshash në të folmen e Elbasanit ,SF,1987/2, f. 107.
Bahri Beci, Gegërishtja veriore dhe grupimi i të folmeve të saj ,SF,1987/3, f. 61.
Gjovalin Shkurtaj, Disa veçori strukturore e semantike të toponimeve të formuara me mjetet e shqipes ,SF,1987/3, f. 99.
Androkli Kostallari & Gjovalin Shkurtaj, Ndihmesa të reja të studiuesve arbëreshë për gjuhën shqipe dhe për kulturën shqiptare,  1988/2, f. 81.
Jorgji Gjinari, Ndihmesa e prof. E. Çabejt në fushën e dialektologjisë shqiptare , SF,1988/3
, f. 93.
Bahri Beci, Pyetësori i parë për “Atlasin gjuhësor shqiptar” hartuar nga prof. E. Çabej ,SF, 988/3 , f. 99.
Gjovalin Shkurtaj, Prof. E. Çabej për të folmet e diasporës shqiptare , SF,1988/3 , f. 107.
Bahri Beci, Hundorësia e zanoreve të shqipes në gjendjen e sotme ,SF,1990/1, f. 79.
Xheladin Gosturani, Disa ndërtime togfjalëshash foljorë në të folmet e gegërishtes verilindore , SF,1990/3 , f. 127.
Xheladin Gosturani, Vëzhgime për formimin e fjalëve në gegërishten verilindore,SF,1992/1-4, f. 115.
Xheladin Gosturani, Format e pashtjelluara të foljes në të folmet e gegërishtes verilindore,SF,1994/1-4, f. 131.
Bahri Beci, Marrëdhëniet e shqipes me greqishten në dritën e të dhënave të dialektologjisë shqiptare , SF,1997/1-4, f. 79.
Mehmet Çeliku, Rreth studimit të formave të pashtjelluara në rrafshin dialektor ,SF,2000/3-4, f. 161.
Rami Memushaj & Helena Grillo, Vendi i së folmes së Himarës në dialektin jugor të shqipes , SF, 2009/1-2, f. 29.

Së treti, studime për “të folmet shoqërore”, pastaj edhe për marrëdhëniet e dialekteve me shqipen standarde dhe,dalëngadalë,edhe artikuj e trajtesa për dukuri të ndryshme sociolinguistike, si:

Qemal Haxhihasani, Të folmet shoqnore, SF,  1964/1, f. 99.
Qemal Haxhihasani, Dogançja, e folmja shoqnore e zejtarëve shetitës të rrethit të Përmetit dhe Leskovikut, SF,1964/2,  f. 141.
Qemal Haxhihasani, Elemente nga fjalori i dogançes. Fragmente bisedash dhe tekste në këtë të folme , SF,1964/3, f. 149.
Gjovalin Shkurtaj, Për një vështrim sociolinguistik të të folmeve të fshehta të shqipes, 2004/1-2, f. 123-138.
Gjovalin Shkurtaj, Rreth ndryshimeve në gjuhën e fshatit të sotëm të Veriut (Sipas vëzhgimeve në zonën e Koplikut, rrethi i Shkodrës) , 1969/4, , f. 161.
Jorgji Gjinari, Gjuha letrare, drejtshkrimi dhe dialektet e shqipes , SF,1973/1, f. 131.
Gjovalin Shkurtaj, Zbunimi si shkak i lindjes së trajtave të dyta të emrave vetjakë, 1977/2, f. 51-65.
Gjovalin Shkurtaj, Vëzhgime mbi shtresat leksikore dialektore e letrare në të folmen e Lezhës,  SF,1981/3, f. 155.
Gjovalin Shkurtaj, Shtresëzime dhe risi gjuhësore në qytetin e Lezhës , SF,1984/2, f. 75.
Jorgji Gjinari, Marrëdhëniet e sotme të gjuhës letrare me dialektet ,SF,1985/1, f. 43.
Xheladin Gosturani, Vëzhgime për ndikimin e gjuhës letrare kombëtare në të folmet verilindore të shqipes 1988/2, f. 109.
Gjovalin Shkurtaj, Shqyrtime sociolinguistike për emrat e farefisnisë dhe për emrat vetjakë të shqipes ,SF,1999/3-4, f. 69.
Gjovalin Shkurtaj, Disa dukuri të së folmes së Kurbinit në dritën e sociolinguistikës, SF, 2000/3-4, f. 139.
Françesko Altimari, Heteroglosia arbëreshe, të folmet dhe shqipja standarde , SF,2002/3-4, f. 55.
Gjovalin Shkurtaj, Selman Riza për bashkëveprimin ndërdialektor , SF, 2010/1-2, f. 115.

Së katërti, shkrime për ADGJSH-në:

Jorgji Gjinari, “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” (ADGjSh) ,SF,1987/2, f. 3
Artur Lamaj, Mbi variacionin leksikor në veprën Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, SF, 2011/3-4, f. 99.

Së pesti, recensione dhe shënime për botimet dialektologjike:

Xheladin Gosturani, Dialektologjia shqiptare I Botim i Sektorit të Gramatikës dhe të Dialektologjisë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, Tiranë, 1971, f. 488,SF, 1974/1], f. 201.
Xheladin Gosturani, Dialektologjia shqiptare II. Botim i Sektorit të Dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë, 1974, 443 f, SF,1975/2,  f. 153.
Gjovalin Shkurtaj, Studime Gjuhësore I (Dialektologji). Botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prishtinë 1978, 571 f. [Studime gjuhësore I (Dialektologji, SF,1980/2,  f. 175.
Gjovalin Shkurtaj, Françesko Solano, Le parlate albanesi di S. Basile e Plataci “Rradhonjtë e Zjarrit” (Quaderni di Zjarri), 4, 1979 , SF,1980/4, f. 215.
Jorgji Gjinari, Dr. Idriz Ajeti “Kërkime gjuhësore”, Prishtinë, 1978 ,SF,1982/1, f. 215.
Ludmila Buxheli, Dialektologjia shqiptare, V , SF,1988/2, f. 207.
Gjovalin Shkurtaj, Haki Ymeri “E folmja shqipe e Karshiakës”, Ndërmarrja Botuese “Shkupi”, 1997 ,SF,1999/1-2, f. 211.
Gjovalin Shkurtaj, Giuseppina Turano “Tratti linguistici e culturali dell’Arbëria crotonese”, Rende, 2001, SF, 2003/1-2, f. 187.
Gjovalin Shkurtaj, Idriz Ajeti, “Studime dialektore dhe etimologjike”, Tiranë, 2005 , SF, 2004/1-2,  f. 157.

Së gjashti, jeta shkencore dhe kronika:

Ekspeditat dialektologjike të vitit 1963,SF, 1964/1f. 201.
Ekspeditat dialektologjike të v. 1964 ,SF,1965/, f. 214.
Ekspeditat dialektologjike të vitit 1969,SF, 1969/3, f. 231.
Ekspeditë gjuhësore tek arbëreshët e Italisë , SF,1973/3, f. 213
Seminar dhe sesion shkencor për probleme të dialektologjisë dhe të toponomastikës në Shkodër , SF,1978/2, f. 223.
Sesion shkencor për gjuhën shqipe në rrethin e Krujës , SF, 1978/2, f. 226.
Sesion shkencor në rrethin e Dibrës për probleme të dialektologjisë dhe të toponimisë, SF, 1978/2 f. 229.

Në mbyllje, do të thosha se, e parë në tërësinë e vet, revista SF mund të vlerësohet se, nga viti 1964 kur u themelua, për një periudhë 25- a 30-vjeçare, ka qenë revista kryesorealbanologjike në Shqipëri, përballë së cilës, qoftë për nga mëtimet,qoftë edhe për nga kujdesi për botimin e cilësinë e artikujve, mund të përafroheshin vetëm “Gjurmime Albanologjike” e Prishtinës dhe Buletini i Institutit (sot Universitetit) të Shkodrës. Pjesa kryesore e lëndës së botuar në SF, mbi bazën edhe të një përzgjedhjeje e përpunimi të mëtejshëm furnizonte edhe revistën  “Studia Albanica”, që dilet në gjuhën frënge. Më vonë, do të forcohej edhe revista “Kultura popllore”. Kurse artikujt kushtuar kulturës së gjuhës, qysh nga viti 1981 do t’i kalonin kryesisht revistës “Gjuha jonë”.

Ndërkaq, me krijimin e universiteteve në rrethe do të shtheshin edhe buletine të tjera, si përmbledhje periodike ose edhe si revista universitare, gjë që, viteve të fundit, e ka pakësuar dukshëm numrin a atyre që botojnë në SF nga rrethet.

Urojmë që revista jo vetëm të vazhdojë të dalë edhe për shumë vjet të tjera, por edhe të gjakojë t’i ruajtë seriozitetin dhe kujdesin për të qenë edhe më tej jo një nga revistat, por Revista kryesore albanologjike.

Tiranë, 23 dhjetor 2014

Prof.dr. Jorgji Gjinari: – Gjuha letrare shqipe sot perballe dialekteve

http://www.shoqeriavirtuale.eu/thread-121-post-160.html#pid160

Gjuha letrate shqipe kombetare ose standarde, sic e quajne here-here, ka kater dekada, qe nga viti 1972, kur u vendos, ne nje kuvend shkencor te gjuhetareve shqiptare, qe te merrte funksionet e nje gjuhe letrare zyrtare gjithekombetare. Gjuhetaret delegate nga ane te ndryshme e nenshkruan me 1972-shin ne Kongresin e Drejtshkrimit aktin per gjuhen e perbashket shqipe letrare. Vendimi i atij kuvendi ishte me rendesi te madhe, sepse e radhiti kombin tone perkrah kombeve te tjera te perparuara me nje gjuhe te vetme letrare kombetare. Mirepo, sidomos keta njezet vjetet e fundit jane hedhur mendime te ndryshme qe kane synuar rishikimin e ketij akti me rendesi, te cilin kishte kohe qe e prisnin shqiptaret anembane, ngado qe ishin.

Like ·  ·  · Share · 10 minutes ago