Një fjalë e huaj më pak ose fitorja përfundimtare e “këndores” në vend të “corner”.

kendore - corner
‘Këndore’ apo ‘Corner’

Bashkë me gëzimin e madh që përjetuam nga pjesëmarrja e kombëtares sonë në Evropianin 2016, tani që emocionet janë qetësuar, sepse beteja e skuadres sonë me De Biasin në krye qe e lëvdueshme, më duket se është rasti të përmendim edhe ndonjë nga gëzimet e vogla, por gjithsesi të këndshme e me vlerë kombëtare për pastrimin e pasurimin e gjuhës shqipe.

 
Per hir të kujdesit dhe këmbënguljes së komentatorit Dritan Shakohoxha, sa herë që u gjuajtën goditje nga këndi, ai në vend të fjalës së huaj “corner” përdori (dhe po vazhdon të përdorë ) sistematikisht fjalën shqipe “këndore” te krijuar prej tij dhe si fryt i dëshirës së tij per t’i thënë shqip edhe disa nga termat e futbollit.
 
E përgëzojmë komentatorin Shakohoxha, i cili është jo vetem zemërvalë e adhurues i lojës se bukur, po edhe mëtues i lëvdueshëm e dorëmbarë për pastrimin e pasurimin e terminologjisë sportive.
 
Sa mirë do të ishte që shembullin e zellin e tij gjuhëdashës e gjuhëruajtës ta ndiqnin edhe shtetarët e politikanët shqiptarë, si dhe të gjithë sa jemi në veprimtaritë dhe punët e përditshme. 

@digitalb_official #kuqezijeti #flamurimeibukurnebote

A photo posted by Dritan Shakohoxha (@dritan_shakohoxha) on

Çfarë është Fonetika?

Fonetikë quhet ajo degë e gjuhësisë që merret me studimin e mjeteve tingullore të gjuhës, me përbërjen dhe ndërtimin tingullor të saj, me theksimin e fjalëve, me timbrin e realizimin e tingujve zanorë e bashkëtingëllorë të një gjuhe. Fjala a termi fonetikë, ashtu si shumica e termave të gramatikës e të gjuhësisë vjen nga greqishtja e vjetër ‘ φωνή ‘ (“phōnē” – tingull, zë).

Problemet me shkrimin e gjuhës shqipe – në emisionin ‘Ditë e re’ në Ora News TV

Sot fola në Emisionin “Ditë e re” te Ora  News, të drejtuar nga Edvin Peçi dhe Stela Kotri.

E fillova bisedën me parafrazmin e një  këngë shkodrane,që thotë : “Ke me u pendue, por atëherë ka me kenë vonë ” dhe  me këtë doja të  theksoja shqetësimin tim dhe mendimin se do të pendohemi për qëndrimin e padrejtë e pakujdesitë ndaj gjuhës shqipe, por, kur të  na vijnë mendtë, me siguri, do të  jetë vonë.

Jam në dijeni dhe, natyrisht, edhe i shqetësuar për rezultatet jo të mira, madje dukshëm të këqija, të nivelit të shqipes e të  shkruarit në shkollat tona. Vlerësimi kombëtar i bërë nga ‘Agjencia kombëtare e provimeve’ te klasat e treta dhe të pesta, ku ka rezultuar se 24.1 për qind e nxënësve në klasë të tretë nuk kanë shkruar asgjë, kur u është kërkuar një ese; aty thuhet se 27 për qind e nxënësve nuk dinë t’i shkruajnë numërorët e thënë me fjalë dhe anasjelltas.


“Nxënësit e klasës së pestë që nuk shkruajnë nje ese janë në masën gati 34%, pra ka një rritje të tyre. Ndërsa ata që nuk dinë të shkruajnë numërorët janë 32 %, edhe këtu me rritje.”


Shqetësimi im është jo vetëm për atë që ndodh në shkollë në punët me shkrim të nxënësve, por më tepër nga ajo që bëjmë keq ose që nuk e bëjmë ashtu si duhet në pjesën e epërme, në strukturat drejtuese të shkollave e të institucioneve botuese. Pra, më shumë se rezultatet e nxënësve, që sigurisht më brengos situata e sotme, më shqetëson e më mbush me zemërim, madje me mllef të ligjshëm, ajo që është bërë këto vitet e fundit nga Ministria e Arsimit, nga Shteti dhe isntitucionet e varura (ose të lejuara) prej tij ndaj gjuhës shqipe. Ka shkruar një nga kolegët e mi, prof.  Emil Lafe, për “mungesën e disiplinës së shtetit” dhe unë e kam mbështetur atë ide dhe po e përsëris edhe sot:


Shteti nuk e ka treguar kujdesin e duhur ndaj gjuhës së shkruar, ndaj gjuhës letrare shqipe të njësuar kombëtare. Nuk jemi askund afër asaj situate që kemi pasur disa vjet më parë. Kur nuk kishim mjetet e sotme, jo më kompjutera e telefona modernë,  por as makina shkrimi nuk kishim, por botimet shkollore kishin gjuhë të kujdesur mirë; gazetaria ishte ajo që dihet, por gjuha e gazetave dhe e botimeve zyrtare ka qenë e mirë, sepse edhe kujdesi ka qenë në shkallë të lartë. Korrektori gjuhësor i “Zërit të Popullit” nuk lejonte gabime gjuhësore as te drejtuesit më të lartë të Partisë e të Shtetit; ata e shkruanin pllani, ai ua ndreqte si duhet: plani; dikush thoshte aturenë dialektin e Gjirokastrës, ai ua kthente në shqipen e njësuar: atyre.

Po edhe gjuhësia shqiptare ka pasur autoritetin e peshën e duhur në jetën e shoqërisë, njerëzit shqetësoheshin dhe ruheshin nga gabimet në të shkruar. Instituti i Gjuhësisë kishte edhe shërbimin e ”Këshillimeve gjuhësore” dhe çdo ditë në telefonin 2509 përgjigjej një nëpunës roje, specialist i gjuhësisë, për të gjitha pyetjet që bëheshin nga njerëz të ndryshëm. 

Dhe, meqë po flasim edhe për gabimet e nxënësve te numërorët, një herë kur isha unë roje dite në atë shërbim, dikush nga Elbasani pyeti: -Si duhet shkruar: numër-numuri apo numër-numri? I shpjegova se duhej: numër-numri si emër-emri, por ai m’u kthye me rrëmbim se formën “numur” e kishte parë të shkruar në gazetë. Kjo do të thotë se fjala e shkruar në botimet zyrtare dhe në gazeta e revista, për njerëzit e zakonshëm meret si e mirëqenë, prandaj ato duhet të jenë pa gabime drejtshkrimore, pa fjalë të huaja të panevojshme etj. 

E tillë, e kujdesur dhe pa gabime duhe të jetë edhe gjuha e gazetarisë së folur. Kur folësja është e bukur dhe flet bukur, gjuha e saj ndikon më shumë dhe duket edhe më e bukur.

Theksova se fjala “ese” dhe ndonjë nga librat me titullin “Si të shkruajmë ese”, ndonëse janë në duart e nxënësve  e të këshilluar si “themelorë” nuk u mësojnë ndonjë gjë të mire atyre. Madje, theksova se, shkrimtarët tanë më të mirë, që nga më i madhi, Ismail Kadareja,  Dritero Agolli, Martin Camaj etj. as që e kanë ditur termin ese, por kanë ditur rregullat e thjeshta të atij që quhej “hartim” dhe aty duhej tema, pikat e planit që do të hartoheshin dhe kjo ishte më e vlefshme. Por, natyrisht, ka edhe botime shumë të bukura e që mund t’u vlejnë nxënësve si p.sh.”Arti i të shkruarit”, një librush shumë i bukur i shkrimtarit Sulejman Mato. Atij ,po, i bëj verësime e lëvdata të merituara.

Kam pritur të realizohet edhe premtimi i Kryeminsistrit Rama për vendosjen e figurës së korrektorit letrar në të gjithë praktikën shkrimore dhe botuese të Shtetit, ashtu si e parakupton edhe VKM-ja e vitit 1974 për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjithë praktikën shkrimore dhe botuese të Republikës së Shqipërisë.

Kam shpresë, megjithatë, se nuk ka shteruar krejt dashuria dhe kujdesi për shqipen, si palca e kombit tonë. Shpesh më drejtohen me pyetje disa burra të shquar, si p.sh.Prof.Dr. Basil Schader nga Zvicra, njohës i shqipes, përkthyes i letërsisë shqipe në gjermanisht dhe autor librash për mësimin e shqipes nga shqiptarët e Zvicrës. Ai, p.sh. më pyeste një ditë si duhet shkruar mbas presjes në fillim të letrave,me shkronjë të vogël sikundër këshillon Drejtshkrimi,apo me të madhe, sikundër e thyejnë normën shqesh edhe në shkresat zyrtare. Po ashtu, kolegu dhe miku im, Prof. Dr. Anesti Kodili, akademik e kardiolog i shquar, i cili shpesh më pyet për hollësi drejtshkrimore, sepse dëshiron të jetë në përputhje me rregullat. Kam përmendur edhe herë të tjera ish-Presidentin Alfred Moisiu, i cili nga shtypshkronja ku interesohej për botimin e “Kujtimeve” më telefononte për të sqaruar probleme të lidhura me shkurtimet e shkurtesat e tipit SHBA-së apo SHBA-ve etj. Pra, ata interesohen dhe nuk ia lejojnë vetes të bien në gabime e kundër normave të shqipes së njësuar.

Kështu duhet të veprojmë të gjithë sa jemi, duke e ngritur lart autoritetin dhe vlerësimin e gjuhës shqipe si tipar themelor i përbashkësisë së kombit tonë shqiptar.

Kombin e kemi ende të ndarë në disa shtete, gjuha shqipe e njësuar na bashkon dhe na lidh shpirtërisht e kulturorisht të gjithëve sa jemi: shqiptar të Republikës së Shqipërisë, të Kosovës, të trojeve shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në diasporat e hershme e të reja të shqiptarëve në Botë.

Thesaret gjuhësore të së folmes së Hotit në një fjalor etimologjik (nga Akad. Kolec Topalli)

Akad. Kolec Topalli 
            Hoti është njëra nga krahinat më të veçanta të trojeve shqiptare, me faqe historie të përgjakshme por të lavdishme, me tradita e zakone fisnike, të ruajtura e të kultivuara brez pas brezi e me përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur gjallë besën e të parëve. Banorët e kësaj treve, të izoluar nga kohët e pushtimeve, por edhe të lidhur me besë e burrni me pjesët e tjera të atdheut, kanë mundur të ruajnë si gjënë më të vyer gjuhën, shqipen e kulluet e të pastër, ashtu siç janë përpjekur të ruajnë lirinë, qenien e tyre shqiptare e çdo gjë që i lidh me tokën, ajrin, fushën e malin. Edhe pse kjo krahinë u nda padrejtësisht në dy shtete, duke u kufizuar shqiptarët me shqiptarë, banorët e saj e kanë ruajtur identitetin dhe unitetin, duke trashëguar në brezat më të rinj gjithçka të bukur që lanë të parët, gjyshat e stërgjyshat. 

            E folmja e Hotit, një gegërishte e bukur dhe e pastër, ruan në gjirin e saj pasuri të mëdha, që përbëjnë një thesar jo vetëm për krahinën, por edhe për vetë shqipen, e cila pasurohet vazhdimisht prej gurrave të natyrshme që e ushqejnë, njëra prej të cilave është edhe ajo e Hotit. Karakteri konservativ i kësaj të folmeje lidhet me historinë e kësaj krahine, e cila, e strukur në vetvete dhe e vendosur për t’i bërë ballë furive e rrebesheve armike të njëpasnjëshme, ka mundur të ruajë thuajse të paprekur visarin e trashëguar të gjuhës së të parëve.


            Po mbushen katër vjet që kemi nisur punën për hartimin e një fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, mungesa e të cilit është e ndjeshme duke u bërë pengesë për studimet albanologjike. Gjatë punës sonë na është dashur të hulumtojmë e të nxjerrim në dritë shumë fjalë dialektore, fjalë plaka e të harrueme, siç thoshte Bogdani, pa të cilat shqipja nuk do të ishte ajo që është sot dhe nuk do të mund të frenonte sadopak valën e pandalshme të fjalëve të huaja, që po depërtojnë me shumicë në epokën tonë të globalizmit. Prandaj, studimi i të folmeve që kanë ruajtur shumëçka nga visari i trashëguar ka qenë një objektiv i punës sonë për të pasqyruar këtë pasuri leksikore në fjalorin e ardhshëm etimologjik të gjuhës shqipe. Nga e folmja e Hotit, duke u mbështetur në mbledhjet në terren të akad. Gjovalin Shkurtajt[1], kemi nxjerrë shumë materiale të vlefshme për shpjegimet tona duke i dhënë dritë e shkëlqim edhe vetë kësaj krahine, që ka ruajtur thesare të mëdha gjuhësore.

            Për të shpjeguar këtë rol që luan një e folme e tillë me pasuri kaq të çmuara, do të ndalemi në disa raste të veçanta, me të cilat mund të shtjellojmë rolin e madh që luan një e folme e ruajtur si kjo e Hotit për shpjegimet etimologjike të fjalëve të shqipes. Nga shembujt që do të paraqesim, disa janë të tillë që i përkasin vetëm kësaj së folmeje, disa kanë shtrirje më të gjerë në gegërishten veriperëndimore, disa kanë paralelet e tyre te shkrimtarët e vjetër; por të gjitha këto shërbejnë si ndihmesë e vyer për të depërtuar drejt etimonit të fjalës.

Nga fusha e leksikologjisë, ndër fjalët me interes të veçantë gjuhësor vëmë në dukje emrin dele, që në të folmen e Hotit del edhe në trajtën delme me prapashtesën –m, me të cilën formohet shumësi, si në rastin djalë ~ djelm. Trajta delme është një relikt gjuhësor, që ka mbetur aty-këtu në të folme të shqipes, në Kosovë dhe në Jug në Gjirokastër, në sintagmën qumësh i delmur. Sipas krahasimit që i kanë bërë ilirologët kësaj fjale, me trajtën delme është lidhur emri i një fisi ilir, Delmatae, si edhe krahina e Dalmacisë: Dalmatia, Delmatia me kuptimin “fushë që ushqen delet”, e cila, sipas përshkrimit të kronistëve të botës antike, është quajtur kështu si vend delesh. Ky relikt gjuhësor i së folmes së Hotit është treguar prodhimtar në krijim fjalësh të reja, si: delmer“bari dhensh”, që del me variantet delmuar, dylmyer, në arbërishten e Italisë dhe delmier, delmir, delmëtor në krahina të tjera. Me emrat delmere e dylmere quhet edhe “bishtatundësi, lat. Motacilla”, meqenëse ky zog i ngjitet tufës së bagëtisë, prandaj quhet edhe zog delesh apo zog dhensh. Fjala ka depërtuar edhe në toponimi, në pikën e quajtur Curri i Delmeres në Veri.

Emrin puçik e ka e folmja e Hotit për “gropë të vogël nëpër rrasa e shkëmbenj të mëdhenj që mbushet me ujë shiu”, prej së cilës ka dalë kuptimi figurativ “gropëz e vogël që u formohet disa njerëzve në faqe kur qeshin”. Po ta gjurmojmë më tej, këtë fjalë e ka mbledhur Cordignanoja[2], për të cilën jep kuptimin “fossa rotonda che fa l’acqua anche nella pietra”. Dhe pranë saj është shënuar edhe një trajtë tjetër, puçigâ me shpjegimin “fossa, baratro, inferno, stagno”. Fjalët janë huazime prej italishtes; puçik nga pozza me prapashtesën –ik; puçigâ nga it. pozzanghera “pellg i vogël, gropë me ujë”, që ka marrë prapashtesën nga -an brenda shqipes, duke u lidhur të dyja fjalët me it. pozzo prej lat. puteus “pus”.  

Emri kripshë i së folmes së Hotit, me të cilën emërtohet “një shkurre me gjethe gjithnjë të gjelbra dhe me lule si vile, që përdoret kryesisht për dru zjarri, lat. Phillyrea media”, dëshmon formën më të vjetër të kësaj fjale, e cila ka edhe format më të reja krishë, grifshë, krefshë, grishë etj. Për etimologjinë e fjalës, emri i kësaj shkurreje ka dalë nga tufa a xhufka e saj, prandaj burimi i fjalës është emri krip“flokë”, që ka marrë prapashtesën -sh. Prandaj forma më e vjetër e fjalës është ajo që e ka ruajtur Hoti me formën kripshë, kurse krifshë është më e re dhe ka dalë me hapjen e bashkëtingëllores -p- para një mbylltoreje tjetër duke krijuar një grup bashkëtingëllor të njohur në gjuhën shqipe.

Foljen jes ~ jet e ka e folmja e Hotit për “mbes, mbet”. Nga këto dy folje, jet është më e vjetër, sikurse e dëshmojnë të folmet arbëreshe të Greqisë e të Italisë me formën vjetempër “mbetem”, si edhe Buzuku, ku fjala shfaqet për herë të parë: pā zhdo të tjerë tek jesënë endë trekt pā punë. Për burimin e fjalës, jet është forma e vetës II shumës të foljes es- “me qenë” në një paradigmë të hershme: jemë ~ *jetë ~ janë, ku forma e vetës II shumës është zëvendësuar nga forma më e re jeni me mbaresën e foljeve me –nō: jenisi bani / bëni. Kësisoj, folja jet krahasohet në plan indoeuropian me format e vetës II shumës me mbaresën -t: gr. εστὲ, sll. vj. jeste, got. sijuþ. Kjo mbaresë, që në gjuhën shqipe del në të pakryerën ishit, në të kryerën e thjeshtë qetë e në mënyrën dëshirore qofshit, ka qenë edhe në të tashmen dhe gjurmët e saj kanë mbetur te folja jet, që ka zhvilluar një zgjedhim të plotë sipas shembullit të foljes mas ~ mat. Një rrjedhojë e kësaj foljeje është emri jetë duke u lidhur si në gjermanishte, ku lebenlidhet me bleiben[3]. 

            Emrin ragazi e folmja e Hotit e ka për një lloj rrushi kokërrgjatë me cipë të trashë. Burimi i fjalës është turq. razakí, që në këtë të folme ka pësuar metatezë, duke u përzier me mbiemrin i zi e duke krijuar emrat ragazi, ragazezë e me antonimin e saj ragabardhë[4]. Ky është një shembull i veprimit të asaj dukurie që quhet etimologji popullore, kur ndërhyrja e një fjale bëhet shkak për krijimin e një forme të re. 

            Pjesëzat niç e diç i ka e folmja e Hotit me kuptimin “pra, kështu”. Të dyja këto kanë dalë nga një formë më e përgjithshme ndiç, e formuar nga në ditësh “nëse e di”, me asimilim të grupit bashkëtingëllor[5]; ose me foljen ndiej“ndigjo” në shprehjen ndiej ç’, gjithsesi një fjalë-fjali, e cila dëshmohet së pari te Budi, që ka: e kush na mpson s pat, ndish në ato  fjalë pak kanë me na ndimuom[6].

            Me interes është folja bohet për “mbarset, çiftohet”, që është forma më e lashtë, e ruajtur në Hot, prej së cilës janë krijuar dëboj, sboj, zboj, cboj, bdoj, dvoj, vdoj, të gjitha variante me parashtesa, ku ka luajtur rol edhe metateza. Buzuku, ku fjala del së pari, ka bdonj, Matrënga ka dbonj e sbonj, Budi ka vdonj e Bogdani ka dvonj. Kësisoj, kjo folje ka ndjekur rrugën e fjalëve të tjera me grupin bashkëtingëllor db-; prandaj aty ku ka borë ka edhe boj, ku ka dëborë ka edhe dëboj, ku ka zborë ka edhe zboj. Buzuku që ka bdorë, ka edhe bdonj; Bogdani që ka dvorë ka edhe dvoj. Për burimin e fjalës, bojështë formim me prapashtesën foljore -o, nga një rrënjë bi- me kuptimin “dy”, nisur nga çiftimi i kafshëve. Kështu, kuptimi i parë ka qenë “çiftoj, bëj çift”, prej së cilës kanë dalë kuptimet e tjera. Rrënja bi me kuptimin “dy” gjendet në shqipe te emri bigë dhe përjashta saj në lat. bis“dy herë”[7].

Nga fushën e morfologjisë, vëmë në dukje disa trajta shumësi të emrave që gjenden në këtë të folme, të cilat dëshmojnë për një tipar të lashtë të shqipes: lëvizjen e theksit brenda fjalës e vendosjen e tij në formantin e shumësit. Raste të tilla kemi te shumësat gjerpáj, dërpáj etj. Shembullin e parë e ka Buzuku: As mos tentojmë Krishtnë, porsi disa qi e tentuonë, e klenë përfaruom en gjerpanjëshit. Rastin tjetër e kanë të folmet jugore. Këto relikte të ruajtura shprehin një veçori të lashtë të gjuhës shqipe, me të cilën bashkohet me gjuhë të vjetra e të reja, që e kanë ruajtur në sistemin e tyre gramatikor veçorinë e lëvizjes së theksit, që ka qenë tipar i gjuhës-nënë indoeuropiane. Vëmë në dukje, nga greqishtja e vjetër, në sistemin rasor: νύξ, νύκτα, në rasat emërore e kallëzore, por νυκτός, νυκτί në rasat gjinore e dhanore; në latinishte, në sistemin foljor, veta I laudo, por shumësi laudamus, në shqipe njëjës dhandërr, por shumësi dhandurrë[8].

Me rëndësi për historinë e gjuhës është përemri pronor yj, që në shqipen e sotme është zhdukur nga përdorimi, por e kanë ruajtur krahinat gege veriore, ndër të cilat edhe Hoti. Është një relikt gjuhësor, që e ka edhe Buzuku: përse Ati yj e di se ju kini nevojë en gjithë sosh. Ky përemër ka qenë i vetës II numër shumës për gjininë mashkullore, duke dalluar gjininë e pronarit, aty ku sot përdoret përemri juaj për të dyja gjinitë. Për nga gjeneza e tij, ashtu si përemri juaj që është formuar nga jo + u, edhe përemri yj është formuar nga i + u, ku elementi i parë është i gjinisë mashkullore duke përfaqësuar përemrin ai, njëlloj si ajo te përemri juaj, kurse përemri i dytë është u-ja, që përfaqëson përemrin ju. Nga bashkimi -i- + -u- ka dalë zanorja y-, që ruan tiparet e të dyja këtyre zanoreve, karakterin qiellzor të -i-së dhe karakterin buzor të -u-së; ndërsa bashkëtingëllorja fundore -j është një shtesë epitetike, ashtu si te përemrat e tjerë të kësaj natyre dhe ndajfoljet, si: saj, tij, tej, pastajetj.

            Nga fusha e sintaksës, albanizma jam i hot është një relikt gjuhësor me interes të veçantë shkencor. Me të tregohen etnika, si: i pukës, i mirditas, i hot, i shkodran, i tragjas etj., duke shënuar banorë të një krahine të caktuar, prejardhjen e tyre dhe duke pasur shtrirje në të gjithë shqipen, çka flet në të mirë të vjetërsisë së saj. Ato gjenden më shumë me prapashtesat -ës, -as, si: i pukës, i mirditës, i kelmendës, i dukagjinës, ose i pukas, i mirditas, i kurbijas etj., por ata dalin edhe me prapashtesa të tjera, si: i shkodran, i dibran, i matjan, i vlonjat, në disa emra edhe pa kurrfarë prapashtese, si: i hot, i tragjas, i dukat, i kuç, i has, i krasniqe. Sintagma të tilla i gjejmë tek autorët e vjetër. Kështu, Buzuku ka: e dërgoi tek aj Elize një të lajm, tue i thashunë “misitque ad eum Eliseus nuncium, dicens”[9], Bardhi ka: i katundas për “Paganus”, i temalas për “transmontanus”, i arbëneshë, i shkodërnjanë[10]; Bogdani ka: i misiras, të vendasitë[11]; Figlia ka: i Arbreshë[12].

            Meqenëse në këto raste kemi të bëjmë me emra kryesisht me burim toponimik, nyja e tyre e përparme e ka origjinën nga sintagma gjenitivale, në rastet e përdorimit të gjinores pa emër përpara, si rezultat i një elipse në rastet jam i Palit domethënë “jam djali i Palit” asht e Gjergjit “asht vajza e Gjergjit”, si rrjedhim edhe jam i Pukës “jam i fisit të Pukës”, jam i Mirditës “jam i krahinës së Mirditës”. Ndërkaq, mbaresa -ës e trajtës së shquar të rasës gjinore në ndërgjegjën gjuhësore është interpretuar sikur të ishte prapashtesa -ës, prandaj krahas formës së vjetër, nisi të përdoret edhe forma e re -ase kësaj prapashtese duke iu ngjitur edhe emrave të gjinisë mashkullore, si: i pukas, i kelmendas. Prej këndej nisi veprimi analogjik edhe në emra me prapashtesa të tjera (i shkodran, i matjan), si edhe në emra pa prapashtesa (i hot, i dukat). Në emrat e fundit, që mbarojnë me bashkëtingëlloren -t, mbaresa -it e gjinisë mashkullore ka rënë me anë të haplologjisë, meqenëse ajo ishte e njëjtë me bashkëtingëlloren e rrënjës së fjalës; domethënë nga jam i Hotitjam i hot, nga jam i Dukatitjam i dukat. Kjo gjen mbështetje në thjeshtimin që ka pësuar rasa gjinore e trajtës së shquar të disa emrave që mbarojnë me bashkëtingëlloren -t, dukuri që ka përfshirë të folme të Veriut e të Jugut; p.sh., në Veri, në Toplanë të Dukagjinit: Qafa Mjetpër Qafa Mjetit, në Jug, në çamërishte: mori vajzn e mbret për “vajzën e mbretit”[13].

            Materiali i paraqitur është i mjaftueshëm për të krijuar idenë e vlerës së veçantë që ka e folmja e Hotit për fushën e etimologjisë dhe në përgjithësi për pasurimin e shqipes. Është detyra jonë si lëvrues të gjuhës t’i nxjerrim në dritë këto visare të rralla dhe t’ia bashkangjesim thesarit të madh të gjuhës shqipe, për t’i ruajtur e për t’i zhvilluar ato më tej.
 —–
BIBLIOGRAFI
Bardhi, Frang
       Franciscus Blancus, Dictionarium latino-epiroticum. Romae, 1635.
Barić, Henrik
       Albanorumänische Studien, I Teil. Sarajevo, 1919, 1-142 (ARS I).
Boretzky, Norbert
       Der türkische Einfluss auf das Albanische. Wiesbaden, I 1975, II 1976 (TE).

Budi, Pjetër

       Speculum Confessionis. Roma, 1621 (SC).
Bugge, Sophus

       Beiträge zur etymologischen Erläuterung der albanesischen Sprache. BB XVIII 1891.

Buzuku, Gjon

        “Meshari” I, II. Tiranë, 1968.

Cordignano, Fulvio

       Dizionario albanese-italiano e italiano-albanese (il nuovo Jungg), Parte Albanese-Italiana. Milano, 1934 (Alb.-It.).
Çabej, Eqrem
       Studime rreth etimologjisë së gjuhës shqipe, I-XXVIII. BUST SSS 4, 1960 – 4, 1963; SF 1, 1964 – 3, 1968.
       Studime etimologjike në fushë të shqipes. Tiranë, I 1982, II 1976, III 1987, IV 1996, V (i pabotuar), VI 2002, VII 2006 (SE).
Dizdari, Tahir
       Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe. Tiranë, 2005.
Figlia, Nicola
       Il Codice Chieutino. A cura di Matteo Mandalà. Palermo, 1995 (CC).
Haxhihasani, Qemal
       Vështrim i përgjithshëm mbi të folmen e banorëve të Çamërisë. DS II 1974.
Jokl, Norbert
       Beiträge zur albanischen Grammatik 4. Die Verbreitung der Dehnstufenbildungen im Albanischen. IF 37, 1916/17, 90-122.
La Piana, Marco
       Studi linguistici albanesi. Varia. Palermo, 1949 (SLA Varia).
Mann, Stuart E.
       The Indo-Europian Consonants in Albanian. Lg. 28, 1952.
Meyer, Gustav
       Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache. Strassburg, 1891.
       Albanesische Studien. Wien; IV: Das griechisch ­ südrumänisch – albanesische Wörterverzeichnis des Kavalliotis (herausgegeben und erklärt), 1895.
Orel, Vladimir E.
       Albanian Etymological Dictionary. Leiden, 1998 (AED).
Shkurtaj, Gjovalin
       E folmja e Hotit. Dialektologjia shqiptare II. Tiranë, 1974.
Tagliavini, Carlo
       L’albanese di Dalmazia. Contributi alla conoscenza del dialetto ghego di Borgo Erizzo presso Zara. Firenze, 1937 (AD).
Topalli, Kolec
       Theksi në gjuhën shqipe. Tiranë, 1995 (Thek.).
       Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe. Tiranë, 2003 (Fërk.).
Walde, Alois ­ Hofmann, J. B.
       Lateinisches etymologisches Wörterbuch von A. Walde. Dritte neubearbeitete Auflage von J. B. Hofmann. Heidelberg, I A-L, 1938; II M-Z, 1954 (Walde-Hofmann).
Walde, Alois – Pokorny, Julius
       Vergleichendes Wörterbuch der indogermanischen Sprachen, herausgegeben und bearbeitet von J. Pokorny. Berlin – Leipzig; I 1930, II 1927, III 1932 (Walde-Pokorny).



     [1] Shkurtaj DSH II 1974, 405 v.
     [2] Alb.-It. 161.
     [3] Meyer EW 163, Barić ARS I 76, Tagliavini AD 134, Orel AED 250, Çabej SE V dg. 537.
     [4] Boretzky TE II 112, Çabej SE VI 279, Dizdari 833.
     [5] Çabej SF 4, 1964, 87, Orel AED 285.
     [6] P. Budi, SC.
     [7] Bugge BB XVIII 1891, 174, Meyer AS IV 44, Jokl IF 37, 1916/17, 119, Walde-Pokorny II 155, Walde-Hofmann I 483, La Piana SLA I Varia 23, Mann Lg. 28, 1952, 32, Çabej SE III 212, Topalli Fërk. 123.
     [8] Topalli Thek. 54.
     [9]LI b – Mbretërit IV 5, 10, Bogdani: Nji i lajm për të çpejtë kje dërguem prej së dȳ motrash (CP II 84, 1).
[10] Dict. 81, 175, 218, 221.
[11] CP I 131, 6.
[12] CC 53/24.
[13] Haxhihasani DS II 1974, 122.

Follow @gjshkurtaj

Të miratohet ligji për gjuhën shqipe, jemi ende me VKM të vitit 1974 ( marrë nga SOT NEWS )

Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe në muajin dhjetor duhej të kishte zhvilluar mbledhjen e radhës për diskutimin e çështjeve të tjera, që kanë lidhje me gjuhën shqipen, por kjo mbledhje duket se nuk do të bëhet këtë vit. Me një aktivitet që ka vite që ka zhvilluar Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, si një bashkëpunim mes akademikëve dhe gjuhëtarëve nga Shqipëria dhe Kosova, deri më tani ka zhvilluar disa takime dhe ka pasur jo pak diskutime, të cilat kanë sjellë dhe përplasje mes gjuhëtarëve të ndryshëm.

Por për mbledhjen e fundit që pritet të bëhet vitin që vjen, akademikët dhe gjuhëtarët pohojnë se do të trajtohen dy çështje të tjera të rëndësishme. Këto kanë të bëjnë me problemet e gjuhës shqipe në shtyp dhe në administratë, si dhe fjalët e huaja. Akademiku dhe gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj bën të ditur se grupet e punës e kanë dorëzuar materialin pranë KNGJSH prej kohësh, por ende nuk ka pasur një thirrje për mbledhje.

 “Grupet e punës kanë dorëzuar materialin në KNGJSH, por nuk është bërë mbledhja. Deri tani nuk jemi thirrur, besoj se ajo do të bëhet vitin tjetër. Këtë herë do të jenë në diskutim gjuha shqipe në shtyp dhe administratë dhe si ndikojnë fjalët e huaja në gjuhën shqipe, terminologjia, rreptësia”, pohon akademiku Shkurtaj. Por vërejtjet e akademikut të njohur këtë herë janë dhe për një ligj, që duhet për gjuhën shqipe.

Lexoni artikullin e plote tek Agjencia e Lajmeve ‘Sot News’: http://www.sot.com.al/kultura/akademik%C3%ABt-t%C3%AB-miratohet-ligji-p%C3%ABr-gjuh%C3%ABn-shqipe-jemi-ende-me-vkm-t%C3%AB-vitit-1974#sthash.sLMU3JXa.dpuf

Kolë Ashta – intelektual dhe dijetar i madh i Shkodrës

Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me formim të thellë e vizion të gjerë perëndimor, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta. Ashtu si mjeshtri Eqrem Çabej, me të cilin i lidhte një miqësi e thellë po edhe një fushë e përbashkët kërkimesh, sidomos çka lidhet me leksikun historik të shqipes, Kolë Ashta e hulumtonte dhe e vilte shterrueshëm e me shumë shqyrtime e krahasime zhdavaritëse gjithë leksikun e dokumenteve më të para të shqipes dhe, bash për këtë arsye, separatet e “Buletinit të Shkencave” dhe të “Buletin i Institutit të Shkodrës” me pjesët e botuara të “Leksikut …” nga Kolë Ashta, Çabej i mbante gjithnjë në tryezën e tij të punës.
Para pak kohësh, pas një pune vullnetmadhe e të frytshme shumëvjeçare si pedagog dhe si studiues i gjuhës shqipe, u nda së gjallësh prof. Dr. Kolë Ashta, njëri nga hulumtuesit më të zellshëm e më të përkushtuar të fjalës shqipe, njohës i mirë i teorisë dhe i praktikës filologjike, figurë e paharrueshme dhe e lidhur me ndihmesa të rëndësishme në lëmin e gjuhësisë shqiptare. Ai vdiq dhe nuk la trashëgimtar: as djalë as vajzë dhe kjo, natyrisht, në planin njerëzor e bën edhe më të dhimbshme humbjen, veçanërisht për familjen e tij, porse ai, ashtu si disa burra të tjerë të shquar të letrave e të shkencës sonë, la një vepër madhështore e të përmasave të mëdha, na la “Leksiku historik i gjuhës shqipe”, vëllimin e parë të së cilës e botoi më 1996 Sektori Shkencor Albanologjik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”: një punë madhore dhe e hapët, prej rreth 500 faqesh, në të cilën janë përfshirë kërkimet dhe hulumtimet e të ndjerit rreth katër pikave-nyjë në filologjinë historike shqiptare: 10) “Formulës së pagëzimit” apo dokumentit të parë të gjuhës shqipe, shkruar me 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli, 2) Dokumentit të dytë të gjuhës shqipe “Fjalorthit” të Von Harfit (1467), 3) “Perikopesë ungjillore” të përkthyer nga fundi i shek. XV e që përbën të tretin dokument të gjuhës shqipe dhe 4) “Mesharit” të Gjon Buzukut (1555) që përbën burimin më të madh e më të plotë të shqipes së shkruar deri atëherë.
Le t’i japim një sy, së bashku, të nderuar lexues, kësaj vepre të jetës së mjeshtrit Kolë Ashta, këtij libri të botuar nga Shtypshkronja “VOLAJ” me ndihmën financiare të Fondacionit “SOROS” dhe të Dhomës së Tregtisë të Shkodrës. Redaktorë të vëllimit janë një treshe e profesoratit shkodran, As. Prof. Dr. Tomor Osmani, As. Prof. Dr. Simon Pepa dhe Tefë Topalli, që të tre miq dhe kolegë të Ashtës, po edhe njerëz që i lidh fort zemra me ndihmesat e vyera të albanologjisë e që, duhet ta themi, në botimin e kësaj pune që përmban gjithë jetën e Kolë Ashtës, kanë rolin e atyre që shpëtojnë dikë nga përmbytja. Gaditja për shtyp e punët redaktoriale që kërkon një veper kaq e vëllimshme si “Leksiku historik i gjuhës shqipe” përbënte me siguri një mund e zotim të shënueshëm dhe atyre u përket një nderim për këtë. Por, para se të hyjmë në thelbin e paraqitjes sonë, le të ndalemi një çast në përkushtimin e kësaj vepre nga autori: “Gjithë punën për kryerjen e këtyre studimeve ia kushtoj An-etës, gruas sime, e cila m’u gjet gjithmonë pranë”. Kjo na kthen edhe një herë tek ajo që prekëm në hyrje: Kolë Ashta nuk la bij, por ai, ashtu si Martin Camaj, pasi çoi jetën me familjen e vet, pasi iu mbaruan ditët, i la bashkëshortes veprën e tij të madhe, e cila e pavdekëson mbiemrin e autorit më shumë se do ta përjetësonin një çetë djem e nipa: ai la emrin e ndritur të studiuesit që kurrë nuk diti të thoshte “kam hulumtuar mjaft”. Ai e vijoi kërkimin dhe punën shkencore deri në çastet kur iu mpa-kën e iu shterruan të gjitha forcat dhe, pa dyshim, në shkëlqimin më të mbramë të syve të tij, para se t’i mbyllte përgjithmonë, zonja e tij e nderuar, Aneta, me siguri që, bashkë me lamtumirën e burrit, do të ketë ndjerë edhe “amanetin” e autorit për veprën që la në botim e sipër.
Tek lexojmë veprën, natyrisht, nuk mund të mos shprehim dhe nderimin që meriton zonja Aneta Ashta që, këtë amanet të të shoqit, arriti ta plotësojë, duke pasur pra-në edhe studiuesit e Sektorit të Albanologjisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Sa herë të lexojmë, të citojmë a të vlerësojmë atë çka thuhet në “Leksiku historik i gju-hës shqipe” të Kolë Ashtës, krahas tij do të na shkojë mendja natyrshëm edhe tek personat që me aq përkushtim bënë të mu-ndur botimin e saj. Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me for-mim të thellë e vizion të gjerë perëndim-or, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta. Ashtu si mjeshtri Eqrem Çabej, me të cilin i lidhte një miqësi e thellë po edhe një fushë e përbashkët kërkimesh, sidom-os çka lidhet me leksikun historik të shqipes, Kolë Ashta e hulumtonte dhe e vilte shterrueshëm e me shumë shqyrtime e krahasime zhdavaritëse gjithë leksikun e dokumenteve më të para të shqipes dhe, bash për këtë arsye, separatet e “Buletinit të Shkencave” dhe të “Buletin i Institutit të Shkodrës” me pjesët e botuara të “Lek-sikut …” nga Kolë Ashta, Çabej i mbante gjithnjë në tryezën e tij të punës. Kush lexon e studion veprat e Çabejt sheh se atë lëndë e citonte dhe e shfrytëzonte gjerë për etimologjitë e shqipes dhe më tej në kundrimet rreth historisë së gjuhës shqi-pe.
Nuk gabojnë aspak, po të themi se, në veprën e E. Çabejt “Studime etimoligjike në fushë të shqipes” Kolë Ashta është au-tori që është cituar më shpesh. 1. Punimi i parë që zë edhe vendin e kreut hyrës të vëllimit është ai që i kushtohet figurës së Pal Engjëllit, si personali-tet e bashkëkohës i Skëndërbeut, si historian a biograf i tij, i përmendur gjithandej në shkrimet historike kushtuar heroit tonë kombëtar, krahas Biemnit, Barletit etj. po, duke u ndalur, në mënyrë të veçantë në Kuvendin e Matit të vitit 1462, si një nga sinodet shumë të rëndësishme, ku ipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli shkroi edhe të famshmen “Formula e pagëzimit”. Koha kur u shkrua Formula ishte një pikë kriti-ke e historisë kombëtare shqiptare: Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot – Skëndërbeu ishte atëherë më i plakur dhe i lodhur e kishte filluar të ndihej trysnia e ndikimit turk. Kuvendi i Matit mishëronte përpjekjet atdhetare për t’i bërë ballë sado pak vërshimit të kësaj vale. Në sythin e titulluar “Dokumenti i parë i shkrimit shqip është “Formula e pagëzimit”, shkruar në Mat, më 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli”, Kolë Ashta i qaset shtruar shqyrtimit filo-logjik dhe përshkrimit të hollësishëm të brendisë e të formës gjuhësore të atij do-kumenti. “Formula e pagëzimit” e shkruar latinisht e shqip nga Pal Engjëlli është kjo “Ego te baptizo in nomine patris et filij spiritus sancti”. Teksti shqip i Pal Engjë-llit: “vnte paghesont premnit Atit et birit et spertit senit”, që e tejshkruan kështu: “Un të pagëzonjt pr emënit/të/ Atit et birit et spertit senit”. Dokumenti i parë i shqi-pes gjendet brenda një konteksti udhëzim-esh të shkruara latinisht. Këto udhëzime, që kanë të bëjnë me këtë shërbesë fetare, me pagëzimin e në lidhje me formulën e tij, që lexohen në tekstin e Pal Engjëllit, dëgjohen përsëri e do të shtjellohen më gjerë edhe në shekujt vijues, si në Kuven-din e Arbnit, të mbajtur në Mërqinjë të Lezhës më 1706. Autori ngulmon se “ato janë dy më të moçmet sinode shqiptare që nga koha e Skëndërbeut”. (fq. 43).
Formula e pagëzimit, ndonëse është një tekst i shkurtër, gjithsej vetëm një fjali, përmban një hallkë të rëndësishme që lidh Shqipërinë paraturke me Shqipërinë e kohës osmane. Ajo është formula që do të ketë qenë në përdorim të kishës në gojë të popullit dhe shkruesi i Kuvendit të Matit nuk bëri gjë tjetër veçse e fiksoi me shkrim atë traditë të trashëguar brezpasbrezi e me një trajtë pothuajse të pandryshuar. 2. Dokumenti i dytë i gjuhës shqipe është “Fjalorthi” i Arnold fon Harfit (Von Harf) i vitit 1497. Ky shtegtar gjerman, qe nisur nga Këlni i Renanisë në vitin 1496 për një udhëtim të largët nëpër Itali, Siri, Egjipt, Arabi, Etiopi etj. Gjatë atij udhëtimi ai u ndal diku edhe në brigjet tona. Ato që pa e dëgjoi gjatë udhëtimit të tij Harfi i renditi në një vepër, e cila asokohe nuk qe botuar. Vetëm mbas shumë vjetësh, më 1860, do të botohej në Këln “Die Pilgehrfart des Ritters Arnold Von Harf…”, në f.65 të të cilit, autori sjell disa fjalë shqipe së bashku me disa fraza e me disa numërorë, që u mblodhën prej tij në vendin to-në dhe po prej tij u përkthyen në gjermanisht. Së këtejmi, edhe quajtja e tyre “Fja-lorth shqip-gjermanisht” i vitit 1497. Nga shqyrtimet e shpjegimet e imëta të Ashtës del se Harfi, së pari, do të jetë ndalur në Ulqin, për të cilin thotë se “ky është një qytet i bukur, i vogël, pronë e venedikasve dhe është tokë shqiptare”. Prej andej ka-lon nëpër det dhe del në Durrës e aty, mbledh disa fjalë dhe mban shënime që, më vonë, do të ngjallnin aq interesim.
Në të vërtetë, përtej interesimit të mirëfilltë për historinë e shqipes së shkruar, ato pak fja-lë të Harfit, do të meritonin edhe një he-tim e analizë të hollë dialektologjike, sep-se, bash qysh aty, mund të vinim re edhe ndonjë dukuri dialektore karakteristike për të folmet bregdetare të Shqipërisë së Mesme dhe të toskërishtes, përderisa dihet se, gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri, ai qëndroi edhe në Sazan. Porse, puna është se teksti origjinal nuk na ka mbërritur, kemi në dorë vetëm kopjimin sipas botimit që ka bërë Mario Roku (Roques). Të interesuarit, studiues apo studentë të le-trave shqipe, në studimin e prof. Kolë Ashtës kanë tërë listën e fjalëve shqip-gjermanisht të Harfit, bashkë me disa shpje-gime kritike në kllapa. Aty kemi, gjithashtu, alfabetin e shqipes të nxjerrë nga “Fjalorthi”. Sa thotë Ashta rreth veçorive gjuhësore-historike të “Fjalorthit” si dhe të dhënat leksikore të nxjerra së andejmi kanë pasur e do të kenë edhe më tej rëndësi të madhe për studimet rreth fonetikës historike të shqipes, si dhe përgjithës-isht rreth morfologjisë e leksikut të gjuhës sonë. Ato janë përfillur e cituar gjerë sidomos në kërkimet e Eqrem Çabejt. 3) Dokumenti i tretë i shqipes, të cilin Ashta e trajtoi gjerë në veprën e vet, është “Perikopeja ungjillore”. Aty flitet për për-kthyesin anonim të dokumentit, për ndryshimet mes kodit dhe dokumentit shqip të Anonimit “Perikopeja ungjillore”, bëhet përshkrimi i dokumentit nga ana filologjike, jepet pasqyra e alfabetit të “Periko-pesë ungjillore” dhe teksti i dokumentit shqip të Anonimit. Tërheq vëmendjen, në mënyrë të veçantë, shqyrtimi i gjerë dhe plot erudicion i të dhënave rreth fonetikës dhe përbërjes leksiko-frazeologjike që nden “Perikopeja”.
Aty, praktikisht, Porf. Ashta ka derdhur shpjegime e shpallime etimologjike, historiko-kulturore, etnolo-gjike etj., të cilat nuk mund të mos përfilleshin nga dijetarët bashkëkohës dhe at-a që do të vijnë. 4) Natyrisht, puna më e madhe dhe themeli i vëllimit është studimi “Gjon Bu-zuku dhe vepra e tij “Meshari” (1555), një monografi e hapët dhe e plotë prej gati 400 faqesh. Kemi të bëjmë me një studim të kryer qysh më 1963 dhe është bërë du-ke u mbështetur fillim e mbarim vetëm në fotokopjen tërësore të “Mesharit”, sepse, deri atëherë nuk kishte dalë ndonjë botim filologjik i tij. Vendin kryesor në studimin e Ashtës për librin e Buzukut e zënë, siç e thotë edhe ai vetë, sidomos dy gjëra të re-ja: ana letrare e përkthimit shqip dhe leksiku i plotë i nxjerrë nga vepra. Monogra-fia është nyjëtuar si vijon: pas disa shënimeve paraprake, shkurt, vjen hyrja me titull “Jehet e kohës e të hapësirës në she-kullin XVI dhe Buzuku me veprën e tij” (f. 113-120), sythi rreth jetës së Gjon Buzukut dhe disa vija të personit të tij (f. 121-1126), Arsyetim për çështjet biblio-grafike të veprës së Buzukut (f. 127-134), vrojtime grafike për shkronjat e alfabetit në veprën e Gjon Buzukut (f. 135-141), Një përpjekje për studimin e anës letrare të veprës “Meshari”, sipas përkthimit shq-ip nga Gjon Buzuku (f. 141-175), Veçori dalluese të gjuhës së Buzukut (f. 183-220), Bibliografi për Gjon Buzukun (f. 221-223) dhe Leksiku i plotë nxjerrë nga vepra e Gjon Buzukut, punuar mbi foto-kopje (f. 227-494). Vëllimi që kemi në dorë na fton ta këndojmë me nge, po edhe të nxjerrim së andejmi shumë fakte, pikëtakime e të dhëna që do të na duhen shpesh për të shqyrtuar e zhdavaritur të errëtat e kërki-meve rreth gjuhës shqipe. Po ndalem, kalimthi, vetëm në ndonjë ide e përsiatje që na del gati spontane duke lexuar Leksikun e veprës së Gjon Buzukut. Së pari, në afrinë shumë të madhe fonetike dhe leksikogramatikore të asaj që nden “Meshari” me të folmet e anës veriperëndimore, sidomos me ato të Malësisë së Madhe.
E kam fjalën, në mënyrë të veçantë, për pika të mëdha takimi e përkimesh që nuk ka si kalohen në hije, si p.sh. grupin e zano-reve uo (afëruom, amëshuom, amëltuom, anëkuom, bekuom, besuom, bukuruom, buollicë, dërguom, dëftuom, dëshmuom, duoj, duruoshim, fabrikuom, faruom, firmuom, gruoja, guxuom, gjatuor, gjimu-om, idhënuom), që nuk e ndeshim më kurrkund në të folmet e gegërishtes veri-perëndimore, përveç trevave të Malësisë dhe të zonave prej nga kanë qenë shpërngulur malësorët, si në anët e Krajës dhe në diasporën e krijuar prej mërgimtarësh krajanë e anamalas në Zarë të Dalmacisë. Shumëkush, ndonjëherë edhe në radhët e gjuhëtarve që maten me hijen e mëngjesit, harrojnë se, p.sh., të folmet e Kastratit, të Hotit, të Kelmendit etj, bash hir të pranisë së togut uo dhe fazës së mëtejme të tij ua (grua, mua, prrua, shkua) dallohen prerazi nga mbarë të folmet e tjera të gegërishtes, dhe, least but not least, bashkëzanojnë më dukshëm me toskërishten e me gjuhë letrare standard, sesa me të folmet e tjera, qoftë edhe aq pranë, si p.sh. me të folmen e qytetit të Shkodrës. Pikërisht ashtu si gegërishtja e Gjon Buzukut, siç e kemi thënë edhe gjetkë, ngjason aq fort e përputhet harmonishëm në shumëçka me tos-kërishten e Lekë Matrëngës.
Natyrisht, hi-poteza si kjo mbeten gjithësesi “në kantier” e duhen çuar më tej, porse mua më duket se , edhe në shumë raste të tjera, leksiku dhe semantika buzukiane që nden “Meshari”, jo vetëm gjen përputhje të plo-ta, po edhe jep shteg për të menduar për një zanafillë të mundshme të Gjon Buzukut pikërisht nga ndonjë vis veriperëndimor që kishte një të folme si ato që ndeshim edhe sot në Malësi të Madhe.
Sa për ilustrim, po theksojmë këtu se, duke lexuar Leksikun e Buzukut, mua më vijnë kundruall e krejt të njëjta shumë leksema si këto: ardhija dhe shqiptimi i saj në formën ërdhi, që aq shpesh e kisha ndeshur ndër të moshuarit e Kastratit; mbiemri ci-lësorë i atillë, e atillë me kuptimin “i fortë, i fuqishëm”, që e kam ndeshur në Budishë e Kastrat të Epërm qysh kur punoja për temën e diplomës për të folmen e Kastratit (1965-66); bakeq “keqbërës” dhe antonimi bamirë “mirëbërës”, forma briena si shumës i emrit brini “briri”, folja bukuroj dhe rrjedhojat e saj bukuruom, e bukuru-ome, që ndërtohen pa parashtesë, por dre-jtpërdrejt nga tema bukur: ka nis rrushi m’u bukurue (Kastrat), butak-u që lidhet me but-i, por që në Kastrat e ndeshim në formën bucak-u; fjalët dejem, i dejun “dehem, i dehur”; forma me ll e emrit të së di-elës: Buzuku dielle-ja, Kastrat e gjetkë në Malësi edhe sot: e diell, t diell n mrame; djergem “zbres”, duoj “dorëz kallinjsh”, fjala ndez me formën në dh: dhezunë, dhezëllimë, që, krejt ashtu, na shfaqen në Malësi: me llez i cigare, zjarmin e laç llezun, ka marr t llezun etj. Dukuri të tilla, sigurisht, nuk mjaftojnë vetëm të hetohen, ato duhet edhe të ndiqen në ballë të gjerë e sipas një ideje për te mbërritur në përqasje sa më të plota e sistemore. Vetëm kështu besojmë se mund të jepen pamje më të hapëta e prurje më të sigurta, mbi bazën e të cilave edhe mund të zhdava-riten sadopak mjegullnajat rreth fazave të hershme të gjuhës shqipe e të jo pak pro-çeseve fonetike e morfosintaksore të saj. Paçim shëndet e jetë për t’u ardhur rreth e për të hulumtuar mbi to. Pastë dritë e iu përmendtë kurdoherë për mirë emri mjeshtrit të madh Prof. Dr. Kolë Ashtës.

Alfred Moisiu – shtetari dinjitar në 85-vjetorin e lindjes

nga Gjovalin Shkurtaj

Fjala e mbajtur në 85-vjetorin e Alfred Moisiut

Autoritete të nderuara,
Zonja dhe zotërinj,

1. Dola këtu, jo vetëm për ta uruar  zotin Moisiu  për  këtë festim të 85-vjetorit të ditëlindjes së tij, jo vetëm për t’i shprehur  lavde të merituara dhe fjalë miradije, -sigurisht edhe këtë do ta bëj dhe ndjehem i nderuar që më jepet rasti ta shpreh vlerësimin tim shumë të lartë për veprimtarinë dhe shkrimtarinë e tij, në një tubim kaq meritor, si ky i sotmi,- por, së pari, dola për ta falënderuar z.Moisiu për  qëndrimin e tij të shpallur e të lëvdueshëm ndaj gjuhës shqipe, për mbrojtjen e gjuhës standarde dhe  anësimin e tij të vyer ndaj  gjuhësisë dhe gjuhëtarëve shqiptarë, pikërisht ashtu si i ka hije një personaliteti të lartë e figure të shquar    shtetit dhe kombit shqiptar.
Si Kryetar i Shtetit, për pesë vjet radhazi (2002-2007), z.Alfred Moisiu ka dhënë shembullin më të plotvlershëm të shtetarit dinjitar, i cili në çdo shkrim, fjalim a ligjërimtij zyrtar ka gjakuar të zbatojë sa më mirë normat e shqipes së shkruar, prandaj, sa herë ka qenë rasti, por sidomos kur shikojmë se sa keq nëpërkëmbet shqipja nga disa zyrtarë të lartë, kam përmendur rolin e zotit Moisiu dhe, madje, kam shkruar shprehimisht në faqet e një kumtese e në një prej librave të mi:

Ashtu siç është i pashëm dhe i hijshëm, i mbajtur dhe i veshur sikundër i takon statusit zyrtar që ka si President  i  Republikës, ai flet edhe me gjuhë të përpunuar dhe i zbaton në mënyrë shembullore rregullat e drejtshkrimit, jep shembullin e modelin e vlerësimit të kulturës gjuhësore dhe normave të shqipes standarde si shenjë e njësisë  dhe unitetit të kombit tonë”.


Por, zonja dhe zotërinj, ato që do të them më poshtë, tregojnë se zoti Moisiu, e ka dashur, vlerësuar dhe mbrojtur gjuhën shqipe, njësoj si Atdheun e Kombin e vet, jo vetëm kur qe President, por edhe më parë e, në mënyrë të veçantë, gjatë viteve  të ashpra të tranzicionit shqiptar.

Do të citoj me këtë rast disa vlerësime e mendime që lidhen, së pari, me librin e tij “Kosova mes luftës e paqes” (botimet Toena, 2005) dhe me Kujtime, 2, 3, (Botimet Toena, Tiranë, 2012).

Ua kam pohuar disa herë studentëve në universitetet ku jap mësim, e kam thënë edhe dy vjet më parë, po në këtë sallë, kur përuruam vëllimet e tij me kujtime, dhe po lejohem ta ritheksoj edhe sonte në këtë tubim jubilar e solemn, se zoti Alfred Moisiu, edhe në librat (e me librat) e tij që ka botuar, i ka dëshmuarkonkretisht dhe katërcipërisht anësimin, vlerësimin dhe lartësimin e gjuhës shqipe. Dhe, si shembull, kam zgjedhur një nga konkluzionet e zotit Moisiu në librin e tij “Kujtime”, ku ai thotë sa vijon:

“Patjetër që gjuha duhet ruajtur, sepse sot, te ne ka një  trend të çuditshëm, sidomos nga politikanët, që përdorin vend e pavend e me shumicë fjalë të huaja, të cilat i kanë sinonimet e tyre në gjuhën tonë dhe këtë gjë e bëjnë më tepër për të treguar diturinë e tyre. Jo vetëm kaq, por kohët e fundit po vihen re disa tendenca për të ndërhyrë në mënyrë brutale në ”Drejtshkrimin e gjuhës shqipe”. Kjo bëhet, gjoja për të shmangur vendimet e marra në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke i quajtur ato vendime si komuniste. Në përfundime të tilla mund të  arrihet vetëm nga presioni që mund të bëjnë politikanë jonormalë gjykimin se “gjithçka që vjen nga e kaluara duhet ndryshuar”. Zoti e ruajt këtë vend nga budallallëqe të tilla, të cilave iu duhet kundërvënë fuqishëm!” (A.Moisiu, Kujtime, Vëllimi II, f.77)


2. Një nga idetë e vyera dhe shumë të rëndësishme për të sotmen dhe për të ardhshmen e kombit shqiptar është edhe ajo që shpreh zoti Moisiu lidhur me patriotizmin e mediave. Po lejohem të citoj këtu një fragment prej  librit “Kosova mes luftës e paqes”, ku ai e thotë qartë e katërcipërisht e të miradresuar :

“ Shtypi shqiptar  dhe media në përgjithësi duhet ta marrin në dorë seriozisht  punën për rritjen e patriotizmit. Mafton t’i hedhësh një sy shtypit shqiptar gjatë viteve të Luftës së dytë Ballkanike  dhe duket qartë  sa larg janë gazetarët e sotëm nga kolegët  e tyre të asaj kohe. Forcat politike shqiptare, ka ardhur koha të ulin armët kundra njëra-tjetrës dhe të mendojnë më shumë e më seriozisht për Shqipërinë, për të ardhshmen e saj, për rrezikun që po na kanoset.” (A. Moisiu, Kosova mes luftës e paqes, botimet Toena, 2005, f.65)


3. Si përforcim të asaj që shpreha më lart,  po shtoj edhe dy “rrëfenja” që, në këtë rast, janë pikërisht si qershia mbi tortë:

Disa vjet më parë, kur autori merrej me ndjekjen e shtypit të vëllimeve të tij me Kujtime, më ka marrë në telefon nga zyrat e Shtëpisë Botuese “Toena”  për të më pyetur si duhen shkruar shkurtesat e tipit OSBE-së, SHBA-së, UNRRA-s, NBU-së etj., sepse nuk donte të lejojë asnjë rast, sado të vogël, të mospërputhshëm me normat e sotme të standardit.

Kjo “vogëlimë” në dukje, ka rëndësi themelore, të nderuar të pranishëm, sepse tregon madhështinëdhe seriozitetin e një burri shteti, i cili nuk lëshon pe as në dukuri të vogla drejtshkrimore, ndërsa te ne, sikundër nuk kam mënuar ta pohoj e ta kritikoj, për turp të dheut, ka ndodhur që deri në prerjen e  monedhave të shtetit ka pasur gabime drejtshkrimore.

Së mbrami, dhe me këtë do ta mbyll, Presidenti Moisiu, ndjek me shumë shqetësim qëndrimin e pamirë të shoqërisë së sotme ndaj gjuhës, i mbështet gjuhëtarët që e mbrojnë dhe na inkurajon deri për bisedat në TV. Po ju citoj vetëm një prej mesazheve të Tij të kohëve të fundit,  ku ai më shkruante mbas një bisede time në një nga kanalet televizive:

Ju ndoqa me vëmëndje. Keni kapur një problem vital për gjuhën shqipe, që rrezikohet nga padija dhe politika. Alfred Moisiu


Dhe për të mos ju lodhur më tej, po pohoj edhe sa vijon:

Vëllimet “Kujtime” të z.Alfred Moisiu lexohen me ëndje, ka jetë e shpirt njeriu, ka elemente të bukura shkrimtarie, ka fakte e citime të dorës së parë e mbresëlënëse, ka onomastikë të pasur sa për të shkruar një studim doktorature rreth saj, sidomos emra dhe shpjegime që të mahnisin, po edhe që nuk i dinim, si p.sh. për toponimi Çuka e Frëngut diku te Qafa e Gjarprit, duke sjellë edhe shpjegimin se “i ka mbetur nga që aty ishin kryer beteja të ashpra midis Ushtrisë  Franceze dhe asaj Austriake gjatë Luftës së Parë Botërore” (Vëll.II, f. 84), ose sa shkruan lidhur me ndonjë intimitet antroponimik, si  p.sh.vënia e emrit të vajzës së tij, Rubenës (f. 24 ); citimet e shumta, të sakta dhe autentike, përzier edhe me elemente të bukura të etnografisë së ligjërimit e të slloganeve të kohës (si.p.sh.”shfaqje të huaja”, “ushtria e popullit ushtar” (f.73) çun Tirane (f.106, kur flet për Spiro Mëhillin), të cilat unë i vlerësoj,  jo pse  janë    tilla (=të bukura), por sepse janë të Tijat.

Dihet se shumica e librave të burrave të shtetit, që kanë titullin “Jeta ime” (angl. “My life”) vetëm firmën dhe idenë e kanë të vetën, sepse “mielli” e “brumi” janë nga “autorë në hije”.

Zoti Moisiu na ka vënë përpara vëllimet e tij, të shkruara me dorën e Tij, por mbi të gjitha me dijet e tij të sigurta e të shumta, me profesionalizmin dhe nderin e Tij, me çiltërsinë dhe me zemrën e Tij, prandaj le t’ia urojmë solemnisht 85-vjetorin: u mbledhshim për t’ia festuar edhe 90-vjetorin, edhe 100-vjetorin!

Tiranë, 01. 12. 2014

Ribotimi i Gjuha Shqipe për të Huajt dhe Shqiptarët jashtë atdheut



Libri “Gjuha shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut” është një metodë për të nxënë gjuhën shqipe. Aty jepen njohuritë kryesore të gramatikës së shqipes standarde, me një metodë të thjeshtë e kryesisht praktike. Synimi i librit është i kufizuar dhe i qartë: t’u mësojë atyre që dëshirojnë se si lexohet dhe flitet shqipja e sotme letrare.

Libri nis me 14 mësime hyrëse të thjeshta, pastaj ka 30 mësime me tekste dhe shpjegime gramatikore dhe me ushtrime. Ai është i pajisur edhe me pjesë leximi nga autorë të zgjedhur shqiptarë dhe me pasqyra gramatikore dhe me fjalorin e mësimeve të përkthyer në anglisht, gjermanisht,frëngjisht dhe italisht.

Ky libër synon t’u japë njohuritë kryesore për të lexuar dhe për të shkruar e folur gjuhën shqipe letrare, në radhë të parë, atyre që shqipen e kanë gjuhë të nënës, por nuk i kanë mundësitë për ta nxënë në shkolë me program të rregullt si lëndë mësimore. Fëmijët e arbëreshëve dhe të shqiptarëve të diasporës kudo që gjenden, e kanë këtë libër një ndihmës të mirë e të vlefshëm. Ky libër u shërben dhe u drejtohet, gjithashtu, edhe atyre që shqipen nuk e kanë gjuhë të nënës, porse dëshirojnë ta nxënë atë, duan të jenë në gjendje të lexojnë, të flasin dhe të shkruajnë shqip.

Libri mund të përdoret nga mësues të gjuhës shqipe në diasporën shqiptare dhe arbëreshe, por mund të përdoret edhe pa mësues. Ai ka të gjitha lehtësitë dhe shkallëzimin e nevojshëm e metodik të lëndës, që të mund të kuptohet e të zbatohet edhe nga ata që nuk kanë mundësi të gjejnë një mësues.

Libri ishte është botuar nga Toena dhe mund të gjendet në të gjitha libraritë e Botimeve Toena.

Dialektet e shqipes dhe standardi në kushtet e globalizmit

Akademik Kolec Topalli

Dihet se krijimi i standardit të një gjuhe, si mjet komunikimi mbarëkombëtar, nuk përjashton ekzistencën e dialekteve. Ato vijojnë jetën e tyre duke pësuar ndryshime në përshtatje me vetë zhvillimin e krahinës ku fliten dhe në marrëdhënie me standardin. Rastet e gjuhëve të mëdha të Europës, si anglishtes, frëngjishtes, italishtes etj.,  që kanë krijuar standardin e tyre prej disa shekujsh duke ruajtur edhe dialektet, janë një shembull i qartë për këtë. E njëjta gjë mund të thuhet për gjuhën shqipe, e cila, ndryshe nga gjuhët e mësipërme, ka një standard të ri, të krijuar prej jo më shumë se një gjysmë shekulli, por dialektet e saj gjëllijnë duke hyrë në marrëdhënie të ndërsjella me të: nga njëra anë, standardi ushtron ndikimin e vet mbi dialektet duke futur elemente të modernizimit të gjuhës, fjalë të reja që lidhen me mënyrën e re të jetesës dhe ndryshimet e mëdha ekonomike e shoqërore; nga ana tjetër, dialektet derdhin vazhdimisht pasurinë e tyre leksikore e frazeologjike në gjuhën standarde. Për këtë arsye çdo nënvleftësim i fuqisë krijuese të dialekteve sjell dobësim e varfërim jo vetëm të dialektit por edhe të vetë standardit.

Gjuha popullore, që jeton përmes dialekteve, është ajo që i jep jetë e gjallëri standardit, që e freskon dhe e njom, e përtërin, e këndell dhe e ardhang duke e mbrojtur nga shtërpësia e thatësira dhe nga krijimet me gjedhe të huaja. Sidomos standardi i shqipes, që është i ri, ka nevojë për pasurinë e dialekteve, për krijimet popullore, që mund të gjenden në të folmet e popullit. Nëse e përbashkëta e krijuar, gjuha standarde, shkëputet nga baza e vet prej së cilës ka dalë, ajo rrezikon të shterpëzohet e të dobësohet, duke u ushqyer jo më me gjakun e vet, por me gjak të huaj.
Jetojmë në epokën e globalizmit, kur marrëdhëniet e dendura ndërmjet shteteve, krahinave e gjuhëve janë shtuar së tepërmi; kur këmbimet kulturore, letrare e artistike janë shumëfishuar, kur zhvillimi i vrullshëm i shkencës e teknikës ecën me ritme të paparashikuara. Në kushte të tilla, të gjitha gjuhët ndodhen para një dukurie të re, që është globalizmi gjuhësor. Gjuhët e mëdha e të zhvilluara, që kanë përparësinë e zhvillimit ekonomik, shkencor, teknik e artistik, gëzojnë edhe përparësinë gjuhësore duke u bërë rrezatuese të fjalëve, shprehjeve dhe formave të reja në të gjitha gjuhët me të cilat janë në kontakt popujt e vendeve të ndryshme të globit. Një dukuri e tillë është e pashmangshme edhe për shqipen, madje, në një shkallë edhe më të lartë se gjuhët e tjera, që kanë pasur stabilitet më të hershëm kombëtar e gjuhësor, krahas stabilitetit politik, ekonomik e shoqëror.
Për gjuhën shqipe, globalizmi është një dukuri e pashmangshme. Shumë fjalë, shprehje dhe ndërtime gramatikore të gjuhëve të huaja depërtojnë çdo ditë, orë e minutë në gjuhën shqipe. Ky depërtim është i fuqishëm nga dy burime: nga gjuhët romane, për arsye të traditës së krijuar prej disa shekujsh, sipas së cilës elementet e reja të gjuhës kanë depërtuar kryesisht nga këto gjuhë, sidomos prej italishtes e frëngjishtes; e para me kontakte të drejtpërdrejta prej marrëdhënieve historike; e dyta si gjuhë kulture kudo në Evropë në shekujt e fundit. Burimi i dytë është anglishtja, fuqia e së cilës si gjuha me prestigjin më të madh botëror, është bërë e ndieshme në të gjitha gjuhët europiane, sidomos në shekullin e fundit, duke përfshirë edhe shqipen.
Në rrethana të tilla, duke qenë globalizmi një dukuri e pashmangshme, në shumë raste mund të mënjanohet duke përdorur në vend të fjalëve, shprehjeve a strukturave të huaja sintaksore, elemente dhe materiale prej brumit të vetë shqipes, që janë farkuar me mjeshtri prej popullit dhe mund të gjenden në dialekte e në të folmet të veçanta, që vijojnë të gjallojnë e të bëjnë jetën e tyre. Po jap ndonjë shembull. Për fjalën e huaj model, populli i krahinës së Elbasanit ka krijuar gjedhe, që shkon me foljen zgjedh, domethënë “ajo që zgjidhet”. Për foljen krijoj arbëneshët e Dalmacisë kanë lentoj nga fjala e shqipes landë. Janë dy shembuj që dëshmojnë se sa ndihmesë mund të sjellin dialektet për të mënjanuar fjalët e huaja, që po vërshojnë me fuqi e shpejtësi të madhe në gjuhën shqipe.
Shkrimtarët e mëdhenj dallohen për një punë të vullnetshme dhe frytdhënëse për gjurmimin e thesarit popullor, çka i jep jetë e gjallëri veprave të tyre. Po sjell vetëm ndonjë shembull nga fjalori i Fishtës, ku spikat puna e tij e madhe për të gjetur, për të hulumtuar e për të vënë në qarkullim fjalë të rralla të shqipes, siç janë ato që i kemi nxjerrë nga vepra “Lahuta e Malcis”, p.sh., adra  për “dokrra”, ag për “drita e mëngjesit”, angërr për “të brendshmet”, avër për “rrasë akulli”, baetë për “një lloj arme, hobe”, bercak për “peshk i vogël”, boenë për “përmbytje”, brâsh për “pjepër i vogël”, bubazhel për “gogol”, camerdhok për “fëmijë i vogël”, cecas për “grimcoj”, cokël për “copa të vogla druri”, çakla për “sende shtëpie” e shumë të tjera, që janë një pasuri e madhe dialektore, por edhe e mbarë shqipes po të vihen në qarkullim të përgjithshëm gjuhësor.
Standardi i shqipes, që kryen funksionet e tij kudo ku ka shqiptarë, ka nevojë për përmirësim, për latim e pasurim, për përsosje e zgjerim të mëtejshëm të funksioneve të tij. Të gjitha këto mund të realizohen më së miri duke u mbështetur në pasurinë e madhe që kanë krijuar prej shekujsh dialektet, në gjedhet e farkuara me mjetet e shqipes. Shqipja standarde krijon marrëdhënie bashkëveprimi të vazhdueshëm me dialektet e të folmet e veçanta të shqipes. Nëpërmjet lidhjeve të ngushta e të përhershme që mban me dialektet, ajo pasurohet e përsoset. Kontaktet e standardit me dialektet janë shumëfishuar dhe përshpejtuar sidomos në dhjetëvjeçarët e fundit, kur shqiptarët, që për gati një shekull qenë të copëtuar në disa shtete, hoqën kufijtë ndarës dhe filluan lëvizjen e lirë, duke rritur ndjeshëm komunikimin e drejtpërdrejtë gjuhësor me njëri-tjetrin.
Në fushën e leksikut, janë të gjitha mundësitë që shumë fjalë të huaja të zëvendësohen me fjalët shqipe; si p.sh.: për absorboj mund të përdoret përthith; për adaptoj, përshtas, për afirmoj, pohoj, për aks, bosht, për akumuloj, grumbulloj, për  akut, i mprehtë, për alivan, të fikët, për aluvion, lyshtër e lymishtë, për angazhohem, zotohem etj. 
Në fushën e frazeologjisë, ku dialektet kanë ruajtuar shprehje të bukura popullore, janë mundësitë e përdorimit të tyre për të zëvendësuar shprehjet e huaja frazeologjike, që shfaqen si kalke gjuhësore; si p.sh.: njeri gjysmë i vdekur, sipas gjerm. halbtot, mund të zëvendësohet me gati i vdekur a si i vdekur; shprehja kam një besim të verbër sipas fr. avoir une confiance aveugle mund të zëvendësohet me vë dorën në zjarr; shprehja ishte i mirënjohur sipas it. era ben conosciuto mund të zëvendësohet me e njihnin të gjithë etj.   
Veçanërisht të dëmshme e të rrezikshme janë gjedhet e huaja në sintaksë, në ndërtimin e fjalive. Si një gjuhë e lashtë që ka mundur t’u shpëtojë shumë ndikimeve të huaja, shqipja ka krijuar gjedhet e saj të ndërtimit të fjalive, të cilat më mirë se askund tjetër ruhen nëpër dialekte. Por në ditët tona, kur kontaktet me gjuhë të huaja janë shtuar së tepërmi, është rritur edhe rreziku i depërtimit të strukturave të huaja në fushën e sintakës, një rrezik që mund të mënjanohet letësisht duke studiuar e duke vënë në qarkullim strukturat e gjedhet popullore, që gjenden në çdo dialekt të shqipes. Sintaksa dhe morfologjia, me një fjalë gramatika, është kështjella e fundit që mund të tjetërsojë një gjuhë. Shformimi i tyre prish palcën kurrizore të gjuhës, skeletin e saj; prandaj ruajtja e tyre është detyrë parësore e çdo gjuhëtari, shkrimtari a intelektuali që përdor gjuhën amtare. Disa shembuj ku mund të mënjanohet ndikimi i huaj, janë: përdorimi i përemrit gjithëpara përcjellores, në raste si: gjithë duke ecur, sipas fr. tout en marchant; përdorimi i lidhores pas foljeve që shprehin të parë, të dëgjuar, të ndier etj., në raste si: jam i kënaqur ta kem njohur atë njeri, sipas fr. Je suis content d’avoir connu cet homme; përdorime të gabuara të parafjalëve, në raste si: i pasur në minerale, sipas gjerm. reich an Erzen; nën mbikqyrjen e tij sipas it. sotto la sorveglianza, pra, edhe nën edhe mbi etj.
Drejtimet e një pune të mirëfilltë shkencore për mbrojtjen e pasurisë dialektore mund të jenë sa vijojnë: mbledhja, evidentimi dhe hulumtimi i fjalëve, shprehjeve dhe strukturave ndërtimore të dialekteve, me qëllim që të bëhen pasuri e standardit duke ndihmuar mënjanimin e elementeve të huaja; studimi i pasurisë gjuhësore të autorëve të ndaluar ose të mënjanuar në periudhën e diktaturës komuniste për të marrë prej tyre atë pasuri që ata e shfrytëzuan nga thesari popullor për të krijuar veprat e tyre; hartimi i fjalorëve dialektorë, sidomos për të folme ende të pastudiuara; hartimi i një fjalori të tipit thesaurus, ku të përfshihet e gjithë pasuria leksikore e dialekteve të shqipes etj. Për të gjitha këto, nuk mjafton puna e kujdesshme dhe e vazhdueshme e institucioneve shkencore të specializuara, por nevojitet edhe qëndrmi i ndërgjegjshëm i të gjithë shoqërisë shqiptare, veçanërisht i intelektualëve që kultivojnë gjuhën amtare.

Kliko këtu për videon: http://youtu.be/1BsniGUQlNM

Kandidatët për President te FYROM duhet të shprehin qartë qëndrimin e tyre mbi përdorimin e Gjuhës Shqipe si gjuhë zyrtare krahas asaj Maqedonase

Zgjedhjet Presidenciale në FYROM do të mbahen në dt. 13 Prill 2014. Ndërkohë që shumë emra po përfliten si kandidatë të mundshëm, asnjë nga këta individe (qoftë Maqedonas apo Shqiptarë) nuk po shrehen qartë për një ndër kushtet themeltare të Marreveshjes së Ohrit: – Përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, krahas maqedonishtes, aty ku shqiptarët përbejnë më shumë se 20% të popullsisë.

Shqiptarët që banojnë në tokat e tyre brenda FYROM, kanë të drejtën e tyre të plotë të kërkojnë me ngulm që, cilido që do të jetë Presidenti i ardhshem i ketij vendi, ai/ajo duhet të shprehet qartë se do të mbrojë të drejtat e ligjshme të bashkësisë shqiptare, e cila ka prani dhe peshë të rëndësishme në atë shtet, si dhe do institucionalizojë përdorimin e shqipes (krahas Maqedonishtes) në jetën publike të FYROM.

http://sq.wikipedia.org/wiki/Marrëveshja_e_Ohrit