Domethënia e Pashkëve dhe e kryqit

nga Gjovalin Shkurtaj

Pashkët ose Pashka është festa më e madhe e kristianizmit, që përkujton vdekjen e Jezu Krishtit  në kryq dhe ringjalljen  e tij mbas tri ditësh. Kjo festë  tradicionalisht përbën kremtimin më të madh sipas kalendarit liturgjik  Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera.
Festa e Pashkëve të krishtera është e lëvizshme, vendoset çdo vit të dielën pasuese, të hënën e parë  të javës së plotë pas baraznatës(ekuinoksit) të pranverës (21 mars), pra gjithnjë  në periudhën ndërmjet 22 marsit dhe 25 prillit .

Pashkët janë festa me kuptimin më sublim  të besimit  të krishterë, që e ka zanafillën në festën e hebrenjve që festojnë kalimin e tyre të mrekullueshëm nëpër Detin e Kuq, nën udhëheqjen e Moisiut, për të shpëtuar dhe për t’u çliruar nga robëria e faraonit të Egjipitti dhe për të shkuar në Tokën e Premtuar.


Pashkët janë festa më e  madhe që kremtojnë izraelitët në Jeruzalem, ku edhe sot dita e Pashkëve të tyre nis me festën e Bukëve të ndorme (të pambrume, të pafermentuara me tharm), e cila zgjat shtatë ditë dhe konsiderohet si e njëjtë me festën e Pashkëve.
Thelbi  i misterit fetar të kësaj feste lidhet me  përkujtimin e vdekjes së Jezusit në kryq dhe me mrekullinë e  ringjalljes së tij mbas tri ditësh. Jezusi kaloi nëpër labirintet dhe vuajtjet e vdekjes, i masakruar dhe i gozhduar në kryq, duke duruar dhe duke u flijuar  me qëllimin e lartë për ta shpëtuar botën nga mëkatet dhe për  të shënuar ringjalljen e forcave të së mirës në mënyrë triumfale dhe shpëtimtare për njerëzimin.

Pashkët, si fjalë e hershme  e shqipes së moçme  e huazuar nga latinishtja  Pasqua, po edhe si festë me ritualet e saj të mirënjohura e të ushtruara hershëm në mbarë hapësirën arbërore e shqiptare, lidhet me  ringjalljen e Krishtit, por në rrjedhë të  shekujve ka marrë edhe  kuptimin e fuqisë ringjallëse të natyrës, që lë prapa dimrin e ftohtë dhe të ashpër e pret pranverën; simbolizon edhe fuqinë  e forcat këndellëse të botës organike, që bën  të çelin e të lulëzojnë pemët, bimët dhe gjethimin e lulëzimin e fushave e maleve; simbolizon forcat e pjellorisë  që mbushin vithnat e bagëtive me shtrri  të njomë (qengja e keca, viça, mëza) që gumëzhijnë e gjallërojnë jetën gjithandej.

Por, Pashkët janë kthyer me kohë edhe në simbol të mbarësisë  dhe  përtëritjes  shpirtërore e morale të njerëzimit.

Vezët e kuqe që zbukurojnë tryezat dhe gatesat e rastit të kësaj feste kanë pasur e vijojnë të kenë edhe simbolikën e mbarësisë dhe të lindurit të së mirës, ashtu si del zogu nga veza.

Urimet tradicionale të Pashkëve në hapësirat shqiptare janë të shumta e të larmishme, por më të përdorshmet kanë qenë: Me shëndet Pashkët! Gëzuar Pashkët! Ato, sigurisht, kanë qenë të ngjitura në shtratin e thirrjes biblike “Krishti u ngjall!”, që do të thotë, në fakt, shpresat u ringjallën, pranvera po vjen dhe po sjell përtëritjen  e rigjallërimin  e gjithçkaje.

Kështu, mund të thuhet se festa e Pashkëve është, ndoshta, shprehja më e plotvlershme e dëshirave të njërëzimit për vazhdimësinë e jetës, për rifillimin e gjithçkaje të mirë e të mbarë në natyrë e në shoqëri.

Pashkët, ndërkaq, sikundër dihet, shënojnë vetëm “kumtin” a lajmin se po vjen  ringjallja e natyrës, se po vjen pranvera, por ajo ndiqet gjatë prillit me Shëngjergjat, simboli i lulëzimit dhe i ardhjes së pranverës. Kudo në hapësirat shqiptare gjatë prillit festohen Shëngjergji  ose Shëngjergji i Ri, diku nga 25 prilli, pastaj  Shëngjergji Plak (nja dy javë më vonë) e me të cilët në popull numërohej jeta, mosha e njeriut. Kujtojmë se shprehja  ngarkuar me shëngjergja”do të thotë i  vjetër,    moshë, që ka jetuar e ka festuar shumë shëngjergja.

Pashkët dhe krejt misteri pashkor janë të lidhur  edhe me kryqin, si simbol e tregues i mundimeve të Krishtit në kryq, i mundimeve dhe i sakrilegjeve që ai bëri për hir të njerzimit. Prej andej vjen edhe shprehja e praktika e Udhës  (Rrugës) së Kryqit, që do të thotë rruga e vështirë, plot vuajtje e mundime që bëri Jezu Krishti me kryq në krah, për shërbim të njerëzimit, për faljen e mëkateve; kjo udhë është një ftesë e njërëzimit për përkushtim e meditim.

Tiranë,5 prill 2015

Gëzuar Shënkollin!

nga Gjovalin Shkurtaj

Dhjetori  është muaji i festave të fundvitit dhe nis këndshëm me kremtimin e Shënkollit, si festa më popullore e më masive, kushtuar  shenjtit të mrekullive, Shënkollit Dimër, të cilit ia ndezin qiririn  dhe i blatojnë lutje e përkushtim jo vetëm  katolikët, po edhe malësorët e besimit mysliman.

Ka qenë dhe vijon të jetë traditë e Malësisë sonë të Madhe që  natën e Shënkollit, që bie gjithmonë me datën 5 dhjetor, ta festojnë duke  i truar fërlikë  të pjekur  në hell dhe duke   ndezuar qirinj të mëdhenj prej dylli, jo vetëm në kishë, po edhe në secilën shtëpi.

Shënkollit i ndezin qirinj, ia kremtojnë festën  dhe ia drejtojnë mendjen e përdëllimin  të mëdhenj e të vegjël,  gra e burra. Atij i drejtohen për ndihmë  e shpëtim në raste vështirësish e përmbytjesh dhe besojnë se ai është shenjti që gjindet në të gjitha vanat.

Frazeologjia e Malësisë sonë të Madhe ka betimet e hershme e të mirënjohura:

Pasha të Shënkollin!
Pasha qirin e të Shënkollit!

Edhe unë me time shoqe, Leonorën, ishim mbrëmë në Bajzë të Kastratit, ia ndezëm qiriun Shenjtit   të mrekullive, Shënkollit të lëvduar, dhe, me kënaqësi, u uruam atyre ku bujtëm, po edhe të gjithë katolikëve kudo që ndodhen: në Malësi e në diasporën shqiptare në dhe të huaj, me fjalët:

Bashkëvendas e bashkatdhtarë të nderuar! 

Me zemër të galduar nga bujaria, mikpritja dhe fisnikëria proverbiale e bajzjanëve të mi, Ju ftoj ta  bashkojmë sot urimin e zemrave tona me formulimin e bekimin e Papa Françeskut, i cili vetëm pak javë më parë e mbylli vizitën e tij në Shqipëri, duke na ftuar “Lutuni edhe për mua!” 

Ju ruajt Shenjti i lëvduar i Mrekullive! Paçim paqe, mbarësi e hapësira të reja kthjellimi shpirtëror e mendësior në të gjitha fushat e jetës. 

Qoftë kurdoherë mbi krye të shqiptarëve dora e bekuar e Shënjtit  Shënkoll!


Tiranë, 6 dhjetor 2014