Problemet me shkrimin e gjuhës shqipe – në emisionin ‘Ditë e re’ në Ora News TV

Sot fola në Emisionin “Ditë e re” te Ora  News, të drejtuar nga Edvin Peçi dhe Stela Kotri.

E fillova bisedën me parafrazmin e një  këngë shkodrane,që thotë : “Ke me u pendue, por atëherë ka me kenë vonë ” dhe  me këtë doja të  theksoja shqetësimin tim dhe mendimin se do të pendohemi për qëndrimin e padrejtë e pakujdesitë ndaj gjuhës shqipe, por, kur të  na vijnë mendtë, me siguri, do të  jetë vonë.

Jam në dijeni dhe, natyrisht, edhe i shqetësuar për rezultatet jo të mira, madje dukshëm të këqija, të nivelit të shqipes e të  shkruarit në shkollat tona. Vlerësimi kombëtar i bërë nga ‘Agjencia kombëtare e provimeve’ te klasat e treta dhe të pesta, ku ka rezultuar se 24.1 për qind e nxënësve në klasë të tretë nuk kanë shkruar asgjë, kur u është kërkuar një ese; aty thuhet se 27 për qind e nxënësve nuk dinë t’i shkruajnë numërorët e thënë me fjalë dhe anasjelltas.


“Nxënësit e klasës së pestë që nuk shkruajnë nje ese janë në masën gati 34%, pra ka një rritje të tyre. Ndërsa ata që nuk dinë të shkruajnë numërorët janë 32 %, edhe këtu me rritje.”


Shqetësimi im është jo vetëm për atë që ndodh në shkollë në punët me shkrim të nxënësve, por më tepër nga ajo që bëjmë keq ose që nuk e bëjmë ashtu si duhet në pjesën e epërme, në strukturat drejtuese të shkollave e të institucioneve botuese. Pra, më shumë se rezultatet e nxënësve, që sigurisht më brengos situata e sotme, më shqetëson e më mbush me zemërim, madje me mllef të ligjshëm, ajo që është bërë këto vitet e fundit nga Ministria e Arsimit, nga Shteti dhe isntitucionet e varura (ose të lejuara) prej tij ndaj gjuhës shqipe. Ka shkruar një nga kolegët e mi, prof.  Emil Lafe, për “mungesën e disiplinës së shtetit” dhe unë e kam mbështetur atë ide dhe po e përsëris edhe sot:


Shteti nuk e ka treguar kujdesin e duhur ndaj gjuhës së shkruar, ndaj gjuhës letrare shqipe të njësuar kombëtare. Nuk jemi askund afër asaj situate që kemi pasur disa vjet më parë. Kur nuk kishim mjetet e sotme, jo më kompjutera e telefona modernë,  por as makina shkrimi nuk kishim, por botimet shkollore kishin gjuhë të kujdesur mirë; gazetaria ishte ajo që dihet, por gjuha e gazetave dhe e botimeve zyrtare ka qenë e mirë, sepse edhe kujdesi ka qenë në shkallë të lartë. Korrektori gjuhësor i “Zërit të Popullit” nuk lejonte gabime gjuhësore as te drejtuesit më të lartë të Partisë e të Shtetit; ata e shkruanin pllani, ai ua ndreqte si duhet: plani; dikush thoshte aturenë dialektin e Gjirokastrës, ai ua kthente në shqipen e njësuar: atyre.

Po edhe gjuhësia shqiptare ka pasur autoritetin e peshën e duhur në jetën e shoqërisë, njerëzit shqetësoheshin dhe ruheshin nga gabimet në të shkruar. Instituti i Gjuhësisë kishte edhe shërbimin e ”Këshillimeve gjuhësore” dhe çdo ditë në telefonin 2509 përgjigjej një nëpunës roje, specialist i gjuhësisë, për të gjitha pyetjet që bëheshin nga njerëz të ndryshëm. 

Dhe, meqë po flasim edhe për gabimet e nxënësve te numërorët, një herë kur isha unë roje dite në atë shërbim, dikush nga Elbasani pyeti: -Si duhet shkruar: numër-numuri apo numër-numri? I shpjegova se duhej: numër-numri si emër-emri, por ai m’u kthye me rrëmbim se formën “numur” e kishte parë të shkruar në gazetë. Kjo do të thotë se fjala e shkruar në botimet zyrtare dhe në gazeta e revista, për njerëzit e zakonshëm meret si e mirëqenë, prandaj ato duhet të jenë pa gabime drejtshkrimore, pa fjalë të huaja të panevojshme etj. 

E tillë, e kujdesur dhe pa gabime duhe të jetë edhe gjuha e gazetarisë së folur. Kur folësja është e bukur dhe flet bukur, gjuha e saj ndikon më shumë dhe duket edhe më e bukur.

Theksova se fjala “ese” dhe ndonjë nga librat me titullin “Si të shkruajmë ese”, ndonëse janë në duart e nxënësve  e të këshilluar si “themelorë” nuk u mësojnë ndonjë gjë të mire atyre. Madje, theksova se, shkrimtarët tanë më të mirë, që nga më i madhi, Ismail Kadareja,  Dritero Agolli, Martin Camaj etj. as që e kanë ditur termin ese, por kanë ditur rregullat e thjeshta të atij që quhej “hartim” dhe aty duhej tema, pikat e planit që do të hartoheshin dhe kjo ishte më e vlefshme. Por, natyrisht, ka edhe botime shumë të bukura e që mund t’u vlejnë nxënësve si p.sh.”Arti i të shkruarit”, një librush shumë i bukur i shkrimtarit Sulejman Mato. Atij ,po, i bëj verësime e lëvdata të merituara.

Kam pritur të realizohet edhe premtimi i Kryeminsistrit Rama për vendosjen e figurës së korrektorit letrar në të gjithë praktikën shkrimore dhe botuese të Shtetit, ashtu si e parakupton edhe VKM-ja e vitit 1974 për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjithë praktikën shkrimore dhe botuese të Republikës së Shqipërisë.

Kam shpresë, megjithatë, se nuk ka shteruar krejt dashuria dhe kujdesi për shqipen, si palca e kombit tonë. Shpesh më drejtohen me pyetje disa burra të shquar, si p.sh.Prof.Dr. Basil Schader nga Zvicra, njohës i shqipes, përkthyes i letërsisë shqipe në gjermanisht dhe autor librash për mësimin e shqipes nga shqiptarët e Zvicrës. Ai, p.sh. më pyeste një ditë si duhet shkruar mbas presjes në fillim të letrave,me shkronjë të vogël sikundër këshillon Drejtshkrimi,apo me të madhe, sikundër e thyejnë normën shqesh edhe në shkresat zyrtare. Po ashtu, kolegu dhe miku im, Prof. Dr. Anesti Kodili, akademik e kardiolog i shquar, i cili shpesh më pyet për hollësi drejtshkrimore, sepse dëshiron të jetë në përputhje me rregullat. Kam përmendur edhe herë të tjera ish-Presidentin Alfred Moisiu, i cili nga shtypshkronja ku interesohej për botimin e “Kujtimeve” më telefononte për të sqaruar probleme të lidhura me shkurtimet e shkurtesat e tipit SHBA-së apo SHBA-ve etj. Pra, ata interesohen dhe nuk ia lejojnë vetes të bien në gabime e kundër normave të shqipes së njësuar.

Kështu duhet të veprojmë të gjithë sa jemi, duke e ngritur lart autoritetin dhe vlerësimin e gjuhës shqipe si tipar themelor i përbashkësisë së kombit tonë shqiptar.

Kombin e kemi ende të ndarë në disa shtete, gjuha shqipe e njësuar na bashkon dhe na lidh shpirtërisht e kulturorisht të gjithëve sa jemi: shqiptar të Republikës së Shqipërisë, të Kosovës, të trojeve shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në diasporat e hershme e të reja të shqiptarëve në Botë.

Globalizimi, Gjuha shqipe rrezikon të ndahet

Kliko ketu per te lexuar me shume ne MAPO.AL

SHKRUAN: Aida Tuci, Jonida Tashi 17-12-2010 11:50

Fati i Gjuhës shqipe duket se ndodhet në udhëkryq dhe frika që Eqerem Çabej ka pasur që para 40 vjetësh se mos krijoheshin dy gjuhë, njëra e folur dhe tjera e shkruar, tashmë është një rrezik real. Të vënë në alarm nga ky rrezik, gjuhëtarët dhe studiuesit më të njohur në vend propozojnë disa zgjidhje për ta nxjerrë gjuhën nga ky rrezik, për të mos e lënë të “vdesë”, siç ndodhi me Latinishten. Ndonëse të gjithë e njohin dhe e flasin mjeshtërisht shqipen, deri tani, për fat të keq, gjuhëtarët e vendit tonë nuk e kanë gjetur ende një gjuhë të përbashkët për këtë çështje, ndërsa kanë përvijëzuar ndryshimet që ata propozojnë të bëhen në standardin e Gjuhës Shqipe. Debati publik për këtë çështje tashmë ka dytë ditë që ka nisur dhe sot gjuhëtarët e mbledhur në konferencën shkencore “Shqipja në etapën e sotme: Politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, që organizohet nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, do të dalin me një rezolutë për ndryshimet që propozojnë. Më pas do të jetë Këshilli Ndërakademik në Akademinë e Shkencave, institucioni që do të shqyrtojë dhe marrë vendim për ndryshimet. Dje, në ditën e dytë të konferencës, pjesëmarrësit kanë shprehur përkrahjen e tyre për propozimet e bëra nga dy emra të njohur në fushën e Gjuhës dhe Letërsisë, Kolec Topalli dhe Mehmet Elezi, të cilët ndër të tjera kërkojnë hapjen e standardit të Gjuhës shqipe drejt leksikut të gegërishtes, duke marrë prej saj fjalët më të qenësishme dhe me vlera. Por, disa nga ndryshimet e tjera që kanë dalë nga konferenca janë edhe: përfshirja e paskajores në shqipen standarde; heqja e “ë” mbështetëse në fjalët kur para saj gjendet një bashkëtingëllore, si fjala lajmëtar; heqja e disa foljeve të habitores, si rënë etj.; përcaktimi i mënyrës së shkruatjes së emrave të huaj; përdorimi i shkronjës së madhe për disa poste partiake, si Sekretari i Partisë. Në fakt, janë të shumta ndryshimet drejtshkrimore që propozojnë akademikët dhe gjuhëtarët, ndaj për këtë arsye ata kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e botës akademike për këtë çështje, pasi janë fakultetet dhe shkollat, institucionet që do të duhet të mësojnë të rinjtë me standardet e reja të shqipes. Për këtë arsye, duhet të mbahet parasysh fakti se ndryshimet duhet të jenë të tilla që të kupton dhe përvetësohen jo nga akademikët, por nga nxënësit dhe studentët.

Prof. dr. Seit Mansaku (Qendra e Studimeve Albanologjike): Një pjesë të mirë të problemeve që u diskutuan këtu i kemi diskutuar dhe në Këshillin Ndërakademik, por s’kemi dhënë zgjidhje. Jam shumë dakord me të për çështjen e shkronjës së madhe, për emrat e huaj dhe për shumicën e rasteve të “ë” pastheksore. Kjo paraqitje me të vërtetë bind se në rregullat e drejtshkrimit ka inkoherencë, në parimin fonetik e morfologjik.

Prof. dr. Mehmet Çeliku (Universiteti i Tiranës): Problem është shkrimi i “ë” së patheksuar, ka mospërputhje mes shqiptimit dhe shkrimit të saj. Po të vendosim një rregull tjetër, do të ndodhë e njëjta gjë, do të ketë përjashtime të tjera, sepse kjo është gjendja e gjuhës. Prandaj dhe M. Domi thoshte le ta lëmë të sheshohen këto dukuri. Për këto duhen dhe analiza fonetike.

Ardian Vehbiu: Në drejtshkrim jemi të gjithë dakord që të thjeshtohet, ndërsa në leksik mendojmë se thjeshtimi e varfërimi do të dëmtonin gjuhën, ndonëse dhe këtu ka vend për dallime. P. Sh. në leksik, sinonimia leksikografike, kur mbledhim fjalë nga krahina të ndryshme për të njëjtën gjë që i fusim në fjalorë. Në këtë rast “pasurimi” e ndërlikon gjuhën. Ndërkohë që në terminologji, thjeshtimi nuk është diçka e keqe. Cila është zgjidhja për kapërcimin e tyre? Zgjidhja e parë është ajo e kriterit funksional. Pra, të zgjidhet ajo që e ndihmon gjuhën të sillet më mirë.

Akademik Rexhep Ismajli (Akademia e Shkencave dhe Arteve Kosovë): Janë të drejta këto, por ne jemi këtu para standardit dhe kemi detyra që ta bëjmë standardin të përshtatshëm, me sa më pak pengesa për nxënien e tij dhe arritjen e përmbushjes së funksioneve. Ne na takon të bëjmë fjalorin e tipit thesaurus, që nuk e kemi tashmë, i cili shmang konfuzionet e krijuara për fjalë të ndryshme.

Akademik Bahri Beci (Akademia e Shkencave të Shqipërisë): Kjo seancë më krijoi përshtypjen se po u afrohemi problemeve disi më konkretisht. Unë ndjeva dy qëndrime në këtë konferencë, nga një anë dëshira dhe përpjekja për të argumentuar se s’duhen bërë ndryshime, dhe nga ana tjetër nga një diskutim m’u krijua ideja se duhet të presim se kjo është diçka e vështirë. Po, ka vështirësi, por s’duhet të tërhiqemi. Duhet të depërtojmë, ta kapërcejmë këtë fazë. Si do të veprojmë me këtë drejtshkrim? Parimi themelor i tij është parimi fonetik. Por një kolegu ynë në Prishtinë ka deklaruar se parimi fonetik dhe morfologjik po barazohen në shqipe. Cilin parim do të ndjekim? A mos po shkojmë drejt krijimit të dy gjuhëve? Zgjidhjet duhet të jenë vetëm në sistem. Duhet bërë planifikim i punës, por kjo gjë do mbështetje. Ministria e Arsimit duhet të investojë në këto punë. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm, por jo të kemi frikë për ndryshime.

Prof. Dr. Ardian Marashi (Qendra e Studimeve Albanologjike: Në këtë takim kërkohet që të bihet dakord dhe për studimet që nevojiten dhe specifikat që na duhen për të shkuar te rezultati, por në mënyrë të bashkërenduar. Në kuptimin parimor, lidhur me inkonsekuencat brenda normës së standardit, nëse i hyjmë inventarit, gjithmonë do të gjendet diçka. Problemi shihet te shpejtësia me të cilën është bërë norma. Ne e kemi normën gati e kërkojmë kohë për të bërë ndërhyrje. Pra, në momentin e formimit të shqipes është vepruar me shumë shpejtësi.

Prof. dr. Bardhyl Demiraj: Në ditën e parë u diskutua për mundësinë e zbatimit sa më konsekuent të drejtshkrimit. Sot del në pah nevoja për përmirësimin e këtyre rregullave. Mendoj se përmirësimi i rregullave nuk ka të bëjë me ndërlikimin e gjuhës sesa me thjeshtimin e këtyre rregullave. Në këtë mundësi mendoj se disa nënsisteme të gjuhës është e vështirë të preken, sepse, dhe po u prekën, është vështirë të zbatohen. E tillë është paskajorja “me”. Ajo përdoret, por sa pranohet nga folësit e tjerë që s’e përdorin? Është vështirë të ndërhyhet në anën gramatikore të gjuhës. Ndryshe është puna me leksikun, që duhet të jetë më i hapur. Këtu do parë sistematizimi dhe i rregullave. Disa gjëra duhen rregulluar të para në sistem, siç është problemi i “ë” së patheksuar. Studentët e huaj bëjnë pyetje të cilave nuk mund t’u përgjigjem as unë. Shpesh dhe unë bëj ndonjë gabim. Këto gjëra duhen parë, nga specialistë, në rezolutën që do dalë nga kjo konferencë, që komisioni apo këshilli i ngritur duhet të fillojë tamam nga puna për rimarrjen e ripunimin e rregullave të drejtshkrimit.

Prof. as. dr. Aljula Jubani (Universiteti i Tiranës): Edhe në vijim, besoj se do të ketë një problem dhe në përpilimin e rezolutës, sepse propozimet e ardhura janë thjesht individuale, studime individuale. Duhet bërë një organizim institucional i gjithë institucioneve kërkimore e universitare për të bërë një punë të mirë. Vetëm pas një pune konkrete mund të jemi në gjendje të përcaktojmë çfarë duhet të ndryshojmë.

Mehmet Elezi: Që të mos ketë asnjë keqkuptim, askush s’ka ndërmend për të fituar pozitat e humbura të gegërishtes, por për të fituar pozitat shqipja.

Behar Gjoka: Gjuha shqipe, proces i hapur ndaj të gjitha prurjeve

Kliko ket per te lexuar kte artikull ne SOT

Gazeta SOT

Studiuesi kërkon që gjuhës mos t’i vihen diga penguese në lëvrimin e saj

“Gjuha shqipe gjendet e rrezikuar nga përdorimi vend e pa vend i fjalëve të huaja, si dhe shpesh herë nga përdorimi i gabuar i saj, si ligjërim i shkruar apo i folur”, kështu u shpreh studiuesi Behar Gjoka. I njohur në fushën e studimit letrar, ai tregon se në këtë aspekt jemi më tepër në pasojë, si rezultat i ndërprerjes së kapilarëve të sistemit të gjuhës shqipe, që detyrimisht

herë pas here duhet të përfshijë në përdorim të gjitha prurjet e varianteve dhe dialekteve. Për debatin që ka lindur së fundmi mes gjuhëtarëve shqiptarë sa i takon shqipes standarde, studiuesi Behar Gjoka tregon se kur bëhet një debat secila palë ka të drejtë të shprehë idenë, mendimin dhe arritjen, gjithnjë sipas asaj që ai mendon. “Të debatosh do të thotë të prekësh procesin, e në gjuhe procesi është i hapur, pra ka vend për trajtime dhe shqyrtime, ka vend për të parë hapësirat e munguara, siç është lënia jashtë rrjedhave të verifikimit të dëgjimit të shkruar dhe të folur në të gjithë hapësirat shqipfolëse. Mungesa e pasurisë gjuhësore të variantit të gegnishtes dhe arbërishtes, është një çështje të cilës duhet t’i qasemi, por jo vetëm gjuhëtarët, por edhe studiuesit dhe shkrimtarët”, tregon Behar Gjoka studiues. Ndërkohë që i pyetur mbi refuzimin e pjesëmarrjes së disa albanologëve kosovarë në konferencën e datës 15 dhjetor në Tiranë ai u përgjigj: “Druaj se mosbesimi politik ka zënë vend edhe në hapësirat e tjera të jetës së qenies, në ligjëratat për shkencat apo letërsinë, si dhe një problem që gjithnjë e më shumë, na shpërfaqen njerëz që i dinë të gjitha, dhe i japin drejtim çdo debati, madje duke realizuar një mungesë të debatit shkencor”. Sipas studiuesit Behar Gjoka, gjuha shqipe në fakt përfaqëson një sistem, ku sipas mendimit të tij bën pjesë gjuha e njësuar, por edhe variantet, pra gegnishtaj dhe arbërishtja dhe çdo formë tjetër e ligjërimit të shkruar apo të folur. “Më shumë se sa çështja flamurësh dhe flamurtarësh, kalash dhe kështjellarësh, gjuha shqipe është një proces i hapur ndaj të gjitha prurjeve, sidomos të ligjërimit letrar, pra të atij procesi real të rrugëve të pasurimit të gjuhës. Gjuhës nuk i duhen vënë diga pengues të lëvrimit të saj, sepse ajo shkon drejt një artificializmi të pagjasshëm, së paku po të marrësh në konsideratë mbijetesën e shqipes nëpër kaq shekuj, por edhe nivelin shprehës se ku ka mbërritur”, tregon studiuesi.

-Sipas jush, cilat janë sot problemet e gjuhës shqipe?
Gjuha shqipe gjendet e rrezikuar nga përdorimi vend e pa vend i fjalëve të huaja, si dhe shpesh herë nga përdorimi i gabuar i saj, si ligjërim i shkruar apo i folur. Natyrisht këtu jemi më tepër në pasojë, si rezultat i ndërprerjes së kapilarëve të sistemit të gjuhës shqipe, që detyrimisht herë pas here duhet të përfshijë në përdorim të gjitha prurjet e varianteve dhe dialekteve.

-E ndërkohë, pse kanë lindur kaq shumë debate mes gjuhëtarëve shqiptarë dhe kosovarë, për shqipen standarde?
Kur bëhet një debat secila palë ka të drejtë të shprehë idenë, mendimin dhe arritjen, gjithnjë sipas asaj që ai mendon. Të debatosh do të thotë të prekësh procesin, e në gjuhe procesi është i hapur, pra ka vend për trajtime dhe shqyrtime, ka vend për të parë hapësirat e munguara, siç është lënia jashtë rrjedhave të verifikimit të dëgjimit të shkruar dhe të folur në të gjithë hapësirat shqipfolëse. Mungesa e pasurisë gjuhësore të variantit të gegnishtes dhe arbërishtes, është një çështje të cilës duhet t’i qasemi, por jo vetëm gjuhëtarët, por edhe studiuesit dhe shkrimtarët.

-Çfarë duhet të bëjnë strukturat shtetërore për të mbrojtur gjuhën shqipe?
Strukturat shtetërore duhet që të krijojnë hapësirat e nevojshme, që gjuha shqipe, kjo pasuri që na vjen nga shekujt, të ruhet dhe pasurohet, por në rastin e gjuhës shqipe, çdo ndërhyrje në këtë proces duhet të marrë në konsideratë faktin që gjuha shqipe flitet deh shkruhet edhe jashtë kufijve shtetërorë, pra së pari duhet hartuar një strategji kombëtare, e pastaj në zbërthim të asaj edhe shteti, i këndej kufirit mundet që marrë për sipër diçka.

-Si e komentoni refuzimin që disa albanologë kosovarë i kanë bërë konferencës shkencore të 15 dhjetorit, që do të zhvillohet në Tiranë?
Në fakt një pjesë e tyre jo vetëm e refuzuan, por bën gjithçka që ta denigronin dhe pa u zhvilluar ende. Druaj se mosbesimi politik ka zënë vend edhe në hapësirat e tjera të jetës së qenies, në ligjëratat për shkencat apo letërsinë, si dhe një problem që gjithnjë e më shumë, na shpërfaqen njerëz që i dinë të gjitha, dhe i japin drejtim çdo debati, madje duke realizuar një mungesë të debatit shkencor.

-Sipas jush, duhet ruajtur shqipja standarde apo duhet të përshtatet me zhvillimin e kohës?
Gjuha shqipe, në fakt përfaqëson një sistem, ku sipas mendimit tim bën pjesë gjuha e njësuar, por edhe variantet, pra gegnishtaj dhe arbërishtja dhe çdo formë tjetër e ligjërimit të shkruar apo të folur, pra më shumë se sa çështja flamurësh dhe flamurtarësh, kalash dhe kështjellarësh, gjuha shqipe është një proces i hapur ndaj të gjitha prurjeve, sidomos të ligjërimit letrar, pra të atij procesi real të rrugëve të pasurimit të gjuhës. Gjuhës nuk i duhen vënë diga pengues të lëvrimit të saj, sepse ajo shkon drejt një artificializmi të pagjasshëm, së paku po të marrësh në konsideratë mbijetesën e shqipes nëpër kaq shekuj, por edhe nivelin shprehës se ku ka mbërritur.

Reagime: Gjuhëtarët shqiptarë mbi debatin

Ali Aliu: Shqipja standarde nuk duhet prekur

“Debatet për mua shpeshherë përplasen më shumë për ambicie dhe për ide të ndryshme të gjuhëtarëve, por unë e theksoj që standardi nuk duhet prekur”, u shpreh studiuesi dhe akademiku Ali Aliu. Akademiku dhe studiuesi tregon se nuk duhet të ngrihen në debate, pasi tashmë është një problem i zgjidhur prej kohësh. “Ne kemi gjuhën standarde dhe nuk duhet prekur, që duhet të ushqehet dhe të plotësohet dhe pasurohet, si çdo gjuhë në të gjitha gjuhët e zhvilluara fjalorët ribotohen çdo 2-3 vjet dhe plotësohen me fjalë të reja, por që standardi mbetet i tillë”, pohon akademiku Ali Aliu. Më tej i pyetur mbi ata albanologë kosovarë që nuk pranojnë të marrin pjesë në konferencën e albanologjisë që pritet të zhvillohet në Tiranë me 15 dhjetor akademiku u përgjigj se: “Janë probleme të gjuhëtarëve dhe nuk duhet ngritur në nivel konfliktesh, pasi nuk ka asnjë arsye”.


Emil Lafe: Shqipja standarde nuk duhet parë si krijesë të ideologjisë komuniste

“Unë e shoh të drejtë qëndrimin e gjuhëtarëve të Institutit Albanologjik në Prishtinë lidhur me konferencën e 15 dhjetorit në Tiranë”, u shpreh akademiku prof. Emil Lafe. Në debatin që po trajtohet në gazetën “SOT”gjuhëtarë dhe studiues të ndryshëm flasin mbi problemin që po has sot shqipja standarde, por ndërkohë që ka dhe një përplasje mes albanologëve kosovarë dhe atyre të Tiranës. Për të gjitha këto akademiku prof. Emil Lafe shprehet se debatet janë gjithnjë gjë e mirë, kur zhvillohen me kritere shkencore akademike për të ndriçuar më mirë një çështje, për të gjetur një zgjidhje, ndërsa shton se për fat të keq, në rastin e debatit për gjuhën disa janë të prirë ta trajtojnë çështjen si pjesë e luftës për çrrënjosjen e komunizmit, pasi e shohin shqipen standarde si krijesë të ideologjisë komuniste.

Rami Memushaj: Ndërhyrja në gjuhë është tagër i gjuhësorë dhe jo i amatorëve
Profesori i Departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Tiranës tregon se nuk ka modifikime të standardit. “Ndërhyrja në gjuhë është tagër i planifikuesve gjuhësorë dhe jo i amatorëve. Po të shprehemi në mënyrë të figurshme, ata e dinë se “ku pikon çatia”, kështu u shpreh prof. dr. Rami Memushaj profesor në Departamentin e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Tiranës. Ai flet mbi problemet që kanë lindur për shqipen standarde, duke theksuar se planifikues gjuhësorë janë ata studiues që pjesë të veprimtarisë së tyre kërkimore kanë pasur edhe problemet e normave të gjuhës standarde. Më tej prof.dr. Rami Memushaj tregon se vend për amatorë në këtë punë nuk ka. “Sa u përket termave “ndërhyrje” e “modifikim”, do thënë se janë të papërshtatshëm. Mund të flitet për përmirësim e përsosje të normave të gjuhës standarde, po jo për modifikime. Në gjuhë duhet vepruar me kujdes të madh dhe jo të lëvizim si një “ka në një shitore porcelanesh”, thekson ndër të tjera gjuhëtari Memushaj. Ai tregon se ndryshimet në fushën e fonetikës, morfologjisë e sintaksës vijnë natyrshëm si rrjedhim i studimit të këtyre sistemeve.


Qemal Murati: Kontestimi i vazhdueshëm i standardit sentiment arkaik retrograd

Këshilltari shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës në Sektorin e Kulturës së Gjuhës Qema Murati reagon për debatin e fundit mbi shqipen standarde. Sipas Muratit studiuesit kosovarë kanë refuzuar pjesëmarrjen në konferencën shqipja në etapën e sotme politika e pasurimit dhe e përmirësimit të standardit, sepse dyshojnë në qëllimet e kësaj konference organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Prof.dr. Qemal Murati tregon se për çështjen e shqipes standarde, nuk ka debate e kundërshti mes gjuhëtarëve të Tiranës dhe atyre të Prishtinës, nuk ka taborë linguistikë kundërshtarë në vijën Tiranë-Prishtinë, por ka debate mes gjuhëtarëve dhe disa të vetëquajturve gjuhëtarë, të cilët kanë dëshirë të hiqen si gjuhëtarë, por që në fakt janë shumë larg në punët e gjuhës e të filologjisë dhe punojnë pa grant për gjuhën shqipe.