Të miratohet ligji për gjuhën shqipe, jemi ende me VKM të vitit 1974 ( marrë nga SOT NEWS )

Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe në muajin dhjetor duhej të kishte zhvilluar mbledhjen e radhës për diskutimin e çështjeve të tjera, që kanë lidhje me gjuhën shqipen, por kjo mbledhje duket se nuk do të bëhet këtë vit. Me një aktivitet që ka vite që ka zhvilluar Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, si një bashkëpunim mes akademikëve dhe gjuhëtarëve nga Shqipëria dhe Kosova, deri më tani ka zhvilluar disa takime dhe ka pasur jo pak diskutime, të cilat kanë sjellë dhe përplasje mes gjuhëtarëve të ndryshëm.

Por për mbledhjen e fundit që pritet të bëhet vitin që vjen, akademikët dhe gjuhëtarët pohojnë se do të trajtohen dy çështje të tjera të rëndësishme. Këto kanë të bëjnë me problemet e gjuhës shqipe në shtyp dhe në administratë, si dhe fjalët e huaja. Akademiku dhe gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj bën të ditur se grupet e punës e kanë dorëzuar materialin pranë KNGJSH prej kohësh, por ende nuk ka pasur një thirrje për mbledhje.

 “Grupet e punës kanë dorëzuar materialin në KNGJSH, por nuk është bërë mbledhja. Deri tani nuk jemi thirrur, besoj se ajo do të bëhet vitin tjetër. Këtë herë do të jenë në diskutim gjuha shqipe në shtyp dhe administratë dhe si ndikojnë fjalët e huaja në gjuhën shqipe, terminologjia, rreptësia”, pohon akademiku Shkurtaj. Por vërejtjet e akademikut të njohur këtë herë janë dhe për një ligj, që duhet për gjuhën shqipe.

Lexoni artikullin e plote tek Agjencia e Lajmeve ‘Sot News’: http://www.sot.com.al/kultura/akademik%C3%ABt-t%C3%AB-miratohet-ligji-p%C3%ABr-gjuh%C3%ABn-shqipe-jemi-ende-me-vkm-t%C3%AB-vitit-1974#sthash.sLMU3JXa.dpuf

Ribotimi i Gjuha Shqipe për të Huajt dhe Shqiptarët jashtë atdheut



Libri “Gjuha shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut” është një metodë për të nxënë gjuhën shqipe. Aty jepen njohuritë kryesore të gramatikës së shqipes standarde, me një metodë të thjeshtë e kryesisht praktike. Synimi i librit është i kufizuar dhe i qartë: t’u mësojë atyre që dëshirojnë se si lexohet dhe flitet shqipja e sotme letrare.

Libri nis me 14 mësime hyrëse të thjeshta, pastaj ka 30 mësime me tekste dhe shpjegime gramatikore dhe me ushtrime. Ai është i pajisur edhe me pjesë leximi nga autorë të zgjedhur shqiptarë dhe me pasqyra gramatikore dhe me fjalorin e mësimeve të përkthyer në anglisht, gjermanisht,frëngjisht dhe italisht.

Ky libër synon t’u japë njohuritë kryesore për të lexuar dhe për të shkruar e folur gjuhën shqipe letrare, në radhë të parë, atyre që shqipen e kanë gjuhë të nënës, por nuk i kanë mundësitë për ta nxënë në shkolë me program të rregullt si lëndë mësimore. Fëmijët e arbëreshëve dhe të shqiptarëve të diasporës kudo që gjenden, e kanë këtë libër një ndihmës të mirë e të vlefshëm. Ky libër u shërben dhe u drejtohet, gjithashtu, edhe atyre që shqipen nuk e kanë gjuhë të nënës, porse dëshirojnë ta nxënë atë, duan të jenë në gjendje të lexojnë, të flasin dhe të shkruajnë shqip.

Libri mund të përdoret nga mësues të gjuhës shqipe në diasporën shqiptare dhe arbëreshe, por mund të përdoret edhe pa mësues. Ai ka të gjitha lehtësitë dhe shkallëzimin e nevojshëm e metodik të lëndës, që të mund të kuptohet e të zbatohet edhe nga ata që nuk kanë mundësi të gjejnë një mësues.

Libri ishte është botuar nga Toena dhe mund të gjendet në të gjitha libraritë e Botimeve Toena.

Gjuha shqipe si simbol përbashkues dhe tregues i njësisë etnike dhe kombëtare të shqiptarëve (nga Gjovalin Shkurtaj)

(Diskutim  për Forumin e 6-të Publik të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave – me temë: “ Kosova-shteti me i ri evropian”, e premte, më 14 shkurt 2014)

Të nderuar organizatorë të Forumit të 6-të Publik me temë: “ Kosova-shteti më i ri evropian”,

Të nderuar akademikë, kumtues dhe pjesëmarrës në këtë tubim me rëndësi shkencore e kombëtare,

Së pari, shpreh falënderimin tim për ftesën dhe përgëzimet e mia të çiltra për idenë e mbarë dhe frymëgjatë të kësaj veprimtarie shkencore, e cila i kushtohet një teme kaq të prekshme për sot e për më tej: Kosova-shteti më i ri evropian.

Së dyti, dëshiroj të shpreh  fjalë miradie për referatet dhe kumtesat që u mbajtën sot, të cilat i konsideroj ndihmesa të vyera e me theksin e nevojshëm kombëtar shqiptar, duke nisur me të nderuarin Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, si dhe  të akademikëve të tjerë, historianë dhe figura të njohura të botës shkencore e politike shqiptare.

Po lejohem, me këtë rast, të shpreh edhe unë ndonjë mendim, që shkon në të njëjtën vijë me tehun atdhetar dhe kombëtar shqiptar të kumtesave të mbajtura, por duke trajtuar disa vlera e vlerësime për gjuhën shqipe, si simbol përbashkues i njësisë etnike dhe kombëtare të shqiptarëve.
Jam i bindur se të gjithë sa jemi e kemi ndier dhe e përjetojmë, jo pa shqetësim, rënien e kujdesit ndaj gjuhës shqipe dhe plojën e prurjeve të pamira e të pafalshme të fjalëve të papërshtatshme, jo vetëm të huaja, kur janë edhe të panevojshme, por sidomos të një fryme të pakrehur, shpesh edhe dukshëm të pagdhendur e të pahijshme, që nuk po na ndahet as në të shkruar, as në të folur.

Ka ardhur koha të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe  si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit  kulturor e kombëtar, për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të të gjitha institucioneve që varen ose lejohen nga shteti. Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare është sot shenjë e tregues kulture. Gjuha letrare është një synim i përhershëm i njeriut tonë, sidomos i të rinjve të shkolluar e të profilizuar thellë e ethshëm në shkencën, artin e dijet bashkëkohore, prandaj edhe përbën një dukuri reale e që nuk është as thjesht punë gjuhësie, as thjesht objekt kundrimi vetëm për gjuhëtarët.

Mbi të gjitha, kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbetet me vlerë kujdesi dhe kërkesa e rreptë e shtetit për zbatimin gjuhës zyrtare. Dhe kjo, sikundër e dimë të gjithë, nuk është një punë që për herë të parë sot,por qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar. Po përmend  edhe një herë se, këtu e 101 vjet më parë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalitjepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë:

 “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies  së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit.Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a  lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë në qoftë se  kanë dëshirë të mbeten në shërbim.”[1] Pikërisht atë ide dorëmbarë e frymëgjatë  të Ismail Qemalit kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulturën e gjuhës së shtetit[2].

Mendova t’i ritheksoj këto vlerësime për gjuhën shqipe në administratën publike dhe, enkas, për kujdesin që duhet të tregojë ndaj saj shteti (në rastin tonë: shtetet) dhe institucionet në krejt hapësirat shqiptare ballkanike, pikërisht pse po flitet për shtetin Kosovës, i cili, ndërkaq, ndonëse është ”shteti më i ri i  Evropës”,  për fatin e bardhë të atij shteti dhe të popullit shqiptar të Kosovës, qysh nga viti 1968 me Konsultën e Prishtinës, pastaj me pjesëmarrjen e gjerë e të shënueshme të përfaqësuesve të intelektualëve të  Kosovës në Kongresin e Drejtshkrmit të Gjuhës Shqipe dhe në të gjitha konferencat shkencore madhore në përkujtim të atyre dy ngjarjeve të rëndësishme shkencore e kombëtare, zbatimi i shqipes së njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese  edhe në Kosovën e kohës e të kushteve të atëhershme, ka qenë si të thuash “autostrada” e përbashkësisë shprehëse të dyja pjesëve të kombit shqiptar dhe, sot, duke përfituar nga volia që më dhatë duke më ftuar  e duke më bërë pjesë  të këtij tubimi shkencor, duke qenë se ndodhem midis historianësh dhe personalitetesh me rëndësi historike, po lejohem të përmend me gjithë poninë dhe nderimin që i takon togfjalëshin  gordian “Një komb-një gjuhë letrare”, të formuluar nga akademiku kosovar, i ndjeri dhe i shquari, Ali Hadri, në artikullin e tij programatik të prillit 1968. Ai artikull dhe sidomos ajo ide e madhe e përbashkimit shpirtëror, kulturor e gjuhësor të shqiptarëve ka qenë dorëmbarë e frymëgjatë, prandaj edhe në mjediset e botimet shkencore të gjuhëtarëve është pohuar se “pa Konsultën e Prishtinës nuk do ta kishim pasur Kongresin e Drejtshkrimit”.

Rasti sotëm e lyp që të pohojmë e ta  lëvdojmë lart pikërisht  rolin e madh dhe ndihmesën themelore që kanë dhënë forcat intelektuale të Kosovës, gjuhëtarët, gazetarët, shkrimtarët, arsimtarët  dhe veprimtarët kulturorë për zbatimin në ballë të gjerë e pa asnjë mëdyshje të  drejtshkrimit të njësuar dhe të përudhjes së shqipes letrare të përbashkët e të standardizuar njësoj si në Shqipëri, po me atë moto kombëtare që kishte nisur qysh në Konsultën e Prishtinës.

Kemi vënë re me kënaqësi se, edhe Qeveria e re e Kosovës, në të gjitha botimet dhe në krejt praktikën shkrimore zyrtare u është përmbajtur me mjaft kujdes normave të shqipes së përbashkët dhe mund të thuhet se,për sa i përket shqipes standarde, të dyja anët ecin krahas e paralelisht, duke shënuar ngjashëm edhe mbërritje të lakmueshme, po edhe ndonjë të metë të rritjes e që shpresojmë e besojmë të jenë, si këndej ashtu edhe andej,  në të anët kalimtare  e të kapërxyeshme.   

Shqipja dëmtohet nga mungesa e kujdesit prej atyre që shkruajnë e botojnë, nga programet shkollore të pamira e ku, për fat të keq, gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh nga heqja e pamotivuar e të nxënit të saj si lëndë më vete në shkollat e mesme. Ka pasur një rendje të natyrshme pas gjuhëve të huaja. Kjo është punë shumë e mirë. Hyrja në Evropë nuk bëhet pa njohur gjuhët e mëdha të komunikimit, sidomos anglishten, frëngjishten etj. Mirëpo, të mësosh dhe të vlerësosh gjuhët e huaja, nuk do të thotë aspak të  mos vlerësosh (e aq më pak të nënvlerësosh) gjuhën tënde?! Tashti kemi shumë njerëz që i dinë mirë, (ndoshta edhe sa s’ka ku të vejë më mirë), gjuhët e huaja. Kjo duhet  vetëm të na gëzojë. Por, kemi pak, shumë shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën shqipe, që mund ta shkruajnë e ta flasin bukur e pa gabime. Shikoni si  flasin e shkruajnë sot pushtetarët, zyrtarët dhe gazetarët tanë! Plot fjalë të huaja të panevojshme, plot shtampa gjuhësh të huaja, të pamira e kundër natyrës së shqipes, me dukuri që tregojnë mosnjohje të plotë jo vetëm të gjuhës  së njësuar (standarde), po edhe me elemente të çoroditjes së sintaksës. Pra, nuk dimë të flasim e të shkruajmë shqipen, gjuhën tonë amtare, ndërsa  mëtojmë (dhe arrijmë  përherë e më shumë) të flasim  dhe të shkruajmë jo pak gjuhë të tjera.

Dhe, krejt në mbyllje, po theksoj se gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.

Pohova  dhe ritheksoj se jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët, sepse e konsideroj si  mbërritje  me vlerë të shënueshme kombëtare dhe historike të  kombit shqiptar, por, ndërkaq, kam qenë e jam  i bindur se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme  gjeoplolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Kam qenë e mbetem  ithtar i thënies urtake të At Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta” si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi se njeriu sipas rasteve e rrethanave “mundet me e dredhe g-juhën” duke iu përshtatur  rrethanave dhe mjediseve të caktuara. Pra, të njëjtit njerëz, edhe sot e gjithë ditën, sipas nevojës e rrethanave të shprehjes, mund të shkruajnë e të flasin në shqipen standarde, të cilën e nxënë në shkollë, po edhe në të folmen a dialektin e vendlindjes përkatëse. Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që po quhet “standard”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një farë turbullimi, me kohë tretën e bëhen pronë e shqipes standarde,por edhe mund të mbetën jashtë saj.Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes.Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.

Mendoj se folësit më të mirë të radiove e të televizioneve shqiptare, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë e kudo që emteohet në gjuhën shqipe, janë jo vetëm gazetarë, por edhe mësues  të shqipes. Dikur thuhej me të drejtë shprehja latine “Verba volant, scripta manent” (Fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet). Kjo thënie urtake mbetet me vlerë edhe për kohën tonë, porse qëkur kanë ardhur në “pushtet” mediat pamore-dëgjimore (radioja dhe televizioni, magnetofoni, videokaseta, disqet e incizuara etj.) as fjala e folur “nuk fluturon”, por mbetet e fiksohet njësoj, madje edhe më shpejt sesa fjala e shkruar. Sot, bariu i Korabit dhe bujku i Konispolit, marrin në kohë reale dhe me të njëjtën formë gjuhësore të njëjtin informacion si Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Tiranë, si presidentja e Kosovës në Prishtinë, si të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në mbarë hapësirat që përçohen nga valët e drejtpërdrejta ose satelitore të radiove e të televizioneve shqiptare. Po japim vetëm një shembull domethënës: një  i huaj nga Suedia, Ul Mar Kuik, i mirënjohur si përkthyes nga shqipja në suedisht, autor  i shumë artikujve për Shqipërinë e shqiptarët dhe i një Antologjie të letërsisë shqiptare për mjedisin suedez, e ka mësuar shqipen shumë vjet më parë duke dëgjuar Radio-Kukësin. (Ashtu siç e kanë mësuar italishten shumë shqiptarë, duke dëgjuar programet e RAI-t). Këtë fakt kemi pasur parasysh kur kemi pohuar  se folësit më të mirë të radios e të televizioneve shqiptare kanë qenë e mbeten jo vetëm gazetarë, por edhe mësues  të shqipes, modeldhënës të shqiptimit, intonacionit, diksionit dhe përgjithësisht të të folurit bukur të shqipes.
Tiranë, 14 shkurt 2014



[1] ”Lajmim”, botuar  në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”, Viti I, nr.6,17/30 gusht 1913.
[2]Gazeta “Sot”, 20 nëntor, 2013, f.17.