Problemet me shkrimin e gjuhës shqipe – në emisionin ‘Ditë e re’ në Ora News TV

Sot fola në Emisionin “Ditë e re” te Ora  News, të drejtuar nga Edvin Peçi dhe Stela Kotri.

E fillova bisedën me parafrazmin e një  këngë shkodrane,që thotë : “Ke me u pendue, por atëherë ka me kenë vonë ” dhe  me këtë doja të  theksoja shqetësimin tim dhe mendimin se do të pendohemi për qëndrimin e padrejtë e pakujdesitë ndaj gjuhës shqipe, por, kur të  na vijnë mendtë, me siguri, do të  jetë vonë.

Jam në dijeni dhe, natyrisht, edhe i shqetësuar për rezultatet jo të mira, madje dukshëm të këqija, të nivelit të shqipes e të  shkruarit në shkollat tona. Vlerësimi kombëtar i bërë nga ‘Agjencia kombëtare e provimeve’ te klasat e treta dhe të pesta, ku ka rezultuar se 24.1 për qind e nxënësve në klasë të tretë nuk kanë shkruar asgjë, kur u është kërkuar një ese; aty thuhet se 27 për qind e nxënësve nuk dinë t’i shkruajnë numërorët e thënë me fjalë dhe anasjelltas.


“Nxënësit e klasës së pestë që nuk shkruajnë nje ese janë në masën gati 34%, pra ka një rritje të tyre. Ndërsa ata që nuk dinë të shkruajnë numërorët janë 32 %, edhe këtu me rritje.”


Shqetësimi im është jo vetëm për atë që ndodh në shkollë në punët me shkrim të nxënësve, por më tepër nga ajo që bëjmë keq ose që nuk e bëjmë ashtu si duhet në pjesën e epërme, në strukturat drejtuese të shkollave e të institucioneve botuese. Pra, më shumë se rezultatet e nxënësve, që sigurisht më brengos situata e sotme, më shqetëson e më mbush me zemërim, madje me mllef të ligjshëm, ajo që është bërë këto vitet e fundit nga Ministria e Arsimit, nga Shteti dhe isntitucionet e varura (ose të lejuara) prej tij ndaj gjuhës shqipe. Ka shkruar një nga kolegët e mi, prof.  Emil Lafe, për “mungesën e disiplinës së shtetit” dhe unë e kam mbështetur atë ide dhe po e përsëris edhe sot:


Shteti nuk e ka treguar kujdesin e duhur ndaj gjuhës së shkruar, ndaj gjuhës letrare shqipe të njësuar kombëtare. Nuk jemi askund afër asaj situate që kemi pasur disa vjet më parë. Kur nuk kishim mjetet e sotme, jo më kompjutera e telefona modernë,  por as makina shkrimi nuk kishim, por botimet shkollore kishin gjuhë të kujdesur mirë; gazetaria ishte ajo që dihet, por gjuha e gazetave dhe e botimeve zyrtare ka qenë e mirë, sepse edhe kujdesi ka qenë në shkallë të lartë. Korrektori gjuhësor i “Zërit të Popullit” nuk lejonte gabime gjuhësore as te drejtuesit më të lartë të Partisë e të Shtetit; ata e shkruanin pllani, ai ua ndreqte si duhet: plani; dikush thoshte aturenë dialektin e Gjirokastrës, ai ua kthente në shqipen e njësuar: atyre.

Po edhe gjuhësia shqiptare ka pasur autoritetin e peshën e duhur në jetën e shoqërisë, njerëzit shqetësoheshin dhe ruheshin nga gabimet në të shkruar. Instituti i Gjuhësisë kishte edhe shërbimin e ”Këshillimeve gjuhësore” dhe çdo ditë në telefonin 2509 përgjigjej një nëpunës roje, specialist i gjuhësisë, për të gjitha pyetjet që bëheshin nga njerëz të ndryshëm. 

Dhe, meqë po flasim edhe për gabimet e nxënësve te numërorët, një herë kur isha unë roje dite në atë shërbim, dikush nga Elbasani pyeti: -Si duhet shkruar: numër-numuri apo numër-numri? I shpjegova se duhej: numër-numri si emër-emri, por ai m’u kthye me rrëmbim se formën “numur” e kishte parë të shkruar në gazetë. Kjo do të thotë se fjala e shkruar në botimet zyrtare dhe në gazeta e revista, për njerëzit e zakonshëm meret si e mirëqenë, prandaj ato duhet të jenë pa gabime drejtshkrimore, pa fjalë të huaja të panevojshme etj. 

E tillë, e kujdesur dhe pa gabime duhe të jetë edhe gjuha e gazetarisë së folur. Kur folësja është e bukur dhe flet bukur, gjuha e saj ndikon më shumë dhe duket edhe më e bukur.

Theksova se fjala “ese” dhe ndonjë nga librat me titullin “Si të shkruajmë ese”, ndonëse janë në duart e nxënësve  e të këshilluar si “themelorë” nuk u mësojnë ndonjë gjë të mire atyre. Madje, theksova se, shkrimtarët tanë më të mirë, që nga më i madhi, Ismail Kadareja,  Dritero Agolli, Martin Camaj etj. as që e kanë ditur termin ese, por kanë ditur rregullat e thjeshta të atij që quhej “hartim” dhe aty duhej tema, pikat e planit që do të hartoheshin dhe kjo ishte më e vlefshme. Por, natyrisht, ka edhe botime shumë të bukura e që mund t’u vlejnë nxënësve si p.sh.”Arti i të shkruarit”, një librush shumë i bukur i shkrimtarit Sulejman Mato. Atij ,po, i bëj verësime e lëvdata të merituara.

Kam pritur të realizohet edhe premtimi i Kryeminsistrit Rama për vendosjen e figurës së korrektorit letrar në të gjithë praktikën shkrimore dhe botuese të Shtetit, ashtu si e parakupton edhe VKM-ja e vitit 1974 për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjithë praktikën shkrimore dhe botuese të Republikës së Shqipërisë.

Kam shpresë, megjithatë, se nuk ka shteruar krejt dashuria dhe kujdesi për shqipen, si palca e kombit tonë. Shpesh më drejtohen me pyetje disa burra të shquar, si p.sh.Prof.Dr. Basil Schader nga Zvicra, njohës i shqipes, përkthyes i letërsisë shqipe në gjermanisht dhe autor librash për mësimin e shqipes nga shqiptarët e Zvicrës. Ai, p.sh. më pyeste një ditë si duhet shkruar mbas presjes në fillim të letrave,me shkronjë të vogël sikundër këshillon Drejtshkrimi,apo me të madhe, sikundër e thyejnë normën shqesh edhe në shkresat zyrtare. Po ashtu, kolegu dhe miku im, Prof. Dr. Anesti Kodili, akademik e kardiolog i shquar, i cili shpesh më pyet për hollësi drejtshkrimore, sepse dëshiron të jetë në përputhje me rregullat. Kam përmendur edhe herë të tjera ish-Presidentin Alfred Moisiu, i cili nga shtypshkronja ku interesohej për botimin e “Kujtimeve” më telefononte për të sqaruar probleme të lidhura me shkurtimet e shkurtesat e tipit SHBA-së apo SHBA-ve etj. Pra, ata interesohen dhe nuk ia lejojnë vetes të bien në gabime e kundër normave të shqipes së njësuar.

Kështu duhet të veprojmë të gjithë sa jemi, duke e ngritur lart autoritetin dhe vlerësimin e gjuhës shqipe si tipar themelor i përbashkësisë së kombit tonë shqiptar.

Kombin e kemi ende të ndarë në disa shtete, gjuha shqipe e njësuar na bashkon dhe na lidh shpirtërisht e kulturorisht të gjithëve sa jemi: shqiptar të Republikës së Shqipërisë, të Kosovës, të trojeve shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në diasporat e hershme e të reja të shqiptarëve në Botë.

Konferenca: “Gjuha shqipe në diasporë – quo vadis/ ku po shkon?” (organizuar nga Prof Dr Basil Shadër)


by Rexhep Rifati
Kliko ketu per ta exuar te plote ne : http://tung.ch/konferenca/
Konferenca kushtuar gjuhës shqipe, shumë e rëndësishme u zhvillua nën kujdesin e albanologut zviceran  Prof Dr Basil Shadër, është i njohur kontributi i tij për gjuhësinë shqiptare, edhe në mungesë të katedrës së gjuhës shqipe në Zvicër, me studimet e shqipes vuri themelet e albanologjisë zvicerane, bëri që ajo të flasë edhe gjermanisht në nivel të ndritshëm shkencor.
Teksti: Nexhmije Mehmetaj & Fotot: Rexhep Rifati
Më 7 qershor 2013 në “folenë” e Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut u mbajt Konferenca  ” Gjuha shqipe në diasporë – quo vadis/ ku po shkon? Nuk është një fjali pyetëse, është diçka më tepër, është shumëçka më tepër. Janë tre breza shqiptarësh, tre breza të një kombi të lashtë që jeta i mori dhe jetojnë në Zvicër! Ruajtja gjuhës shqipe në kushte larg atdheut kërkohet dëshirë, punë, nga ana e prindërve e fëmijëve dhe mësuesve. Shkolla shqipe në shumë kantone ka formuar një traditë, por fatkeqësisht është numri i vogël i fëmijëve shqiptarë që marrin mësime në shqip.
Të mos lodhemi kurrë për identitetin tonë, duke ndjekur edhe shembullin e atdhetarëve të shquar të Rilindjes, por edhe të sotshëm, dhe të punojmë për gjuhën tonë, shkollën shqipe dhe kulturën shqiptare, për t’u zhvilluar më tej në brezat e rinj dhe për ta ruajtur pastërtinë e gjuhës sonë. Të mos lejojmë të humbas e të përziejmë me fjalë të huaja të gjuhëve tjera!
Konferenca kushtuar gjuhës shqipe, shumë e rëndësishme u zhvillua nën kujdesin e albanologut zviceran  Prof Dr Basil Shadër, është i njohur kontributi i tij për gjuhësinë shqiptare, edhe në mungesë të katedrës së gjuhës shqipe në Zvicër, me studimet e shqipes vuri themelet e albanologjisë zvicerane, bëri që ajo të flasë edhe gjermanisht në nivel të ndritshëm shkencor. Ai  është pjesë e suksesit të Shkollës shqipe në Zvicër, hartoj librin e parë për mësimin plotësues dhe kohëve të fundit është një ndihmë tjetër e çmuar realizimi i projektit “Tekstet për mësimin e gjuhës shqipe”për tre ciklet. Padyshim që Ai së bashku me bashkëshorten zonjën e nderuar Erika Shader janë anëtarë nderi të LAPSH-it.
Konsideroj që edhe kjo konferencë është një nder që i bëhet. Vlerësoj se të merresh me njohjen e problemeve të  kulturës shqiptare do të thotë se kujdesesh për ta mbrojtur një kulturë të pasur që flitet dhe shkruhet e që më së dyzetë vjet bashkëjeton me kulturën e bashkësisë pritëse.
Kjo ndihmë ka meritën se shquan personalitete që me përkushtim punojnë në të mirë të mirëqenës së bashkësisë, kulturës së saj, me qëllim që të krijojnë një lëvizje mendimesh me sy nim forcimin e ndjenjës së identitetit kulturor dhe kompaktësinë e tij.
Punimet e Konferencës i hapi Rektori Prof. Dr. Walter Bircher,mbajti një fjalim përshëndetje, duke na u drejtuar  na thotë: ”Ju përpiqeni t’iu mësoni fëmijëve tuaj gjuhën shqipe sepse gjuha amtare është vlerë është vendlindje është plotësisht e kuptueshme mundi për ruajtjen e saj … “
Në Konferencë me kumtesa morën pjesë: Prof Dr Gjovalin Shkurtaj nga Instituti i Gjuhësisë- Tiranë. Mehmet Elezi, gjuhëtar, leksikolog, Ambasador i RP Shqipërisë. Prof. Dr Basil Shader-pedagog i gjermanishtes dhe shqipes. Një vështrim të hollësishëm nga puna praktike e mësimit plotësues të gjuhës shqipe paraqiten : mësuesi Nexhat Maloku, Cyrih dhe mësuesja, prof Nexhmije Mehmetaj Jura.
Ajo që të jep krenari, tri të reja që përfaqësonin fytyrën e bukur të brezit të ri shqiptar në Zvicër, por të arsimuar dhe formuar këtu. Shqipe Bajrami,  Ylfete Fanaj, Shpresa Jashari.
Autorja  Franziska Agosti, plotësonte ngjarjen e asaj dite  me mjeshtri  të brumosur në art të fotografisë dhe me kuptimin e lartë të porosisë dhe të evidencimit të pranishëm mes dy kulturave.
Organizatore e Konferencës ishte Shkolla e Lartë Pedagogjike e Cyrihut, së bashku me Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri”në Zvicër. Universitetin Popullor Shqiptar në Gjenevë, Institutit Zviceran për Studime Shqiptare në Llozanë, Institutit Shqiptar në St. Gallen.
Delemont 16.06.2013

Portret i një studiuesi dhe dashamirësi të shqipes (Shënim biobibliografik për studiuesin zviceran prof. dr. Basil Schader)

nga Gjovalin Shkurtaj

shko ketu per me shume

Dr. Basil Shader (Schader) është profesor në Shkollën e lartë pedagogjike të kantonit të Cyrihut (Zvicër), ku ai udhëheq degën “gjermanishtja si gjuhë e dytë”. Ai është anëtar i disa komisioneve lëndore dhe drejtues i projekteve arsimore-shkencore për gjuhën e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër. Në këtë cilësi prof. dr. Basil Shader ka nxënë gjuhën shqipe në nivel të shkëlqyeshëm, si dhe ka hartuar e botuar shumë libra shkencorë e mësimorë, ndër të cilët disa janë në gjuhën shqipe e për t’u ardhur në ndihmë bijve e bijave të mërgimtarëve shqiptarë të diasporës më të re në Zvicër. Studimet dhe hulumtimet sociolinguistike dhe didaktike të prof. Shaderit janë përqëndruar kryesisht rreth shqipes si gjuhë në kontakt me gjermanishten e dialektet e saj në Zvicrën gjermanofone. Aktualisht ai është drejtues i projektit kërkimor “kompetenca gjuhësore, orientimi gjuhësor dhe suksesi i nxënësve shqiptarë në Zvicër”.

Zoti B. Shader është një personalitet i dalluar dhe dashamirë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, i cili, përveç ndihmesave që jep për shqiptarët në Zvicër, ka kontribuar shumë edhe për rindërtimin e pajisjen e shkollave të komunës së Balldrenit (Lezhë). Prej disa vjetësh ai është lidhur me mësues dhe drejtues të arsimit të asaj komune dhe ka sjellë ndihma të konsiderueshme financiare për ndërtimin e pajisjen e shkollës tetëvjeçare të Kolajakut, si dhe për pajisjen me mjete mësimore të shkollës së mesme të Balldrenit. Për meritat e ndihmesat e tij të vyera, Këshilli Bashkiak i Balladrenit e ka dekoruar prof. dr. Basil Shaderin me titullin “qytetar nderi“(shtator 2002). Qysh prej dy vjetësh prof. dr. Basil Shaderi është regjistruar dhe po punon për të mbrojtur një doktorat të dytë pranë Departamentit të Gjuhësisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Univeristetit të Tiranës, nën drejtimin e prof. dr. Gjovalin Shkurtajt.

Diçka për jetën dhe veprimtarinë shoqërore e shkencore të B. Schader-it.

Miku ynë, Basil Shader, ka lindur në Zyrih (Zurich) më 19 tetor 1951, ku ka kryer shkollën fillore dhe gjimnazin më 1970.Në vitet 1970-74 ndjek studimet për filologji klasike (greqisht e latinisht) në Cyrih dhe në Tybingen, ndërsa nga viti 1974-76 kryen studimet për mësues në seminarin e lartë të kantonit të Cyrihut, ku merr diplomën përkatëse më 1976 dhe fillon veprimtarinë si mësues në fshatin Hinwil/ZH dhe punon aty deri më 1981. Gjatë kësaj kohe B. Schaderi nis të dallohet edhe si bashkëpunëtor i komisioneve pedagogjike dhe si drejtues i kurseve të ndryshme si dhe nis të botojë artikuj e libra me interes pedagogjik e etnolinguistik. Nga viti 1979-82 u përvishet përsëri studimeve dhe merret thekshëm me gjuhën e letërsinë gjermane (si lëndë e parë) dhe me historinë e pedagogjisë (si lëndë e dytë) si dhe me kritikën e letërsisë në universitetin e Cyrihut, për të cilat ai fiton edhe diplomat (licencat) përkatëse.

Prej vitit 1982, kohë kur ai ishte bërë tashmë një emër i njohur në qarqet metodike e shkencore të Zyrihut e më gjerë, B. Shaderi merr detyrën e didaktit të gjuhës amtare në seminarin për mësues të shkollës fillore të kantonit të Cyrihut (sot: shkolla e lartë pedagogjike e kantonit të Cyrihut). Përveç kësaj ai bashkëpunon gjallërisht në komisione të ndryshme, duke iu ngarkuar edhe detyra të rëndësishme si redaktor për libra shkollorë, anëtar i jurisë së çmimit zviceran të librave për fëmijë etj. Më 1983 ai u shton diplomave e licencave të tij edhe diplomën për mësues në gjimnaz për lëndët gjuhë gjermane dhe pedagogji, ndërsa më 1985 mbron disertacionin me titull “Johan Jakob Redinger (1619-88), Sprachwissenschafter und Padagoge im Gefolge des Comenius”[Johan Jakob Redinger, gjuhëtar dhe nxënës i Komenski-t]. Njeri me dhunti të shumta dhe me vullnet të çeliktë, zoti Shader do të ecë edhe më tej në karrierën e tij shkencore. Kështu, në vitet 1987-89 kryen studime të thelluara pasuniversitare për etnografinë dhe folklorin evropian (Volkkunde) në Cyrih, duke fituar aty edhe një licensim të dytë. Një figurë e tillë më se e kompletuar për nga formimi teorik i përgjithshëm, po edhe tashmë me një përvojë të madhe pedagogjike e botuese, në vitet 1988-90 emërohet si drejtues i projektit etnografik “kultura e festave kombëtare të sotme” (në Zvicër), detyrë e lartë dhe emërtesë e fondit kombëtar zviceran për shkencë. Ndërkaq, gjatë vitit 1991 e në vijim, pa u lodhur e pa pushuar, z. Shader harton e boton një varg librash shkollorë të ndryshëm,ndër të cilët edhe “Ura e fjalëve“, fjalor shkollor gjermanisht-shqip. Dhe, në mënyrë të natyrshme e të mirëpritur, vjen më 1992 gradimi i tij me një emërim më të lartë si profesor në seminarin për mësues të kantonit të Cyrih-ut (sot: shkolla e lartë pedagogjike).

Viti 1992, krahas sukseseve të përmendura e të merituara, i sjell zotit Basil Shader edhe një kënaqësi tjetër. Martohet me zonjën Erika Bauhofer, e cila, jo vetëm nuk do ta pengonte në studimet dhe veprimtarinë e tij të shumanshme, por edhe do t’i bashkohej e bashkëngjitej si një ndihmëse e veprimtare shumë e gjallë dhe simpatike. Nën ndikimin e Basilit edhe ajo do të bëhet shpejt një dashamirëse dhe ndihmestare e palodhur e diasporës shqiptare në Zvicër si dhe do të ndihmojë me përkushtim në gjetjen e fondeve dhe ndihmave për rindërtimin e pajisjen e shkollave shqiptare të rrethit të Lezhës, sidomos të komunës së Balldrenit.

Më 1993 prof. dr. Basil Shaderi kryen edhe një tjetër specializim në fushën e pedagogjisë ndërkulturore si dhe ndërmerr botimin e teksteve shkencore e didaktike të ndryshme për këtë temë. Më 1994 emërohet si anëtar i udhëheqjes së seminarit për mësues në Cyrih, si dhe anëtar i grupit kërkimor “Multilingualism and teacher training” në kuadrin e projektit evropian EUNIT.

Qysh nga viti 1994 e në vijim, emri i prof. dr. Basil Shaderit do të dalë shpesh e më shpesh si kumtues e referees në kongrese, konferenca e seminare të ndryshme shkencore jo vetëm në Zyrih, por edhe në Bernë e gjithandej në Zvicër, si dhe, pikërisht në atë kohë, ai fillon të merret me përkushtim me gjuhën shqipe dhe me problemin e mësimit të gjermanishtes nga fëmijët e diasporës shqiptare në Zvicër. Për këtë, prof. dr. Basil Shaderi, me një vullnet e aftësi të rrallë, i vihet të nxënit të shqipes, të cilën e mbërrin me një rezultat çuditërisht të mirë dhe në një kohë të shpejtë, duke arritur jo vetëm të flasë, të lexojë e të shkruajë lirshëm shqipen, çka nuk do të ishte pak, porse mrekullia është se ai, pikërisht në këto vite, nis edhe të hartojë e të botojë libra në gjuhën shqipe si dhe studime shkencore për pedagogjinë e mësimdhenies së gjermanishtes në shkollat zvicerane me fëmijë shqiptarë, si dhe, pas ca kohe, edhe për probleme mirëfilli sociolinguistike, siç është ai i shqipes si gjuhë në kontakt me gjermanishten në kantonin e Zyrihut.Mund të përmendim, ndër të tjera, se më 1996 ai botoi librin “Shqip! Materiale mësimore për nxënës dhe nxënëse shqiptarë dhe për mësimin ndërkulturor“, bashkë me Femzi Brahën, ndërsa më 1997 bëhet nismëtar dhe udhëheqës i studimeve suplementare për mësimin e shqipes në klasa multikulturore në seminarin e Cyrihut. Më 1999, pasi ishte bërë tashmë një figurë e njohur dhe e autoritetshme në fushën pedagogjike e shkencore, prof. dr. Basil Shaderi emërohet si bashkëpresident i shoqatës “Arsimi” që merret me bashkëpunimin zvicerano-shqiptar në fushën e arsimit dhe të pedagogjisë. Vlen të përmendim, gjithashtu, se gjatë viteve 2000-2001 ka qenë edhe bashkëudhëheqës i seminareve për mësimdhënien në në Gjilan (Kosovë) të financuar nga shteti zviceran dhe shoqata “HEKS”.

Dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto punë, nisma e botime, si dhe veprimtaria e tij aq e shtrirë dhe e frytshme në të mirë të shqipes, shqiptarëve dhe Shqipërisë, prof. dr. Basil Shader-i, qysh nga tetori i vitit 2000, pasi erdhi në Tiranë dhe dha provimin e gjuhës shqipe, është regjistruar edhe për të kryer një tezë doktorati të dytë pranë Departamentit të Gjuhësisë të Fakultetit të Hisrtorisë dhe të Filologjisë me temën “Dygjuhësia e fëmijëve shqiptarë në Zvicrën gjermanishtfolëse“. Deri tashti ai ka përmbushur me përkushtimin më të lartë dhe me nivel shumë të mirë disa prej anketimeve dhe është duke përfunduar së hartuari disertacionin për këtë temë, pjesë të cilit janë miratuar për botim në disa organe shkencore universitare dhe akademike.Një pjesë e atij studimi është dhënë për botim edhe në këtë numër të revistës “Gjuha jonë”.

Aktualisht prof. dr. Basil Shaderi është profesor në shkollën e lartë pedagogjike të kantonit të Cyrihut, udhëheqës i degës “Gjermanishtja si gjuhë e dytë/ gjuhët e mërgimit”, anëtar i komisioneve të ndryshme,autor i librave, artikujve të shumtë, recensent dhe ekspert në komisione të ndryshme për librat shkollorë dhe didaktikë; udhëheqës i projektit kërkimor “kompetenca gjuhësore,orientimi gjuhësor dhe suksesi shkollor i nxënësve shqiptarë në Zvicër”.

Përshkrim i shkurtër i përmbajtjes së disa prej librave të Shaderit

1. “Johan Jakob Redinger (1619-88), Sprachwissenschafter und Padagoge im Gefolge des Comenius”[Johan Jakob Redinger, gjuhëtar dhe pedagog në shpurën e Comenius-it (Jan Amos Komensky)]; Cyrih /Mynhen (Shtëpia botuese Artemis) 1985, 378 faqe.

Libri hulumton jetën dhe veprat e nxënësitcyrihian të Komenskit, Johan Jakob Redinger. Pas biografisë së shkruar nga Colinger-i (Zollinger) më 1905, kjo monografi është hulumtimi i parë i gjerë për këtë shkencëtar, prift protestant dhe pedagog shumë të njohur. Libri jep kontekstin historik të gjuhësisë, pedagogjisë dhe të bindjeve e prirjeve fetare të epokës së humanizmit dhe të barok-ut, e vendos qëndrimin e Redinger-it në akontekst dhe nxjerr përfundime për vlerën e veprimtarive dhe teorive të tij. Janë zbuluar, hulumtuar dhe vlerësuar qindra dokumente të panjohura më pare, ndër të cilat edhe një tekst i ri i vetë Komenskit “Comenianae linguarum methodi synopsis“, i botuar në Acta Comeniana7(XXXI), Pragë 1987). Libri është pranuar e miratuar si disertacion në Universitetin e Cyrih-ut.

2. Festgenossen. Über Wesen und Funktion der eidgenössischen Verbandsfeste (hg. zusammen mit Walter Leimgruber); Basel (Helbling und Lichtenhahn) 1993 (në serinë Kulturelle Vielfalt und nationale Identitat;nationals Forschungsprogramm 21 [larmi kulturore dhe identiteti kombëtar, programi kërkimor kombëtar 21] (i botuar së bashku me Valter Lajmbruger (Walter leimbruger), 416 faqe.

Libri është fryt i hulumtimeve etnologjike që ka bërë një grup kërkimor nën udhëheqjen e Basil Shaderit në kuadrin e programit 21 të fondit kombëtar për shkencë. Aty përshkuhen festat e mëdha,mbi nivel gjithëzviceran, që organizojnë shoqatat popullore të këngëtarëve, të gjimnastëve, të muzikantëve etj. Në ritëm 3- ose 5-vjeçar. Hulumtohen aspekte të ndryshme si dhe funksionet e atyre festive për integrimin e pjesëmarrësve gjatë shekullit të kaluar. Libri përmbledh 8 ndihmesa të bashkëpunëtorëve në projektin përkatës, me tema si: “organizimi dhe organizatorët e festive kommbëtare” (B. Shader), “Festat kombëtare të shoqatave zvicerane: Aspekte të një segmenti tradicional të kulturës festive zvicerane” (B. Shader), “Gratë në festat e burrave” (W. BellWald) etj. Rezultate e përfundimet e këtij studimi janë botuar edhe në revista shkencore që i kushtohen leksikut etnologjik të Zvicrës.

3. “Shqip” Unterrichtsmaterialien für Albanisch sprechende Schülerinnen und Schüler und für den in ter kulturellen Unterricht in der Regel- und Kleinklasse. Mit Unterrichtsvorschlägen und Hinter grundinformationen (zusammen mit Femzi Braha); Zürich (Verlag Lehrerinnen und Lehrer Schweiz) 1996, 210 faqe.

Libri “Shqip”, së pari, përmban një përmbledhje të gjerë tekstesh shqip, të ndara në tetë tema që janë me rendësi për mësim (p.sh. “Gjuha dhe kultura shqipe”, “Kafshë”, “Natyrë”, “Përralla”). Brenda temave, tekstet janë të ndara në tri nivele gjuhësore, me qëllim që të jenë në dispozicion materiale për nxënës me aftësi gjuhësore të dobëta, të mesme dhe të larta. Një pjesë e teksteve janë të përkthyera. Përveç teksteve shqip, libri përmban edhe një parashtresë për gjuhën dhe kulturën shqiptare si dhe, për secilën temë, propozime didaktike që tregojnë se si mund të trajtohet tema përkatëse në mënyrë të hapur ndaj gjuhëve dhe kulturave të ndryshme që gjenden në klasë. Natyrisht, kjo pjesë e librit u drejtohet në radhë të parë mësimdhënësve. Qëllimi i librit “Shqip” është, në radhë të parë, t’i ndihmojë nxënësit shqiptarë ta ruajnë gjuhën tyre amtare edhe në kushtet e mërgimit (sepse në Zvicër gati nuk gjenden dot tekste shqip për fëmijët) dhe, së dyti, të frymëzohen mësuesit zviceranë lidhur me integrimin e gjuhëve dhe kulturave të huaja në mësim. Libri “Shqip” përdortet jo vetëm në shumë klasa zvicerane me nxënës shqiptarë, por edhe në shumë klasa të mësimit plotësues shqip. Me këtë libër prof. dr. B. Shaderi dhe Femzi Braha kanë marrë çmimin e fondacionit “Peter Hans Frey” për veprimtari të shklëqyeshme në fushën e pedagogjisë.

4. Die Worterbrucke.Schulworterbuch (fur die Sprachen Albanisch, Turkisch, Porugiesisch, Bosnisch /Serbisch/Kroatisch [Ura e fjalëve. Fjalor shkollor (variante të ndryshme për shqipen, turqishten,portugalishten,kroatishten/serbishten/bosniakishten). Cyrih (Shtëpia botuese për libra shkollorë), 1997.

Fjalorët dygjuhësorë “Ura e fjalëve” përmbajnë rreth 6000 fjalë a) gjermanisht-gjuhë e huaj dhe b) gjuhë e huaj-gjermanisht. Ata janë ndërtuar sipas modelit të fjalorit drejtshkrimor “Arka e fjalëve”. Në secilin variant të “Urës së fjalëve” ka udhëzime për përdorim, shpjegime për dallime mes gjuhës përkatëse dhe

gjermanishtes në shkrim dhe në shqiptim si dhe një listë me numërorët dhe foljet e parregullta gjermane. Pikënisja e konceptimit të “urave” të fjalëve ishte konstatimi se nxënësit me gjuhë amtare të huaj, shpesh nuk kanë mjete ndihmëse ose janë të mbingarkuar me fjalorët e mëdhenj, përdorimi i të cilëve nuk është shumë i përshtatashëm për moshën e shkollarëve të vegjël.

Karakteri risor dhe i përshtatshëm i këtyre fjalorëve ka bërë që ata të pëlqehen dhe të përhapen mjaft jo vetëm në Zvicër, po edhe në Austri e Gjermani.Libri “Shqip” ka dalë deri tashti në pesë botime dhe përdoret edhe nga shqiptarë të rritur.

Basil Shaderi ka edhe shumë libra e studime të tjera me interes, që rrokin fusha të ndryshme si etnografi e folklor, histori e pedagogjisë dhe e shkollës, zhvillimi i shkollës (school development), pedagogji ndërkulturore, përhapje e didaktikës së gjermanishtes në drejtimin ndërkulturor. Në atë drejtim ai ka ndihmesa në dy plane me rendësi: a) tekste teorike dhe b) tekste e materiale të orientuara për praktikën dhe përdorimin në shkolla;

Mësim / mësim gjuhësor në përgjithësi, si dhe shumë libra mësimi, ndër të cilët mund të përmendim Die Wörterbrücke. Zweisprachige Schulwörterbücher für die Sprachen Albanisch, Türkisch, Portu giesisch, Kroatisch/Serbisch/Bosnisch; Zürich (Lehrmittelverlag des Kantons Zürich 1996 (Fjalorë dy-gjuhësore për katër gjuhët mërgimi më të rëndësishme në Zvicër).

Së fundi, mund të përmendim edhe tekste në lidhje me shqipen dhe me mërgimin shqiptar, ku mund të veçojmë: recension për librin e Hysen Çobanit: Arkipelagu i diasporave shqiptare i parë nga Zvicra; në: Albanische Hefte 2/98, f. 23-24; Albanisch kann bald jeder Zweite. Në: NZZ vom 26.3.2003 (Bildung und Erziehung).

Autori ka gati për botim edhe pjesët vijuese të tezës së doktoratit: Bashkëjetësia shqiptaro-zvicerane.Shqipja dhe gjermanishtja si gjuhë në kontakt.Shënime për një krahasim gjuhësor të shqipes me gjermanishten.Probleme të mundshme në mësimin e gjermanish tes nga shqipfolësit.Përhapja e çuditshme e shqipes nëpër shkollat zvicerane .

Tiranë, 7.04.2003