Figura e Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut në letërsi dhe në folkor

nga Gjovalin Shkurtaj

Follow @gjshkurtaj


Degjoni emisionin e Radios mbi Skenderbeun


Gjergj Kastrioti pati jehonë të madhe në kohën e vet, jehonë që kurrsesi nuk mund të përligjet me mjetet e komunikimit masiv të kohës, ende të ngathëta e të tilla që çanin kryesisht nëpërmjet letrës së shkruar dhe kumteve të lajmëtarëve gjithsesi të kufizuar në numër. Zulmat e bëmat e tij përhapeshin më fort duke kaluar gojë më gojë, natyrisht edhe duke u stërmadhuar, hiperbolizuar e legjendarizuar aq sa, deri edhe historianë seriozë bashkëkohës të kryetrimit, hera-herës janë rrëmbyer më fort prej legjendares e gojëdhanës, duke mos iu përmbajtur dot arsyes së ftohtë që lypset në shkrimet mirëfilli historike. Dëshmitë e shumta që na kanë mbërritur nga historianë, publicistë dhe udhëpërshkrues evropianë, na bëjnë të ditur se trimëritë e Skënderbeut dhe të luftëtarëve që u printe ai përcilleshin me këngë e valle që në të gjallë. Vetë Marin Barleti, historiani që jetoi dhe, në një farë mase, edhe i përjetoi vetë ngjarjet e lidhura me kryetrimin, duke shërbyer si burimi kryesor referues për studiuesit dhe shkrimtarët e mëpastajmë, na thotë se mbas betejave fitimtare ushtarët shprehnin gëzimin e tyre “me këngë, me shaka e me lojna të ndryshme” . 

Qysh së lashti, popujt e kanë pasur traditë që t’u këndojnë princave e tribunëve të tyre, porse kjo ka qenë ndoshta më e theksuar ndër popujt e vegjël e me armiq të mëdhenj si shqiptarët, prandaj gjatë gjithë kohëve kanë fiksuar në këngët historike çdo akt trimërie e atdhetarie, sepse siç thuhet në anët e Drenicës (Kosovë) “kënga del prej grykës së pushkës”. Gjergj Kastrioti, si shumë prej njerëzve të mëdhenj të dalluar në luftërat çlirimtare, u këndua, u lëvdua dhe u legjendarizua edhe për së gjalli. Kjo ishte në hullinë normale të jetës e të marrëdhënieve të prijësave me popullin. Vegjëlia kurdoherë u ka dhënë si shpërblim tribunëve të vet këngë, vlerësime e hiperbolizime të bëmave trimërore e të pamjes fizike të tyre. Një nga më të bukurat, e zgjedhur prej arsenalit të krijimeve popullore për heroin tonë lavdimadh, është fiksuar në filmin artistik “Skënderbeu”, kënduar nga basi i madhërishëm Lukë Kaçaj, ku fjalët e këngës kanë vlerën e një lapidari:
“Trim mbi trima ai Gjegj Kastrioti,
Forcë të madhe që m’i dhënka Zoti,
S’e djeg flaka, as s’e djeg baroti,
Sa shumë turq menjëherë ai i përlan,
Dhe me një të rame malin dysh e çan!”
Dhe mbyllet me urimin “Kënga jote brez pas brezi u këndoftë!”, si një nga shprehjet më tipike të etnografisë së të folurit shqiptarisht.
Ajo çka shpëtoi prej këngëve të tilla, tregimeve dhe aforizmave të Skëndërbeut do të mblidhej më vonë dhe është botuar nga De Rada në Itali, nga Shtjefën Gjeçovi , Marin Sirdani etj., pastaj edhe në vëllimet e botuara nga Instituti i Folklorit (sot Instituti i Kulturës Popullore).
Trimëritë legjendare të heroit shqiptar, Gjergj Kastriotit, zgjatën njëzet e pesë vjet dhe ai, siç do të thuhej metaforikisht, qe “parzmore çeliku në gjoks të Evropës”, ndaj edhe bëmat e fama e tij u bënë objekt tërheqës për studimet historike si dhe gurrë frymëzimi për vepra të ndryshme letrare e artistike në mbarë kontinentin tonë. Lavdia e tij qe aq e madhe saqë shkrimet e veprat kushtuar atij do të zgjasnin pa shterim në rrjedhë të shekujve, duke u rilindur e rishfaqur heroi ynë sa herë rrymave përparimtare brenda e jashtë vendit u duhej një figurë-simbol, një hallkë e fortë për t’u mbështur breznitë më të reja në luftërat patriotike. Kështu, Skënderbeu që përfaqësoi “Motin e madh të Arbërit” në kujtimet popullore të mërgimtarëve arbëreshë, në penën e dijetarëve dhe shkrimtarëve evropianë, pastaj edhe arbëreshë e, në kohët më të reja, edhe shqiptarë, do të ngrihej në shkallën e pavdekshmërisë, duke e njohur atë si luftëtar të paepur për liri dhe si prijësin që diti të bashkojë shumicën e krerëve dhe masat e gjera popullore, kryesisht fshatare, në një luftë të shenjtë dhe heroike për sovranitetin e popullit të vet dhe dinjitetin kombëtar. Njëkohësisht, studimet historike dhe shkrimtaria evropiane pranuan edhe misionin e rolin e tij të lartë si mbrojtës të denjë të Ballkanit dhe të qytetërimit evropian, duke e quajtur “kalorës i lirisë”, “mbrojtës i krishtërimit”, “mundës i S. Muratit” etj., ndërsa në popull ai do të quhej ”kulshedra e Ballkanit”.
Historianët janë të një mendjeje dhe e kanë shprehur qartë e pa mëdyshje se Kruja dhe kështjellat e tjera shqiptare u bënë beden i pakapërcyeshëm për 25 vjet rresht për osmanët, duke i penguar ata në marshimin e drejtimin e planifikuar drejt Romës, Vjenës dhe Budapestit. Prandaj, kalorësi anglez Njupor, më 1456 bënte këtë vlerësim të lartë dhe real për luftën e popullit shqiptar: “Invazioni i Evropës është i sigurtë, sepse s’ka fuqi tjetër që mund ta bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella arbëreshe” .
Sasia e madhe e veprave të ndryshme historike, letrare (drama, romane, tregime dhe poema e vjersha), që shkon në më se katërqind , të shkruara kryesisht në gjuhë të huaja e nga autorë të huaj, është dëshmi e qartë e interesimit të gjallë që zgjoi në krejt Evropën figura e ndritur e Gjergj Kastriotit.
Shqyrtimi historik dhe letrar i aspekteve të ndryshme të figurës dhe bëmave trimërore atdhetare të Skënderbeut ka bërë të mundur që të kuptohej e të ndriçohej më thellë madhështia e veprës së heroit dhe e epokës së tij në planin ideor, moral dhe, veçanërisht, roli i rëndësishëm ndërkombëtar i luftës që bëri populli shqiptar për 25 vjet rresht nën udhëheqjen dorësigurtë të Gjergj Kastriotit. Natyrisht, letrarët dhe krijimtaria popullore kanë zhdavaritur edhe shkaqet e gjallërisë së pavenitshme dhe të tharmit rilindës që ka pasur e vijon të ketë kjo figurë, ndoshta njëra nga më emblematiket, në mos më emblematikja e krejt Evropës. “Gjergj Kastrioti i detyroi të gjithë shekujt të flasin për të. Dhe çdo shekull, çdo epokë ka folur me zërin e saj, ka zbuluar tek ai diçka të re.”
1.Figura e skëndërbeut në letërsinë botërore
Figura e Skënderbeut ka tërhequr vëmendjen e historianëve, po edhe të shkrimtarëve. Një numër shumë i madh autorësh, të epokave dhe rrymave të ndryshme letrare, i janë qasur kësaj figure duke krijuar një mori veprash të gjinive dhe lloje të ndryshme letrare.
Krijimet e para kushtuar Skënderbeut janë dy vjersha në latinisht, prej autorësh italianë, miq të Marin Barlecit, i cili i vuri këto krijime në krye të veprës së tij për heroin. Në shek. XVI këto u pasuan nga një varg krijimesh poetike, nga të cilat më të njohura janë sonetet e poetëve të Rilindjes, si. p.sh. të francezit Pjer Ronsar (1576) dhe të anglezit E. Spenser (1596), të cilat e ngrejnë lart heroin, duke e krahasuar me njerëzit e mëdhenj të lashtësisë. Po ai na shfaqet edhe në prozën artistike të kohës, si në romanin “Tmerri i turqve” (1548), shkruar nga italiani Antonio Posenti. Kujtimi dhe vlerësimi i luftërave të Skënderbeut vijuan edhe gjatë shek. XVII, si p.sh. në poemën “Skënderbeiada”, botuar në Romë më 1623, shkruar nga poetesha Margerita Sarroki, e cila e paraqet Skënderbeun si hero të vëretë dhe kalorës fisnik. Po ashtu edhe gjermani Jakob Kokert, në “Këngë mburrëse” (1643) dhe francezi Zhan Bysier në poemën “Skënderbeu”(1658). Në këtë shekull u shkruan edhe një varg dramash me protagonist heroin tonë legjendar, prej të cilave mund të përmendim dramën “Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, shkruar nga dramaturgu i njohur anglez Kristofor Marlou. Rrugën e tij e ndoqën edhe dramaturgë të tjerë, të shumtë, nga disa vende të Evropës, si Spanja, Italia, Franca, Suedia, Polonia, Greqia etj. Përmendim, ndër të tjerë, shkrimtarin e madh spanjoll Lopes de Vega, i cili shkroi veprën “Princi Skandërbeg”, që përfshihet në llojin e komedive të tij të famshme. Po në shek. XVII tema e Skëndërbeut u trajtua edhe në prozë, si p.sh. nga francezi Yrben Shevro (“Skënderbeu”, 1644) dhe një autor anonim rus nën titullin “Tregime për Skënderbeun, princin shqiptar”.
Gjithashtu figura e Skëndërbeut do të trajtohej në shek. XVII edhe në një varg veprash të rrymës kalorsiake, që u shkonte përshtat kërkesave ideore të qarqeve të larta shoqërore evropiane. Përmendim, p.sh., veprën “Skënderbeu i madh” (Amsterdam, 1688), shkruar nga një autore anonime, pastaj edhe “Skënderbeu ose aventurat e princit të Shqipërisë”, botuar në Paris më 1732. Po në këtë kohë botohen edhe drama për Skëndërbeun, si në Angli “Skënderbeu ose dashuri dhe liri” (1747) nga Tomas Uinkop, “Skënderbeu” i Uiljam Havardit, “Heroi i krishterë” nga Xhorxh Lilo.
Kësaj kohe i përkasin edhe disa drama të shkruara nga disa autorë italianë dhe francezë, si ”Trimëritë e princit Skënderbe, mundësit të Sulltan Muratit” (1730) nga Antonio Xamboni, “Skënderbeu princ i Shqipërisë” (1770) nga Mauricio Gerardini, pastaj “Skënderbeu” (1786) nga Pol Debyjsoni. Me kohë, nga skenat e teatrove dramatike këto vepra filluan të shfaqeshin edhe nga trupat shëtitëse angleze e gjermane, gjë që ia shtoi shumë popullaritetin heroit tonë kombëtar.
Një nga anët më interesante të figurës së Gj.K.Skënderbeut është jetëgjatësia e famës dhe lavdisë së tij dhe sidomos të rilindurit apo rikthimi i tij në periudhat më të rëndësishme të lëvizjeve përparimtare të popujve të Evropës dhe të popullit shqiptar. Ai, si moskush tjetër nga burrat e mëdhenj, si pinjoll i një visi e populli numerikisht të vogël, por të etur për liri e gati gjithmonë me jetë kombëtare të trazuar prej pushtimesh të huaja, do të kishte shansin e rrallë të të rilindurit.
Me vrullin e lëvizjeve çlirimtare kombëtare që shpërthyen në Evropë në shek. XIX pati një ringjallje të interesimit për figurën dhe bëmat trimërore të Skënderbeut. U botuan një varg veprash, si drama “Çlirimi i Greqisë” (1821) e gjermanit Karl Sondershaun, në qendër të së cilës ishte pikërisht figura e heroit kombëtar shqiptar, Gj. K. Skënderbeut; drama “Skënderbeu” (1835) shkruar nga suedezi F. G. Rudbek, “Skënderbeu, poemë heroike” (1824), shkruar nga poeti romantik gjerman Fridrih fon Nidda etj.
Rreth një gjysmë shekulli më pas, poeti përparimtar maqedonas Grigor Perliçev shkroi dramën në vargje “Skënderbeu” (1861), në të cilën heroin tonë e paraqet si udhëheqës të madh,po edhe të thjeshtë e të shkrirë me popullin. Po ashtu, nga gjinia e romanit, mund të përmedim veprën e Antonio Xonkadës, pjesëmarrës i lëvizjes garibaldine, vepër që dallohet për frymën e saj demokratike dhe që e paraqet heroin tonë si udhëheqës shumë popullor. Po ashtu nuk mund të lëmë pa përmendur romanet “Kapiteni i jeniçerëve” (1887) të anglezit Xh. Ludllou, “Për jetën” i shkrimtarit polak Tomas Jazh. Në Francë, gjithashtu, heroi ynë u bë personazh kryesor i dramave historike të autorit neoklasicist Gijom K. Perlyse dhe të Rogatien Forresë.
Por vepra më e qëlluar në letërsinë botërore për Skënderbeun është poema me të njëjtin titull e Henri Longfellout (1873), e cila është përkthyer edhe në shqip nga mjeshtri i madh i fjalës shqipe Fan S. Noli.
2.Figura e skëndërbeut në letërsinë arbëreshe dhe shqiptare
Figura e Skëndërbeut jo vetëm simbolizoi unitetin kombëtar përballë përçarjes feudale, krahinore e fetare, por shënoi edhe rrugën e fitores, prandaj Rilindja Kombëtare Shqiptare iu drejtua figurës së heroit të shek. XV si simbol të qëndresës së pamposhtur. “Ai qe për rilindasit një shembull i shkëlqyer se si, duke u mbështeur në bashkimin e pathyeshëm të popullit dhe kryesisht në forcat e brendshme, mund të hidhej tej skllavëria osmane”.
Me këtë arsye shpjegohet interesimi dhe vendi i madh që zuri figura e Skënderbeut në letërsinë e Rilindjes, e cila u frymëzua nga idealet e luftës për çlirim kombëtar të popullit shqiptar. Ndër autorët e parë që trajtoi tëmën e Skënderbeut është Jeronim de Rada, poeti romantik arbëresh, në poemat e tij “Skëndërbeu i pafan”, “Pasqyra e një jete njerëzore” dhe “Gjon Huniadi”, ku heroi na shfaqet si simbol i Shqipërisë kryengritëse dhe si kreshnik i pamposhtur dhe udhëheqës i shquar .
Në pajtim me prirjen e përgjithshme të rilindasve, që shihnin te Skënderbeu edhe aspiratat demokratike, poeti tjetër arbëresh, Gavril Dara i Riu, në poemën “Kënga e sprasme e Balës” e paraqet kryetrimin si komandant dhe trim të mençur, sa autoritar e të rreptë, aq edhe popullor dhe të dashur, kurse poeti strigariot Zef Serembe, shkruan për Skëndërbeun duke shprehur besimin se në Shqipëri do të lindnin luftëtarë të denjë për t’i pertëritur traditat dhe shembullin e heroit. Figura e Skëndërbeut gjeti trajtim edhe në poemën e gjatë “Shpata e Skënderbeut në Dibër të Poshtme” të Bernard Bilotës.
Këndej Adriatikut, figurën e heroit tonë të lavdishëm e mishëroi për herë të parë me nota madhore Naim Frashëri në epopenë “Istori e Skëndërbeut”, e cila do t’i jepte tonin krejt letërsisë së mëvonshme shqiptare. Skëndërbeu i Naimit është përsonifikim i shpirtit heroik të popullit dhe shekullit të tij-burim frymëzimi për heroizëm e therori në luftën e ardhshme për çlirim. Këtë udhë të Naimit, do ta ndiqnin edhe edhe poetë të tjerë të Rilindjes, si A. Z. Çajupi, N. Mjeda, Asdreni, R.Siliqi etj. të cilët në krjimet e tyre u përpoqën ta lidhnin kujtimin e Skëndërbeut me detyrat që shtronte lëvizja për çlirim kombëtar.
Në vargun e veprave të kësaj rryme duhen përmendur edhe poema “Kënkat e Krujës” e Kozmo Serembes (në mjediset arbëreshe) dhe dramat e Kolë Mirditës (i njohur me pseudonimin Helenau) “Vdekja e Skëndërbeut” (1917) dhe “Moisi Golemi” (1917). Në periudhën 1912-1939 për t’u përmendur është “Historia e Skëndërbeut” e Fan Nolit, e cila ndonëse është vepër mirëfilli historike, ka edhe cilësinë se është shkruar me stilin e këndshëm e të ngritur që përshkohet edhe nga vrulle epiko-heroike dhe herë-herë lirike.
Edhe pas flakjes së zgjedhës së huaj dhe çlirimit të Shqipërisë, tema e skëndërbeut do të mbetej aktuale, sepse shembulli i qëndresës së tij të pashembullt i mëson vazhdimisht popullit shqiptar se si t’u bëjë ballë heroikisht dallgëve të trysnisë së huaj. Ndërsa në vjershën e shkurtër figura e Skënderbeut u paraqit kryesisht me mjetet e rrymës romantike, në llojet e gjata ajo gjeti pasqyrim më realist. Përmendim, p.sh. romanin “Kalorësi i Skëndërbeut”, vepër postume e Haki Stërmillit (përfunduar në vitin 1950), dramën “Trimi i mirë me shokë shumë” të Sulejman Pitarkës (19589, “Guri i hekurt dhe mokrat e gurta” (1963), dramë nga Misto Markaj. Në një varg veprash, kryesisht poema e romane, që u botuan gjatë vitit jubilar të 500-vjetorit të vdekjes së heroit (1968) dhe më pas, mund të vlerësohet edhe konceptimi i ri artistik i problemeve të epokës dhe i figurës së Gj.K.Skënderbeut. Kështu, mund të përmendim poemat “Garda Krutane” të K. Jakovës, “Shkëmbi që theu dallgët” e Klara Kodrës. Në mënyrë mjaft të plotë e të realizuar me mjeshtëri na del figura e Skënderbeut te romani i Gjergj Zhejit “Muret e Krujës”, ku theksohet ideja e heroit se “besëlidhja është e vetmja shpresë e lirisë së Arbërisë”. Në këtë hulli shkon edhe romani “Shqipja e kreshtave tona” i Skënder Drinit, ku shohim edhe përpjekjen e lëvdueshme për ta dhënë figurën e heroit në zhvillim, të gjallë e njerëzor.
Interesim dhe mëtime të mbara për trajtimin e figurës së Skëndërbeut ka pasur qysh në krye të herës edhe në letërsinë shqipe të trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi.Theksojmë se, qysh në shkrimet e Lukë Bogdanit vlerësohet me krenari se “Skënderbeu shitoi mbretnë” , ndërsa më vonë, Shtjefën Gjeçovi nga Janjeva tregoi interes të veçantë për figurën e heroit tonë, duke mbledhur në rrethet e Kurbinit dhe të Krujës 16 tregime popullore që shënojnë mbledhjen e parë të rëndësishme të gojëdhanave për Skëndërbeun . Emri dhe bëmat e Skëndërbeut do të përmenden me art e theksim të veçantë edhe në poezinë e shqiptarëve të Kosovës, ku mund të rendisim, më së pari, vjershërinë e Esad Mekulit, për të cilin poeti thotë se “shndrit mbi të shkuemen si rrfeja në natën e errët”. Mbas tij, dora-dorës me rritjen e sasisë dhe të cilësisë së krijimeve letrare në ato mjedise, figurës së Skënderbeut i qasen me përmasa të reja poetë si Enver Gjergjeku, Rexhep Hoxha, Beqir Musliu, Muhaed Kërveshi, Daut Demaku, Jakup Ceraja, Teki Dervishi, Ymer Shkreli etj . Nga dramat mund të përmendim “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” të Ahmet Çirezit, me karakter të theksuar lirik dhe rrëfimtar, pastaj vjershën “Nikë Kosova” të Jakup Cerajës, si e vetmja që pohon se edhe shqiptarët e Kosovës dhanë ndihmesën e tyre në luftërat e Skëndërbeut kundër osmanëve .
Kur, më 1968, në vitn jubilar të 500-vjetorit të vdekjes së heroit, u mbajtën aq shumë referate, kumtesa, diskutime në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike që iu kushtua heroit, po edhe u bënë aq shumë botime folklorike e letërsi artistike, saqë mund të dukej se u sos dhe u shterua ajo temë (kemi parasysh referatin magjistral të prof. Aleks Budës me titull “Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu dhe epoka e tij”, si dhe kumtesat të ngjeshura të një armate studiuesish të autoritetshëm nga e gjithë Evropa dhe hapësirat kombëtare e etnike shqiptare), njeriut mund t’i dukej se nuk mbeti më gjë pa u thënë. Por jo. Vitet që vijuan do të sillnin përsëri prurje të reja, madje shumë interesante. Emri dhe veprat e Gj.K.Skëndërbeut do të hynin në vargjet e gati mbarë poetëve shqiptarë, ndërsa vargu i romaneve e dramave historike ku ai është heroi kryesor do të shtohej në mënyrë të ndjeshme. Për hir të kohës nevojisht të kufizuar dhe të auditorit të sotëm, jo vetëm shqiptar, në pamundësi për të trajtuar gjithçka, po përmendim shpejtazi disa prej veprave më interesante, duke ritheksuar se romani historik me Skënderbeun si hero kryesor do të mbetej edhe më tej arë e lakmueshme e disa prej shkrimtarëve të më shquar shqiptarë.
Kryekreje, meriton të përmendet romani “Skëndërbeu” i Sabri Godos, një vepër e shkruar me dije të thella historike dhe me mjeshtëri të lartë artistike, një nga krijimet më të mira të autorit dhe, besojmë, të krejt lëtërsisë shqiptare. Vepra ka pasur disa ribotime, po edhe është përpunuar e rivëshrtruar për kohë të gjatë nga autori, me ngenë dhe ngulmimin e atij që, në kulmin e pjekurisë së vet artistike, si ata piktorët sqimatarë që nuk kënaqen lehtë me frytin e penelit të vet, edhe Godoja mëton me durim, derisa në variantin e dytë, na ka dhënë një Skëndërbe jo vetëm madhështor e legjendar, po edhe njerëzor e mishërues të tipareve më të mira të shqiptarisë. Kur mbaron së lexuari atë vepër zemra të gufon nga një ndjenjë e çuditshme, që ngërthen krenari e brengë të thellë: krenari që trojet shqiptare lindin një vigan si Ai, brengë për rethanën se, ndërkaq, në rrjedhë të moteve e shekujve, shqiparët i ndoqi fati i keq. Ata qenë kurdoherë “parzmore çeliku në gjoks të Evropës”, porse, për ironi të fatit, deri sot e gjithë ditën do të mbeteshin “jashtë mureve” të BE-së.
Figurës së Skëndërbeut, sikundër e cekëm edhe më lart, i janë qasur me dëshirë gati të gjithë krijuesit shqiptarë e arbëreshë të kohëve të reja, kush me ndonjë vjershë lirike, kush me ndonjë poemë, po edhe me krijime të gjata. Në vargun e tyre, një vend të veçantë zë edhe romani “Kështjella” i Ismail Kadaresë, ku heroi vetë nuk na shafaqet, por ai përfaqësohet nga kështjellarët trima që zbatojnë pa mëdyshje ideimin dhe strategjinë luftarake që u ka mësuar Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu. Ka pasur edhe mjaft krijime të tjera, të cilat në parashtresën tonë nuk është e mundur t’i përfshijmë të gjitha, por po mjaftohemi duke thenë se kanë qenë të shumta, sidomos dramatizimet, radiodramatizimet dhe ekranizimet që kanë si hero Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, si dhe vjershat e poemat për fëmijë e të rinj.
Edhe poezia më e re e arbëreshëve të Italisë gëlon nga vjersha dhe krijime dramatike që kanë në themel figurën e Skëndërbeut. Përmendim, ndër të tjera, romanin “La moto di Scanderbeg” e Karmine Abates, nga Karfici arbëresh, që shkruan italisht, vjershën “Skandërbeku” të Karmell Kandrevës dhe “Kruja” të lirikut më të shquar arbëresh Vorea Ujko, me të cilën më pëlqen ta mbyll referimin tim:
“Në majë të malit,
u ngjita në një faltore
të ngritur nga trimëria.
E lavdishme, e papushtueshme
Kjo kala kumbon në histori.
…………………………
Çdo gur kishte duar çeliku
Një gojë, dy buzë të mbyllura,
Një kraharor të gjerë
Dhe sy prej zjarri.
Çdo guri unë ia njoh historinë
E mbi gurinmëtë madh

Ishte skalitur emri yt, Skandërbeg”.

GJUHA SHQIPE SI MJET I VETËRUAJTJES DHE I SHPREHJES SË SHQIPTARËSISË

Follow @gjshkurtaj

Në këtë kumtesë, do të përqëndrohem në theksimin e disa prej akteve dhe dëshmive më madhore që lidhen me ndihmesën e intelektualëve arbëreshë për lëvrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe, për vlerësimin dhe shfrytëzimin e gjuhës amtare si mjet të vetëruajtjes etnike dhe të shprehjes së shqiptarësisë në mjedisin italian. Dhe, sigurisht, për shumë kohë, në mjediset arbëreshe të Italisë, intelektualët përbëheshin gati kryesisht nga klerikët, priftërinj, murgj e përgjithësisht njerëz të kurieve a të abacive, që shërbenin për të mbajtur gjallë fenë, duke kryer ritet dhe shërbesat përkatëse.Këtu, ndërkaq, qëndron edhe thelbi i ndihmesës dhe i synimeve të mëdha gjuhëruajtëse të klerit arbëresh: përpjektet dhe këmbëngulja e tyre për ta kryer shërbimin e mësimet e fesë së krishterë në gjuhën shqipe. Këto përpjekje ndër arbëreshët kanë qenë të hershme dhe të pandërprera, qysh nga krijimi i ngulimeve në diasporë e deri në ditët tona, prandaj edhe Kongresi Gjuhësor i Korilianos, që vinte pas një përvoje e lufte të gjatë të arbëreshëve për ruajtjen e vetiakësisë etnike, kulturore dhe shpirtërore e gjuhësore, u dha një konsistencë e forcë më të madhe mëtimeve tashmë shumëshekullore të kësaj diaspore, duke u kapur në disa hallka themelore, të cilat, në të vërtetë, përbënin edhe themelin e neneve të Shoqërisë Kombëtare Shqiptare të themeluar në Kongres e të drejtuar nga De Rada. Në nenin e parë të Shoqërisë kërkohej:

“a) të hartohej një abetare e gjuhës shqipe,
b) të hartohej një fjalor i shqipes,
c) të botohej një gazetë shqiptare,
ç) të lidheshin marrëveshje me “mëmën” Shqipëri”.

Nuk do të ndalem gjatë as në pjesën historike, as në Kongresin si të tillë, as për Rezolutën e tij aq të rëndësishme, sepse për to është folur e shkruar mjaft, si dhe u diskutua në lartësi të lakmueshme nga gojëtarët parafolës. Desha vetëm të theksoj se, edhe njëqind vjet më parë, ashtu si sot, gjuha shqipe për arbëreshët është përherë e lidhur me thelbin dhe simbolikën e vetë ekzistencës së tyre: ata pohonin atëherë dhe po pohojnë bujshëm edhe sot të njëjtën gjë, sa të thjeshtë e madhështore: “na jemi arbëreshë”. Themi se kjo është një gjë e thjeshtë, sepse është një fakt i njohur dhe i pohuar nga gjithkush, që arbëreshët janë shqiptarë të Ital;isë, janë një element etnik që për më se pesë shekuj qysh nga mërgimi i të parëve të tyre në Kalabri, Sicili, Pulje e Bazilikatë etj., brez pas brezi kanë ruajtur gjuhën shqipe, kanë ruajtur kujtimin se janë arbëreshë apo “gjak i shprishur” nga Shqipëria, kanë ruajtur krenarinë për origjinën e tyre. Po madhështorja ku është?

Ngulimet arbëreshe paraqesin sot një diasporë historike të moçme e disashekullore, të shprishur dhe të përhapur tejendanë nëpër gjithë Italinë Jugore e në Sicili, që natyrisht, është e përfshirë, tashmë, ligjërisht e “in tutto e per tutto” në jetën e në konfiguracionin e Italisë, si shtetas italianë, por që, megjithëkëtë, arbëreshët nuk jepen kurrë: ata duan të flasin e të këndojnë shqip, të dallohen në mjedisin italian se janë pikërisht të tillë: ARBERESH = ITALO-ALBANESI. Ata janë, pra, qytetarë italianë, me origjinë dhe gjuhë të ndryshme prej shtetasve të tjerë të vendeve ku ndodhen, ndonëse tashmë ata edhe italishten e kanë nxënë dhe e kanë kudo si gjuhë “bukje”, kurse shqipen, në variantin e tyre dialektor tradicional e me shumë dukuri ruajtëse (konservative) e kanë pasur dhe vijojnë ta kenë kurdoherë si gjuhë të “zemrës”.

Ka njerëz që këtë e kanë quajtur “mrekulli”, porse ajo nuk është aspak një mrekulli. Përkundrazi, po të ishte një mrekulli, do të kishte zgjatur më pak. Sllavët, që i kemi fqinj, thonë një fjalë të urtë “Vsjako çuda do tre dana”, që do të thotë në shqip: “çdo mrekulli zgjat deri në tri ditë”. Puna e arbëreshëve, jeta e tyre prej kaq shekujsh me kujtimin krenar të mëmëdheut tëlavdishëm dhe, sidomos, ruajtja me aq forcë e gjuhës dhe e etnicitetit të tyre si arbëreshë, nuk është aspak një mrekulli, por është një realitet. Një realitet i bukur dhe i shkëlqyeshëm (ashtu i fortë dhe i pëlleshëm e) që mbetet gjithnjë në vlim, që në vend se të tretet e të shuhet, siç ka ndodhur e ndodh zakonisht me çdo diasporë, përkundrazi, rilind dhe përparon me jetësi të çuditshme. Kjo jetësi arbëreshe ka qenë gjithmonë gurrë e pashtershme për mbrothësinë e gjuhës. Për lëvrimin dhe mbrojtjen e saj kanë shkrirë jetën një plejadë e tërë burrash të shquar, midis të cilëve edhe poetë zëmëdhenj e me një erudicion të shkëlqyeshëm, ashtu siç ishte edhe ideatori, organizatori dhe bashkërenduesi e drejtuesi kryesor i Kuvendit të Korilianos për gjuhën shqipe, Jeronim de Rada nga Maqi (Macchia albanese), personalitet i shquar e me një famë gjithëevropiane, figurë shumë e dashur që na ka bërë të ndihemi krenarë me të , të gjithë sa jemi arbëreshë e shqiptarë, i quajtur thjeshtë dhe madhërishëm: “tatëmadhi inë”.

Është një gjë shumë e bukur që, edhe sot, lulja e intelektualëve të diasporës arbëreshe në Itali, qoftë ata që nëpër katundet apo qendrat e vogla, me modesti, por edhe me shumë devotshmëri, veprojnë si lëvrues e veprimtarë të thjeshtë vendorë (mësues, priftërinj, këngëtarë, mbledhës të folklorit, artistë popullorë, drejtues të bashkive etj.), qoftë ata që kanë detyra e ngarkesa mjaft të larta e me prestigj zyrtar, siç është drejtimi i katedrave dhe i instituteve universitare të gjuhës shqipe e të letërsisë shqiptaree arbëreshe në qytetet e mëdha ku gravitonte dhe ku tashti është e pranishme një masë e madhe e rinisë studentore nga katundet arbëreshe, si në Kozencë, në Palermo, po edhe në Napoli, në Romë, në Bari e në Leçe etj. Mund (dhe duhet) ta themi me një krenari të ligjshme se, në të gjitha qendrat tradicionale të diasporës arbëreshe dhe veçanërisht në universitetet ku ka katedra të gjuhës shqipe apo edhe institute të albanologjisë, qoftë vetë titullarët, qoftë edhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët të gjithë i njohim, nuk shkëputen kurrë nga hullia e shqiptarësisë. Madje, duke i zgjeruar e zhvilluar edhe më tej hapësirat e studimeve rreth gjuhës shqipe, rreth traditave gojore e letërsisë së shkruar të ngulimeve arbëreshe e më gjerë, duke përgatitur e botuar edhe vepra madhore si ato që janë vënë në dorë të lexuesve gjatë këtyre dhjetë- pesëmbëdhjetë vjetve të fundit nga prof. Solano e prof. F. Altimari të Univeristetit të Kalabrisë, nga prof. A. Guzzetta e bashkëpunëtorët e tij në Universitetin e Palermos, si dhe nga drejtues të katedrave të tjera të gjuhës shqipe në univeristetet italiane, janë dishepuj të vërtetë e krenarë të De Radës së Madh.

E, tashti, pasi thashë këto vlerësime, dua të kthehem edhe një herë prapa, në një fakt mjaft të largët: kur vdiq De Rada, dha shpirt duke thënë me hidhërim fjalët që të gjithë i dimë: “Gjaku inë është e birret”. Rreziku i bjerrjes së gjuhës shqipe në mjedisin italian ku rrojnë arbëreshët ishte dhe mbetet i madh, prandaj edhe Tatëmadhi kishte frikë se mos birret gjuha. Dhe ai kishte arsye. Megjithatë, për fat të mirë, në të gjithë këta dhjetëvjeçarë që kanë kaluar pas vdekjes së tij, gjuha shqipe bashkë me gjithë trashëgiminë gojore dhe të shkruar të arbëreshëve vijojnë të jenë të gjalla e në lulëzim dhe, madje, të tërheqin vëmendjen e përfaqësuesve më të mëdhenj të sociolinguistikës e të antropologjisë kulturore etj. Po lejohem të citoj këtu një pohim të kohëve të fundit nga studiuesi i mirënjohur e me famë botërore Tullio de Mauro, i cili, duke prezentuar përmbledhjen me studime “I dialetti italo-albanesi” (“Dialektet arbëreshe”) nën 12kujdesin e F. Altimarit e L. M. Savoia-s, shkruan, ndër të tjera: “Gjuhëtarët nuk duhet të lodhen kurrë së gërmuari në realitetin gjuhësor të Italisë dhe të nxjerrin në dritë pasurinë dhe larminë që lulëzon ende dhe, sidomos, si në rastin që kemi përpara, nuk duhet t’ i kursejnë përpjekjet për të dhënë vepra përgjithësuese rreth aspekteve të varieteteve të tilla”.

Dhe tashti le të ndalemi vetëm në disa pika që dëshmojnë se sa të mëdha e të rëndësishme kanë qenë e janë përpjekjet dhe ndihmesat e intelektualëve arbëreshë në Itali për ruajtjen e gjuhës shqipe, si dhe për të bërë të mundur që ajo edhe të lëvrohej e të përpunohej me kujdes, duke e shikuar e duke e studiuar atë gjerësisht në çdo ngulim apo qendër ku rrojnë arbëreshët. Po përqëndrohemi, pra, vetëm në disa pika më domethënëse:
1. Diaspora arbëreshe në Itali, edhe pas kaq shekujsh qëkur është ndarë nga mëmëdheu, duke jetuar në kushtet e një pakice mjaft të shprishur në të gjithë Jugun e Italisë, që nga Abruci e Pulia deri në Sicili (ku në krye të herës kanë qenë rreth 100 ngulime) diti të gjente një çast të fortë uniteti dhe përbashkimi pikërisht nëpërmjet punës dhe përpjekjeve të pavdira të grupeve intelektuale të atjeshme, që vepronin e veprojnë në emër të amësisë përbashkët etnike, kulturore dhe gjuhësore të kësaj diaspore. Dëshminë më të shkëlqyer për këtë përbashkësi shpirtërore të diasporës arbëreshe dhe të lidhjeve të saj aq të forta me Shqipërinë e shqiptarët e gjejmë në lëvizjen e njohur të Rilindjes, në të cilën ndihmesa e arbëreshëve të Italisë, sidomos e profesorëve dhe e nxënësve të Kolegjit të Shën-Adrianit në gjysmën e parë të shekullit XIX, ka qenë me të vërtetë e madhe. Siç dihet, prania në Kalabri dhe në Sicili, e dy institucioneve shumë të rëndësishme, siç ishin Kolegji i Shën-Adrianit (së pari në Shën-Benedikt Ullano e pastaj në Shën-Mitër Koronë) dhe Seminari Greko-Shqiptar i Palermos u siguronin ngulimeve arbëreshe në Itali një qarkullim të frytshëm e të rëndësishëm të veprave dhe të ideve si edhe një trashëgimi kulturore në saje të të cilave mund të kuptojmë e të shpjegojmë më mirë ndihmesën e dhënë nga intelektualët arbëreshë për thellimin e shqiptarësisë nga shumë pikëpamje etnike, fetare, kulturore, gjuhësore dhe veçanërisht kombëtare. Siç e thotë në mënyrë poetike një këngë e bukur arbëreshe e kohëve të reja, kënduar mjeshtërisht nga Alfio Moça, arbëreshët e Italisë kanë jetuar dhe jetojnë gjithnjë “me Shqipërinë në zemëre në si”. Krenaria kombëtare ka qenë kurdoherë për intelektualët arbëreshë si “ylli i dritës” për çdo shteg të kërkimeve dhe të studimeve të tyre. Mjafton të përmendim se “Rilindja” Shqiptare nuk lindi brenda Shqipërisë, porse, siç kanë vënë re me të drejtë akademik Rexhep Qosja e prof. F. Altimari, shpërtheu në momentet e para në grupet e intelektualëve që shprehnin zërin e bashkësive pakashumë të mëdha të diasporës shqiptare, qoftë në Itali, qoftë gjetkë, si në Turqi, në Rumani, në Egjipt, në Bullgari etj.

2. Qysh në agimin e themelimit të një diaspore arbëreshe në Itali bëri udhë edhe përpjekja për shkollimin e djemve e vajzave të saj, për krijimin e qendrave arsimore në ngulimet më të mëdha arbëreshe apo në qendrat e mëdha urbane italiane rreth të cilave gravitonte kjo diasporë, si Palermoja, Napoli, Kozenca pastaj edhe Roma e qytete të tjera, sidomos Bari, Leçe etj.

Arbëreshët e kuptuan shpejt se, edhe pas mërgimit të tyre, mbijetesa e gjuhës, e zakoneve dhe e kulturës së tyre, mund të arrihej vetëm në qoftë se do të kishin njerëz të ditur, burra të shquar që me shkrimet e fjalën e tyre t’ u dilnin zot këtyre pasurive shpirtërore e kulturore, përndryshe ato do të zhdukeshin. Historia e diasporës arbëreshe në përgjithësi dhe e çdo ngulimi arbëresh në veçanti, dëshmon bindshëm se sa vigane qenë ndër shekuj puna dhe përpjekjet e tyre për arsimin, për formimin e klerit arbëresh e të institucioneve përkatëse, si qendra që, me kohë, do të bëheshin edhe mbështetje për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, si shprehëse e hallkë e vetiakësisë së arbëreshëve në dhe të huaj. Arsimimi (i institucionalizuar) në kolegjet dhe seminaret arbëreshe jepte mundësi për potencimin e një plejade të tërë mendimtarësh të shquar arbëreshë, kryesisht nga radhët e klerit të ngulimeve arbëreshe, që nga Lekë Matrënga e deri në ditët tona. Duhet ta theksojmë se, kur ky bir i madh i Horës së Arbëreshve, më 20 mars 1592, plot 403 vjet më parë, botoi katekizmin shqip “E mbësuame e krishterë” (që përbën librin e dytë të shkruar shqip fill pas Buzukut e të parin dokumentim të toskërishtes së shkruar), krahas motivit (mirëfilli) propogandistik të doktrinës së krishterë ndër arbëreshët, kishte, pa dyshim, edhe një mëtim të lavdërueshëm patriotik që do të mbetej në fillesat e një hullie të pandërprerë të mësimit të gjuhës shqipe nga arbëreshët e Italisë tekdo gjendeshin. Në “fletushkën” që i prin katekizmit të Matrëngës, siç thotë prof. Fadil Sulejmani, shihet qartë qëllimi dhe arsyeja pse Matrënga e përktheu shqip katekizmin, si dhe dobia që do të kishte e roli që do të luante ajo vepër ndër arbëreshët e Italisë, si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit: ajo i shërbente kuptimit më të qartë e më të drejtë të mësimeve të fesë, por, njëherazi, duke thënë meshën në gjuhën shqipe, i shërbejnë drejtpërdrejt edhe mbajtjes gjallë të saj.

Gjuha shqipe dhe riti fetar greko-bizantin në diasporën arbëreshe në Itali, qysh prej themelimit të saj e deri sot, kanë paraqitur dy instrumenta të vetidentifikimit dhe të shfaqjes më të dukshme të qenies së arbëreshëve. Lidhur me këtë, besojmë se nuk është e nevojshme të shtojmë gjë tjetër pas atyre që ka shkruar F. Altimari, me të cilin bashkohem plotësisht se “përveç faktorëve shoqërorë dhe kulturorë, edhe faktorët fetarë kanë pasur dhe kanë edhe sot një pjesë përcaktuese në fushën e asimilimit, si dhe në atë të rezistencës kulturore të një etnie të kërcënuar siçështë ajo arbëreshe. Ndërsa, p. sh., në elementin arbëresh të Greqisë, feja greko-ortodokse, e përbashkët për mjedisin helenik kanë ndihmuar në mënyrë të ndjeshme për asimilimin gjuhësor të atyre bashkësive, në Itali, përkundrazi, vihet re se ky ushtrim i fesë, në formën e ritit greko-bizantin, edhe pse në kuadrin e kishës katolike, ka qenë një faktor i rëndësishëm i ruajtjes së gjuhës dhe të identitetit kombëtar shqiptar”. Është bash rasti për të përmendur rolin pararojë që ka luajtur kleri bizantino-arbëresh në luftën shumëshekullore për mbrojtjen e të drejtave të pakicës arbëreshe dhe rëndësinë që kanë pasur në historinë e kulturës shqiptare dy seminaret e lartpërmendura (Kolegji i Shën-Adrianit dhe Seminari i Palermos) në të cilët është formuar një pjesë e mirë e intelegjencës arbëreshe. Në fillim të shekullit tonë, krahas dy seminareve, një rol shumë të rëndësishëm do të luanin edhe dy institucione të tjera: Eparkia e Ungrës (1719), që përfshin bashkësitë arbëreshe të Kalabrisë dhe ajo e Pianës në Sicili (1937), që përfshin bashkësitë arbëreshe të Sicilisë. Që të dyja kanë ndihmuar fuqimisht për të bërë të mundur që mbrojtja e trashëgimisë etnike, shpirtërore dhe gjuhësore e kulturore arbëreshe të kishin një shtysë të re dhe që, pastaj, do të shpinte në përshtatjen e gjuhës shqipe si gjuhë liturgjie në të dy dioqezet, gjë që ishte në përputhje edhe me këshillin ekumenik të Vatikanit II. Prandaj, duhet ta themi me gojën plot se, në plan institucional, Kisha arbëreshe në Itali ka qenë i vetmi “subjekt” që deri më sot ka njohur dhe ka mbrojtur gjuhën shqipe të pakicës arbëreshe. Nuk ka qenë dhe nuk është e rastit që, qysh nga Lekë Matrënga e deri në ditët tona, pjesa më e madhe e klerikëve arbëreshë kanë qenë gjithnjë nismëtarë ose bashkëpunëtorë të çdo lëvizjeje kulturore dhe të çdo veprimtarie për të ruajtur,vlerësuar dhe për të studiuar gjuhën shqipe dhe traditat etnike arbëreshe.

Nuk është e rastit, gjithashtu, që një pjesë e mirë e veprave me vlerë të madhe rreth gjuhës shqipe në Itali janë shkruar e botuar nga priftërinj apo peshkopë arbëreshë, siç janë, p. sh., duke përmendur disa nga ato të dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit tonë: “Fjalori i Arbëreshvet t’ Italisë” (“Dizionario degli Albanesi d’ Italia”) i Atë Emanuel Xhordanos, botuar më 1963; “Gramatika shqipe” (“Grammatica albanese: Parte I”) e Atë Josif Ferrarit, botuar më 1971 dhe “Manuale di lingua albanese -Elementi di morfologia e di sintassi, esericzzi, cenni sui dialetti”, shkruar nga prof. Francçesko Solano dhe botuar më 1972; “Dizionario fraseologico degli Albanesi d’ Italia” (“Fjalor frazeologjik i arbëreshëve të Italisë”), botuar më 1989 nga Atë A. Bellushi, për të mos përmendur këtu, për mungesë kohe, edhe shumë ndihmesa të tjera të të lartpërmendurve dhe të klerikëve të tjerë arbëreshë, si Atë V. Selvaxhit, Atë Xh. Farakos, Atë Xh. Skiro (Sklicës) etj.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për revistat dhe periodikun arbëresh: pjesa më e madhe e tyre janë themeluar e drejtuar nga priftërinj arbëreshë të famullive arbëreshe, si p. sh.: “Zëri i Arbëreshëvet” në Ejaninë nga Atë E. Xhordani, “Zjarri” në Shën-Mitër nga Atë Xh. Farako, “Vatra jonë” dhe pastaj “Lidhja” në qytetin e Kozencës nga Atë A. Bellushi etj. Për të mos e harruar është, gjithashtu, liturgjia në gjuhën shqipe gjatë meshimit të shenjtë, si në kishat e Eparkisë së Ungrës, ashtu edhe në atë të Piana deli Albanezit.

Nga gjithë sa thamë del se në diasporën arbëreshe të Italisë, bashkë me gjuhën shqipe që flasin dhe shkruajnë me aq dashuri, mbrojtja e ritit fetar greko-ortodoks ka qenë dhe është një element i rëndësishëm i vetidentifikimit të arbëreshëve si një etni e veçantë në mjedisin italian: si qytetarë italianë me origjinë, gjuhë dhe besim të ndryshëm prej mjedisit italian.

GJUHA SHQIPE NE SHTYPIN E SOTEM TE ARBERESHVE TE ITALISE

Këta njëzet- tridhjetë vjetët e fundit, në shumë ngulime arbëreshe të Kalabrisë, të Sicilisë dhe të Molizes etj.,janë shtuar e po shtohen radhët e veprimtarëve të kulturës. Falë punës dhe nismave të shmta të tyre vihet re një zgjim i ri, një lëvizje e gjerë mendore, që ka për qëllim mbrojtjen, vlerësimin dhe njohjen e gjuhës shqipe e të traditave të vyera që arbëreshët i kanë ruajtur të gjalla për më se pesë shekuj. Në këtë “rilindje” të dytë të arbëreshëve të Italisë marrin pjesë një numër përherë e më i madh intelektualësh të sferavet të ndryshme: mësues, klerikë, gazetarë, publicistë, poetë e rapsodë popullorë, këngëtarë e kompozitorë, artistë estudiues të profilizuar, veprimtarë të ndryshëm shoqërorë e drejtues të bashkive dhe të shoqatave a rretheve kulturore, grupe folklorike dhe teatro amatore etj. Të gjithë, në mënyrën e vet, herë spontanisht, herë edhe me një farë bashkërendimi e në kuadër më të gjerë deri panarbëresh, përpiqen jo vetëm për t’ i mbrojtur e shpëtuar gjuhën e kulturën e tyreamtare, po edhe për t’ i lëvruar e pasuruar ato më tej, në hullitë e reja bashkëkohore, me njohje e takime sa më të gjera edhe me gjuhën letrare shqipe të sotme dhe me kulturën më të re shqiptare që zhvillohet brenda në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, si edhe kudo në diasporën e moçme e të re shqiptare. Kjo lëvizje e gjerë gjuhësore dhe etnokulturore e shoqërore zhvillohet kudo: në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë së Epërme e të Poshtme, në anët e Katanxaros e të Potencës, ashtu edhe në Sicili, në ngulimet arbëreshe të Kampobasos etj. Ja si e thotë këtë një poet i sotëm arbëresh nga Piana deli Albanezi: “Çdo katund o çdo horë arbëreshe kërkon të bëjë o bën diçka për ringjalljen e vet: këtu njëherë u bë shkolla arbëreshe, këtje kanë një grup folklorik; këtu kanë një poet, këtje kanë njëqë mbledh përrallëza, këtu shkruajnë arbërisht vetëm dy vetë, këtje e njohin më shumë gjuhën…Kudo mbahet e ndezur një flakë e vogël. E një flakë e vogël disa herë mund të ndezë njëzjarr të madh…Ne nuk jemi arbëreshë të vegjël (ka shumë arbëreshë të vegjël!!!), ne jemi arbëreshë të Mëdhenj, me sy lrgpamës për ringjalljen tonë”. Në gji të kësaj lëvizjeje të re mendore, letrare, shkencore e kulturore e shoqërore dhe si tribuna të saj, prej vitesh janë themeluar edhe disa organe të shtypit arbëresh, kryesisht revista e të përkohshme me profil të përgjithshëm shoqëror e kulturor, të cilat dalin herë me shtyp të lartë, herë me shaptilografim apo në formë fletorëzash të ciklostiluara, herë në trajtën e të përkohshmeve të rregullta, herë si numra unikë, vartësisht nga mundësitë dhe mjetet që kanë në dorë drejtuesit e tyre. E rëndësishme është që ato dalin dhe bëjnë një sherbim të çmueshëm për ruajtjen e gjuhës e të kulturës arbëreshe, për t’ i nxitur arbëreshët që ta mbajnë edhe më tej të gjallë e ta shprehin më me forcë arbëreshësinë. Siç thotë një publicist i njohur arbëresh: “Mjetet që pati Gutembergu nuk i kemi e ashtu vemi përpara si kemi vatur, duke shpresuar se edhe kështu të lëmë dëshmi e të sjellim mesazhin se arbëreshët janë akoma të gjallë e se mirë o lig gjuha shqipe flitet, se mirë o lig rritet ndjenja e qenies dhe e vetëdijes arbëreshe e jo vetëm, por edhe se kultura jonë është e lidhur me kulturën shqiptare (të djeshme e të sotme) e se, pa lidhje me atë kulturë shqiptare jemi të varfër. Kultura jonë arbëreshe e kultura shqiptare na japin mundësinë të plotësojmë të qenët tonë të veçantë (particolare) këtu në Itali”.

Në vijë kronologjike organet e shtypit të sotëm arbëresh rreshtohen si vijon: më 1963 nisi të botohej në Shën-Benedikt Ullano revista “Zgjimi” (“Risveglio”) nën drejtimin e Albin Grekos. Disa vjet më vonë në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë filluan të dalin edhe tri revista të tjera, që, shpejt, do të bëheshin shumë të njohura: më 1970 nisi udhën “Zjarri” (“Il fuoco”), në Shën-Mitër Koronë, nën drejtimin e Atë Xhuzepe Farakos; po atë vit (1970) nisi të dilte “Katundi ynë” në Çift (Çivita) nën drejtimin e Demetrio Emanueles dhe , më 1972, në Ejaninë, filloi të dilte “Zëri i Arbëreshvet” nën drejtimin e Atë Emanuel Xhordanos. Në vitin 1976 në Frasnitë (Frascineto) doli edhe një numër i revistës “Vija”, nën drejtimin e Atë Françesko Solanos, që qe konceptuar si një e përkohshme letrare e “Rrethit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëreshë”, porse ajo nuk pati jetë më tej. Me sa dimë nuk ka dalë numër tjetër i saj.

Në të njëjtën hulli e me synime tëngjashme punojnë edhe veprimtarët e ngulimeve të tjera arbëreshe. Në Sicili, në Horën e Arbëreshëve, më 1972 doli numri i parë i revistës “Lajmëtari i Arbëreshëve”, nën drejtimin e poetit dhe arsimtarit Xhuzepe Skiro di Modika (Giuseppe Schiro di Modica). Më 1975 filloi të dalë po atje “Mondo Albanese”, nën drejtimine poetit dhe dramaturgut Xhuzepe Skiro di Maxho (Giuseppe Schiro di Maggio). Nga fillimi i vitit 1987 pat filluar të dalë në Horë edhe një e përkohshme tjetër “Pranvera” nën drejtimin e Mateo Mandala-së, por nuk pati jetë të gjatë. Për shumë vjet në Horë ka vijuar të dalë vetëm “Mondo Albanese”, e cila, pa dyshim, ndonëse me një tipografi modeste (në shaptilografim) ka pasur një përhapje shumë të gjerë ndër arbëreshët e në botë dhe ka dhënë një ndihmesë jashtëzakonishttë madhe për kulturën e letërsinë arbëreshe e për lidhjet kulturore e miqësore shqiptaro-arbëreshe e më gjerë.

Nga revistat më tëreja, por që ka dalë e po del rregullisht, duke pasur edhe ajo një njohje përherë e më të gjerë jo vetëm në Itali po edhe në botë, është “Lidhja” (L’ Unione), që filloi të nxjerrë në qytetin e Kozencës Atë Antonio Bellushi. Po në qytetin e Kozencës dhe me mëtime për një rrezatim panarbëresh, nga fundi i viteve ’80 pat filluar tëdalë edhe revista “Rilindja Arbëreshe”, organ i Lidhjes Italiane për Mbrojtjen e Pakicës Arbëreshe. Me sa dimë prej saj kanë dalë vetëm nja dy numra, pastaj është ndërprerë.

Përmendëm këtu vetëm revistat a të përkohshmet arbëreshe më të njohura e që dalin më rregullisht, po edhe që janë shquar më tepër si tribuna të mendimit e të nismave përparimtare të studiuesve e të lëvruesve të gjuhës shqipe, të veprimtarëve arsimorë e kulturorë, të mbledhësve të materialeve me vlera gjuhësore e folklorike nga goja e popullit. Mund të thuhet se shtypi i sotëm arbëresh, në përgjithësi, ecën në hullinë e mbarë të shtypit përparmtar të Rilindjes, që pat themeluar De Rada, së pari, me “L’Albanese d’ Italia” (“Shqiptari i Italisë”), pastaj me “Fjamuri i Arbërit”, organi më jetëgjatë i shtypit arbëresh. Ashtu si në kohën e Rilindjes edhe në revistat arbëreshe të kohës sonë pasqyrohen gjerësisht përpjekjet dhe nismat e shumta për mësimin e gjuhës amtare në shkollat arbëreshe me program të rregullt, ashtu siç janë zhvilluar disa herë në ngulimet arbëreshe të “Comunità montana” në Kalabri, në Katanxaro dhe në Kuntisë (Contessa Entellina) të Sicilisë. Lidhur me mësimin e gjuhës shqipe në ngulimet arbëreshe, qoftë me anë kursesh të shkurtra, qoftë me synimin më largvajtës për ta vënë si lëndë mësimi në shkollë, parashtrohen gjerë kërkesat e hapat që janë bërë, si dhe mundësitë që ekzistojnë, qoftë në kuadrin krahinor, qoftë edhe në rrafsh më të gjerë kushtetues. Na duket me interes që të përmendim këtu disa nga arritjet dhe drejtimet më të rëndësishme të shtypit të sotëm arbëresh lidhur me gjuhën shqipe.

1.Të përkohshmet arbëreshe, pavarësisht nga profilet e ndryshme që kanë, ku më shumë e ku më pak, (vartësisht nga prirjet, formimi kulturor e drejtimet ideologjike të drejtuesve të tyre, si dhe nga “klima” kulturore e mjediseve përkatëse të ngulimeve ku ato dalin) i kanë dhënë e i japin rëndësi të veçantë gjuhës shqipe, duke e parë e trajtuar atë me përparësinë që i përket një problemi thelbësor për jetën e komunitetit arbëresh. Publicistët dhe shkrimtarët më në zë të diasporës arbëreshe, në shkrimet që botojnë në organet e shtypit arbëresh, theksojnë se “Pa gjuhën e vet amtare një popull nuk ka rëndësi në kontekstin e qytetërimit”.

Po të shfletojmë koleksionet e revistave që përmendëm më lart, na bie në sy fakti që, në faqet e tyre, kryeartikujt dhe artikujt problemorë më të shpeshë e më me peshë janë ata që i kushtohen gjuhës. Ato mbështesin përpjekjet dhe punën që bëjnë shumë veprimtarë shoqërorë, arsimtarë, priftërinj etj. për të arritur që gjuha e tyre amtare të përvlerësohet e të konsiderohet si pjesë përbërëse themeloree një kulture akoma të gjallë, si mjet që, po të ushtrohet e të mësohet në shkollat e ngulimeve arbëreshe krahas italishtes, mund të shërbejë për të formuar shkollarë arbëreshë me një personalitet më të plotë. Mund të thuhet se shtypi i sotëm arbëresh ka qenë dhe vijon të jetë tribunë e gjallë për të gjitha ata veprimtarë shoqërorë, klerikë, mësues, profesorë të universiteteve apo studiues të qendrave albanologjike nëpër universitetet itliane apo nëpër ngulimet arbëreshe që kanë dashur t’ i dalin zot gjuhës shqipe e kulturës arbëreshe në përgjithësi. Për më tepër, duhet theksuar se, vetë drejtuesit dhe bashkëpunëtorët kryesorë të organeve të përmendura vijnë nga radhët e veprimtarëve kulturorë arbëreshë. Ata janë, shumica, arsimtarë, klerikë, studiues, gazetarë dhe publicistë demokratë. Shumë i dukshëm ka qenë në revistat arbëreshe roli i profesoratit arbëresh të katedrave albanologjike të Kozencës (F. Solano. F. Altimari, G. Bellushio), të Palermos (A. Guzzetta, M. Mandala), të Napolti (I. C. Fortino).

Të shumta janë në revistat arbërese edhe shënimet, njoftimet e kronikat kushtuar diskutimeve e debateve, kuvendeve a kongreseve për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat arbëreshe. Kështu, emrat e mësueseve dhe veprimtareve të dalluara Xhuzepina Kuçia Lo Jakono dhe Guarino Tomasa in Çilufo nga Kuntisa e Sicilisë i gjen aq dendur në faqet e “Mondo Albanese”, ashtu siç gjen te “Zjarri” artikujt dhe sprovat didaktike për mësimin e shqipes në kantonin kozentin , nga mësues si Françeko Fuska, Xh. Marano; siç gjen artikujt e mësueses Roza Bruno dhe të anëtarëve të tjerë të AIADI-i në revistën “Zëri i Arbëreshëve”. Një bashkëpunim të gjerë me mësues e profesorë të gjuhës shqipe ka edhe revista “Katundi ynë”. Aty, ndër të tjerë, kanë shkruar shpesh I. C. Fortino, E. Mirako, V. Golleti Bafa, K. Zukaro, D. Mazeo, S. Maiorana etj. Mund të përmendim, sidomos, rubrikën e vijueshme “Restauri linguistici” që kanë mbajtur ër shumë numra radhazi prof. I. C. Fortino dhe mësuesi Elio Mirako. Shumë artikuj e studime për të folmet arbëreshe janë botuar në revistat “Zëri i Arbëreshëve” dhe “Zjarri”. Madje, mund të thuhet se , me kalimin e kohës. revista “Zjarri” ka ardhur duke u profilizuar pothuajse kryesisht për kërkime shkencore albanologjike, duke u shtuar faqeve të mirëfillta të saj, edhe kolanën shumë interesante “Rradhonjtë e Zjarrit”. Aty, deri tashti, janë botuar një numër i mirë veprash me rëndësi për të folmet dhe për filologjinë arbëreshe, si dhe vepra letrare etj. Le të përmendim, më konkretisht, disa nga ndihmesat dhe punimet e botuara në shtypin arbëresh rreth të folmeve arbëreshe apoproblemit të gjuhës në përgjithësi, duke bërë, me këtë rast, edhe disa rubrikime e përgjithësime:

a)Probleme të mësimit të shqipes në shkollat e ngulimeve arbëreshe

Të dendur kanë qenë në shtypin arbëresh artikujt, studimet që mbështesin dheargumentojnë kërkesat e kahershme dhe të sotme të arbëreshëve për ta mësuar ggjuhën shqipe në shkollë e me program të regullt, krahas italishtes. Gati në të gjitha revistat arbëreshe ka pasur kryeartikuj e artikuj problemorë si dhe mendime të kualifikuara të profesoratit arbëresh e më gjerë, që rreken të argumentojnë se në mjedisin familjar dhe shoqëror të ngulimeve arbëreshe (në shtëpi,në gjitoni, në udhë e në sheshë) flitet gjithnjë vetëm shqip, prandaj rezulton që shumica e fëmijëve deri në moshën shkollore janë njëgjuhës: vetëm albanofonë. F. Altimari për ngulime arbëreshe të Kozencës ka theksuar se “pothuajse dy në çdo tre fëmijë me amësi arbëreshe arrijnë në moshën shkollore pa e ditur gjuhën italiane” . Të dhëna të ngjashme japin edhe studimet e bëra për ngulime të tjera arbëreshe të kalabrisë e të Sicilisë, të cilat na bindin për një mospërputhje të gjuhës së familjes e të krejt mjedisit tradicional arbëresh, vetëm albanofon, dhe të shkollës , vetëm në italisht.

Shumë qartë dhe duke shprehur zërin e mbarë kësaj mase të gjerë arsimtarësh e studiuesish, F. Solano, një nga emrat më në zë të profesoratit arbëresh në Itali, në një artikull te “Zjarri” thekson: “… i vetmi mjet pozitiv kundër asimilimit dhe zhdukjes sonë nëdetin e elementit italian që na rrethon është mësimi i gjuhës shqipe: që çdo arbëresh të bëhet një dygjuhës i përsosur. Krahas gjuhës dhe kulturës italiane ai duhet të zotërojë në masë e nivel të barabartë edhe gjuhën shqipe e kulturën shqiptare”. Shumë artikuj të botuar në shtypin arbëresh nga F. solano, F. Altimari, K. Kandreva, K. Stamile, F. Fuska, G. Korteze, G. Marano, R. Bruno, S. Maiorana etj. flasin për traumën e vërtetë psikike që pëson fëmija arbëresh albanofon kur, në moshën enjomë prej 6 ose 7 vjetësh, nga mjedisi i tij njëgjuhës shqipfolës, kalon në atë shkollor ku vihet mënjëherë në detyrimin për të përdorur vetëm italishten dhe pa asnjë përgatitje paraprake dhe pa e ditur atë gjuhë. Sipas mësuesit dhe publicistit F. Fuska kjo përbën “një paradoks pedagogjik, në kuptimin që për të përshpejtuar përdorimin e italishtes në nivelet më të larta shprehëse, shtrohet si domosdoshmëri kultivimi i saj me një intensitet të tillë që injoron tërësisht kushtet gjuhësore të bazës”.

Mësuesit dhe pedagogët arbëreshë sjellin edhe shumë shembuj që tregojnë se nxënësit e klasës së parë kur shprehem në shqip arrijnë t’ i dallojnë qartë objektet e paraqitura në tablotë e kartelave murore të klasës, që përfaqësojnë diellin, hënën, ujin etj., ndërsa, kur atyre u kërkohet kjo në italisht, atëherë ata i ngatërrojnë me njëra-tjetrën, “sepse arbëreshi në strukturën psikologjike pranë figurës së diellit nuk pret një fjalë që nis me shkronjën /s/ (=it. sole), por një fjalë që nis me /d/ (=diell). Dhe kjo edhe për shkronja të tjera”.

b) Artikuj dhe studime të mirëfillta gjuhësore
Në radhë të parë janë për t’ u përmendur një numër trajtesash kushtuar përshkrimit të disa të folmeve më interesante të diasporës arbëreshe si dhe sprova për ravijëzimin e paraqitjen përgjithësuese të tipareve karakterizuese të mbarë të folmeve arbëreshe të Italisë. Pas sprovës për një klasifikim e tiparezim të të folmeve arbëreshe që na jep E. Xhordano në studimin e tij “Le parlate degli Italo-albanesi” (“Të folmet e arbëreshëve të Italisë) , një numër i mirë artikujsh dhe studimesh dialektologjike u botuan në faqet e revistës “Zjarri” e në kolanën “Rradhonjtë e Zjarrit” në formë fashikujsh të veçantë.

Vendin kryesor e zënë aty studimet e vetë studiuesve arbëreshë të kantonit kozentin, siç janë ato për të folmen e Plataçit e të Shën-Vasilit , për të folmen e Fermës dhe, sidomos, studimi përgjithësues përmbi krejt të folmet arbëreshe në Itali, që përbën të parën sprovë serioze për një klasifikim shkencor të tyre mbi bazën e dukurive fonetike, shoqëruar edhe me izoglosat përkatëse të një numri hartash gjuhësore. Nga ndihmesat më të reja në lëmin e dialektologjisë janë për t’ u përmendur studimi i F. Altimarit kushtuar sistemit fonetik e fonologjik të të folmes së Maqit dhe i L. Savoia-s për të folmebn e Shën-Marcanos. Me interes janë edhe artikuj të tjerë të botuar në “Zjarri” rreth marrëdhënieve të të folmeve arbëreshe me italishten, sidomos rreth ndikimit e depërtimit të elementit kalabrez në arbërishten si dhe për dukuri të tjera.

Një vend të mirë në të përkohshmet arbëreshe (“Zjarri”, “Mondo Albanese”, “Lidhja”) zë edhe botimi i studimeve dhe i artikujve filologjikë nga studiues shqiptarë, sidomos ato me tematikë nga të folmet arbëreshe të Italisë, si p. sh. nga E. Çabej , J. Gjinari , M. Domi , M. Totoni, Gj. Shkurtaj . Në “Mondo Albanese” është zbatuar gjerë edhe ribotimi i artikujve gjuhësorë të autorëve shqiptarë që kanë qenë botuar në “Gjuha jonë” etj.. Kjo praktikë, përveç vlerave mirëfilli shkencore, shërben për veprimtarët arbëreshë edhe si një nxitje e ndjenjës së krenarisë kombëtare; ata bëjnë që lexuesi arbëresh “të mësojë se gjuha që flet ai, në variantin letrar, sot ka dinjitet të madh botëror e se bën mirë të krenohet e të mbajë të gjallë edhe arbërishten në katundin e tij”. Një fushë me interes në botimet në shtypin arbëresh përbëjnë edhe kërkimet rreth leksikut dialektor të arbërishtes. Mund të përmendim, sidomos, studimesi “Huazimet italiane tek Variboba” nga I. K. Fortino , si dhe rubrikat e fjalës së rrallë arbëreshe, sipas fushave të ndryshme tematike, që botohen në “Zjarri”, “Zëri i Arbëreshëvet”, “Lidhja” etj. Në këtë lëmë përfshihet edhe “Fjalori arbërisht- italisht” i hartuar nga S. Prençi që botohet me vijime në “Mondo Albanese”.

c) Probleme të kulturës së gjuhës
Në ndonjë nga revistat arbëreshe, si p. sh., në “Mondo Albanese”, herë pas here janë trajtuar edhe çështje të kulturës së gjuhës, artikuj për pastrimin e gjuhës nga fjalët e huaja të panevojshme ose kundër ndikimeve të dëmshme në strukturën sintaksore të shqipes etj. P. sh. në rubrikën “Si flasim… si duhet të flasim?” të “Mondo Albanese”, Atë Gjergj Skiroi Sklica, ka shkruar artikuj tëashpër kritikë kundër përdorimit të italianizmave të panevojshme në të folmen e Horës së arbëreshëve. Ai thotë, ndër të tjera: “Me të madhe qetësi përdoren fjalë të huaja si të ishin arbëreshe…shërbesi çë më shumë mërzit isht kur gjegj gjinde që njohjen fjalën arbëreshe, por thonë fjalën lëtire, p. sh., thonë rispundir në vend të përgjegjem, nkuntrar në vend të përpjek, rimproverar në vend të kjertonj fjalë arbëreshe që thuhen edhe sot”.

Një vend të veçantë në këtë kuadër i jepet në shtypin e sotëm arbëresh formimit të një mendimi sa më të përgjithshëm për nevojën e zbatimit të gjuhës letrare shqipe nga arbëreshët. Di Maxho, Kjaramonte, Xhordano, Korteze etj. theksojnë: “Të evitojmë në takimet tona polemikat e panevojshme për tipin e gjuhës që duhet të mësojmë në shkollë: arbërisht apo gjuhën letrare shqipe. Ai është një diskutim bizantin, që na largon nga synimet tona. Ne duam që gjuha arbëreshe, gjuha jonë amtare të mbijetojë, që shkrimtarët arbëreshë të jenë të njohur e të lexuar, që kultura jonë aq e pasur të mos ketë rrezikim”. Nga dita në ditë veprimtarët arbëreshë po e kuptojnë se për ta shpëtuar gjuhën e tyre është e nevojshme të zgjohet vetëdija e masës së arbëreshëve kudo që gjenden: “Gjuha dhe traditat tona nuk mund të ruhen vetëm nga lëvruesit, por nga e gjithë popullsia arbëreshe. Kjo, nën drejtimin e lëvruesve, duhet të bëhet e vetëdijshme për identitetin e vet: ta studiojë, ta analizojë, ta shtojë dhe ta mbrojë…Gjuha shqipe duhet të futet e të mësohet në çdo shkollë të mesme të katundeve arbëreshe”. Edhe mëqartë shprehet ky koncept në disa nga kryeartikujt e revistës “Mondo Albanese”, ku, duke i mëshuar mendimit të drejtë se “gjuha ruhet atje ku shkruhet”, Di Maxho thekson: “Njerëzit e redaksisë sonë “Mondo Albanese” dinë të gjithë të shkruajnë arbërisht të qëruar… e disa shkruajnë drejtpërdrejt shqip, një shqipe të bukur, si për shembull Mateo Grifo. Prandaj problemi në duhet të shkruajmë arbërisht o shqip ngë ekziston: e rëndësishmja ë të shkruash arbërisht për arbëreshët (e katundit tënd) e shqip për gjithë shqiptarët e botës. E pra, jec e mëso gjuhën e çdo katundi arbëresh! Mëso atëherë drejtpërdrejt shqip”.

c) Artikuj e të dhëna për historinë e albanologjisë
Nëpër faqet e shtypit të sotëm arbëresh gjejmë jo pak shënime, të dhëna, dokumente e artikuj, dorëshkrime etj. me vlerë për njohjen e veprimtariës dhe të interesave shkencore e kulturore të disa prej personaliteteve të shquara të kulturës arbëreshe e shqiptare. Pa qenë e mundur të japim këtu tregues të plotë të kësaj tematike, po përmendim vetëm disa shembuj. Ka aty jetëshkrime e artikuj përkujtimorë për burra të shquar arbëreshë, letërkëmbime të tyre me personalitete shqiptare e me albanologë të huaj të kohës, si p. sh., midis Dh. Kamardës me Th. Mitkon (“Mondo Albanese”, 1984, nr. 41), i De Radës me G. Majerin (“Zjarri”,1980, nr. 27); një letër e panjohur e Pal Skiroit (1866-1941) me të cilën kërkohen të dhëna për K. Kristoforidhin (“Mondo Albanese”, nr. 43); shënimet dhe të dhënat interesante nga veprimtaria e hershme kërkimore që E. Çabejt për studimin e të folmeve arbëreshe të Sicilisë, që botoi Gj. Skiro Sklica (“Mondo albanese”,1984, nr. 40) etj.

d) Recensione e njoftime për botimet gjuhësore
Një vend të mirë në shtypin arbëresh zënë shënimet, njoftimet, recensionet e kritikat përmbi botimet e reja në fushën e studimeve filologjike e përgjithësisht të letërsisë, të historisë e të kulturës shqiptare. Në këtë kuadër aty u është bërë vend me përparësi njoftimeve për botimet gjuhësore më të rëndësishme që kanë dalë në Shqipëri, siç janë “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme shqipe” (1976), “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe” e “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”, fjalorët terminologjikë, fjalorët dygjuhësh si ai italisht-shqip etj. Me parapëlqim jepen në shtypin e sotëm arbëresh njoftime për librat dhe studimet e autorëve shqiptarë kushtuar arbëreshëve, historisë, gjuhës dhe kulturëssë tyre, siç janë, ndër të tjera, monografitë “Romantizmi arbëresh” , “Shqiptarët ghe Garibaldi”, “De Rada – jeta dhe vepra”, “Shpirti i arbërit rron”, “Larg dhe afër” etj., libra përtë cilët ka pasur recensione e ribotim kapitujsh të tyre gati në të gjitha organet e shtypit arbëresh e , sidomos, në “Mondo albanese”, “Zjarri”, “Lidhja”.

Si përfundim, mund të thuhet se të gjitha këto rubrika, në tërësinë e tyre, si me shtjellimet e argumentimet, ashtu edhe me lëndën e pasur që sjellin, tregojnë më së miri për atë gjallëri e shtysë të re që ka marrë sot lëvizja kulturore dhe shkencore në diasporën shqiptare. Njohja e ndihmesave dhe botimeve filologjike, qoftë në faqet e shtypit arbëresh, qoftë në forma të tjera botimi, paraqitet me interes shkencor e kulturor. Në këtë krye, sigurisht, u bë vetëm një sprovë modeste për një vlerësim paraprak, por që mbetet, gjithsesi, për t’ u thelluar në të ardhshmen.

Rreshta të mbarë gazetës “Agon”!

nga Prof. Gjovalin Shkurtaj

Gazetaria në kohën tonë, si kudo në botën moderne, edhe ndër ne është bërë pjesë jetike e kulturës dhe përgjithësisht e ecurisë së shoqërisë.Mediat e shkruara dhe të folura kanë pasur e kanë ndikimim të madh, madje kryesor, në rrjedhat e zhvillimit e të përparimit të çdo vendi, prandaj edhe vlerësimi ynë qysh herët ka qenë dhe mbetet i njëjtë: fjala e gazetarëve dhe e mediave në përgjithësi përbën modelin e të shkruarit dhe të folurit dhe, pikërisht për këtë arsye, më se një herë kemi theksuar se gazetarët kanë detyrë që, krahas asaj çfarë thonë, që lidhet me mjeshtërinë e tyre mirëfilli si gazetarë, kanë përgjegjësi të lartë qytetare dhe kombëtare edhe për mënyrën se si e thonë, sepse fjala e shkruar në gazeta e revista, bashkë me fjalën e thënë nëpërmjet të folurit në mediat elektronike përbëjnë shembullin më të fuqishëm e modelin më të ndjekur të gjuhës së një kombi.Shumëkush, pasi mbaron shkollën e mesme, rrallë e tek lexon letërsi artistike, por shtypin e lexojnë çdo ditë, gazetën dhe informacionet e shtypit të shkruar i ndjekin të gjithë, radiot dhe televizionet ndiqen masivisht nga të mëdhenj e të vegjël. Kjo ka qenë edhe baza që më ka nxitur të pohoj e ta përsëris shpesh se ne kemi punuar e duhet të vijojmë gjithnjë të përgatisim mësues të mirë të gjuhës shqipe dhe përgjithësisht edukatorë e arsimtarë, por nëse nuk kujdesemi për përgatitjen gjuhësore dhe kulturore të gazetarëve, nëse nuk bëjmë kujdes që folësit e radiove e të televizioneve të shqiptojnë qartë e bukur, nëse artikujt e gazetave i botojmë të shkruar dosido, pa i korrektuar e redaktuar me kujdes, mjaft që të mbushim faqet, atëherë do t’i bëjmë dëm shumë të madh jo vetëm gazetarisë në kuptimin e ngushtë, por edhe krejt kulturës kombëtare e sidomos kulturës së gjuhës shqipe. Kam shkruar shpesh për gjuhën e mediave, kam bërë vlerësime dhe kritika, por kurdoherë kam pasur synimin që të përmirësojmë cilësinë e të shkruarit, të zbatojmë drejtshkrimin e njësuar, të mënjanojmë fjalët e huaja të panevojshme, të çelim shtigje të reja për prurjet më të mira nga pasuria e të folurit të shqipes, t’u prijmë mediave dhe gazetarisë së shkruar në lëmijet e etnografisë së të folurit shqiptarisht, pa sharje e fjalë të ndyra, pa fjalor të rënduar e mërindjellës, pa shfrime të tepruara e vulgare që cënojnë etikën dhe traditën e të shkruarit e të të folurit të shqipes.
Vite më parë, kur z.Frrok Çupi ishte drejtor i ATSH-së, më ka ftuar të mbaja leksione me redaktorët, përkthyesit dhe punonjësit e atij institucioni dhe kjo ka qenë një punë e vyer, një përvojë që duhet ndjekur edhe nga redaksitë e gazetave e të revistave, nga televizionet dhe radiot publike e private. Kam dëgjuar se në disa prej gazetave dhe ndonjë revistë kanë reaguar pozitivisht ndaj vërejtjeve të gjuhëtarëve dhe kanë përfshirë në organikat e tyre edhe korrektorë letrarë, gjë që ka dhënë e do të japë edhe më tej frytet e veta. Jam i bindur se këtë do ta bëjë edhe gazeta “Agon”, sepse pa shtuar kujdesin dhe punën konkrete për njohjen e gjuhës shqipe gazetaria nuk mund ta kryejë funksionin e vet modeldhënës që i takon. Gjithçka është privatizuar ose drejt privatizimit ndër ne, ashtu si gjetkë në demokracitë perëndimore e më gjerë, por gjuha nuk do të privatizohet kurrë. Shqipja, gjuha jonë e bukur dhe e lashtë, do të jetë kurdoherë mjet i të gjithë shqiptarëve, ajo ka qenë, është e do të jetë kurdoherë “pronë e përbashkët” e të gjithë shqiptarëve, shenjë e bashkarisë shpirtërore e kulturore të kombit tonë, dukuria më spikatëse e të qenit shqiptar. Kjo është arsyeja pse duhet ta vlerësojmë, ta ruajmë dhe mbi të gjitha ta duam shqipen, gjuhën tonë të shenjtëruar siç e quanin Rilindasit tanë mendjendritur.

Uroj me gjithë zemër që gazeta e re “Agon”, jo vetëm të ketë hapësira të nevojshme edhe për problemet e shqipes, por edhe të japë shembullin e mirë për kujdes e vlerësim të zbatimit të normës letrare, për luftën kundër fjalëve të huaja të panevojshme, për tëhollimin dhe mëtimet drejt një paraqitjeje gjuhësore të atillë siç e kërkojnë koha jonë dhe përparimi i kulturës sonë kombëtare. Jam i bindur se z.Çupi dhe ekipi i tij drejtues i gazetës “Agon”, në faqet e kësaj gazete të re do të na japin edhe një mënyrë të re të qëndrimit ndaj gjuhës shqipe, do të kenë në përbërje edhe figurën e korrektorit gjuhësor, që aq shumë është lënë në harresë gjatë këtyre viteve të tranzicionit në shtypin shqiptar. Uroj që, gjithashtu, edhe gazetat e revistat e tjera shqiptare, kërkesat për gjuhë të pastër, të lëmuar e të përpunuar t’i zbatojnë me të njëjtin përkushtim që synojnë lajmin e informacionin përkatës. Në një nga kanalet televizive reklamohet me krenari “Lajmi jemi ne”. Mendoj se në të gjitha organet e shtypit duhet të zotërojë synimi për të pohuar e faktuar se gjuha e shtypit shqiptar është gjuha e shkruar që mund të merret si model nga të gjithë lexuesit e tyre. Kështu, natyrisht, do të agojë edhe dita kur gjuhëtarët dhe dashamirësit e shqipes nuk do te cilësohen me ironi si “gardianë”, por do të vlerësohen me nderimin dhe cilësimin dashamirës që u takon, si ruajtës e kujdestarë të tiparit më të rëndësishëm përbashkues të kombit tonë.Në shumë vende të qytetëruara të botës, si p.sh. në Danimarkë, gjuhëtarët nderohen e vlerësohen si figurat më të lavdishme të kombit dhe shtatoret e tyre i gjen në vende publike krahas burrave mw të shquar të vendit. Tek ne, për fat të keq, sikur të mos mjaftonte pagesa modeste dhe pensionet gati qesharake që marrin professorët e gjuhës shqipe, nuk mungojnë edhe asi kalemxhinjsh që i shajnë dhe i etiketojnë me cinizëm
si “gardianë” dhe me paturpësi dalin hapur kundër shqipes së njësuar, paçka se nuk kanë as përgatitjen as atributet që duhen për t.u marrë me probleme të tilla të rendësishme të gjuhësisë dhe të kulturës shqiptare siç ka qenë dhe mbetet krijimi i gjuhës së përbashkët zyrtare.

Ndre Mjedja, poeti i ëmbël që ishte edhe një gjuhëtar meritor, në kohën e vet, në vjershën e tij të famshme “Gjuha shqype” qe ngritur me forcë kundër atyre që nxirnin pengesa për bashkimin e shqiptarëve duke mbivlerësuar dallimet dialektore për të penguar bashkimin e njësimin e shqipes së shkruar.

“Qoftë mallkue kush qet ngatërrime
Ndër këta vëllazën shoq me shoq
Kush e ndan me fjalë e shkrime
çka natyra vetë përpoq”.

Vjersha e Mjedës, si dhe mjaft simotra të saj në shkrimtarinë e Naimit, Fishtës, Filip Shirokës etj., me përmbajtjen e frymën e tyre kombëtare mbeten aktuale dhe të vlefshme edhe sot, kundër disa kalemxhinjve që, vijojnë ta vajtojnë për zgjidhje të tjera të standardit e kundër gjuhës shqipe të njësuar, duke ngritur tym pa nevojë e duke ndjekur avzazin ndonëse tashmë krejt anakronik e bajat të “ristandardizimit të shqipes”.I zëntë të githë mallkimi i Mjedës dhe i vraftë buka siç do të thoshte Fishta për ata antishqiptarë që duan t’i ndajnë shqiptarët sipas vijave të shovinistëve serbomëdhenj: ”allbanci” (shqiptarë të Shqipërisë) dhe “shiftari” (shqiptarë të Kosovës).

Ideja jonë ka qenë dhe mbetet e patundur se, edhe në epokën e sotme të evropianizimit dhe të botërorizimit të thellë kulturor dhe gjuhësor, pavarësisht nga domosdoshmëria për të mësuar sa më mirë e sa më gjerë anglishten dhe gjuhë të tjera të BE-së, do të mbetet kurdoherë hapësirë e gjerë dhe për gjuhët kombëtare të popujve të ndryshëm, pra edhe për shqipen e folur dhe të shkruar. Mëtimi ynë, natyrisht, në kuadrin sociolinguistik mbështet në rrethanën e padyshimtë se standardizimi dhe ushtrimi sa më i gjerë i shqipes së shkruar mbetet faktori kryesor që i shërben mbijetesës së gjuhëve kombëtare. Parimi im mbarë i shkrimtarisë dhe i gazetarisë së çdo kombi është ai që ndjek hullinë e mbarë të vijës nga dialekti te gjuha e përbashkët standarde dhe jo e kundërta. Dialektet janë pjesë e gjuhës së një kombi, ato kanë pasur më shumë hapësirë në kohët e vjetra, në përiudhat kur nuk kishte as shtet të përbashkët, as instituciuone shtetërore e kulturore të atilla që t’i prijnë zhvillimit të njësishëm e sa më unitar. Në kohët e reja, dialektet mbeten dhe do të përdoren edhe për shumë e shumë kohë krahas gjuhës standarde, krahas gjuhës së njësuar zyrtare, për funksione më pak zyrtare dhe sidomos për arsye artistike e folklorike, si dhe si ngjyresë e krahinave të caktuara, porse rolin kryesor në jëtën e vendit e marrin standardi dhe variantet nënstandarde, që lindin e zhvillohen krahas tij.

“Concordia parve res crescunt, discordia maxime dilabuntur” kanë thënë qysh së lashti latinët e mençur. Kurrë më shumë sesa sot nuk kemi pasur nevojë për bashkim shpirtëror e kombëtar ne shqiptarët, kur kombin vijojmë ta kemi me një gjuhë të përbashkët, por të ndarë me kufij shtetërorë, kur ende dikush paguhet për të shkruar e folur kundër gjuhës së njësuar zyrtare, kur ende nuk mungojë asish që nxisin me shkrime e fjalime për t’u kthyer mbrapa në kohë e në mendësitë tashmë fatmirësisht të kapërcyera. Dhe, përsëri, në mbyllje po i drejtohemi një strofe të Ndre Mjedës, të cilën e harrojnë enkas disa:

“Geg’ e Toskë, Malci Jallia
janë nji komb, m’u da s’duron,
Fund e maje nji asht Shqypnia
E nji gjuhë të gjithve na bashkon!”

Rreshta të mbarë gazetës “Agon”!
Tirane, 9 Shtator 2007

Në c’nivel është gjuha shqipe sot?

nga Prof. Gjovalin Shkurtaj

Gjuha shqipe pasqyron zhvillimin historik të derisotëm të shoqërisë shqiptare dhe, natyrisht, më së pari vjen pohimi se ka pasur përparim dhe ecuri të atilla që na gëzojnë. Sot shqiptarët kanë gjuhën e vet të njëjtë e të përbashkët të mbarë kombit, gjuhën letrare të njësuar ose standarde.Shqipja është gjuhë e shtetit, e institucioneve shtetërore dhe e mjeteve të komunikimit masiv në Republikën e Shqipërisë dhe në hapësirat e tjera etnike e kombëtare shqiptare.Gjuha shqipe përdoret në ballë të gjerë edhe në Republikën e Kosovës dhe atje, gjithashtu, ka institucione shkencore dhe universitete që tregojnë kujdes të mirë për gjuhën njohjen dhe zbatimin e standardit gjuhësor.

Megjithatë, nuk mund ta fshehim se ka rënë disiplina gjuhësore e shtetit dhe kjo duket edhe në praktikën shkrimore e botuese.Ka shumë fjalë të huaja të panevojshme, ka gabime të shumta drejtshkrimore të pafalshme në shtyp, në botime dhe deri në librat e shkollave. Edhe gjuha e botimeve dhe e ligjeratave universitare ka pasur rënie të palejueshme të kujdesit për normën standarde. Ka gabime të panumërta e të pafalshme deri në burokracinë universitare: në regjistrat, amzat, diplomat, dëshmitë etj. dhe deri në dokumenetet zyrtare të dhënies së gradave e titujve më të lartë. P.sh, prof. dhe dr., shumëkush i shkruan me të madhe, ndërsa ato, kur nuk janë në fillim të rreshtit, duhet të shkruhen me shkronjë të vogël. Rrugët e sheshet janë me mbishkrime të shkruara keq e me gabime trashanike. Ka pasur edhe rënie të nivelit të kulturës së gjuhës në tubimet e kuvendet publike. Gojështhurja ka marrë përmasa të palejueshme.Po të ishte gjallë i ndjeri atë Anton Harapi, me siguri, do të thoshte “na mbuloi hordhëku”; por, më tepër do të brengosej sovrani i letrave shqipe, Faik bej Konica, i cili, qysh në kohën e vet, fshikullonte “analfabetët me diplomë”.

Gjuha shqipe është palca e kombit shqiptar. Kush ruan gjuhën e vet u bën nder atdheut dhe breznive të njerëzve të ditur, që kemi për detyrë t’i formojmë në universitetet tona. I vetmi standard, të cilin na e ka njohur dhe na e vlerëson gjithë Evropa e bota është gjuha shqipe e njësuar, shqipja standarde sikundër po e themi kohëve të fundit apo, edhe më mirë, siç e thoshin Rilindasit: gjuha shqipe e përbashkme.

Kush ruan gjuhën e vet, ruan çelësin e daljes në hapësirat e pafundme të dijes. Së mbrami, sikundër e thonë arbëreshët e Italisë: “Të gjithë lumenjtë rrjedhshin, por përroi ynë mos shteroftë!”.

2. Sa e dëmtojnë zhargonet e përdorura nga të rinjtë vend e pavend atë?

Universitetet, qysh kur janë krijuar e deri në ditët tona, kurdoherë kanë qenë të hapura edhe për prurjet ditunore nga bota, për hir të të cilave, sigurisht, gjithmonë kanë ardhur e do të vijojnë të vijnë edhe fjalë, terma e mënyra të thëni tipike për botën universitare, për leksematikën e profesoratit dhe madje, deri për “zhargonin” e profesoratit dhe të studentëve.Pra,zhargonet janë pjesë e ligjërimit të përditshëm, jozyrtar, kryesisht në mjedise e rrethe miqësore tëngushta.Ato kalojnë me zhvillimin e pjekurinë e të rinjve, ashtu si sëmundjet e moshës së re, si fruthi a kolla e mirë.

Nuk shoh ndonjë rrezik të shqipes nga zhargoni i të rinjve. Rrezik e problem jo të vogël përbëjnë disa mënyra të thëni të panatyrshme dhe të panevojshme,që po shtohen si sëmundje ngjitëse në ligjërimin e mediave, si p.sh. mëngjesin e së hënës, mbrëmjen e së shtunës, mesditën e së dielës etj. (në vend të formës së rregullt e për së mbari, përkat: të hënë në mëngjes, të shtunën në darkë ose në mbrëmje, të diel në mesditë etj.).

3. Po literatura që kanë në përdorim studentët në c’nivel është nga ana e rregullave dhe normave gjuhësore?

Gati të gjithë jemi kapluar nga dëshira për t’u dukur si të huaj, për të shkruar e folur sipas etnografisë së komunikimit “modern”,qoftë edhe kur kjo bie në kundërshtim me rregullat e mirënjohura të shqipes.Nuk kam pasur e nuk kam ndonjë kundërshtim me atë politikë, sepse, në thelbin e vet, ideja që shqiptarët të dinë sa më mirë anglishten dhe gjuhët e huaja të Evropës është e mirë, porse mendoj se do të ishte mirë që të dinin edhe gjuhët e fqinjëve, me të cilat realisht sot hanë bukë më shumë se një milion shqiptarë, në Greqi e në Itali, po edhe shumëkund tjetër në vendet e Evropës Perëndimore. Gjithashtu nuk mund të mos e them sot, sikundër nuk kam mënuar ta theksoj edhe disa herë të tjera: nuk më ka pëlqyer (dhe deri sa të marr frymë do të vijoj ta pohoj) se, ndërkaq, nuk i është dhënë kujdesi e vlerësimi që meriton gjuhës shqipe.

Disa nga emërtimet e reja për të jetësuar shndërrimet e prirjen drejt modernizimit të studimeve universitare kanë sjellë edhe shumë terma të huaj të panevojshëm, shumë slogane e mënyra të thëni të huaja ose të kalkuara keq prej anglishtes, të papërshtatshme për natyrën e morfosintaksës së shqipes. Kështu, dega u bë department, jetëshkrimi u bë cv dhe curriculum vitae, që, përveç të tjerash, si latinizëm ka edhe dy vështirësi shqiptimore problematike për shqipen: a)ae e lat. duhet të shqiptohet me e të gjatë, si rosae, puelae etj.dhe këtë shumica nuk e di dhe e lexon ashtu si shkruhet; b)theksimi në rrokjen e dytë (mbi i-në: curriculum) apo në rrokjen e fundit (mbi u-në: curriculum). Po ashtu bachelor, që, në mos tjetër, duhej të ishte shkruar e thënë ashtu si thuhej para Çlirimit, pra bakolaureat ose gjysmëlaure. Edhe master, që me aq “gëzim” e kemi përqafuar si term i gradimit “modern”, nuk është tjetër veçse mjeshtër e shqipes, prej po të njëjtës rrënje latine: master.
Në shumë prej librave shkollorë, si dhe në botime të tjera, po shtohen fjalt` e termat e huaj q` mund t` thuheshin edhe shqip, si kurrikula, sistemi kurrikular, skema klluster, informacioni selektiv, komponenetet, diversifikimi rajonal,vlerësimi internal dhe eksternal, komuniteti, fasilitetet, karta e studentit, inseroj, mobiliteti interuniversitar, kontemporane, uniforme, eksperiencë, frustracion, dominuese, post-adoloshente, autonomi financiare, support e suportim, fokusoj, komuniteti akademik, sistemi competitive, dilemë etj.

Nuk po kërkojmë qëndrime pastruese të skajshme, nuk po flasim për “purizëm” gjuhësor, nuk pot themi të shkruajmë dhemasë a dhematje për gjeometri, as dheshkronjë për gjeografi, natyrisht as gjithëmësime për universitet, sikundër patën ideur e ëndërruar Rilindasit e mëdhenj, por, së paku një qëndrim normal gjuhëruajtës e gjuhëmbrojtës universitetet duhet ta kenë si detyrë të përhershme. Pedagogët, jo vetëm ata që merren me gjuhësi e filologji, por të gjithë sa jemi, të cilësdo degë a disiplinë shkencore, ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe duhet ta kemi njësoj detyrë e peng nderi.

4. C’mendim keni per literaturën me gabime ortografike (nuk flas per 2-3 gabime,por per atobotime që janë të mbushura me gabime ortografike, sintaksore dhe kuptimore)?

Ka shumë gabime e thyerje të palejueshme të normës drejtshkrimore në botimet universitare, në tekstet dhe doracakët e ndryshëm, ka shumë libra të përkthyer ndonjëherë me ngut dhe me mungesa të pafalshme, aq sa, ndokush, me të drejtë i ka ironizuar me cilësimin ad hoc “përckthime”.

Bëhen shumë veprimtari shkencore e studimore, botohen edhe materialet përkatëse të tyre. Për fat të keq, shumica e tyre nuk shpëtojnë nga gabimet, ndonjëherë edhe të rënda, gabime drejtshkrimore e sintaksore si dhe me leksik të papërpunuar e të pakrehur. Po bëhet si “modë” të shkruarit me shkronjë të madhe të vargjeve të gjata të fjalëve, që nuk përbjnë një emërtim të përveçëm dhe, si të tilla, nuk ka pse të shkruhen me shkronjë të madhe.
Ndërkaq, nuk mund të mos e vëmë re se, tashmë, ka edhe një kategori pedagogësh, kryesisht të rinj, por jo vetëm, që, duke qenë nën trysninë dhe modelin e gjuhëve të huaja, posaçërisht të anglishtes, kanë filluar të mos e ndiejnë (ose ta ndiejnë gjithmonë e më pak) se shqip duhet p.sh. Tiranë, 2009 (dhe jo Tirana 2009), vizita e Bush-it (dhe jo vizita e Bush), njësoj siç thuhet normalisht: vizita e Berishës (dhe jo vizita e Berisha), vizita e Thaçit (dhe jo vizita e Thaçi).

Në fushën e drejtshqiptimit, natyrisht, përveç shqiptimit e leximit në mënyrë gati analfabete, ndeshim edhe prirje të dëmshme, që, ndoshta, po të veprojmë me ngut e forcë, mund t’ua presim turrin. Nga më të shëmtuarat, por edhe nga më të mundshmet për t’u përgjithësuar, është prirja veskeqe për të shqiptuar shkronjat e alfabetit të shqipes sipas mënyrës së gjuhëve të huaja, sidomos duke imituar spellingun e anglishtes dhe të italishtes. Ka një jetë që shqiptarët ishin mësuar të thoshin FBI-ja, njësoj si KKB-ja, OKB-ja, SMT-ja etj., mirëpo folëset dhe folësit e disa prej mediave të sotme elektronike (radio, televizione dhe reklama) kanë filluar t’i “modernizojnë” këto shqiptime dhe, shpesh e më shpesh, po dëgjojmë të shqiptohen: eFBiaI, XhiDiPi, BiBiSi dhe, sidomos, e urryera CiVi.

Prirja për ta shqiptuar u-në e huazimeve si në angloamerikanishten.

Gjithmonë e më dendur në vend të klub në radiotelevizionet tona, po edhe përtej tyre, pra edhe në mjediset universitare, ka bulëzuar prirja për ta shqiptuar jo sipas traditës shqiptare, por sipas anglishtes dhe kemi: kllëb (p.sh. vodafon kllëb) dhe një farë radioje që shqip do të ishte Klubi FM na e “servirin” të modernizuar në Kllëb eFeM. Po të vazhdojë kjo “stuhi” anglofile, nuk do të jetë e largët dita kur, edhe Klubin e Selanikut do të na duhet ta shqiptojmë të “modernizuar” në Kllëbi i Selanikut, ndërsa për fjalën Republikë e republikan, me siguri, duke ecur pas shqiptimit te PUB > Pab, do t’u duhet shqiptarëve të thonë edhe Repablika, Partia Repablikane etj. dhe, pa dyshim, edhe mobajllizim e mobajllizohem.

Tiranë, 11 maj 2009