Problemet me shkrimin e gjuhës shqipe – në emisionin ‘Ditë e re’ në Ora News TV

Sot fola në Emisionin “Ditë e re” te Ora  News, të drejtuar nga Edvin Peçi dhe Stela Kotri.

E fillova bisedën me parafrazmin e një  këngë shkodrane,që thotë : “Ke me u pendue, por atëherë ka me kenë vonë ” dhe  me këtë doja të  theksoja shqetësimin tim dhe mendimin se do të pendohemi për qëndrimin e padrejtë e pakujdesitë ndaj gjuhës shqipe, por, kur të  na vijnë mendtë, me siguri, do të  jetë vonë.

Jam në dijeni dhe, natyrisht, edhe i shqetësuar për rezultatet jo të mira, madje dukshëm të këqija, të nivelit të shqipes e të  shkruarit në shkollat tona. Vlerësimi kombëtar i bërë nga ‘Agjencia kombëtare e provimeve’ te klasat e treta dhe të pesta, ku ka rezultuar se 24.1 për qind e nxënësve në klasë të tretë nuk kanë shkruar asgjë, kur u është kërkuar një ese; aty thuhet se 27 për qind e nxënësve nuk dinë t’i shkruajnë numërorët e thënë me fjalë dhe anasjelltas.


“Nxënësit e klasës së pestë që nuk shkruajnë nje ese janë në masën gati 34%, pra ka një rritje të tyre. Ndërsa ata që nuk dinë të shkruajnë numërorët janë 32 %, edhe këtu me rritje.”


Shqetësimi im është jo vetëm për atë që ndodh në shkollë në punët me shkrim të nxënësve, por më tepër nga ajo që bëjmë keq ose që nuk e bëjmë ashtu si duhet në pjesën e epërme, në strukturat drejtuese të shkollave e të institucioneve botuese. Pra, më shumë se rezultatet e nxënësve, që sigurisht më brengos situata e sotme, më shqetëson e më mbush me zemërim, madje me mllef të ligjshëm, ajo që është bërë këto vitet e fundit nga Ministria e Arsimit, nga Shteti dhe isntitucionet e varura (ose të lejuara) prej tij ndaj gjuhës shqipe. Ka shkruar një nga kolegët e mi, prof.  Emil Lafe, për “mungesën e disiplinës së shtetit” dhe unë e kam mbështetur atë ide dhe po e përsëris edhe sot:


Shteti nuk e ka treguar kujdesin e duhur ndaj gjuhës së shkruar, ndaj gjuhës letrare shqipe të njësuar kombëtare. Nuk jemi askund afër asaj situate që kemi pasur disa vjet më parë. Kur nuk kishim mjetet e sotme, jo më kompjutera e telefona modernë,  por as makina shkrimi nuk kishim, por botimet shkollore kishin gjuhë të kujdesur mirë; gazetaria ishte ajo që dihet, por gjuha e gazetave dhe e botimeve zyrtare ka qenë e mirë, sepse edhe kujdesi ka qenë në shkallë të lartë. Korrektori gjuhësor i “Zërit të Popullit” nuk lejonte gabime gjuhësore as te drejtuesit më të lartë të Partisë e të Shtetit; ata e shkruanin pllani, ai ua ndreqte si duhet: plani; dikush thoshte aturenë dialektin e Gjirokastrës, ai ua kthente në shqipen e njësuar: atyre.

Po edhe gjuhësia shqiptare ka pasur autoritetin e peshën e duhur në jetën e shoqërisë, njerëzit shqetësoheshin dhe ruheshin nga gabimet në të shkruar. Instituti i Gjuhësisë kishte edhe shërbimin e ”Këshillimeve gjuhësore” dhe çdo ditë në telefonin 2509 përgjigjej një nëpunës roje, specialist i gjuhësisë, për të gjitha pyetjet që bëheshin nga njerëz të ndryshëm. 

Dhe, meqë po flasim edhe për gabimet e nxënësve te numërorët, një herë kur isha unë roje dite në atë shërbim, dikush nga Elbasani pyeti: -Si duhet shkruar: numër-numuri apo numër-numri? I shpjegova se duhej: numër-numri si emër-emri, por ai m’u kthye me rrëmbim se formën “numur” e kishte parë të shkruar në gazetë. Kjo do të thotë se fjala e shkruar në botimet zyrtare dhe në gazeta e revista, për njerëzit e zakonshëm meret si e mirëqenë, prandaj ato duhet të jenë pa gabime drejtshkrimore, pa fjalë të huaja të panevojshme etj. 

E tillë, e kujdesur dhe pa gabime duhe të jetë edhe gjuha e gazetarisë së folur. Kur folësja është e bukur dhe flet bukur, gjuha e saj ndikon më shumë dhe duket edhe më e bukur.

Theksova se fjala “ese” dhe ndonjë nga librat me titullin “Si të shkruajmë ese”, ndonëse janë në duart e nxënësve  e të këshilluar si “themelorë” nuk u mësojnë ndonjë gjë të mire atyre. Madje, theksova se, shkrimtarët tanë më të mirë, që nga më i madhi, Ismail Kadareja,  Dritero Agolli, Martin Camaj etj. as që e kanë ditur termin ese, por kanë ditur rregullat e thjeshta të atij që quhej “hartim” dhe aty duhej tema, pikat e planit që do të hartoheshin dhe kjo ishte më e vlefshme. Por, natyrisht, ka edhe botime shumë të bukura e që mund t’u vlejnë nxënësve si p.sh.”Arti i të shkruarit”, një librush shumë i bukur i shkrimtarit Sulejman Mato. Atij ,po, i bëj verësime e lëvdata të merituara.

Kam pritur të realizohet edhe premtimi i Kryeminsistrit Rama për vendosjen e figurës së korrektorit letrar në të gjithë praktikën shkrimore dhe botuese të Shtetit, ashtu si e parakupton edhe VKM-ja e vitit 1974 për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjithë praktikën shkrimore dhe botuese të Republikës së Shqipërisë.

Kam shpresë, megjithatë, se nuk ka shteruar krejt dashuria dhe kujdesi për shqipen, si palca e kombit tonë. Shpesh më drejtohen me pyetje disa burra të shquar, si p.sh.Prof.Dr. Basil Schader nga Zvicra, njohës i shqipes, përkthyes i letërsisë shqipe në gjermanisht dhe autor librash për mësimin e shqipes nga shqiptarët e Zvicrës. Ai, p.sh. më pyeste një ditë si duhet shkruar mbas presjes në fillim të letrave,me shkronjë të vogël sikundër këshillon Drejtshkrimi,apo me të madhe, sikundër e thyejnë normën shqesh edhe në shkresat zyrtare. Po ashtu, kolegu dhe miku im, Prof. Dr. Anesti Kodili, akademik e kardiolog i shquar, i cili shpesh më pyet për hollësi drejtshkrimore, sepse dëshiron të jetë në përputhje me rregullat. Kam përmendur edhe herë të tjera ish-Presidentin Alfred Moisiu, i cili nga shtypshkronja ku interesohej për botimin e “Kujtimeve” më telefononte për të sqaruar probleme të lidhura me shkurtimet e shkurtesat e tipit SHBA-së apo SHBA-ve etj. Pra, ata interesohen dhe nuk ia lejojnë vetes të bien në gabime e kundër normave të shqipes së njësuar.

Kështu duhet të veprojmë të gjithë sa jemi, duke e ngritur lart autoritetin dhe vlerësimin e gjuhës shqipe si tipar themelor i përbashkësisë së kombit tonë shqiptar.

Kombin e kemi ende të ndarë në disa shtete, gjuha shqipe e njësuar na bashkon dhe na lidh shpirtërisht e kulturorisht të gjithëve sa jemi: shqiptar të Republikës së Shqipërisë, të Kosovës, të trojeve shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në diasporat e hershme e të reja të shqiptarëve në Botë.

Libri “Kujtime” i Zt. Alfred Moisiu (Botimet Toena, 2012)

Zonja dhe zotërinj,

Pse dola sot të flas në një log burrash të shquar, kryesisht politikanë e politologë, historianë, analistë, publicistë dhe botues të shquar dhe, mbi të gjithë, dy ish-Presidentë të Republikës:

Shkëlqesia e Tij, prof.dr. Rexhep Mejdani dhe, Shkëlqesia e Tij, zoti Alfred Moisiu, autori që na ka mbledhur sot në këtë tubim të bukur e me rëndësi.

Shumë nga ata që më njohin, ndoshta, edhe mund ta pyesin veten: “Ç’do një gjuhëtar këtu? Mos ka lajthitur?!”

Jo, zotërinj, lajthitur nuk kam dhe ju siguroj se dola këtu, jo vetëm për ta falënderuar autorin që më ftoi në këtë përurim, jo vetëm për t’i shprehur lavde të merituara dhe fjalë miradije Presidentit Moisiu, -sigurisht edhe këtë do ta bëj dhe ndjehem i nderuar që më jepet rasti ta shpreh vlerësimin tim shumë të lartë për shkrimtarinë e tij, në një tubim kaq meritor, si ky i sotmi,- por, së pari, dola për ta falënderuar z.Moisiu për qëndrimin e tij të shpallur e të lëvdueshëm ndaj gjuhës shqipesi autor librash, po edhe për mbrojtjen e gjuhës standardedhe anësimin e tij të vyer ndaj gjuhësisë dhe gjuhëtarëve shqiptarë, pikërisht ashtu si i ka hije një personaliteti të lartë e figure të shquar të shtetit dhe kombit shqiptar.

Si Kryetar i Shtetit për pesë vjet radhazi, z.Alfred Moisiu, ka dhënë shembullin më të plotvlershëm të shtetarit dinjitar, i cili në çdo shkrim, fjalim a ligjërimtij zyrtarka gjakuar të zbatojë sa më mirë normat e shqipes së shkruar, prandaj, sa herë ka qenë rasti, por sidomos kur shikojmë se sa keq nëpërkëmbet shqipja nga disa zyrtarë të lartë, kam përmendur rolin e zotit Moisiu dhe, madje, kam shkruar shprehimisht në faqet e një kumtese e në një prej librave të mi:

Ashtu siç është i pashëm dhe i hijshëm, i mbajtur dhe i veshur sikundër i takon statusit zyrtar që ka si President i Republikës, ai flet edhe me gjuhë të përpunuar dhe i zbaton në mënyrë shembullore rregullat e drejtshkrimit, jep shembullin e modelin e vlerësimit të kulturës gjuhësore dhe normave të shqipes standarde si shenjë e njësisë dhe unitetit të kombit tonë”.

Por, këto që thashë, mund të tingëllojnë si fjalë të përgjithshmedhe të palidhura me librat e tij. Do t’ju bind se ky Burrë i Madh i Kombit tonë, edhe në librat(e me librat) e tij që kemi në dorë, i ka dëshmuarkonkretisht dhe katërcipërisht anësimin, vlerësimindhe lartësimine gjuhës shqipe. Po përmend, së pari, sa shkruan ai në faqen 77 të vëllimit të dytë, një faqe që vlen më shumë se të gjitha faqet e nxira nga dhjetëra zyrtarë të marra së bashku, dhe po lejohem ta lexoj:

Krahas njohjes me teknikën, duhej menduar mirë edhe terminologjia që do të përdorej. Për ta pasur më të lehtë përvetësimin, mendova të përdoreshin sa më pak fjalë të huaja. Gjithmonë më ka pëlqyer dhe përherë më pëlqen të flas dhe të përdor në të shprehur fjalë të gjuhës shqipe.Kështu, duke biseduar me officerët, hap pas hapi, vendosëm emërtimet e reja; disa duke i huazuar nga terminologjia e marinës, që përdoreshin në vendin tonë, ndërsa disa i sajonim vetë, duke u përpjekur që të kishin një kuptim sa më të plotë në gjuhën shqipe. Në punë e sipër krijoheshin edhe momente humori. Një ditë, duke biseduar rreth kësaj teme, iu thashë oficerëve që jo gjithçka mund të emërtohet në gjuhën tonë, sepse mund të dalin emërtime qesharake. Kështu, iu tregova një rast, se si në vitin 1944 në Tiranë, një grup intelektualësh morën një nismë për shqipërimin e emërtimeve të mbartura nga gjuhë të huaja. Nismëtarët e kësaj pune arritën deri në banalizim të fjalëve, duke emëruar automobilin “katërrotësh vetëlëvizës”. Sigurisht që një shqipërim i tillë ishte qesharak. Patjetër që gjuha duhet ruajtur, sepse sot, te ne ka një trend të çuditshëm, sidomos nga politikanët, që përdorin vend e pavend e me shumicë fjalë të huaja,të cilat i kanë sinonimet e tyre në gjuhën tonë dhe këtë gjë e bëjnë më tepër për të treguar diturinë e tyre. Jo vetëm kaq, por kohët e fundit po vihen re disa tendenca për të ndërhyrë në mënyrë brutale në ”Drejtshkrimin e gjuhës shqipe”. Kjo bëhet, gjoja për të shmangur vendimet e marra në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke i quajtur ato vendime si komuniste.Në përfundime të tilla mund të arrihet vetëm nga presioni që mund të bëjnë politikanë jonormalë gjykimin se “gjithçka që vjen nga e kaluara duhet ndryshuar”. Zoti e ruajt këtë vend nga budallallëqe të tilla, të cilave iu duhet kundërvënë fuqishëm!” (f.77)

Së dyti, kësaj që thotë vetë autori do t’i shtoj edhe dy “rrëfenja” që, në këtë rast, janë pikërisht si qershia mbi tortë:

Disa javë më parë, kur autori merrej me ndjekjen e shtypit të vëllimit të tij më të ri, më ka marrë në telefon nga zyrat e Shtëpisë Botuese “Toena” për të më pyetur si duhen shkruar shkurtesat e tipit OSBE-së, SHBA-së, UNRRA-s, NBU-së etj., sepse nuk donte të lejojë asnjë rast, sado të vogël, të mospërputhshëm me normat e sotme të standardit.
Kjo “vogëlimë” në dukje, ka rëndësi themelore, të nderuar të pranishëm, sepse tregon madhështinëdhe seriozitetine një burri shteti, i cili nuk lëshon pe as në dukuri të vogla drejtshkrimore, ndërsa te ne, sikundër nuk kam mënuar ta pohoj e ta kritikoj, për turp të dheut, ka ndodhur që deri në prerjen e monedhave të shtetit ka pasur gabime drejtshkrimore.

Së treti, dhe me këtë do ta mbyll, presidenti Moisiu, ndjek me shumë shqetësim qëndrimin e pamirëtë shoqërisë së sotme ndaj gjuhës, i mbështet gjuhëtarët që e mbrojnë dhe na inkurajon deri për bisedat në TV. Po ju citoj vetëm një prej mesazheve të Tij të kohëve të fundit, ku ai më shkruante mbas një bisede time në një nga kanalet televizive:

Ju ndoqa me vëmëndje. Keni kapur një problem vital për gjuhën shqipe, që rrezikohet nga padija dhe politika.Alfred Moisiu

Por, nuk mund ta mbyll me kaq, aq më tepër se, rasti i sotëm, kur flitet për librat e tij, kërkon të sjell edhe ndonjë shembull nga shkrimtaria e tij. Dhe kjo është, ndërkaq, si ”fisheku për ujk”, siç do të thoshin gjahtarët e Mbishkodrës sime.

Në f.95-96 zoti Moisiu shprehet edhe për rolin e gjuhëve të huaja dhe posaçërisht të anglishtes. Po lexoj “diagonal” vetëm një pjesë (fundin e f.95 dhe fillimin e f.96), ku ai pohon se njohjen e gjuhës së huaj e konsideron një pasuri.

Në një takim, midis të tjerash, i pyeta oficerët se kush dinte gjuhë të huaja. Dy prej tyre më thanë se kanë njohuri për gjuhën angleze. Më erdhi mirë që kishin pasion për studimin e gjuhëve të huaja, pasi njohjen e gjuhës së huaj, e konsideroj një pasuri. Më këtë rast dëshiroj të tregoj historinë time të mësimit të gjuhës angleze…” dhe, aty, gjithashtu, është një nga pjesët e bukura të librit, ku autori tregon se, asokohe,”dëshirën e pengonte rregulli,se oficerët nuk mund të mësonin gjuhë të huaja pa lejen me shkrim nga ministri i Mbrojtjes”. (f.96)

Lidhur me këtë fragment, po edhe me disa raste të tjera që shpallen në libër, desha të shfrytëzoj rastin dhe të ndalem në një kritikë ndaj qëndrimeve të pamira, të pabukuradhe të papërgjegjshme, që nuk kanë munguar në burokracinë shtetërore shqiptare, kur, pa qenë as rasti as nevoja, flitet në gjuhë të huaja e jo në gjuhën shqipe, në zyrat e shtetit e në mjediset ku duhej me doemos të flitet shqip. Përkthyes kemi pasur e kemi shumë, madje mendoj se kemi edhe shumë të mirë, prandaj sa herë është e nevojshme, përkthimin le ta bëjnë specialistët dhe të mos lodhen më kot shtetarët. Thashë “të mos lodhen”, për ta zbutur pakëz kritikën time, por, menjëherë u pendova, sepse më erdhën në mendje vargjet e viganit të letrave shqipe, Atë Gjergj Fishtës, i cili, qysh në kohën e vet shfrynte me force, kundër atyre që duan të tregojnë sa të ditur janë me anën e gjuhëve të huaja:

Po edhe atij, mallkue i qoftë po goja,
qënë gjuhë të huaj kur s’asht nevoja, flet
e të vetën len mbas dore!”.

Edhe lidhur me këtë vështirësi e përgjegjësitë përkthimit, libri i zotit Moisiu, gjithashtu, na jep një “rrëfenjë” domethënëse në f.36 të vëllimit të dytë. (Po lexoj vetëm “palcën” e fragmentit):

Kur iu dha fjala atasheut ushtarak rus, dola afër tij në podium dhe, me bisht të syrit, përpiqesha të shikoja tekstin e shkruar që ai mbante përpara. Ai filloi të fliste me fraza të gjata, ku disa herë u detyrova t’i kujtoja se ishte radha ime për përkthim. Kështu, unë përktheja kur atij i mbushej mendja të pushonte. Ndonëse ishte një ditë e ftohtë shkurti, për të qenë sa më korrekt me përkthimin, nga sikleti djersita.”

Dhe krejt së mbrami, për ta mbyllur këtë fjalë timen, jo pse nuk kam më për të thënë, por për të mos ju lodhur më tej, po pohoj edhe sa vijon:

Libri “Kujtime” i z.Alfred Moisiu lexohet me ëndje, ka jetë e shpirt njeriu, ka elemente të bukura shkrimtarie, ka fakte e citime të dorës së parë e mbresëlënëse, ka onomastikë të pasur sa për të shkruar një studim doktorature rreth saj, sidomos emra dhe shpjegime që të mahnisin, po edhe që nuk idinim, si p.sh. për toponimi Çuka e Frëngutdiku te Qafa e Gjerprit, duke sjellë edhe shpjegimin se “i ka mbetur nga që aty ishin kryer beteja të ashpra midis Ushtrisë Franceze dhe asaj Austriake gjatë Luftës së Parë Botërore” (Vëll.II, f. 84), ose sa shkruan lidhur me ndonjë intimitet antroponimik, si p.sh.vënia e emrit të vajzës së tij, Rubenës(f. 24 ); citimet e shumta, të saktadhe autentike, përzier edhe me elemente të bukura të etnografisë së ligjërimite të slloganeve të kohës (si.p.sh.”shfaqje të huaja”, “ushtria e popullit ushtar” (f.73) çun Tirane(f.106, kur flet për Spiro Mëhillin), të cilat unë i vlerësoj, jo pse janë të tilla (=të bukura), por sepse janë të Tijat.

Dihet se shumica e librave të burrave të shtetit ,që kanë titullin “Jeta ime” (angl.My live”) vetëm firmën dhe idenë e kanë të vetën, sepse mielli e brumi janë nga “autorë në hije”.

Zoti Moisiu na ka vënë përpara vëllimet e tij, të shkruara me dorën e Tij, por mbi të gjitha me dijet e tij të sigurta e të shumta, me profesionalizmindhe nderine Tij dhe çiltërsinë dhe me zemrëne Tij, prandaj unë këtu, dola që ta uroj solemnisht, me një shprehje që në Malësinë tonë të Mbishkodrës, përdoret vetëm për këngëtarët e shquar e fjalëbukur: Ju këndoftë zemra!

Urime të sinqerta për librat, zoti President.

Dhëntë Zoti që shembulli Juaj të ndiqet edhe nga të gjithë shtetarët dhe zyrtarët e tjerë shqiptarë!

Prof.dr.Gjovalin Shkurtaj
Akademik i asociuar
Anëtar i Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe
Tiranë, 19. 12. 2012