Shpëtimi sekret: Historia e pathënë e infermiereve dhe mjekëve Amerikanë në prapavijat naziste (…në Shqiperi 1943)

Një histori e vërtetë, e panjohur deri në 2011, kur autorja e librit intervistoi një nga të mbijetuarit e fundit të një grupi infermieresh dhe doktorësh Amerikanë të cilët, në vitin 1943, u detyruan te ulin avionin e tyre në Shqipëri. Libri tregon peripecitë e ndryshme që kaluan, por edhe ndihmën e Shqiptarëve që nuk lejuan që ky grup të binte në dorën e nazistëve. Ja vlen që ta lexoni ! (affiliate link)

Alfred Moisiu – shtetari dinjitar në 85-vjetorin e lindjes

nga Gjovalin Shkurtaj

Fjala e mbajtur në 85-vjetorin e Alfred Moisiut

Autoritete të nderuara,
Zonja dhe zotërinj,

1. Dola këtu, jo vetëm për ta uruar  zotin Moisiu  për  këtë festim të 85-vjetorit të ditëlindjes së tij, jo vetëm për t’i shprehur  lavde të merituara dhe fjalë miradije, -sigurisht edhe këtë do ta bëj dhe ndjehem i nderuar që më jepet rasti ta shpreh vlerësimin tim shumë të lartë për veprimtarinë dhe shkrimtarinë e tij, në një tubim kaq meritor, si ky i sotmi,- por, së pari, dola për ta falënderuar z.Moisiu për  qëndrimin e tij të shpallur e të lëvdueshëm ndaj gjuhës shqipe, për mbrojtjen e gjuhës standarde dhe  anësimin e tij të vyer ndaj  gjuhësisë dhe gjuhëtarëve shqiptarë, pikërisht ashtu si i ka hije një personaliteti të lartë e figure të shquar    shtetit dhe kombit shqiptar.
Si Kryetar i Shtetit, për pesë vjet radhazi (2002-2007), z.Alfred Moisiu ka dhënë shembullin më të plotvlershëm të shtetarit dinjitar, i cili në çdo shkrim, fjalim a ligjërimtij zyrtar ka gjakuar të zbatojë sa më mirë normat e shqipes së shkruar, prandaj, sa herë ka qenë rasti, por sidomos kur shikojmë se sa keq nëpërkëmbet shqipja nga disa zyrtarë të lartë, kam përmendur rolin e zotit Moisiu dhe, madje, kam shkruar shprehimisht në faqet e një kumtese e në një prej librave të mi:

Ashtu siç është i pashëm dhe i hijshëm, i mbajtur dhe i veshur sikundër i takon statusit zyrtar që ka si President  i  Republikës, ai flet edhe me gjuhë të përpunuar dhe i zbaton në mënyrë shembullore rregullat e drejtshkrimit, jep shembullin e modelin e vlerësimit të kulturës gjuhësore dhe normave të shqipes standarde si shenjë e njësisë  dhe unitetit të kombit tonë”.


Por, zonja dhe zotërinj, ato që do të them më poshtë, tregojnë se zoti Moisiu, e ka dashur, vlerësuar dhe mbrojtur gjuhën shqipe, njësoj si Atdheun e Kombin e vet, jo vetëm kur qe President, por edhe më parë e, në mënyrë të veçantë, gjatë viteve  të ashpra të tranzicionit shqiptar.

Do të citoj me këtë rast disa vlerësime e mendime që lidhen, së pari, me librin e tij “Kosova mes luftës e paqes” (botimet Toena, 2005) dhe me Kujtime, 2, 3, (Botimet Toena, Tiranë, 2012).

Ua kam pohuar disa herë studentëve në universitetet ku jap mësim, e kam thënë edhe dy vjet më parë, po në këtë sallë, kur përuruam vëllimet e tij me kujtime, dhe po lejohem ta ritheksoj edhe sonte në këtë tubim jubilar e solemn, se zoti Alfred Moisiu, edhe në librat (e me librat) e tij që ka botuar, i ka dëshmuarkonkretisht dhe katërcipërisht anësimin, vlerësimin dhe lartësimin e gjuhës shqipe. Dhe, si shembull, kam zgjedhur një nga konkluzionet e zotit Moisiu në librin e tij “Kujtime”, ku ai thotë sa vijon:

“Patjetër që gjuha duhet ruajtur, sepse sot, te ne ka një  trend të çuditshëm, sidomos nga politikanët, që përdorin vend e pavend e me shumicë fjalë të huaja, të cilat i kanë sinonimet e tyre në gjuhën tonë dhe këtë gjë e bëjnë më tepër për të treguar diturinë e tyre. Jo vetëm kaq, por kohët e fundit po vihen re disa tendenca për të ndërhyrë në mënyrë brutale në ”Drejtshkrimin e gjuhës shqipe”. Kjo bëhet, gjoja për të shmangur vendimet e marra në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke i quajtur ato vendime si komuniste. Në përfundime të tilla mund të  arrihet vetëm nga presioni që mund të bëjnë politikanë jonormalë gjykimin se “gjithçka që vjen nga e kaluara duhet ndryshuar”. Zoti e ruajt këtë vend nga budallallëqe të tilla, të cilave iu duhet kundërvënë fuqishëm!” (A.Moisiu, Kujtime, Vëllimi II, f.77)


2. Një nga idetë e vyera dhe shumë të rëndësishme për të sotmen dhe për të ardhshmen e kombit shqiptar është edhe ajo që shpreh zoti Moisiu lidhur me patriotizmin e mediave. Po lejohem të citoj këtu një fragment prej  librit “Kosova mes luftës e paqes”, ku ai e thotë qartë e katërcipërisht e të miradresuar :

“ Shtypi shqiptar  dhe media në përgjithësi duhet ta marrin në dorë seriozisht  punën për rritjen e patriotizmit. Mafton t’i hedhësh një sy shtypit shqiptar gjatë viteve të Luftës së dytë Ballkanike  dhe duket qartë  sa larg janë gazetarët e sotëm nga kolegët  e tyre të asaj kohe. Forcat politike shqiptare, ka ardhur koha të ulin armët kundra njëra-tjetrës dhe të mendojnë më shumë e më seriozisht për Shqipërinë, për të ardhshmen e saj, për rrezikun që po na kanoset.” (A. Moisiu, Kosova mes luftës e paqes, botimet Toena, 2005, f.65)


3. Si përforcim të asaj që shpreha më lart,  po shtoj edhe dy “rrëfenja” që, në këtë rast, janë pikërisht si qershia mbi tortë:

Disa vjet më parë, kur autori merrej me ndjekjen e shtypit të vëllimeve të tij me Kujtime, më ka marrë në telefon nga zyrat e Shtëpisë Botuese “Toena”  për të më pyetur si duhen shkruar shkurtesat e tipit OSBE-së, SHBA-së, UNRRA-s, NBU-së etj., sepse nuk donte të lejojë asnjë rast, sado të vogël, të mospërputhshëm me normat e sotme të standardit.

Kjo “vogëlimë” në dukje, ka rëndësi themelore, të nderuar të pranishëm, sepse tregon madhështinëdhe seriozitetin e një burri shteti, i cili nuk lëshon pe as në dukuri të vogla drejtshkrimore, ndërsa te ne, sikundër nuk kam mënuar ta pohoj e ta kritikoj, për turp të dheut, ka ndodhur që deri në prerjen e  monedhave të shtetit ka pasur gabime drejtshkrimore.

Së mbrami, dhe me këtë do ta mbyll, Presidenti Moisiu, ndjek me shumë shqetësim qëndrimin e pamirë të shoqërisë së sotme ndaj gjuhës, i mbështet gjuhëtarët që e mbrojnë dhe na inkurajon deri për bisedat në TV. Po ju citoj vetëm një prej mesazheve të Tij të kohëve të fundit,  ku ai më shkruante mbas një bisede time në një nga kanalet televizive:

Ju ndoqa me vëmëndje. Keni kapur një problem vital për gjuhën shqipe, që rrezikohet nga padija dhe politika. Alfred Moisiu


Dhe për të mos ju lodhur më tej, po pohoj edhe sa vijon:

Vëllimet “Kujtime” të z.Alfred Moisiu lexohen me ëndje, ka jetë e shpirt njeriu, ka elemente të bukura shkrimtarie, ka fakte e citime të dorës së parë e mbresëlënëse, ka onomastikë të pasur sa për të shkruar një studim doktorature rreth saj, sidomos emra dhe shpjegime që të mahnisin, po edhe që nuk i dinim, si p.sh. për toponimi Çuka e Frëngut diku te Qafa e Gjarprit, duke sjellë edhe shpjegimin se “i ka mbetur nga që aty ishin kryer beteja të ashpra midis Ushtrisë  Franceze dhe asaj Austriake gjatë Luftës së Parë Botërore” (Vëll.II, f. 84), ose sa shkruan lidhur me ndonjë intimitet antroponimik, si  p.sh.vënia e emrit të vajzës së tij, Rubenës (f. 24 ); citimet e shumta, të sakta dhe autentike, përzier edhe me elemente të bukura të etnografisë së ligjërimit e të slloganeve të kohës (si.p.sh.”shfaqje të huaja”, “ushtria e popullit ushtar” (f.73) çun Tirane (f.106, kur flet për Spiro Mëhillin), të cilat unë i vlerësoj,  jo pse  janë    tilla (=të bukura), por sepse janë të Tijat.

Dihet se shumica e librave të burrave të shtetit, që kanë titullin “Jeta ime” (angl. “My life”) vetëm firmën dhe idenë e kanë të vetën, sepse “mielli” e “brumi” janë nga “autorë në hije”.

Zoti Moisiu na ka vënë përpara vëllimet e tij, të shkruara me dorën e Tij, por mbi të gjitha me dijet e tij të sigurta e të shumta, me profesionalizmin dhe nderin e Tij, me çiltërsinë dhe me zemrën e Tij, prandaj le t’ia urojmë solemnisht 85-vjetorin: u mbledhshim për t’ia festuar edhe 90-vjetorin, edhe 100-vjetorin!

Tiranë, 01. 12. 2014

Rikthim i “Linea Verde” në një Shqipëri “ndryshe”

Më datën 9 nëntor, emisioni   i mirënjohur “Linea Verde  i RAI-1, u rikthye në Shqipëri mbas 24 vjetësh. Vetë titulli  Alba di un nuovo giorno” (Agimi i një dite të re) na e parathotë metaforikisht idenë dashamirëse të realizuesve.

Në 1990-ën tashmë të largët, kur emisionin e drejtonte Frederico Fazzuoli me regjisor Gjon Kol Ndrekaj, Shqipëria ishte aq e panjohur, por edhe  aq e mbyllur dhe e vështirë për t’u paraqitur në një emision  të tillë. Gjithçka ishte e  kolektivizuar dhe e mbërthyer në darët e një ekonomie të centralizuar rreth boshtit “mbështetja vetëm në forcat e veta”, pa asnjë ndihmë nga jashtë. Megjithatë, mbaj mend se ai emission qe pëlqyer shumë nga Italianët dhe vlerësoheshin sidomos bukurtia natyrore e Shqipërisë dhe pasuritë e mëdha natyrore.

Emisioni i djeshëm, i drejtuar nga Patrizio Roversi dhe ndihmësja e tij Daniela Ferolla, u tregoi italianëve një Shqipëri tjetër, një Shqipëri “ndryshe”. Aty pamë  një vend bujqësor e blegtoral, që vertët i ka ende të dukshme plagët e zhvillimit  e përparimit të ngadalshëm, mbase edhe “50 vjet mbrapa Italisë e Evropës së zhvilluar”, siç  e tha Patrizio në komenet e tij shpesh edhe sugjestive, por aty shihet edhe një popull me forcë të madhe ruajtëse e me etje e gatishmëri të madhe për të ecur përpara, për t’iu përgjigjur edhe kërkesave të rrepta të Bashkimit Evropian në fushën e prodhimeve bujqësore e blegtorale. Natyrisht, tashmë edhe duke  e pranuar e vlerësuar ndihmën e  projkteve të Qeverisë Italiane e më gjerë. 

Emisioni tregoi se prodhimet bio janë  gjithandej zotëruese dhe kjo, jo vetëm me
shegët e egra të Kelmendit, apo me geshtenjat e famshme të Reçit, po edhe me
shumëçka tjetër. Si njohës  e vizitues i hershëm i Kelmendit, Reçit, Zadrimës e vendeve të tjera që fiksoi Linea Verde, mund të them se edhe unë mbeta i befashuar nga zhvillimet e përparimet që janë bërë atje. Aty pashë, mbas kaq vitesh, Lëpushën e bukur, ku 800 famile malësore përballojnë jetën e lakmojnë të ecin përpara, duke përfituar nga projektet e ndihma e pakursyer e vullnetarëve të Kooperacionit Italian, hollandez etj. Pier Paolo Ambrozi tha se synimi i punës së tyre vullnetmirë është t’i nxisin e t’i ndihmojnë banorët e zonave në fjalë për të qëndruar aty e për të krijuar kushte normale jetese e për të pasur edhe përfitimet e dëshiruara.

Në Tamarë, Linea Verde  tregoi se mu në breg të Cemit tashti është ngritur edhe  një pikë e madhe e rritjes artificiale të troftës, kurse në lokalin në qendër të qytezës, mund të shijohet lëng shege të egër, prodhim bio e tradicional, po edhe mund të pihet një kafe “Esperesso italiano”, sikundër e tregon edhe reklama në ballinën e tij.

Në Fushën e Përroit të Thatë, midis Koplikut e Zagorës, një tokë zhurinë dhe e papërshtatshme për prodhime të tjera, Linea Verde tregoi plantacionin e gjerë të rritjes së sherbelës e të bimeve të tjera mjekësore, që ua lehtësojnë jetesën dhe u sjellin fitime të mira banorëve, kurse në Reçin kodrinor dha pamje të masivit pyjor të geshtenjave, që prodhojnë rreth tremijë tonelata e që eksportohen kryesisht në Itali, ku edhe parapëlqehen shumë.

Linea Verde u ndal edhe në pika të tjera të zonës fushore, si në Fishtë të Zadrimës, ku  tregoi edhe raste interesante të rikthimit të emigrantëve nga Italia për të hapur vende pune për veten, për familjarët dhe për të punësuar  punonjës në restorante ku
mund të shijohen ushqime tradicionale, kurse në Lushnjë, Linea Verde nuk mund të mos ndalej në fabrikën moderne të përpunimit të qumështit, ku prodhohen djathëra, gjizë, kos etj. sipas parametrave të BE-së dhe të pëlqyeshme e të eksportueshme në vendte fqinje e më larg.

Emisioni, natyrisht, tregoi edhe kujdesin që tregohet nga Qeveria Italiane për ta ndihmuar Shqipërinë. Drejtori i Zyrës së Kooperacionit Italian, Andrea Senatori  dhe Amabsadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, shprehën optimizmin dhe besimin e tyre se Shqipëria do të shkojë edhe më përpara dhe se  do ta kurorëzojë më sukses përfshirjen e saj në BE, proces i gjatë dhe kompleks, por tashmë edhe i atillë që ka dhënë prova të mira ecjeje  e rritjeje të pandalshme.

E ndoqa me interesim këtë emison dhe nuk mund t’ia kursejmë fjalët lëvduese dhe kopmlimetet e merituara Patrizios dhe krejt ekpit ideator e realizues të tij.

Gjovalin Shkurtaj
Tiranë,10 nëntor 2014

Një ligjëratë interesante e prof.Lucia Nadin,Phd in Italianistica

Sot në orën 11.00, në Biblotekën Kombëtare,  studiuesja italiane Lucia Nadin, Phd in Italianistica, mbajti një ligjëratë me temën L’editoria veneziana al tempo di Aldo Manuzio e l’attività di Bernardino Vitali, editore di Marin Barleti”.
Kjo ligjëratë shkencore u organizua nga Istituto Italiano di Cultura në bashkëpunim me  Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, në kuadrin e javës së XIV të gjuhës italiane në botë, që sivjet i kushtohet temës “Scrivere la nuova Europa: editoria italiana, autori e lettori nell’era digitale” (Të shkruash në Evropën e re: editoria italiane, autorët, lexuesit  në epokën dixhitale).

Lucia Nadin, “Qytetare nderi e Shkodrës qysh nga 2010, është shumë e njohur  në Shqipëri për ndihmesat e saj  në fushën e lidhjeve dhe të raporteve historike  ndërmjet Republikës së  Venedikut dhe Shqipërisë.
Vepra  më e re e botuar nga autorja është, “Venezia e Albania, una storia di incontri e secolari legami” (Venezia, 2014), në të cilën ajo ka bërë edhe disa zbulime interesante me karaker historik dhe sidomos filologjik, të cilat edhe i përmblodhi në ligjeratën e saj sa interesante, aq edhe të ilustruar me fotografi e faksimile prej botimeve e dokumenteve të shfrytëzuzra prej saj.
Mbasi kishte zbuluar Statuti di Scutari (Statutet e Shkodrës) më 1995 në fondin e dorëshkrimeve  të bibliotekës së Museo Correr di Venezia, Lucia Nadin ka përgatitur botimin kritik dhe i ka rikthyer Shqipërisë një faqe themelore të historisë së saj. Kështu, ajo i është përkushtuar rindërtimit të  dukurisë së  emigracionit shqiptar në Venecie,  në periudhën midis Katërqindës e Pesëqindës, dha ka studiuar pastaj traditën  ikonografike të Skënderbegut në varkat e  doxhëve në Venecie. Si fryt i leximit  të kujdesshëm të çelësave shqiptarë në ciklin e  afreskeve të  Paolo Veronese-s në kishën e San Sebastiano-s në Venecie është  artikulli “La chiesa di San Sebastiano a Venezia, Paolo Veronese, le implicazioni albanesi: una storia tutta da riscrivere”(Kisha e Shën Sebastianit në Venecie, Paolo Veronezi, ndërlikimet shqiptare: një histori për t’u rishkaruar)  botuar në revistën “Ateneo Veneto”, CC, terza serie 12/II, 2013,pp.9-70.

Në ligjëratën e saj Lucia Nadin, në mënyrë të thukët e të qartë, shoqëruar edhe me fotografi e faksimile, paraqiti kuadrin e  shtypit në Venecie, kryeqyteti evropian i librit midis Katërqindës e Pesëqindës, duke u ndalur në figurën e Aldo Manuzio-s, si dhe në veprimtarinë e  Bernardino Vitalit, venecian me  origjinë shqiptare, botuesi i  veprës së Marin Barletit. 
Në mbyllje të konferencës, fola edhe unë, shpreha disa vlerësime për autoren në përgjithësi dhe për ligjëratën e sotme të saj, si dhe një shqiptim të shkurtër për televizionin A1-Report, ku theksova sa vion:

Zonja Lucia Nadin është figurë e dalluar si dashamirëse e shqiptarëve, mike dhe ndihmëtare e palodhur e të gjithë albanologëve: historianë, gjuhëtarë, kulturologë etj., që ajo i ka njohur qysh nga viti 1995, kur ishte punonjëse e Institutit të Kulturës Italiane në Tiranë.  Por, përtej veprimtarisë së saj në atë funksion, profesoresha Nadin është e mirënjohur  kryesisht si  hulumtuese e zellshme e vlerave, dëshmive dhe dokumentacionit historik të marrëdhënieve e lidhjeve të hershme miqësore, tregtare e politke të shqiptarëve me Italinë dhe italianët, duke u pykëzuar sidomos në lidhjet shumë interesante të Venecies e venecianëve me Shqipërinë e shqiptarët. Peridha historike, së cilës zonja Nadin i ka kushtuar vite të tëra kërkimi e gjurmimi në dokumentacionin që ruhet në biblotekat dhe arkivat e pasur të Venecies, i përket periudhës mesjetare, me kah të theksuar sidomos në shek.XV dhe XVI, kohë kur edhe marrëdhëniet me editoritë dhe ndërmarrjet botuese të brigjeve të këndejme të Adriatikut, sidomos të Shkodrës e trevave të Shqipërisë veriperëndimore kanë qenë dukshëm të dendura dhe në Venecie, sikundër e dëshmoi bindshëm edhe ligjërata magjistrale zonjës Nadin, janë botuar libra themelorë të historisë shqiptare, si p.sh. Historia e Skënderbeut e Marin Barletit dhe, në lëmin e histrorisë së shkrimit të shqipes, botimi i “Mesharit” të Gjon Buzukut, pikërisht në Venecie  në vitin 1555.

Prof.Lucia Nadin është autore botimesh me vlerë,  të cilat janë fryte të një pune shumëvjeçare e të mundishme, që vetëm ata që janë marrë me hulumtime e kërkime arkivore e filolgjike mund ta kuptojnë e ta vlerësojnë sa shumë kohë i është dashur asaj për t’ua dalë në krye punëve të tilla. Përmendim, ndër të tjera,  Migrazioni e integrazione. Il caso degli albanesi a Venezia (1479-1552)” Bulzoni Editore, Roma 2008, pp.241. Autorja ka zgjedhur  si datë të fillimit të librit  të saj vitin  1479, që shënon rënien e qytetit të Shkodrës nën pushtimin otoman mbas një qëndrimi në rrethim prej rreth dy vitesh. Shkodra nën zotërimin venecian, prej 1396 deri më  1479, ishte një pikë-çelës për tregtinë veneciane, e lidhur me det nga një rrjet lumor dhe një qendër e kryqëzimit të  trafiqeve të Ballkanit.

Libri tjetër me rëndësi i zonjës Nadin është “Statuti di Scutari della prima metà del secolo XIV con le addizioni fino al 1469”.

Ligjërata si ajo e mbajtur sot nga prof.Lucia Nadin  janë të mirëpritura dhe sjellin edhe surpriza të këndshme, sikundër është edhe surpriza e jashtëzakonshme e Shqipërisë veneciane(= emigracioni Italian në Venecie), që  prof.Nadin e ilustroi edhe me nofkën albanesoti me të cilin i që i quanin emigrantët e ardhur nga Shqipëria e Veriut; po edhe duke  përmendur emra venecianësh të njohur të kohës, si Paola Kamsa venecian, por me origjinë nga Shkodra. Me interes për mua si gjuhëtar ishin edhe sa shprehu profesoresha  në disa pjesë të ligjëratës, kur foli edhe  për  shqyrtimin e librit të Buzukut nga pikëpamja editoriale dhe tipografike dhe veçmas lidhur me  disa pika  dhe hipoteza interesante rreth mundësisë që “Meshari “ i Gjon Buzukut të ketë qenë botuar pikërisht nga njëra prej editorive të lidhura ngushtë me emigracionin shqiptar dhe, sipas gjasësh, nga ndonjë venecian me zanafillë shqiptare. Po ashtu, një nga prurjet interesante të kësaj ligjërate ishte edhe sa shprehu zonja Nadin për librin e Marin Barletit Historia e Skënderbeut. Së pari, lidhur me datën e botimit, për të cilën Nadini ngulmon se do të jetë viti 1510, jo m parë siç mendohet dhe, së dyti, se në ilustrimet e librave të tipografisë ku është botuar  libri :  Aty na jepen edhe pamjet e Shkodrës e të Shën Gjergjit, si shenjtori mbrojtës i Shkodrës, me pamje të kështjellës dhe të liqenit në këmbët e saj”.

Në mbyllje, më duket e pëlqyeshme të citojmë sa shprehu ambasadori Italian, Massimo Gaiani, i cili tha se “librat e zonjës Nadin, që i kam lexuar me kujdes, më kanë ndihmuar të kuptoj më mirë vlerat dhe botën shqiptare”.

Prof.dr.Gjovalin Shkurtaj
Akademik i asociuar

Tiranë, 24.10.2014

Përleshje futbolli: A do të zgjedhë Evropa ta injorojë racizmin serb?

Soccer brawl: Will Europe choose to ignore Serbian racism?

Last week, the world was shocked to witness what happened at a soccer match between Serbia and Albania. This week, the consequences are still unfolding.

Sitting in front of the TV, I couldn’t believe my eyes. Serbia, which is in line to join the European Union, turned a soccer game in Belgrade into a battlefield. The nation that unleashed a huge wave of violence in the Balkans two decades ago showed once again that it is stuck in its past, when hatred and racism against Albania and its people were officially tolerated.

Click here to read full story at Fox News: http://www.foxnews.com/opinion/2014/10/21/soccer-brawl-will-europe-choose-to-ignore-serbian-racism/

Miq faqebardhë tek mikpritës faqezinj

nga Gjovalin Shkurtaj

Follow @gjshkurtaj


Dashamirësia dhe dashakeqësia janë dy cilësi të përjetshme të njerëzimit dhe, mbi bazën e tyre, në rrjedhë të shekujve, janë etiketuar edhe popujt, kombet e shtetet përkatëse.

Shqiptarët kanë qenë gjithmonë dashahmirës, bujarë, mikpritës dhe besnikë. Edhe ndaj fqinjëve ballkanikë, kurdoherë, shqiptarët kanë treguar gjoksin e hapur  e zemrën bujare, kanë qenë të lidhur me Atmen e trojet e veta, kanë derdhur edhe gjak për t’i mbrojtur, por kurrë nuk kanë bërë prapashpina, kurrë nuk kanë ushqyer urrejtje të pamotivuar. Përkundrazi, historikisht, fqinjët tanë, pa të drejtë, pa arsye e pa shkak, kurrë nuk na e kanë dashur të mirën, na i kanë pasur zili edhe bjeshkët e malet e larta, edhe fushat, edhe detin e brigjet ku rrojmë qysh se është populluar Ballkani, qysh kur serbët ishin diku në Lindje. Nuk është faji i shqiptarëve që janë anas në trojet e veta, që shkencat historike dhe përgjithësisht humane i kanë dëshmuar se janë ”autoktonë”.

As serbët nuk mund t’i quajmë të këqinj, vetëm sepse kanë ardhur në Ballkan shumë shekuj mbas shqiptarëve. Ata kanë qenë, janë dhe do të jenë fqinjët tanë. Si vendës më të hershëm, shqiptarët u kanë shtrirë kurdoherë si serbëve, ashtu edhe fqinjëve të tjerë, dorën e bashkëjetesës e të fqinjësisë së mirë. Por, të parët tanë e kanë ditur se cilët janë serbët dhe kanë lënë fjalën e urtë që thotë: “Të huajin mos e duaj, por nderin ia ruaj!”. Shqiptarët kurrë nuk i përshkëndojnë as me fjalë as me vepra kundërshtarët e aq më tepër fqinjët. Sigurisht, përvoja e hidhur e shekujve murdarë e kanë bindur popullin tonë të ketë gjithmonë syçeltësi e të mbajë fort parimin e njohur “Besnik banu, por besë mos zen!”.

Edhe Shekspiri i madh thoshte :”Ruaju nga zilia e mikut, por mbi te gjitha nga keqdashja e armikut!”. Dhe në fakt, prej veprave madhore të atij gjeniu, gjithë bota e ka nxënë dhe nuk e harron se keqbërësit, vrasësit, intrigantët, zemërzinjtë gjithmonë shohin ëndrra të kqija. Makbetin e lanë pa gjumë vrasja e pabesia. Droni ishte ëndrra e keqe e serbomëdhenjve e jo provokim prej shqiptarëve. Në stadiumin e Beogradit nuk u lejua asnjë flamur shqiptar, asnjë për be, ashtu si nuk u lejuan as tifozat normalë, duke çuditur botën me këtë frikë të pashpjegueshme nga prania e tifozëve shqiptarë dhe sidomos e simboleve kombëtare të një populli fqinj.

Edhe po të mos ishte shfaqur droni mbi fushën e futbollit në Beograd, serbët dhe e gjithë bota e dinë tashmë se shqiptarët dhe Shqipëria janë faktor me rëndësi në hapësirën e Evropës juglindore, po edhe më gjerë në Evropë në Botë. Shqiptarët nuk dalin para botës me tifozë të paqytetëruar e të dhunshëm, as më shpatë e topuz në dorë, sepse epoka e atyre veprave “është kryer”.

Shqipërinë dhe shqiptarët i përfaqësojnë sot në botë Lorik Cana dhe plejada e sportistëve të shquar që luajnë në klubet sportive më të njohura të Evropës e të botës.

Lorik Cana dhe djemtë e kombëtares shqiptare shkuan në Beograd faqebardhë e gjoksahapur, pa asnjë të keq, në besë të organizatorëve të Federatës së Futbollit e në përputhje me të gjitha rregullat e protokollet që rregullojnë zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit.

Pritej një tjetër frymë dhe fillimi qe shumë i bukur. Po përmend vetëm nëj imtësi (detaj) që nuk duhej t’u shpëtonte as analistëve, as specialistëve të futbollit. I ati i Lorik Canës, një ish-sportist njohur, dhe një ish-koleg i tij serb, që kishin ardhur për të parë ndeshjen, u takuan dhe u përqafuan miqësisht, duke i thënë se “gjatë ndeshjes, për nëntëdhjetë minuta do të jemi kundërshtarë, por mbas ndeshjes përsëri do të jemi miq” dhe në mënyrë shumë domethënëse u përqafun dhe i ati i Lorikut e puthi serbin, mikun e tij. Por, për fat të keq, puthja e zotit Cana në faqen e serbit do të mbetej e ngrirë. Pa kaluar as dyzet minuta të ndeshjes, tërbimi i tifozëve dhe i organizatorëve serbë do të kalonte çdo kufi të sjelljes njerëzore.

Profesionalizmi dhe përgatitja e mirë e futbollistëve tanë ua vranë shpresat për fitore çmendarakëve që mbushnin stadiumin. Humbën logjikën, harruan dhe rregullat e detyrimet ligjore si vend pritës dhe shfrynë mllefet e vjetra e mendësitë anakronike e në mënyrën më të pahijshme e më të paqytetëruar, duke mos nderuar as himin  kombëtar shqiptar, duke thirrur me tone të shfreuara “të vriten shqiptarët” dhe, përtej çdo norme  e qytetarie, ushtruan edhe dhunë fizike ndaj djemve të skuadrës sonë.

Edhe një herë, pra, faqe të gjithë botës, në vend të korrektësisë e zbatimit të regullave të fqinjësisë së mirë, tifozë serbë, si qentë e tërbuar  të lëshuar nga hekurat, u vërsulën në fushë, goditën e lënduan sportistët shqiptarë. Turp  dhe vetëm turp për të gjithë ata që vepruan, por edhe më shumë për qarqet e epërme qeveritare, të cilët në vend që t’i dënonin e të merrnin masa ndëshkimore ndaj tyre,  u dolën në mbrojtje dhe u përpoqën e po vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet e një shteti të madh për të dënuar shqiptarët  e jo fajtorët.

Te thuash se ai qe një turp i madh për serbët është pak.Turp e faqe e zezë dhe njollë e pashlyeshme joqytetëruese, po edhe tregues i papërshtashmërisë më të skajshme të Serbisë për t’u pranuar në BE.

Edhe UEFA duhet t’i bëjë ndëshkim shembullor stadiumit dhe Federatës së Serbisë. Fitorja zero me tre në tavolinë për skuadrën tonë kombëtare është gjëja më e paktë që duhet të zbatojë UEFA.

Dhe, meqë disa nga drejtuesit e UEFA-s janë francëzë, më duket e rastit t’u kujtoj një thënie të vyer të Viktor Hygoit që thotë: “La bonté doit être récompensée, et la negligence doit être punir!”(“Mirësia duhet shpërblyer, kurse neglizhenca duhet ndëshkuar.”)

Vetëm kështu, serbët dhe të gjithë qytetarët e vërtetë, që ëndërrojnë dhe shpresojnë të hyjnë në Evropë do ta marrin vesh se me mjetet, mendësitë dhe frymën e mykur shoviniste nuk mund të ecet përpara.

Edhe pa lëshuar dronin mbi një stadium të Beogradit, sot e gjithë bota e ka marrë vesh se shqiptarët janë faktor paqeje e stabiliteti, prania e tyre aq masive edhe në të gjitha metropolet e Evropës, të Amerikës, Australisë etj. nuk u bën dëm të tjerëve. Shqiptarët kanë pasur e kanë dije e kulturë, kanë kodet e veta morale dhe virtytet e dalluara e të lëvduara nga bota mbarë.

Mirësevini Ati i Shenjtë, Papa Françesku i Parë

(Adhurim, nderim e ndjesë nga mbarë kombi shqiptar)
Kjo fundjavë e shtatorit 2014 do të mbetet për shumë kohë në kujtesën e shkruar e gojore të shqiptarëve, sepse më datën 21, ditën e diel, këmba e bekuar e Atit të Shenjtë, Papës Françesku i Parë, do të zbresë në tokën shqiptare, në aeroportin “Nënë Tereza”.
Një popull i tërë, një komb i vogël në përmasat e sasinë e njerëzore e truallsore, por i madh e lavdiplotë në përmasat e bujarisë e të lidhjes së tij të përjetshmë me “fe e atdhe”, ka çelë zemrat e dyert për të pritur një Mik të Madh, të dërguarin e Kishës së Romës, mëkëmbësine Hyjit në tokë, Shënjtërinë e Tij, Papa Prançeskun e Parë.
Sa veta që quhen Fran, Frano, Franc, Çesk, Frangjisk etj. në trojet shqiptare e në diasporat e hershme e të reja, deri në Amerikën e largët ku kam edhe unë një nip që quhet Françesko, do të mburren  se një emnak i tyre i madh, Françesko Bergoglio, ipeshkëv i Romës dhe kreu i Kishës Katolike Botërore do të mbërrijë për t’i bekuar ata (dhe të gjithë shqiptarët) dhe do të meshojë në altarin e ngritur enkas për të në Sheshin “Nënë Tereza”.
Shenjtëria Juaj e lartë,
Ju zgjodhët të nderoni me ardhjen Tuaj një popull të vogël, një komb edhe sot ende të ndarë në disa shtete në Ballkan, po edhe më një diasporë e mërgatë (arbërore, arbëreshe, arbneshe, arnaute) në të gjithë Botën; një popull që, edhe fetarisht, historia e ka ndarë e përndarë në disa besime (katolikë, ortodoksë, myslimanë, bektashinj), por që, të gjithë sa jemi, për një mrekulli të vetë të Lartit Zot, e ndiejmë vetën shqiptarë (përkatësisht:arvanitë në Greqi, arbëreshë në Itali, arbneshë në Dalmaci, arnautë në Bullgari, Turqi etj.) dhe pavarësisht nga besimet fetare tashmë të ndryshme që kemi, ia duam të mirën njëri-tjetrit, rrojmë në paqe e harmoni të plotë, pa asnjë pengesë a ngatërresë ndërmjet tyre.
Për shqiptarët, si kishat, ashtu edhe xhamitë, sinagogat, tyrbet etj., janë “shtëpi të Zotit”, janë njësoj të respektueshme e të papërgojueshme. Ky ka qenë  dhe vijon të jetë një mësim i madh kombëtar i shqiptarëve dhe, sigurisht, edhe Shënjtëria e Tij, Papa i Romës, Francesku i Parë, e çmoi lart dhe, me vizitën e Tij në tokën tonë, i blaton bekimin e Tij kësaj cilësie meritore të popullit shqiptar, duke pasur parasysh edhe rrethanën se, në rrjedhë të shekujve, deri në kohët e reja dhe ende të paharruara, pikërisht për arsye feje, gjuhe e dashurie për atdhe, populli ynë ka qenë edhe i martirizuar. 
Ju, Atë i Shenjtë, po vini në Shqipëri për të sjellë urime e bekimin në këtë tokë të lashtë ilire e shqiptare, që ka nxjerrë edhe kardinalë e papë të mirënjohur, si dhe, ndër të tjera, po na sillni në Bibliotekën Kombëtare një dhuratë të vyer e që na bën krenarë si shqiptarë: “Mesharin“ e Gjon Buzukut, librin e parë të shkruar në gjuhën shqipe, prandaj, me dashuri, mirënjohje e përzemërsi, i madh e i vogël ju uron shqip e shqiptarisht:

Ardhshi i bardhë e qofshi këmbëmbarë! U bëftë vullnesa e të Madhit Zot dhe misioni, bekimi e fjalët Tuaja shkofshin në drejtimin e duhur, u ngulitshin thellë në mendjet e zemrat e të gjithë shqiptarëve dhe kjo vizitë e Juaja, qoftë edhe një kthesë tjetër e madhe e popullit të thjeshtë dhe e qeveritarëve tanë drejt pajtimit kombëtar, drejt përparimit e mbrothësisë.

Adhurim, nderim e ndjesë nga mbarë kombi shqiptar.
Gjovalin Shkurtaj
Tiranë, 18 shtator 2014

Nënë Tereza dhe “rirja”e emrit të saj

nga Gjovalin Shkurtaj
Emri i Nënë Terezës, shenjtores së parë shqiptare, nobelistes me famë botërore, ka qenë dhe do të mbetet frymëzues dhe mirësindjellës.  Porositë e saj janë aq prekëse e të vyera dhe gjithmonë mësimdhënëse për të gjithë ata që dëshirojnë të lënë gjurmë të vërteta si veprimtarë shoqërorë e si njerëz të zotuar në mbrothësinë e përparimin e vet e të mbarë shoqërisë. Shpesh e sjell në mendje dhe ua citoj miqve e të afërmve porsinë e saj të urtë që thotë:

Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes sate gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”

Në verën e vitit 1989 edhe unë kam pasur rastin e lumtur  të kem qenë në takimin me Nënë Terezën, kur ajo, bashkë me disa nga motrat e saj, erdhi në ambasadën Shqiptare në Romë për të marrë vizën për vizitën e saj të parë në Shqipëri. Më kishte lënë mbresa të paharrueshme figura dhe personaliteti i saj, butësia dhe përvujtësia e saj, si dhe, mbi të gjitha, cilësia e saj që fliste më shumë me sy sesa më gojë dhe ajo veti hyjnore i shkonte plotësisht për shtat kurmit të saj të imtë e të brishtë dhe bekimit të saj të urtë të përmbledhur në urimin e saj :”Zoti ju bekoftë!
Qysh nga ai takim i paharrueshëm, shumë herë më shkonte në mendje dhe ëndërroja sa bukur do të ishte që kur të bëhesha gjysh, të kisha një mbesë me emrin Tereza. Djali dhe nusja për këtë mund të zbatonin traditën e “rirjes” (përtëritjes) së emrit të gjyshes, sepse se edhe nëna ime quhej Tereza.
Kaluan vite dhe, më 14 shkurt 1999, u bëra gjysh dhe erdhi në jetë pikërishtr një vajzë, e shumëpritur dhe e shumëdëshiruar, një gëzim i papërshkrueshëm dhe që e përjetojnë vetëm ata që janë bërë gjyshër. Të tjerët duhet të presin…
Nusja dhe djali, duke e ditur dëshirën time të kahershme, e pagëzuan me emrin Tereza. Ky ka qenë për mua gëzim mbi gëzime, sepse nëpërmjet këtij akti të bukur ata bënin “rirjen “e emrit Tereza,  sipas traditës së bukur shqiptare, por kjo ishte njëherazi edhe rirje e një emri aq të madh e të lavdishëm, një emri të shenjtëruar e të nderuar për të gjithë Botën, emrin e shenjtores Nënë Tereza, që i qëndron si Yll Drite kombit shqiptar, duke shndritur e shkëlzyer breznitë e sotme dhe ato që do të vijnë me rrezet e praruara të humanizimt e të shqiptarisë.
Sa herë flas nëpërmjet FaceTime-it me Terezën time të vogël, që është në Amerikë, tashmë nxënëse në një nga shkollat e mesme të Nju Jorkut, duke e krenaruar për emrin e bukur që mban, i kujtoj edhe vargjet e famshme të Terezës së Madhe, që thotë:

Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të medha,vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Dhëntë Zoti që të gjithë shqiptarët, kudo që të ndodhen, ditë për ditë, të gjakojnë të kryejnë punë të vogla, por të mira, të mbara e me dashuri të madhe për njërëzimin e përparimin e gjithmbarshëm.

Elida Capari:Çështja Çame në Marrëdhëniet Shqiptaro-Greke

http://www.facebook.com/notes/elida-çapari/çështja-çame-në-marrëdhëniet-shqiptaro-greke/310759855686901?notif_t=note_tag

HYRJE Çamëria është një krahinë Shqiptare e aneksuar nga Shteti grek në bazë të vendimeve  të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913 (dhe më 11 gusht 1913 vendimi përfundimtar mbi kufirin jugor të Shqipërisë). Ky vendim i padrejtë…

Like ·  ·  · 5 minutes ago