Radio: Nderim e vlerësim meritor për Ded Goon Lulin – Emisioni 4

(Me rastin e 100-vjetorit të rënies dhe të përurimit të Shtatores së tij në lulishten e Muzeut Historik Kombëtar, më 27 nëntor 2015)
 

Emri i Ded Gjon Lulit është emër nderues dhe peng madhështor i atdhetarisë e i qëndresës heroike për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Ai ka qenë dhe mbetet njëri prej emrave më të ndritur të burrërisë dhe trimërisë shqiptare, emri i një malësori që ishte një shkëmb i gjallë midis rrasave, shkrepave e shkëmbinjve të Hotit, ku lindi dhe jetoi duke gëzuar nderimin e dashurinë e  krejt Malësisë së Madhe. Madje, për utësinë, zgjuarësinë dhe zotësinë e tij për t’i pasur malësorët jo thjesht mbas vetes në beteja, por për të qenë gjithnjë midis tyre, si njëri prej tyre, si luftari që i njihte emër për emër të gjithë burrat e Malësisë derë për derë, gjithmonë me urtësinë e lindur, po edhe me  përvojën e fituar në përballimin e plojës, prapashpinave dhe dëmeve nga armiqtë njësoj si të gjithë malësorët. Ai qe, ashtu si është cilësuar nga të gjithë historianët, kronikanët e kohës, shqiptarë e të huaj: “pushkë e ngehur për Shqipërinë”. Ai i dha truallit shqiptar gjakun e dy djemve, Gjergjit e Kolës, po edhe një nga luftëtaret më të shquara, si Nora e Kol Dedë Gjo Lulit ose thjesht Nore Kolja.

Qysh  nga viti 2012 Malësia e Madhe është nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” dhe, pa dyshim, për atë titull, po edhe për nderimin e vlerësimin që i takon asaj krahine kreshnike e gjithmonë të papërkulshme ndaj të huajve, kanë çuar peshë fuqimisht emri, bëmat trimërore dhe ndihmesa e pavdirë e Dedë Gjon Lulit.

I pamposhtur nga pushtuesit osmanë, që sa herë provuan  u zbrapsën me turp e thyen qafën në shtigjet e thepat e Malësisë, ku kushtrimi për mbrojtjen e vatanit ishte gjithmonë më i ndjerë se britma “yxhym  e armiqve; i panënshtuuar as nga prapashpinat e fqinjëve grabitqarë, të cilët provuan më kot edhe ta “blenin” me shuma të mëdha të hollash Dedë Gjon Lulin, por ai pranoi më mirë varfërinë dhe jetën e ndershme, sesa robërimin e kokën e ulur mbi thesin e florinjve.

Malësia e Madhe, me Dedë Gjo Lulin e burrat e tjerë si ai, do të gjenin lavdi e zulmë në penën e kronikanëve, po edhe në vjershat e poetëve të shquar bashkëkohës e bashkëmendimtar të Dedës.
Ndre Mjeda, në sonetin e tij të famshëm “Liria”, duke pasur parasysh Dedën e trimat e tij nga Hoti, thotë:’

“…qe ndër djepa rrisin nanat e Hotit, djelmninë ushtore, e hidhnim n’anmikun nëpër gji u qesin”


kurse Apa i letrave shqipe, Poet i Madh kombëtar Gjergj  Fishta, i cili jetoi shumë kohë si famullitar në Malësi dhe ia dinte vlerat  trimëroire e urtinë e kuvendit,  do të këndonte për të në “Mrizi i Zanave”, sa viool:

“M’kambë Dedë Gjo’Luli!Thonë se t’birit t’shkinës,Lekët e Malcisë sod t’dhetat do ja lajnë,Se edhe do t’vejnë kapicën e Cetinës.A ‘imend thue, ti kaq marre do ta bajnë,Ata sokolat tu, Lekët e Malcisë,Jo kurr, jo kurr…Po djelm Shqyptar kushdo ka le,N’mos mujtë Shqyptar me mbetë, Shqyptar t’hijë n’dhe!”

Breza të tërë shqiptarësh janë rritur e do të madhështohen, me të mirat e të mbarat e kohëve të reja të sodit, por kurrë nuk do të harrojnë se janë nipat e stërnipat e Dedë Gjon Lulit, i cili, prej shkrepave të Traboinit ia niste me këmbëngulje letrat e  kërkesën për pavarësinë e Shqipërisë autoriteve osmane, sikundër këndohet edhe në këngën  “Dedë Gjon Luli ka shkrue letër”, që aq  madhërishëm e ka përjetësuar në zemrat shqiptare  bilbili i këngës shkodrane, Bik Ndoja:

“Dedë Gjon Luli ka shkrue letër”,Valisë s’ Shkodrës ia ka çue,Se Shqyptari nuk don tjetër,Don veç vedin  me sundue!”

Le të jetë emisoni i sotëm një zë i thjeshtë, por i çiltër e kushtimplotë për atë Burrë të Madh të Malësisë  së Madhe “Nderi i Kombit”, i cili, prej datës 27 nëntor 2015 e mbrapa, do ta ketë shtatoren në kryeqytetin e Shqipërisë, në lulishten para Muzeut Historik Kombëtar, aty ku u takon të jenë burrave të mëdhenj të Kombit si Dedë Gjon Luli.

Gjovalin Shkurtaj
Tiranë, 21 nëntor 2015



Radio: Urgjenca Gjuhësore – Emisioni 1

Dëgjues të nderuar, miq dhe dashamirë të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare, përshëndetje! Mirësevini në “Urgjenca gjuhësore”!
Gjuha është pjesë e jetës, pasqyron dhe u përgjigjet njerëzve me fjalët, shprehjet dhe ndërtimet e saj për të kryer të gjitha proceset jetësore, qysh nga lindja e deri në mbarim të jetës. Dhe,natyrisht, ashtu si në jetë, ka ndodhi e dukuri të ndryshme, ka edhe sëmundje, plagosje, aksidente e fatkeqësi, të cilat kërkojnë patjetër edhe ndihmë, kërkojnë mjekime urgjente dhe për këtë shërben urgjenca mjekësore. Ashtu edhe në gjuhë, njerëzit e veçantë dhe bashkësia shoqërore në tërësi, ditë për ditë, ndeshen edhe me dukuri që kanë nevojë për t’u ndrequr, njësoj si sëmundjet që duhen mjekuar për t’i shëruar; pra, kanë nevojë për “urgjencën gjuhësore”.
Nëpërmjet bisedave në Radion tonë, nga një ditë në tjetrën, të dashur dëgjues, do të flasim për raste të tilla, gjithmonë jo për t’i ironizuar e lënduar ata që gabojnë, por thjesht për t’u dhënë atyre (dhe të gjithë dashamirëve të shqipes e të shqiptarisë) një mundësi më shumë për t’i njohur e mënjanuar format e gabuara, si dhe barbarizmat e huazimet e panevojshme që mund të zëvendësohen me fjalë shqipe ekzistuese ose të krijuara me brumin e shqipes e sipas rregullave fjalëformuese të saj.
Natyrisht, në emisionet tona, krahas dukurive të “urgjencës gjuhësore” do të dëgjoni edhe vlera e vlerësime për ngjarje e data më rëndësi kombëtare e gjuhësore, si dhe për ndihmesa të studiuesve shqiptarë dhe albanologëve të huaj për gjuhën shqipe.
Do të mirëprisnim pyetje dhe vlerësime tuajat, të cilat me siguri mund të na hapin edhe horizonte të reja trajtimi.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe mirudëgjofshim në emisionin e ardhshëm.