Gjuha Shqipe në Amazon dhe ligjet mbi botimet elektronike dhe të drejtën e autorit

Nisma e ndërmarrë nga shoqëria civile shqiptare për përfshirjen e botimeve në gjuhën shqipe në Amazon Kindle platform është vërtet për t’u përkrahur dhe mbështetur. 

Por, kjo nuk do të thotë që sot një autor shqiptar nuk mund të shkruajë dhe të botojë libra në formatet e ndryshme, qoftë këto Amazon, iBook, Android Google Play, etc. ( http://www.amazon.com/Gjovalin-Shkurtaj/e/B001JO5GXW

Nuk është Amazon Kindle, që nuk e fut “gjuhën shqipe” në format, por janë mungesa e ligjeve mbi të drejtën e autorit në formatet elektronike, shpërndarjes, shitjes, si dhe ngritja e sistemit tarifor, si dhe gjetja e rrugës së drejtë se si do të mblidhen ato nga autoret, shtepitë botuese dhe shteti në një treg virtual, siç është ai i librit elektronik.

Përpara se t’i kërkojmë Amazon-it të na fusë në sistem, ne duhet të kërkojmë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga autoritetet ligjvënëse që të hartojnë dhe të kalojnë për miratim ato ligje që do të rregullojnë këtë lloj biznesi, duke përcaktuar sa më mirë dhe si do të arrijë shteti ynë, nga njëra anë, të ruajë të drejtën e autorit dhe, nga ana tjetër, te lejojë transaksionet financiare dhe t’i mbikëqyrë ato.

Jam i bindur se shtëpitë botuese në Shqipëri, mbase nuk janë shumë të predispozuara kundrejt një hapje të tillë, jo për mungese interesimi, por sepse edhe për to nuk ka një ligj të përcaktuar mirë, që të rregullojë dhe të mbrojë të drejtën e tyre të shpërndarjes brenda territorit shqiptar, ashtu dhe në territoret jashtë Shqipërisë, ku sot jetojnë me miliona shqiptarë. Gjithashtu, është si të thuash një zonë gri, e paqartë se ku fillon dhe ku mbaron e drejta e autorit dhe ku fillon dhe mbaron e drejta e shtëpive botuese dhe e drejta e tyre për të ribotuar.

Domethënia e Pashkëve dhe e kryqit

nga Gjovalin Shkurtaj

Pashkët ose Pashka është festa më e madhe e kristianizmit, që përkujton vdekjen e Jezu Krishtit  në kryq dhe ringjalljen  e tij mbas tri ditësh. Kjo festë  tradicionalisht përbën kremtimin më të madh sipas kalendarit liturgjik  Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera.
Festa e Pashkëve të krishtera është e lëvizshme, vendoset çdo vit të dielën pasuese, të hënën e parë  të javës së plotë pas baraznatës(ekuinoksit) të pranverës (21 mars), pra gjithnjë  në periudhën ndërmjet 22 marsit dhe 25 prillit .

Pashkët janë festa me kuptimin më sublim  të besimit  të krishterë, që e ka zanafillën në festën e hebrenjve që festojnë kalimin e tyre të mrekullueshëm nëpër Detin e Kuq, nën udhëheqjen e Moisiut, për të shpëtuar dhe për t’u çliruar nga robëria e faraonit të Egjipitti dhe për të shkuar në Tokën e Premtuar.


Pashkët janë festa më e  madhe që kremtojnë izraelitët në Jeruzalem, ku edhe sot dita e Pashkëve të tyre nis me festën e Bukëve të ndorme (të pambrume, të pafermentuara me tharm), e cila zgjat shtatë ditë dhe konsiderohet si e njëjtë me festën e Pashkëve.
Thelbi  i misterit fetar të kësaj feste lidhet me  përkujtimin e vdekjes së Jezusit në kryq dhe me mrekullinë e  ringjalljes së tij mbas tri ditësh. Jezusi kaloi nëpër labirintet dhe vuajtjet e vdekjes, i masakruar dhe i gozhduar në kryq, duke duruar dhe duke u flijuar  me qëllimin e lartë për ta shpëtuar botën nga mëkatet dhe për  të shënuar ringjalljen e forcave të së mirës në mënyrë triumfale dhe shpëtimtare për njerëzimin.

Pashkët, si fjalë e hershme  e shqipes së moçme  e huazuar nga latinishtja  Pasqua, po edhe si festë me ritualet e saj të mirënjohura e të ushtruara hershëm në mbarë hapësirën arbërore e shqiptare, lidhet me  ringjalljen e Krishtit, por në rrjedhë të  shekujve ka marrë edhe  kuptimin e fuqisë ringjallëse të natyrës, që lë prapa dimrin e ftohtë dhe të ashpër e pret pranverën; simbolizon edhe fuqinë  e forcat këndellëse të botës organike, që bën  të çelin e të lulëzojnë pemët, bimët dhe gjethimin e lulëzimin e fushave e maleve; simbolizon forcat e pjellorisë  që mbushin vithnat e bagëtive me shtrri  të njomë (qengja e keca, viça, mëza) që gumëzhijnë e gjallërojnë jetën gjithandej.

Por, Pashkët janë kthyer me kohë edhe në simbol të mbarësisë  dhe  përtëritjes  shpirtërore e morale të njerëzimit.

Vezët e kuqe që zbukurojnë tryezat dhe gatesat e rastit të kësaj feste kanë pasur e vijojnë të kenë edhe simbolikën e mbarësisë dhe të lindurit të së mirës, ashtu si del zogu nga veza.

Urimet tradicionale të Pashkëve në hapësirat shqiptare janë të shumta e të larmishme, por më të përdorshmet kanë qenë: Me shëndet Pashkët! Gëzuar Pashkët! Ato, sigurisht, kanë qenë të ngjitura në shtratin e thirrjes biblike “Krishti u ngjall!”, që do të thotë, në fakt, shpresat u ringjallën, pranvera po vjen dhe po sjell përtëritjen  e rigjallërimin  e gjithçkaje.

Kështu, mund të thuhet se festa e Pashkëve është, ndoshta, shprehja më e plotvlershme e dëshirave të njërëzimit për vazhdimësinë e jetës, për rifillimin e gjithçkaje të mirë e të mbarë në natyrë e në shoqëri.

Pashkët, ndërkaq, sikundër dihet, shënojnë vetëm “kumtin” a lajmin se po vjen  ringjallja e natyrës, se po vjen pranvera, por ajo ndiqet gjatë prillit me Shëngjergjat, simboli i lulëzimit dhe i ardhjes së pranverës. Kudo në hapësirat shqiptare gjatë prillit festohen Shëngjergji  ose Shëngjergji i Ri, diku nga 25 prilli, pastaj  Shëngjergji Plak (nja dy javë më vonë) e me të cilët në popull numërohej jeta, mosha e njeriut. Kujtojmë se shprehja  ngarkuar me shëngjergja”do të thotë i  vjetër,    moshë, që ka jetuar e ka festuar shumë shëngjergja.

Pashkët dhe krejt misteri pashkor janë të lidhur  edhe me kryqin, si simbol e tregues i mundimeve të Krishtit në kryq, i mundimeve dhe i sakrilegjeve që ai bëri për hir të njerzimit. Prej andej vjen edhe shprehja e praktika e Udhës  (Rrugës) së Kryqit, që do të thotë rruga e vështirë, plot vuajtje e mundime që bëri Jezu Krishti me kryq në krah, për shërbim të njerëzimit, për faljen e mëkateve; kjo udhë është një ftesë e njërëzimit për përkushtim e meditim.

Tiranë,5 prill 2015