Përurimi i romanit “Përtej mjegullës ka dritë” i shkrimtarit Isa Alibali

‘Përtej mjegullës ka dritë’
Sot në sallën e Akademisë sonë të Shkencave, shkrimtari  Isa Alibali përuroi romanin e tij të ri “Përtej mjegullës ka dritë”. Përurimi ishte organizuar në një mënyrë tërheqëse dhe të atillë që të pranishmit, edhe ata që ende nuk e kanë lexuar librin, morën mjaft përshtypje e përfyturime interesante nga sa u paraqit në kumtimet e rastit nga zotërinjtë Andrea Zisi, Ded Shkurti dhe Jak Luka, si dhe nga leximi mjeshtëror i disa pjesëve të zgjedhura të romanit nga aktorja dhe këngëtarja e shquar Justina Aliaj.


Me Artisten e Popullit Tinka Kurti
Kishin ardhur në përurim shumë njerëz, shumica shkodranë, miq e dashamirë të autorit, familjarë të derës së madhe e të shquar shkodrane të Alibalajve, studiues dhe artistë shkodranë, si Artistja e Popullit Tinka Kurti, pranë së cilës pata nderin e kënaqësinë të isha ulur në radhën e parë; punonjës të organeve të shtypit e të televizioneve  të ndryshme, që kanë njohje, respekt e vlerësim për punën e frytshme e ndihmesat e vyera që z. Isa Alibali ka dhënë në fushën e arsimit, të kulturës dhe të letërsisë.

I diplomuar në degën Gjuhë-Letërsi, në vitin 1960, ka punuar 3 vjet në Mirditë dhe ka qenë drejtori i parë i Gjimnazit të Rrëshenit, pastaj, ka qenë inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës në Shkodër dhe në vitin 1965 kryeinspektor i kulturës në atë seksion. Nga mesi i vitit 1967 e deri në fund të vitit 1982, ishte drejtor i Teatrit “Migjeni”, me një ndërprerje trevjeçare, si drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore (1969-72). Pastaj ka qenë drejtor i Shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” dhe tre vjetët e fundit, deri në daljen në pension më 1991, ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja”.

Kohët e fundit z.Isa Alibali jeton në Tiranë dhe, krahas punës së tij si shkrimtar dhe autor i shumë librave studimorë e prozë artistike, është edhe një nga veprimtarët më të gjallë të Shoqatës “Shkodra”.  

Njeri me kulturë e dije të shumta, po edhe me rreth shoqëror e miqësor të gjerë, Isa Albali  pëfraqëson intelektualin që mbron virtytet e traditat më të mira të Shkodrës dhe është, pa dyshm, një emër i rëndësishëm në yjësinë e shkodranëve me të cilët krenohet qyteti dhe krejt krahina jonë. Ai është autor i librit “Në Shkodër të gjithë këndojnë”, të cilin e shfletoj shpesh me ëndjen e përmallimin që na shkakton përmendja dhe gdhendja  e bukur e disa prej këngëtarëve dhe artistëve të paharrueshëm të muzikës shkodrane.

Vite më parë kisha lexuar librin e tij “Si e njoha Mirditën”,  ku shprehet dashuria e autorit për Mirditën e mirditorët, duke vlerësuar figurat e vlerat e krahinës dhe bijve të saj të shquar, një libër i është shkruar thjeshtë, ku ai  rrëfen kujtime, por edhe shpreh vlerësime e pohime me vlerë etnokulturore. Libri është një homazh i bukur për Mirditën, por edhe për ata dhjetëra e,ndoshta, më se  njëqind, mësues jomirditorë, pjesa më e madhe e të cilëve shkodranë, që vitet më të bukura të rinisë së tyre i  kaluan në punën për arsimimin e një zone të vështirë, siç ishte Mirdita e asaj kohe, e që Mirdita u është mirënjohëse për jetë e i konsideron si bij të saj. Për tre vjet, aq sa qëndroi gjithsejt në Mirditë e aq më tepër duke u transferuar çdo vit në një qytet të ndryshëm (Shpal-Rubik-Rrëshen) Isa Alibali ka arritur të mbledhë aq shumë kujtime, të hyjë aq thellë në jetën e botën e mirditorëve, të lidhet aq shumë me ta e t’i dojë aq shumë, sa edhe pas 50 vjetësh ai ka mbetur i lidhur ngusht me ta, i kujton dhe nuk mungon asnjëherë në përvjetorët e gjimnazit të Rreshenit, ku ai ishte drejtori i parë.
Kam lexuar edhe librin tjetër të Isa Alibalit   me titull  “Rrënjë dashurie”, që ka si nëntitull  “ Shkodranët për Kosovën”, ku ai, në të vërtet, tregon se  lidhjet e Shkodrës e të shkodranëve me Kosovën kanë  qenë të afërta në shumë drejtime. Aty, autori ka trajtuar bashkëpunimin e Shkodrës me Kosovën dhe ka paraqitur një idenë e rëndësishme, të cilën ai e shpreh kështu: “Kur themi “Kosova”, mendja na shkon te pushtimi, ndarja, dhuna, vrasjet, përgjakjet  etj., që ka kaluar populli shqiptar i Kosovës. Por shpesh herë harrojmë se kjo pjesë e popullit shqiptar të ndarë, ka bërë edhe jetën e vet shpirtërore, ka kënduar dhe ka krijuar këngë, ka bërë dasma, ka nxjerrë figura të shquara të të gjitha fushave të jetës etj. Prandaj, ditën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, më lindi dëshira që të trajtoj në një libër lidhjet e Shkodrës me Kosovën në fushën e artit, kulturës e arsimit dhe ndikimin reciprok të tyre, duke nxjerrë një ide të rëndësishme se jemi një popull, një komb, kemi të njëjtën gjuhë, të njëjtat tradita, etj., prandaj mendoj se duhet të punojmë të gjithë që të ecim drejt bashkimit të dy shteteve tanë, duke vënë theksin te lidhjet tona shpirtërore në radhë të parë”.

Sot, sapo morëm librin e tij më të ri, romanin “Përtej mjegullës ka dritë”, të cilin, natyrisht, do ta lexojmë më ëndjen që i takon veprës së një shkrimarit, që e kam mik dhe e respektoj shumë, por edhe me kureshtjen e madhe që na ngjallën referimet e ligjëruesve dhe, sidomos, leximi mjeshtëror dhe aq mbresëlënës i aktores e këngëtares Justina Aliaj.

Tiranë, 31 janar 2015

“Baladat popullore te shqiptarët e Malit të Zi” – studim doktorature nga z. Ismail Doda

Dje mora pjesë si anëtar i jashtëm në mbrojtjen e doktoraturs së z. Ismail Dodës, organizuar nga Shkolla Doktorale e Etnologjisë dhe e Folklorit, në Institutin e Kulturës Popullore të QSA-së.

Ismail Doda është figurë e njohur e arsimtarit të përkushtuar për ruajtjen, mësimin dhe studimin e gjuhës shqipe në mjediset shqiptare të Malit të Zi e pikërisht në Arbnesh të Krajës. Atje, në fakt, ai është marrë qysh para dyzet vjetësh, me mbledhjen e foklorit të pasur të shqiptarëve të Krajës, duke u pykëzuar në baladat e vendlindjes së tij, po edhe të mbarë venbanimeve të shqiptare në Mal të Zi.

Ismail Dodën e kam njohur qysh në vitin 1972, kur ai erdhi në Tiranë si delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, si përfaqësues shqiptarëve të Malit të Zi. Qysh atëherë, në rrjedhë të viteve, ai ka qenë emër i njohur në rrethet e mjediset studimore të Ulqinit, Podgoricës, duke botuar artikuj e studime në revista  të ndryshme kulturore e letrare të Malit të Zi, si “Koha”, “Kraja”, “Buzuku” dhe në revista shkencore të Tiranës e të Prishtinës.

Për të lexuar të plotë artikullin mbi temën e doktoraturës “Baladat popullore te shqiptarët e Malit të Zi”, mund të shkoni këtu
Ishin të pranishëm në mbrojtjen e doktoraturës edhe studiues e personalitete të arsimit e shkencës shqiptare nga Tirana, si: prof.dr. Osman Kraja, prof.dr.Musa Kraja, si dhe miq e dashamirë të autorit nga Ulqini e Kraja, si mr. Mehmet Bardhi, mësues e veprimtar politik nga Ulqini, si dhe familiarë e të afërm të autorit.

I urojmë mikut tonë dr.Ismail Doda ta gëzojë doktoratën e fituar me një studim interesant, për të cilin Komisioni dha vlerësiminar : “Shumë mirë”.
Tiranë, 24.01.2015

Gjuha shqipe në gojën e Ambasadorit si shenjë nderimi dhe vleresimi për popullin e traditat e shqiptarëve

Është kënaqësi e rrallë për mua si gjuhëtar shqiptar të dëgjoj sa mirë e flet shqipen zoti Donald Lu, Ambasadori i ri i SHBA-së, në prag të nisjes për në Tiranë.

E dëgjova dhe e ridëgjova disa herë përshendetjen e tij në YouTube dhe më ngazëlleu jo vetëm ajo çfarë tha, gjë që tregon përgatitjen e tij meritore e për të cilën edhe Presidenti Obama e ka përzgjedhur si përfaqesuesin e Shtetit Amerikan ne Tiranë, por edhe më befasoi e më la shije shumë të mirë  shprehja e këndshme e ligjërimit në videon e tij, me një zotërim aq të mirë dhe me një të folur krejt të natyrshëm.


Shkëlqesia e Tij, zoti Donald Lu, në videon e publikuar në YouTube,  i buzeqeshur e me çiltërsi aq mbresëlënëse, u thotë shqiptarëve: “Pres me kënaqesi t’ju takoj në Shqipëri dhe të degjoj mendimet tuaja.”


Besoj se edhe shqiptarët (dhe unësi njëri prej tyre)  i themi me gojën plot e me respekt të madh: 


Mirë se të vini në Shqipëri,Zoti Donald Lu!


Ardhshi i bardhë për të mirën e të mbarën e Shqipërisë e të shqiptarëve dhe për forcimin e mëtejshëm të marredhënieve miqësore midis popullit shqiptar dhe Mikut më të madh të tij: popullit amerikan dhe SHBA-së.



Alfred Uçi filozof e mendimtar, figurë e dalluar e profesoratit shqiptar dhe e botës akademike (Në 84 vjetorin e ditëlindjes)

nga Gjovalin Shkurtaj

Vitet kalojnë dhe, ndërsa lënë shenja në flokët që thinjen, zbardhen e pakohen, si dhe në faqet që vyshken e lërohen nga rrudha të thella, mbeten të freskëta e nuk na shlyhen kurrë nga mendja kujtimet e rinisë. Ato, si “kutia e Pandorës” në mitologjinë greke, hapen herë vetiu, herë me raste të ndryshme, si p.sh. në përvjetorët e ditëlindjes së burrave të shquar të kombit.


Njëri prej tyre është pa dyshim akademiku Alfred Uçi: autor i një vargu të gjatë  librash studimorë themelorë për estetikën dhe artin, filozof e mendimtar, figurë e  dalluar e profesoratit shqiptar dhe e botës akademike, ish-drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, ish-Ministër i Kulturës, por, mbi të gjitha, studiues serioz, shumë prodhimtar  dhe i përkushtuar.


E pashë dhe e urova për 84-vjetorin e ditëlindjes pak ditë më parë, afër hotel “Karlsberg-ut”. Dikur truplartë e i hijshëm, tani edhe  jo pak i rënë nga pesha e viteve, por gjithmonë me jetësinë dhe gjallërinë e tij të përhershme, do të thosha djaloshare dhe, si përherë, madhështor e fisnik.

Pa mbaruar mirë s’e uruari për ditëlindjen, fjala shkoi te De Rada dhe arbëreshët, si lëmi që na ka afruar e bashkuar tematikisht qysh para shumë vitesh.

Sapo ishte kthyer nga një tubim shkencor në Prishtinë, kushtuar 200-vjetorit të lindjes së Jeronim de Radës, ku kishte mbajtur edhe një kumtesë. Ai është marrë gjatë me “Estetikën” e De Radës dhe me botimin e saj në Shqipëri, shoqëruar me një studim hyrës të gjatë e të nyjëtuar bukur e me hollësira të vlefshme për shkollartë e studiuesit, po edhe ka pasur lidhje të ngushta e shumëvjeçare me veprimtarët e sotëm arbëreshë, sidomos me Mario Brunetin dhe me figura të  tjera të dalluara të botës arbëreshe.

Si ish-student e koleg i tij në Akademi, është pikërisht rasti t’i shpreh disa vlerësime për zotin Alfred Uçi:

Së pari, duke rikujtuar përshtypjet  dhe vlerësimin e mirë që ruajmë për të qysh kur ishim studentë dhe ai ligjëronte lëndën e Filozofisë. Bashkë me  prof.Zija Xholin, prof.Petro Lalain, prof.Bujar Hoxhën etj. që përbënin trupën pedagogjike të asaj katedre, na kanë lënë shijen e mirë të qëndrimit serioz dhe modelin e kundrimit të shkencës e të jetës “duke u kapur te hallka themelore”.

Na ka vlerësuar me nota të larta, por nota më e vyer e tij ka qenë modeli i  punës së palodhur, i vullnetit të pathyeshëm dhe i këmbënguljes në kërkimin e vlerave estetike në veprat e autorëve shqiptarë, arbëreshë e të huaj.

Ndër veprat e tij kryesore janë: “Estetika, jeta, arti”(1976), “Mitologjia, folklori, letërsia”(1982), “Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës” (1986), “Estetika” (në tri vëllime, 1986-1988),”Shekspiri në botën shqiptare” (1996),  “Dostojevski në kohën tonë” (1977), “Ferr-parajsa danteske” (1998), “Prometeu dhe Hamleti” (greqisht, Athinë,1998), “Grotesku kadarean” (1999), “Estetika e groteskut”(4 vëllime,Tiranë, 2000), “Estetika në letërsinë shqipe” (2001),  “Pesë të mëdhenjtë e  letërsisë shqipe në optikën e një rileximi (N.Frashëri, Gj.Fishta, F.Konica, M.Kuteli, Migjeni), Shkup, 2003; “Filozofia e Teodor Kavaliotit” (2004), “Estetika e folklorit” (2007), “Universi estetik” (3 vëllime, 2004-2007), “Estetika metateorike mbi artin” (2 vëllime, 2008). Më 2014, sikur të mos mjaftonin ai mal me vepra që përmendëm, prof.Alfred Uci  botoi edhe monografinë e gjerë “Estetika migjeniane-Fryma modern në  letërsinë  shqipe ”, të cilin e përuruam në Akademinë tonë të Shkencave.

Ka marrë tri herë Çmimin e Republikës së Shkallës së parë.

I urojmë shëndet e jetë të gjatë profesorit, kolegut e mikut tonë të nderuar.