Ardian Vehbiu: “mistifikimin e fjalës gege”

nga Ardian Vehbiu ( http://xhaxhai.wordpress.com )

Kohët e fundit, në kontekstin e debateve për rishikimin e marrëdhënieve të standardit me “dialektet”, dëgjon të flitet rëndom për nevojën që shqipja “të pasurohet me fjalë të dialektit geg/të gegërishtes.”
E formuluar kështu, kjo nevojë mbështetet mbi një keqkuptim ose moskuptim të strukturës së leksikut të shqipes standard; keqkuptim i ushqyer dhe nga një analizë në thelb manipuluese e Arshi Pipës, në veprën e vet të mirënjohur, kushtuar standardizimit të shqipes nga regjimi totalitar i Tiranës.
Kësaj çështjeje i kushtova, tani së fundi, një artikull të shkurtër në “Shekulli”; por besoj se blogu më jep mundësinë për ta ilustruar më mirë tezën time.
Para së gjithash, shumë njerëz të interesuar për argumentin, por pa ndonjë formim gjuhësor për të qenë, ngatërrojnë fonetikën e gegërishtes me leksikun; për këta njerëz, ranë dhe venë janë fjalë të gegërishtes, ndërsa rërë dhe verë fjalë të toskërishtes, të cilat i ka adoptuar pastaj si normë edhe standardi; edhe pse, në të vërtetë, ranë dhe rërë janë e njëjta fjalë (leksemë), me dy veshje të ndryshme fonetike; dhe standardi nuk ka adoptuar fjalën toske duke lënë jashtë fjalën gege, por vetëm ka adoptuar rotacizmin tosk (shndërrimin e n-së ndërzanore në r), i cili është dukuri fonetike dhe nuk ka të bëjë me leksikun…
Per te lexuar artikullin e plote shkoni tek http://xhaxhai.wordpress.com

Telegraf: — Abetarja e njësuar, model bashkëkohor i mësimit të lexim-shkrimit të gjuhës shqipe

Kliko ketu per te lexuar artikullin ne Gazeten Telegraf

INTERVISTA/ Flet Prof. Dr. Shezai Rrokaj, arkitekti i librit të parë të abetares të gjuhës shqipe, fituese e konkursit mbarëkombëtar
– Prof. Rrokaj, copëzimi gjeografik i trojeve shqiptare, çfarë pasoja ka sjellë edhe në evoluimin e gjuhës shqipe?

– Padrejtësia historike që i është bërë kombit tonë nëpërmjet copëzimit, ka lënë gjurmë të thella në tërë përbërjen e tij materiale e shpirtërore. Ndarja e tij në shtete me gjuhë dhe kultura të tjetërfarta, trysnia e tyre e pashmangshme, e mbarsur në mjaft raste me ideologji etnike bizantine e vrasëse të shteteve përqark, mbyllja e shtetit komunist shqiptar dhe politizimi i kulturës, kanë sjellë pasoja të tilla që i kanë detyruar shpeshherë shqiptarët të sillen ndaj njërit-tjetrit, jo si bashkëkombës, por si fqinjë. Njësimi është një proces vetëdijesimi i përbashkët për tërësinë e vlerave shoqërore, historike, kulturore e gjuhësore. Ai kryhet në kushtet kur këto vlera nuk mbeten vetëm potenciale, por kthehen në pjesë përbërëse të çdo individi.
– Sa dhe si e njohim ne shqiptarët njëri- tjetrin, sa dhe si e njohim historinë, kulturën dhe gjuhën tonë të përbashkët?
– Vetë çrregullimi demografik e politik i areas gjuhësore të shqipes nuk vinte në ndihmë për një njësim të natyrshëm, pasi folësit e saj gjendeshin në kushte veçimi tejet specifike por, ndërkaq, edhe njësimi i pretenduar është ende larg së qeni gjithëpërfshirës. Mirëpo, pas viteve ‘90-të, kanë ndodhur dy dukuri demografike me ndikim të drejtpërdrejtë në arealin gjuhësor të shqipes. Janë hequr pengesat gjeopolitike që pengonin qarkullimin e njerëzve e, bashkë me ta, edhe mallrave, ideve, marrëdhënieve shoqërore e kulturore, të cilat gjejnë shprehje në rrjetën e shenjave gjuhësore. Gjithmonë e më shumë, shqiptarët po dalin nga enklavat, ku i pati vendosur padrejtësia historike dhe po homogjeneizohen. Bashkë me ta edhe kultura, gjuha, institucionet, mënyra e njëjtë e perceptimit të botës dhe formimit të vetëdijes gjuhësore e kombëtare. Përpos kësaj dukurie makrolinguistike, një dukuri tjetër po ndodh në arealin e shqipes: zhvendosja e lirë e njerëzve brenda enklavave, hap pas hapi, po “prish” dialektet dhe të folmet, të paktën në kuptimin klasik të këtyre koncepteve, duke dhënë një pamje të re në atlantin gjuhësor të shqipes. Kjo gjë ka bërë të mundur që brumi i shqipes të vihet në lëvizje shumë më të gjerë, duke rritur ndjeshëm kontaktet. Në këto kushte, çështja e standardit nuk mund të trajtohet me të njëjtin këndvështrim si më parë. Në këto kushte, roli i edukimit shkollor duhet të rrokë gjithë hapësirën shqipfolëse, prej trevave deri në diasporë. Në këtë drejtim po shkojnë edhe politikat e edukimit nëpërmjet shkollës dhe kulturës në tërësi. Kjo sintoni vjen në përputhje me zhvillimet strategjike të cilat përkthehen në vizione politike, ekonomike, shoqërore njësuese e integruese.
– Abetarja e njësuar çfarë vlerash përfaqëson?
– Që prej Abetares së N. Veqilharxhit, në një hapësirë kohore prej gati 150 vitesh janë hartuar mbi 160 abetare për t’u mësuar fëmijëve abc-në e gjuhës shqipe. Është, pra, një traditë e madhe dhe një vlerë e vyer ky përkushtim ngulmues për t’u sjellë fëmijëve tanë Librin e librave, atë që më mirë se gjithçka tjetër u mëson me urtësi gjuhën e nënës. Parë në këtë vështrim, Abetarja fituese ishte fryt i një përvoje dhe një tradite qindravjeçare të shumë dijetarëve për të përmirësuar këtë libër të artë. Abetarja fituese e konkursit mbarëkombëtar të shpallur nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës është një kurrikul i ri, i cili synon t’u japë nxënësve të klasave të para një kurrikul, ku ata të gjejnë veten dhe mundësi për ta mësuar me lehtësi lexim-shkrimin dhe për të arritur një cilësi të mirë në aftësitë e tyre për të lexuar dhe për të shkruar.
– Cilat janë risitë e abetares së njësuar?
– Si libri i parë i fjalëve, ky libër mëton t’u japë nxënësve shqiptarë, kudo që janë, gjuhën shqipe, pasurinë e saj leksikore dhe strukturore. Ai u jep gjuhën standarde shqipe të pastër e të bukur, ashtu siç është. Nisur edhe nga interesat e shkollës shqiptare, për një reformim në kurrikul, Abetarja e re synon të paraqesë një paketë të re kurrikulare të mbështetur në kritere të reja shkencore dhe metodike. Është bërë përpjekje për të gjetur zgjidhjet më të mira, si në planin e metodave të përdorura, ashtu edhe në gjetjen e strategjive dhe teknikave, që jep nëpërmjet tekstit të mësuesit. Në këtë këndvështrim, Abetarja është më tepër se një libër për nxënësit. Ajo jep një informacion të ri edukativ si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit, informacion, i cili do të përvetësohet shkallë-shkallë nga të dyja palët në punën e tyre të përditshme.
Duke qenë një nismë mbarëkombëtare, ne shpresojmë që kjo Abetare të plotësojë interesat dhe t’u përshtatet fëmijëve shqiptarë, kudo që ata janë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në diasporë e kudo ku ka shqiptarë të hershëm e të rinj. Abetarja jonë jep një përmbajtje të re të mbështetur në parimet e didaktikës bashkëkohore dhe në studimet e fundit në fushën e lexim- shkrimit. E gjejmë me vend të përmendim këtu se për lexim-shkrimin fillestar bashkëveprojnë metodat globale, analitike, sintetike dhe alfabetike. Në studimet e fundit thuhet se metodat e mësipërme, kur bashkëveprojnë me parimin e të mësuarit kontekstual (të mësuarit me fusha tematike apo të mësuarit me tema), ndikojnë shumë në cilësinë e të mësuarit të nxënësve.
Lexim-shkrimi paraprihet nga një periudhë përgatitore e organizuar me shumë vëmendje dhe e studiuar mirë në planin e kërkesave dhe të rëndësisë që ka kjo periudhë për të përgatitur nxënësin dhe për ta bërë të aftë për të filluar mësimin e lexim-shkrimit në mënyrë të organizuar dhe të disiplinuar. Nëpërmjet kësaj periudhe synohet të aftësohen fëmijët për të folur, për ta pasuruar fjalorin bazë, për të risistemuar strukturat gjuhësore të fituara në këtë moshë, për unifikimin e një gjuhe të përbashkët shkollore për shmangien e streseve të moshës të diktuara nga mjedisi i ri (shkolla), për zhvillimin e një sërë aftësish motorike të nevojshme për lexim-shkrimin etj.. Periudha e mësimit të abetares është shumë e rëndësishme. Ajo kërkon që të jenë të gjetura dhe të gërshetuara mirë parimet dhe metodat që veprojnë në zhvillimin e saj. Për këtë qëllim, në tekstin tonë, ne jemi treguar të vëmendshëm për të bërë një gërshetim të metodave të përmendura më sipër. Abetarja jonë nuk i jep përparësi njërës metodë në raport me tjetrën, por në këtë tekst është treguar kujdes që të ketë një gërshetim, duke i dhënë rëndësi, sidomos në fazën e parë të mësimit të saj, procesit të analizës së strukturës së fjalisë dhe të fjalës. Në çdo faqe abetareje shihet qartas kujdesi që tregohet për këtë gërshetim. Që nga rreshti i parë, në të cilin janë vendosur të gjitha shkronjat e alfabetit e, më pas, fjalori, në pjesët anësore të fjalëve, duke vazhduar me temën e ditës me strukturën bazë të fjalisë, që analizohet dhe, duke zbritur deri në analizën dhe sintezën e fjalëve të veçanta të cilat janë edhe çështja kryesore, vihet re se të gjitha janë në funksion të realizimit të procesit të analizës dhe sintezës në situata të caktuara komunikimi. Mësimi i lexim-shkrimit pasohet nga një pasabetare, për të cilën ne do , të këshillojmë vetëm disa objektiva dhe pjesë leximi me aparate të thjeshta pedagogjike, të cilat kemi bashkëngjitur abetares, pa përjashtuar mundësinë edhe për t’i dhënë edhe të ndara. Po për këtë periudhë ne kemi përgatitur një libër pune shumë tërheqës, i cili synon t’i aftësojë nxënësit për më shumë zhdërvjelltësi komunikimi gjuhësor të mbështetur në logjikën intuitive të tyre. Pas çdo ushtrimi të parashtruar në këtë libër pune, qëndrojnë dukuri gjuhësore, të cilat do t’i zgjerojnë më tej aftësitë e tyre.
– Ju faleminderit!

24-Ore: Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe përshkallëzimi i një debati shterp

Dr. Stavri J.  Dajo, Doktor i Shkencave në Universitetin Aristotelis Selanik  
Dr. Stavri J. Dajo, Doktor i Shkencave në Universitetin Aristotelis Selanik
 

Gjuha shqipe është, pa dyshim, arritja më e madhe shpirtërore e popullit shqiptar në fillin e shekujve. Kjo, pos vlerës reale dhe simbolike, ka dhe një kuptim shumë më të thellë për shqiptarët, se lidhet me vet mbijetesën e tyre dhe të vet kombit. Për më tepër, kur mendon se shqipja ka mbijetuar me një sistem të plotë, të pasur dhe të pandikuar gramatikor morfologjik mes trysnisë së dy gjuhëve më të moçme të rruzullit, greqishtes së vjetër dhe latinishtes, të cilat, për kohën e tyre ishin lingua franca, kjo arritje merr vlera edhe më të mëdha. Thënë ndryshe, shqipja e ka provuar veten se është dhe rezistente dhe e gjallë.

Kliko ketu per te lexuar artikullin e plote ne 24 ore lajme

Koha.mk: –Për shqipen, standardi i gjuhës maqedonase

image 
 


Strugë, 5 gusht – Para do kohe Ndërmarrje komunale vendosi sipër kontejnerëve fletushka ku informoheshin qytetarët se ku do të duhej t’i hedhin mbetjet urbane të plastikës dhe letrës. Por, është evidente që në këto afishime duket sheshit që nuk është pasur asnjë kujdes minimal për gjuhën e shumicës së banorëve të Strugës. Njoftimet (Kontejner për pllastikës APO Kontejner për letrës) janë shpërndarë në të gjithë pjesët e qytetit dhe janë dëshmi e gjallë e kujdesit ndaj gjuhës së shkruar shqipe. Njëkohësisht janë tregues i faktit që për shkrimin e gjuhës shqipe përdoret si barometër përkthimi nga gjuha maqedonase. Ndërkohë nga Ndërmarrja komunale e higjienës pranojnë që është bërë gabim në shkrimin e afishimeve, të cilin e përkufizojnë si teknik.
Në lidhje me këtë “lëshim” ashpër reagoi Lëvizja qytetare “Zëri” e cila e përkufizon si denigrim të gjuhës shqipe dhe papërgjegjshmëri të atyre që i kanë vendosur. “Zëri shpreh revoltë e saj në lidhje me denigrimin e gjuhës shqipe të bërë nga ana e Ndërmarrjes komunale rreth përdorimit qesharak të gjuhës shqipe në fletushkat e kontejnerëve për letër dhe plastikë. Ky është rezultat i papërgjegjësisë së institucioneve përkatëse si dhe një vazhdimësi e bastardimit të gjuhës shqipe edhe nga institucionet e ndryshme shtetërore”, theksojnë nga kjo organizatë.
Gjithashtu “Zëri” kërkon mënjanimin e këtyre fletushkave dhe zëvendësimin e tyre, sepse është e papranueshme që në çdo anë të qytetit me shumicë shqiptare, të lexohen shkrime të tilla qesharake për gjuhën shqipe. Trajtimi i gjuhës shqipe në këtë nivel është prezent edhe në disa institucione të tjera. Prej kohësh në hyrje të Pallatit të kulturës qëndron një tabelë njoftuese e shënuar në tre gjuhë në atë maqedonase, shqipe dhe angleze që ka ngjallur reagimet e qytetarëve struganë. Sepse ajo që bien në sy menjëherë është se përshkrimi në dy gjuhët atë maqedonase dhe angleze respekton drejtshkrimin e këtyre gjuhëve dhe tregon se ata që e kanë vendosur këtë tabelë kanë pasur një kujdes të veçantë për çdo detaj të shënimit në fjalë në këto gjuhë. Ndërsa për gjuhën shqipe duket sheshit se nuk është kushtuar një vëmendje e duhur dhe në tabelën njoftuese përshkrimi ka dalë i çoroditur dhe lehtësisht e kuptueshme se është përdorë Googel” si ndihmë në përkthimin e shënimit. (P.L./KOHA)
Kliko ketu per te lexuar artikullin ne Koha.mk

Telegraf: – Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj: “ Akademia e Shkencave ne 100 Vjetorin e Pavaresise në pritje për fonde nga Qeveria”

 Per te lexuar te plote kete artikull ne Gazeten Telegraph (Kliko ketu)

 
INTERVISTA/ Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj: “ Akademia e Shkencave  ne  100 Vjetorin e Pavaresise në pritje për fonde nga Qeveria”

Prof. Dr. Gudar Beqiraj, Kryetari i Akademisë së Shkencave  të Shqipërisë, kohët e fundit është anëtarësuar në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Europës. Muajin e fundit, kontributi i tij shoqëror është vlerësuar me titullin e madh “ Ambasador i Paqes”.  E megjithatë, në intervistën për “Telegraf”, Prof.Dr. Gudar Beqiraj, në fund, shprehet me një emocion që rrjedh nga ndjenjat, për vlerën më të madhe të jetës së tij. Cila është kjo vlerë? Arritjet shkencore? Vlerësimet dhe titujt shkencorë? Gjithsesi, jo. Edhe zëri i dridhet, sa përshkruan me fjalë lumturinë e tij personale. Është kjo ndjenjë shpirtërore, që njerëzit e mëdhenj i bën të duken edhe më të njerëzishëm. “Jam i lumtur, që më është realizuar ajo ëndërr që kisha. Që nipi im, djali i vajzës, që është rritur me mua e tim shoqe, është bërë sportist. Kjo është një nga arritjet e mia më të mëdha të jetës time. Është bërë një notar i shkëlqyer. Ky është një nga vlerat e mia më të mëdha të jetës time”.
– Prof. Beqiraj, ju falenderojmë për kohën që na kushtoni. Mund të na jepni një panoramë të aktiviteteve dhe të veprimtarisë së Akademisë së Shkencave  te Shqiperise në kohët e fundit?
– Akademia e Shkencave e Shqipërisë është institucioni, që sipas  ligjit të saj, realizon rolin  kordinues në projekte të ndryshme, në  problematika të fushës së shkencave, në bashkëpunim me institucione të arsimit të lartë, institutive shkencore apo dhe dikastereve që lidhen me to.  Akademia e Shkencave, tashme si  Akademi pa institute, që  pas vitit 2008,  e ka zhvilluar aktivitetin e saj, duke  bashkëpunuar me institucione të tjera shkencore,  mbështetur kurdoherë në punën e akademikëve të saj. Në këtë aspekt, Akademia e Shkencave ka një bashkëpunim të frytshëm me Universitete të  ndryshme të Shqipërisë po dhe jashtë saj.  Gjithashtu, ka bashkëpunime  edhe me institucione jashtë Shqipërisë.  Më  i realizuari është ai me  Akademinë e Shkencave dhe Arteve  të Kosovës. Mund të përmend edhe bashkëpunimet  me Akademinë e Shkencave të Maqedonisë,  Malit të Zi,   Italisë,  Austrisë,  Gjermanisë,  e me rradhë, me institucione të tilla homologe. Një tjetër bashkëpunim,  që ia vlen ta përmendim, është ai me Akademinë e Shkencave  dhe  Arteve të Europës, ku ne jemi anëtare e saj dhe njëkohësisht ajo ka  kontribuar fuqizimin e lidhjeve te  Akademise tonë  me akademitë e tjera të Europës.
– Duke qënë koherentë me zhvillimet aktuale të kohës, cilat janë ato probleme, të cilat shtrohen për t’u trajtuar  nga Akademia e Shkencave e Shqiperise?
– Probleme Shqipëria, siç dihet ka shumë.  Akademia e Shkencave e Shqiperise ka në gjirin e sa personalitete të fushave të ndryshme që kontribuojnë me punën e tyre në zgjidhjen hera herës të këtyre problemeve.  Në bashkëpunim me homologen tonë të Malit të Zi  u  realizua  konferenca shkencore ndërkombëtare për problemet e liqenit të  Shkodres dhe lumit të Bunës. Të njëjtën gjë duam të realizojme me Akademinë e Shkencave të Maqedonisë për Liqenin e Ohrit. Konferenca të fushave të ndryshme me objektiv ngritjen e problemeve apo dhe dhënien e zgjidhjeve për to janë realizuar për ekonominë, bujqësinë,mjeksinë, drejtesinë, pemtarinë, vreshtarinë, e të tjera.  Akademia është mbështetëse edhe e inisiativave të individëve po të grup individësh për probleme që ivlejnë shkencës, kulturës apo ekonomisë së vendit. Dua të përmend mbështetjen për iniciativën për pastrimin  e lumit të Bunës nga anijet e mbytura para kusht ky për të kaluar në projektin e bërjes së lumit  Buna të lundrushëm.
– Cila është strategjia e Akademisë për 100 vjetorin e Pavarësisë?
– Nuk bëhet fjalë për strategji, por për një axhende  konferencash, botimesh, promovimes dhe pse jo festimesh. Akademia e Shkencave, që në fillim të këtij viti vendosi  që të  organizojë një konferencë jubilare  në 26 nëntor, ku padyshim peshën kryesore te kumtesave do ta mbajnë figura të rëndësishme të historisë. Eshte konceptuar të jetë një  një konferencë sa më cilësore ndaj dhe janë përzgjedhur figura të shquara të shkences dhe artit si brenda ashtu dhe jashtë vendit.
– Çfarë të reje do të sjellë dhe do të trajtojë kjo konferencë, të cilët ju e cilësuat, jubilare?
– Me siguri që mund të ketë edhe të reja në aspektin historik, sepse kësaj teme do t’i mëshohet, qëndra e gravitetit do të jenë problemet historike dhe le të presim nga personalitetet e kësaj fushe, siç janë Niko Pano nga Amerika, Michael Shmidt nga Gjermania, Ben Fisher nga Amerika, Francesko Altimari nga Italia, Ismail Kadare, Xhaferri , si edhe disa nga historianët tanë  të njohur, të cilët, duke patur parasysh vlerat e mëdha të këtij jubileu, padyshim që do të kenë edhe fakte të reja, apo edhe ngjarje, të cilat nuk janë trajtuar më përpara.  Për Akademinë tonë ka edhe një koiçidencë, mund ta quajmë edhe një lloj fati, në 10 tetor Akademia e Shkencave feston 40 vjetorin e themelimit të saj, ku në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe arteve  të Europës dhe personalisht me presidentin e saj, Prof.  Felix Unger, do të organizojmë një festë jubilare, ku do të ftohen 52 presidentë e Akademive të shkencave të Europës. Për këtë ngjarje kemi marrë edhe mbështetjen e kryeministri Berisha në takimin që ai pati në Tiranë me Presidentin Unger. Kjo ngjarje padyshim do të shenojë një stad të ri në bashkëpunimet tona.
– Si do ta vlerësonit ju rolin dhe kontributin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në integrimin e Shqipërisë në BE?
– Në fakt probemi është i gjerë. Parësorja e rolit dhe e kontributit të Akademisë, është që akademikët marrin pjesë në  konferenca shkencore ndërkombëtare , ku paraqesim punën  e tyre, pse jo dhe ecurine tonë drejt Europës. Nga ana tjetër anëtarë të Akademisë tonë janë personalitete tashmë të fushave të ndyshme në vende të ndryshme të Europës e më gjerë, si për shembull mjeksia,bujqësia, elektronika, e të tjera. Para një muaji, në një konferencë  shkencore ndërkombëtare në Ohër, akademikët tanë mbajtën kumtesa me  mjaft interes. Një tjetër kontribut, është bashkëpunimi  ynë me akademitë dhe akademikët e vendeve të tjera.
Një nga sfidat që është shtruar, për rrethanat kohore, është edhe rishikimi i historisë shqiptare. Megjithatë, aktualisht, për këtë nevojë, për rishikimin e historisë sonë flasin më shumë politikanët, përcaktojnë politikisht, jo vetëm kriteret e rishikimit, të ribërjes, por edhe si duhet ta perceptojmë. Ju këtë, si e shpjegoni?
– Nëqoftëse më keni dëgjuar, unë gjithmonë kam thënë, kur bëhet fjalë për histori, për fusha të tjera, që nuk janë të afërta me fushën time që pra matematikën apo informatikën, unë  nuk flas. Le të flasin ata që janë njohës, specialistë, historianët, në rastin e historisë. Kjo është filozofia ime. Nuk mund të gjykoj për politikanët, mbase politikanët kanë detyra më shumë se çmund të ketë Kryetari i  Akademisë së Shkencave, mbase u takon për t’u folur. Unë, ju thashë, nuk dua t’i gjykoj, mund të jetë vërtet detyrë e tyre,  jo për të ndryshuar se nuk ju takon atyre, por për të dhënë orientime, pse jo.
– A është kristalizuar,  një bashkëveprim, një strategji e Akademisë së Shkencave për të patur një rol aktiv në rishikimin dhe rishkruajtjen e historisë të Shqipërisë?
Jo, ky problem, të paktën për momentin, nuk është disktutuar, në  Akademinë e Shkencave dhe as na është kërkuar  ndërkohë që ka një institut historie, që tashmë nuk bën pjesë në Akademinë e Shkencave, por në Qendrën e Studimeve  Albanologjike.
Debati i gjuhës shqipe, sa vjen dhe merr tone oponence midis palëve. Cili është pozicioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë?
Pozicioni i Akademisë së Shkencave në këtë debat është pozicion institucional. Po funksionon tashmë Këshilli Ndërakademik i  Gjuhës Shqipe. Le t’ja lëmë këtij këshilli profesionistash te merren me këtë punë.
– Mendimi juaj, cili është?
– Mendimi im si qytetar është  të përvehtësojmë mirë standartin, kjo  sidomos për të rinjtë dhe të mos lejojmë prishjen e tij me futje pa kriter të fjalëve të huaja.   Unë mendoj, që për ne shqiptarët, ky është shqetësimi më i madh për gjuhën tonë. Ne, këtë cilësi standarti që kemi arritur deri këtu, ta ruajmë, ta mbështesim dhe nëqoftëse nga gjuhëtarët lind problemi që diçka duhet të ndryshojme, që ta pasurojmë gjuhën, ta përsosim, le ta bëjmë, për të mirën tonë të përbashkët.
Cili është qëndrimi juaj për nevojën, nëqoftëse shtrohet, të një unifikimi të Akademive shqiptare, në një Akademi të mbarë kombit shqiptar?
Absolutisht nuk jam që të kemi në këto momente unifikimin e Akademive shqiptare. Vërtet, disa gjëra i kemi të përbashkëta, jemi një komb, por ama, kemi edhe problematika të ndryshme. Për momentin, unë them të forcojmë bashkëpunimin, sidomos me Akademinë e Shkencave të Kososvës, që për mendimin tim, është një bashkëpunim i shkëlqyer.
– Kohët e fundit, ju, Profesor, jeni pranuar edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Europës. Ju, personalisht, si e vlerësoni këtë nder që ju bëhet?
Është kënaqësi që për punën njeriu merr një vlerësim, jashtë vendit të vet. Ky vlerësim është rezultat, jo vetëm i punës time, por edhe i gjithë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Duke e parë, përtej kuntureve personale, ky anëtarësimi juaj në Akademinë e Shkencave dhe Arteve  të Europës, çdo të thotë?
Për mua do të thotë vlerësim për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ky anëtarësim, është konsideratë, vlerësimi i punës të të gjithë akademikëve  shqiptarë.
A ndjeni konkurencë me Akademinë tjetër shqiptare dhe cilat janë raportet midis jush?
 Akademia e Shkencave e Shqipërisë në moton e saj nuk ka konkurencën, por bashkëpunimin. Nëqoftëse ka institucione që krijohen  për të ndërtuar diçka të mirë për vendin, qofshin këto edhe akademi të reja, janë të mirëpritura.  Unë dhe Akademia që përfaqësoj, gjithmonë jemi të hapur për të bashkëpunuar, jo vetëm me akademi, por edhe me çdo lloj institucioni, pavarësisht nga emri, por që kërkon të bëjë punë të ngjasme me ne.  Sa më shumë të tilla të kemi, aq më mirë. Sejcili të bëjë atë punë që ka për detyrë të bëjë e që mund ta bëjë.
– Ekzistenca paralele e disa akademive, dëmton?
– Unë them se kjo veçse ndihmon. Nëqoftëse kjo bëhet në dëshirën e mirë, për diçka që në momentin e caktuar Akademia e Shkencave mund të mos e bëjë. Këtë vit Akademia e Shkencavekishpër botim një fond relativisht të vogël. Ne parashikuam, që me ato pak lekë, të botonim vetëm një libër, “ Fjalori shpjegues i Botanikës”. Një lloj bible për botanikën dhe kishtë kohë që ky libër priste rradhën për t’u botuar. Mundësi të tjera financiare nuk kemi, edhe pse kishim emergjencë për të botuar një album përgatitur nga historiani Kristo Frashëri, për Ismail Qemalin. Me ndihmën e bashkëpunëtorëve të Akademisë, ne arritën që këtë libër ta shtypnim në Itali.Pokështu, kishim dëshirë të botonim librin tjetër të Kristo Frashërit për Lidhjen e Prizrenit, dhe ta kishim gati për 134 vjetorin e saj, Ja arritëm kesaj, me ndihmën e një universiteti privat.  Poqe se akademitë e tjera që krijohen, kanë mundësi të bëjnë gjëra të tilla, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Le të bëhemi pra plotësues të njëri tjetrit për të mirën e përbashkët.
Prof. Beqiraj, muajt e fundit jeni nderuar edhe me titullin “Ambasador i Paqes”. Është një tjetër vlerësim i madh që i bëhet kontributit tuaj, përtej caqeve të Shqipërisë.
– Është një vlerësim jashtë sferës së shkencës, jam ndjerë vërtet mirë, kam ndjerë krenarinë që në jetën time  më është shtuar një vlerë nga ajo punë që unë gjithë jetën time kam bërë në mënyrë vullnetare. Veç peshëngritjes, ku kontriboj 40 vjet, unë  për 20 vjet jam vullnetarisht president i fondacionit Ryder,  i cili ndihmon të sëmurët me kancer. Kemi ndihmuar qindra pacientë. Ky titull, më ngacmon në sedër për të punuar akoma edhe më tepër. Filozofia e jetes time permblidhet ne fjalët që m’i thoshte gjyshja kur isha   vogel: “ Lutju zotit, çka ke përreth, të jenë ma mirë se ti”.
Francesko Altimari për debatin e gjuhës shqipe, pak per te qeshur
E  pyes Francesko Altimarin, një nga specialistët arbëresh të gjuhës shqipe, për një debat që u bë në keshillin ndëakademik të gjuhës shqipe: “ Hë, si shkoi mbledhja?” . “ Mirë, ore, mirë. Shumë mirë shkoi, më tha. Diçka për humor. Po diskutonin si t’i themi” Shtëpi, apo shpi?  Dhe unë u thashë. Thoni ore, si të doni, në daç shtëpi, në daç shpi. Vetëm kujdesohuni, që të jetë e mbuluar e të mos hyjë shiu brenda”.
– Pozicioni i Akademisë së Shkencave në këtë debat është pozicion institucional. Po funksionon tashmë Këshilli Ndërakademik i  Gjuhës Shqipe. Le t’ja lëmë këtij këshilli profesionistash te merren me këtë punë.
Le të flasin ata që janë njohës, specialistë, historianët, në rastin e historisë. Kjo është filozofia ime. Nuk mund të gjykoj për politikanët, mbase politikanët kanë detyra më shumë se çmund të ketë Kryetari i  Akademisë së Shkencave, mbase u takon për t’u folur. Unë, ju thashë, nuk dua t’i gjykoj, mund të jetë vërtet detyrë e tyre,  jo për të ndryshuar se nuk ju takon atyre, por për të dhënë orientime, pse jo.
 – Ju faleminderit!

Përbashkësia e gjuhës si dëshmi e njësisë së kombit shqiptar në veprat e Mjedës

Akademik as. Gjovalin Shkurtaj

I falënderoj organizatorët dhe, më për së forti, të përndritshmin Dom Nika, mikun tim të nderuar, të cilin me plot gojën e kam quajtur “të kudogjendur për mirë”, të kudogjendur për të sjëllë në kujtesën e kombit bëmat atdhetare, letrare, artistike dhe kuturore të figurave të ndritura të kombit shqiptar, nga radhët e klerit katolik, prej Gjon Buzukut e deri te dom Simon Jubani.Në këtë hulli dorëmbarë e të vyer, hyn, pa dyshim, edhe veprimaria shkencore e sotme kushtuar Ndre Mjedës.

Vjershëria e Ndre Mjedës ka “vulë’ të dukshme e të theksuar atdhetarie, duke dalë, ashtu si bashkëkohësi e bashkëvendasi tjetër zadrimor, Atë Fishta, si ideator dhe mëtues i pamposhtur  i pohimit: “Kjoftë mallkue, kush qet ngatrrime,/ ndër kta vllazën shoq me shoq:/ kush e ndan me fjalë e shkrime,/ çka natyra vet përpoq!

Sa të fuqishme, po edhe për fatin e lig të shqiptarëve, edhe sa aktuale e prekëse, tingëllojnë edhe sot këto fjalë e ajo thirrje e poetit e gjuhënjohësit të të nderuar, në jubileun e 75-vjetorit  të vdekjes, pikërisht këtu në vendlindjen dhe truallin  ku lindi, jetoi dhe shkroi, e ku jemi tubuar sot për t’i blatuar Atij fjalë miradie e lavdie të merituara.

Mjeda, i cili, sikundër dihet, ka pasur jo vetëm përgatitje të gjerë humanistike e filologjike, por edhe është marrë mirëfilli me studime gramatikore, e ndiente më mirë e më thellë se të gjithë bashkëkohësit e vet se  kishte rëndësi të madhe atdhetare e kombëtare, jo vetëm “të dashunit e gjuhës, por edhe të dalunit zot” asaj me dije e me pohime të mbështetura prej shkencëtarëve të mirënjohur, sikundër ishte, ndër të tjerë, edhe albanologu i shquar Gustav Mayer, të cilin poeti e njihte jo vetëm nga sa kishte gjurmuar e pohuar albanisti i madh për historinë e gjuhës shqipe, po edhe kishte  letërkëmbim me të. Kështu, poeti gjen rastin të shtjerë në vargjet e vjershës “Gjuha shqype” “indin”e përfundimeve dhe rezultateve të dala nga hulumtimet e dijetarëve të shquar e dashamirë të shqipes e të popullit shqiptar, siç është rasti i Meyer-it, të cilit Mjeda ia kushtoi pikërisht vjershën e tij më të bukur dhe, ndonëse në kufijtë e rrudhur dhe në mënyrën  që i shkon përshat vjershërisë, ai do të na japë, në fakt, thelbin e parashtresës së albanologëve të kohës rreth hershmërisë dhe hireve të gjuhës sonë.

Me vargje të një bukurie e hijeshije të pakundshoqe deri atëherë, po edhe mbi shtratin e mbërritjeve e pohimeve të dijetarëve për hershëmrinë e shqipes dhe të qenët e saj “pa lidhje birërie me asnjë nga gjuhët e vjetra të Evropës”, poeti  përthekon metaforikisht sa vijon:

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
Si ‘i bij kje qi pa prind mbet;
Per t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
S’t’kishte kush për motrë t’vet
”.

Dhe, mbas këtij parafrazimi poetik të dijes shkencore rreth hershmërisë e lashtësisë së shqipes në rrethin e gjuhëve indoevropiane, poeti, ashtu si e kemi pasur (dhe e kemi) në traditën e mirënjohjes ndaj dashamirëve ne veripërëndimorët, i blaton edhe një perifrazim përlëvdues nga më të bukurit e me gjithë solemnitetin e merituar albanologut të shquar austriak me fjalët:

Kur nji burrë u çu n’Austri
E me sy gjithkund t’kërkoj:
Gustav Meyer-i asht emni i tij,
Emni i burrit qi t’madhnoj
”.

Dhe, vijon edhe më tej vlerësimi e lartësimi i ndihmesës shkencore të Meyer-it me fjalët më të zgjedhura, ashtu si e zgjedhin mjeshtrat mermerin për lapidare:

Porsi dielli tui flakue
Shpërndan terrin qi na mbëlon,
Njashtu Meyer-i tue kërkue
Kah ke dalë po  ta difton.
T’difton motrat, t’difton fisin
Neper shekuj fluturim,
T’çon njatje ku luftnat krisin,
Ku â kap’ Roma e Iliri shqim
”.

Në vargjet e kësaj vjershe, Mjeda ngërthen edhe idenë se shqipja vjen prej ilirshtes, se edhe shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, duke përmendur Bardilin (mbretin ilir Bardylis) dhe duke përthekuar metaforikisht pikërisht idenë e karakterit autokton të shqiptarëve në trojet e veta ballkanike:

E njat tokë qi je tui gëzue
E ke xanë tesh sa mijë vjet.
Shqyptarija qi mbet mbëlue
Sot nën dhe, edhé shqyp flet
.”

2.Vjershat dhe poemat e Ndre Mjedës janë kushtrim për ruajtjen dhe mbrojtjen e tërësisë truallësore të kombit e popullit shqiptar, duke u shprehur qartë e katërcipërisht edhe nëpërmjet toponimisë që përmend e shtie në vargjet e veta, si p.sh.: “Prej Tivarit e n’Prevezë, / nji â giuha e kombi nji,/ Ku lëshon dielli njato rreze/ Qi veç toka jote i di”.

Askush më bukur, po edhe aq me forcë e ndikim në thelb të zemrës së popullit, nuk i ka kënduar njësisë dhe përbashkësisë së dy dialekteve të shqipes, sa Ndre Mjeda, kur thotë:

 “Gege’ e Tosk, Malci jallija,
janë nji komb m’u da s’duron:
 Fund e maje nji a Shqypnija,
E nji gjuhë t’gjith na bashkon
”.
 

Kësaj ideje madhore (të njësisë dhe përbashkësisë së shqiptarëve, të lidhur me një gjuhë “shejte “  e të vetme ) Mjeda i është qasur e rikthyer disa herë e gjithmonë me theksim e ton kushtrimues, si p.sh. te vjersha “Bashkonju “, ku ai thërret :

 Mblidhn’ju vllazen, e bashkon’ju
Nen flamur të Shqyptaris :
Prej nji gjaku, nji gjinis
  shqyptari kand e kand.
Nji gjuhe shejte t’gjith kuvesim
Nji istori, nji atdhe ne kemi,
Geg’ e Toskë nji zemre jemi
Me ndjekë Shqype hovin tand.

Dashuria për gjuhën shqipe dhe ndjenja që ngjall rrethana se “shqipja ndihet” shkon gjithmonë krahas me ndjenjën se  “Shqyptarija rron”, dhe ky binom madhështor e drithërues për çdo shqiptar të vërtetë përshkon tejendanë vjershërinë e Mjedës dhe vrujon këndshëm  jo vetëm  te vjersha “Gjuha shqype”, po edhe gjetiu, ashtu si gurrat freskuese që mbajnë gjallë gjelbërimin e barin e butë të bjeshkëve.
Le ta shijojmë së bashku një strofë tipike për sa më lart nga “I tretuni”:

Mirë se vjen! Vetë Perendija
T’paska prumun nder kto vende;
Se me ty gjith Shqyptaria
Fluturim mue m’erdh, e n’mende
T’tanë me’j herë njaj dhe m’përtrihet,
O lejek, ku shqypja ndihet.

Te vjersha “Malli për Atdhe”, madje, Mjeda, nuk mënon edhe t’i mallkojë ata që ,
qoftë edhe për t’u pasuruar, largohen nga vendi i vet:

Njaj zemrë nierit nuk ka qi udhtimin
Per mirakande merr me u begatue;
Lerg teje, o Shqype, kush lyp gjallimin
Po do mallkue.

3. Onomastika dhe shtresëzimet e saj në vjershat e Ndre Mjedës

Mjeda mbetet si poeti i damë në shenj për shkurtinë dhe përpunimin e  kujdesshëm të vargjeve, rimave, theksave dhe, mbi të gjitha, për zgjedhjen e fjalëve dhe emrave të përveçëm, qofshin ata emra vendesh (toponime, hidronime, oikonime të moçme  a të reja), qofshin emra njerëzish (antroponime) të kohës apo të traditës së hershme, jo vetëm mirëfilli historike, po edhe mitologjike, fetare etj. Mjeda, ashtu si të gjithë shkrimtarët  që mëtojnë ndikim e parapëlqimin e lexuesit, në krijimtarinë e vet, jep ndjenjat e mendimet, përvojën shpirtërore, vëzhgimet nga shoqëria e nga natyra, bindjet dhe kërkimet, ëndrrat dhe idealet e tij, mirëpo, për t’ia dhënë të gjitha këto lexuesit, ai ka në dorë vetëm mjetet e gjuhës, fjalën shqipe. Kjo do të thotë se gjetja e fjalëve dhe e shprehjeve të goditura, e ndërtimeve sa më të përshtatshme, nuk arrihet lehtë; ajo është punë e gjatë që kërkon përgatitje të mirë kulturore e arsimore të shkrimtarit, kërkon njohje e përvojë jetësore, si dhe hulumtime e kërkime për të njohur pasurinë dhe mjetet shprehëse të gjuhës. Dorëshkrimet e shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë botërore si të U. Shekspirit, L.Tolstoit, G. Floberit, A. Manxonit etj. na tregojnë se çfarë mundimi i madh u është dashur atyre për gdhendjen e veprave që kanë shkruar.Shpreh bindjen se e tillë, fryt i një pune të kujdesshme, të imtë e me dorë mjeshtri, ka qenë edhe krijimtaria poetike e Ndre Mjedës,  ndonëse me përmasa të hajthme e të atilla që, ndokush, edhe mund të gabojë e të thotë : po ai pak e gjë ka shkruar, ku qenkan ato vlera të mëdha e aq më tepër modelore të përpunimit gjuhësor e stilistik ?

Rreshtat e kumtesës sime, ndonëse pa qenë as rasti as mundësia t’i dalim për zot një paraqitjeje shteruese, do të tregojnë, besoj edhe shumë bindshëm, se poeti ynë punonte me gjuhën, me fjalët, me format dhe deri me onomastikën artistike, ashtu si argjendarët e sprovuar me rgjâtet e moçme, që i zgjedhin, i masin, i lëmojnë, i zbardhojnë dhe i vendojnë me maturi në prodhimet  që nxjerrin nga dora. Lidhur me këtë, na duket me vend të citojmë si pikë mbështetëse një vlerësim të shkrimtarit e kritikut Qemal Draçini, shkruar në qershor të vitit 1939, ku jepet, mendoj, jo vetëm me objektivitet, po edhe me dashurinë e stimën që meritonte (e do ta meritojë gjithmonë) Ndre Mjeda për stilin dhe hijeshinë e vjershërisë së tij:

‘’S’ka  gja ma plastike, ma të kumbueshme, ma harmonike se mënyra e të shkruemit të D.Ndres. Ay (stilii tij) rrjedh tue i shkue mbrapa gjithkund natyrsis së motivit që i nep shkas : hera-herë rrshqet i shpejtë e i turrshëm, trandës e shkapërderdhës,i ndezët e i potershëm ; herë të tjera tërhiqet i ngadaltë e i ndeshëm, i vranët e i ngrysun, i mekun e përvajtues.Veç gjithmonë me tinguj kumbuesa që të zgjojnë në fund të pandergjegjës kujtimin e fashitun të një kalese tronditëse, veç gjithmonë më harmoni muzikore që t’a ndezin shpirtin para Faltores së re të një hyjnie së panjoftun.‘’

Le të ndalemi, më për së afërmi, në ndonjë prej këtyre cilësive, duke u mbështetur, kryesisht, në fushën e onomastikës ose, thënë ndryshe, në zotësinë e Mjedës për të ngjyrosur gjeofrafikisht dhe emocionalisht vjershërin e tij me anën e emrave të përveçëm.

3.1. Onomastika shqiptare e Shqipërisë dhe e trevave të saj  (Shkodra, Lezha,Tivari, Preveza, Babuna, Malcia,Taraboshi, Maranaji, Cukali etj.)  dhe antroponimia artistike në vjershat e poemat e Mjedës ( Lokja, Trin(g)a, Zoga, Mordja) si  përthekuese të idesë së përbashkësisë etnike dhe e ruajtjes së visareve të mëdha amtare e gjuhëruajtëse.

Disa dhjetëvjeçarë  më parë, në një artikull timin me titull   Edhe emrat e personazheve kanë rëndësinë e tyre theksoja se çdo epokë historike, lë gjurmët e veta edhe në gjuhë, sidomos në fjalor dhe në emrat e njerëzve. Kështu, rilindësit tanë të mëdhenj, duke e kuptuar se pushtuesit e huaj me anën e fesë po i përdornin edhe emrat e njerëzve si nxitje për dallim, përçarje e copëtim krahinor e shoqëror të shqiptarëve, u ngritën aso kohe me moton e madhe që formuloi Pashko Vasa: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Pra, nuk ishte e rastit që edhe në fillesat e letërsisë artistike të asaj periudhe, një tregim si “Gjahu i malësorëve” i K. Kristoforidhit, na jep emra personazhesh të tillë, si: Arbër, Toskë, Gegë, Gjergj, Mërkur, Mark Shalgjati etj., të cilët, përveç simbolikës përbashkuese, kishin edhe një vlerë modelore si emra njerëzish (antroponime) të brumit amtar ose të shqiptarizuar në mënyrë të ndjeshme. Naim Frashëri si dhe rilindës të tjerë, dihet se kanë bërë punë të madhe me gjuhën në shumë drejtime. Këtu, do të përmendim, ndër të tjera, emrin e Kamanit (“Historia e Skënderbeut”), një personazh aq simpatik po edhe me një emër të bukur e me një jehonë të përshtatshme për të gjitha trevat shqiptare. Në të njëjtën hulli ecën aso kohe edhe shkrimtarët arbëreshë. Le të kujtojmë, p. sh., se F. A. Santori, personazhin kryesor të dramës së parë të letërsisë shqipe, do ta quante Emira, ndërsa De Rada tek “Milosao”, krahas Milosaut, na jep edhe emrin e bukur Rina. Kjo hulli e mbarë do të vazhdonte edhe për shumë mote në letërsinë shqiptare të Rilindjes. Le të kujtojmë se A. Z. Çajupi, në radhën e personazheve të komedisë “Pas vdekjes” ka edhe Lulushen. Ndre Mjeda në poemën “Andrra e jetës” parapëlqen për heroinat e veta emrat vendas të traditës së malësive shqiptare: Zoga e Tringa, që të dy emra jofetarë dhe parakristianë, ndërsa për figurën e nënës ai pëlqen, gjithashtu, një emër të bukur Loke, që duke qenë edhe tipik malësor, po edhe me një ngjyresë e tingëllim të përshtatshëm, do të mbetej si një emër i parapëlqyer edhe më vonë në letërsinë shqiptare. (Le të themi, me këtë rast, se Lokja do të na dalë si emër i personzheve kryesorë në dramën “Toka jonë” të K. Jakovës, pastaj edhe te drama “Cuca e maleve” e L. Papës).
Mbas kaq kohe, hera e mbarë e pruri që, atë ide të hershme rreth modelit të bukur dhe dorëmbarë që Mjeda kishte dhënë me Loken, si emër jo vetëm tipik shqiptar, po edhe  aq të pëlqyeshëm saqë do të mbetej si personifikim i nënës shqiptare në  gati mbarë veprat me temë nga Shqipëria e Veriut, t’u kthehem atyre shënimeve të hershme dhe të shtoj edhe disa shqyrtime e pohime të tjera, si fryt i rileximit më të imtë dhe detyrinmisht edhe më të përputhshëm me rrudhat e thinjat që ma mbulojnë kryet…

Mjeda, jo vetëm pse vinte nga një krahinë ndejtare dhe e njohur për gjinde të butë e të përvujtë, kryesisht bujq e blegtorë të devoçëm, po  edhe për formimin e tij shumë të gjerë e të hapët, me njohje të thellë të fjalës së thënë në popull dhe  i regjur nëpërmjet leximeve në gjuhë të huaja  e në shkrimtarinë pararendëse të autorëve të vjetër dhe të kolegëve të tij bashkëkohës, sidomos të Fishtës, ishte si të themi në një “garë” a konkurrencë shkrimtarie:  shtrohej pyetja, pra, se cili është më fjalëbukuri?

Nuk dua t’u hyjnë në “synore”letrarëve e historianëve të letërsisë, por nuk mund të rri pa thënë se, edhe cilësimi tashmë  i mirënjohur  që i atribuohet Fishtës, sikur ai paska shprehur se Mjeda “ka nji melankoni që i rrjedh ma shumë prej mendjet,sesa prej zemret”, po të lexohet në dritën e asaj që i takon Mjedës si mjeshtër, si argjendar i fjalës, atëherë, ndoshta, edhe thënia e Fishtës së Madh nuk do të tingëllojë si kritikë veskeqe, por thjesht si vlerësim, madje, ndoshta edhe si një përulje  përpara punës tejet të kujdesshme që bashkëvendasi i tij bënte mbi vargjet e rimat në vjershat e tij gjithmonë “fjalëpeshuara”, gjithmonë të “lëmuara”.

3.2.Onomastika historike dhe mitologjike dhe legjendare në vjershat e Mjedës
Mjeda në lirikat e tij me tematikë historike, si dhe në poemthat e tij “Lisus” dhe “Scodra”, në funksion të ngjyresave të duhura të kohës e mjediseve  që evokohen në to, ka shtënë në punë edhe një numër të mirë emrash apo onomastikë me “ngjyresa” të caktuara, si p.sh.: Bjeshkët e Nemuna (O ti diell, qi pa nji hije/ Mbi Bjeshkë t’Nemuna shkëlzen); Bahti (

Neper kodra të stolisuna me vneshta
Ku vilet arit xhixhlloshin në dielli,
E rrotull fushen tui kaditun, prilli
Edhe lulzonte kur kish himun vjeshta.
Nder ullishta gjelbrore qi kah Kreshta
E  terthores s’Merqijes vishin nji filli,
Ku Velja e rrmbyeshme qi perket te qielli
Ambel me hyjzit mban kuvende t’shpeshta.
“Darzmore të Bahtit, t’Aferdites shkoshin
Veshun me gunza e krah’t e bardh’ t’shpervjelun
Vashat e Ilirve me koshere n’krye.
E ngrehshin valle dora dora, e kndoshin
Kreshnik’t e Ilirvet e anmiqt e ngelun:
Gadhnjyes Bardhylin e Perdikën e thye
.”

3.2.1.Emrat e shenjtorëve në hapësirat shqiptare dhe disa prurje plotësuese nga vjershat e Ndre Mjedës

Te poema  “Andrra e jetës” në kreun “Zoga”,ndër të tjera ndeshim dhe emrin e një shenjtoti që rrallë  na kishte dale në në shënimet tona: shën Ejlli:

Nuk ishte begu: nen diell t’valtë
Ve[ dy dallndysha bajshin do baltë,
Balt’ e kashtare per çerdhe t’vet,
Se shën Ejlli â nget.

Në Mbishkodër e gjetkë në Veri kishim të njohur e të fiksuar emra si: Shnarroku, Shnatoni, Shmarku, Shnjergji i Ri, Shnjergji Plak, Shpietri, Shnjoni’, Shumhilli, Shumllija, Zoja e Hotit, Zoja e Shkodrës, Zoja e Grudës,Shtoma (Shën-Toma ose Shën-Thomai në pjesën ortodokse). Në Pogradec dalin edhe: Shën Marena, në Lëngë të Pogradecit, Shën Ashti.

3.3.1.Kundrime rreth drejtshkrimit të onomastikës te Mjeda

Me interes na duket, gjithashtu, të përmendim rrethanën që Mjeda, disa herë në vjershat e veta kur përmend emra vendesh dhe njerëzish, sidomos të atyre me karakter historik, u qaset me dëshirë edhe formave të kryehershme, zakonisht, në trajta të shkruara sipas gjuhëve të huaja, sidomos në latinisht: Scodra, Lissus me siguri si shprehje e gjakimit të tij fisnikërues dhe vjetërsi e evropinësidëshmues. Ndërkaq, ai përdor gjithandej format shqiptare (përkat. Shkodrë, Lesh e  Lezhja). Kjo besojmë, do parë e lidhur edhe me traditën e mbarë dretshkrimore që Mjeda ka ndjekur në shkrimin e emërtimeve me vlerë etnike, të cilat, ashtu si në traditën shkrimore italiane, franceze, gjermane etj. i shkruan me nistore kapitale, si: Romaku,  Etolat (banorë të Etolisë), Iliri, Liburnët, Shqyptar, Gegë, Toskë, Hoten, Shkrelas, Kruetan etj.Po ashtu, Mjeda shkruan me të madhe etnikat Gegë e Toskë, si dhe Shqype për gjuhën.

Nji gjuhe shejte t’gjith kuvesim
Nji istori, nji atdhe ne kemi,
Geg’e Toskë nji zemre jemi
Me ndjekë Shqype hovin tand
.”

Po ashtu, Mjeda, me të drejtë, shkruante me shkronjë të madhe nistore emrat Hyji, Zot, Zojë (Shën-Mrija), Perendija, i Lumi Krisht.

Mbas kaq kohësh, sikundër po shihet nga përvoja e zbatimit (përkat.e moszbatimit) të rregullave të drejtshkrimit lidhur me përdorimin e shkronjës së madhe në emra të tillë, do të duhet t’u rikthehemi disa qasjeve më të drejta që kishin pararendësit tanë, sidomos ata që , si Mjeda, Fishta etj. jo vetëm e njihnin, sepse edhe ia kishin vënë themelet alfabetit drejtshkrimit të njësuar qysh me Kongresin e Manastirit e me “Komisinë Letrare”, po edhe  gjakonin  të kishim një gjuhë shkrimi sa më të ngritur, po edhe me spkamën e nevojshme nga pikëpamja e etnografisë së ligjërimit dhe e respektit a kortezisë gjuhësore. 

Në përfundim, le të na lejohet  të ritheksojmë se gjuha e Ndre Mjedës, ashtu si dhe e të gjithë shkrimtarëve të mirë në rrjedhë të shekujve,  ushtron ndikim të ndjeshëm gjuhësor në jetën e shoqërisë. Nëpërmjet letërsisë së shkruar, masat e gjera të lexuesve njihen me pasurinë e leksikut të shqipes popullore, me fjalë e shprehje të reja të krijuara prej shkrimtarëve dhe i bëjnë ato pronë të ligjërimit të tyre. Në mënyrë të veçantë ndikojnë në popull veprat e shkrimtarëve më të pëlqyer, pesha e fjalës së të cilëve ndihet e fuqishme në kulturën ligjërimore e shkrimore të popullit. Të tillë peshë kanë pasur, p.sh., Dante Aligeri, Alesandër Manzoni, De Amiçis për italishten, Molieri, Balzaku, Mopasani, Floberi etj. për frëngjishten, Shekspiri, Dikensi, Thekërei, Gollsuorthi për anglishten, Gëtja, Shileri, Hajne për gjermanishten, Pushkini, Tolstoi, Turgenjevi, Gorki, Majakovski për rusishten etj. Edhe shkrimtarët shqiptarë, me artin e fjalës së tyre, e kanë ngritur gjuhën tonë letrare në shkallën e gjuhëve më të përparuara të letërsisë botërore, e kanë bërë shqipen letrare të jetë shprehëse e saj, e kanë rritur në mënyrë të ndjeshme forcën e saj shprehëse. Në këtë punë me rëndësi të veçantë historiko-letrare kanë marrë pjesë disa breza shkrimtarësh (Naimi, Çajupit, Fishta, Noli, Migjeni, Konica, Koliqi  etj.) midis të cilëve Ndre Mjeda, qëndon me dinjitet. Fjala e Ndre Mjedës dhe e ‘’korit’’ të poetëve e shkrimtarëve të tjerë, bashkëkohs e pasardhës të tij, zë vend e ngulitet thellë në zemrat e mendjet e lexuesve, i pasuron e i fisnikëron ato dhe ua shton dashurinë për gjuhën amtare.

Tiranë, 1 korrik 2012

 Kemi paraysh studimet e tij: “Vrejtje mbi artikuj e përemna pronës të gjuhës shqipe” (1934), ”Mbi  shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet të gjuhës shqipe” (1902), si edhe  transkriptimin e pjesshëm të veprës së P.Bogdanit (1930) dhe të P.Budit (1932), po edhe shkrimet e tij Për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Për Perikopenë e ungjillit të shek.XIV-XV (1933), të cilat janë të njohura dhe përmenden në historinë e albanologjisë. (Shih: FESH, Tiranë, 2008,f.1748).
 Shih: Qemal Draçini, Dom Ndre Mjedja (Dy fjalë analyze estetike mbi lyrizmin e poetit të pavdekshem), Shkodër, qershor 1939, në librin Qemal Draçini,Era,Muzeu Historik i Shkodrës, Shkodër, 1995, f.108.
 Botuar në gazetën “Drita”, të datës 6 maj, 1979, f. 5, si dhe në librin tonë: “Ta  duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur”, SHBLU, Tiranë,1998, f.77-80.
 Nga zona e Pogradecit, mjaft emra shenjtorësh dalin edhe në librin e Gjergji Gushos, Mbi përhapjen e krishtërimit në rrethin e Pogradecit, 2000, f.21. Shih edhe librin e Gjergj Gashit: Vatikani dhe Arbëria.

PAGE   * MERGEFORMAT 1

 Gustav Majer (Meyer), albanolog i shquar auastriak (1850-1900), u mor më fort me etimologji,fonetikë dhe gramatikë historike.Më 1891 botoi veprën Etymologisches Worterbuch der albanesichen Sprache”, si dhe gjashtë vëllime me studime shqiptare (Albanesiche Studien,I-VI),Vjenë, 1883-1897),ku ai ka trajtuar tema të rëndësishme të gramatikës së shqipes.Më 1888,botoi në Lajpcig edhe veprën “Kurzgefasste albanesiche Grammatik”, si edhe disa studime të tjera me rëndësi, si: “Pozita e shqipes në rrethin e gjuhëve indoevropiane”(1884), “Perfekti indoevropian me ç: (1895) etj. Majeri mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja dhe përcaktoi shkencërisht positën e saj si gjuhë qëzë vend më vete në rrethin e gjuhëve indoevropiane.