Shqiptaret qe jetojne ne Kosove, Mal Te Zi, Serbi dhe Maqedoni duhet te kene te drejten e shtetesise shqiptare

Neni 19 1. i Kushtetutes se Shqiperise thote:

(1) Kushdo qe lind duke pasur qofte edhe njerin prej prinderve me shtetesi shqiptare, e fiton vetiu shtetesine shqiptare.

– Per mendimin tim ky Nen i Kushtetutes eshte i cunguar per faktin se u heq te drejten shqiptareve qe jetojne ne trojet e tyre etnike ne Kosove, Mal te Zi dhe Maqedoni, te marrin shtetesine shqiptare, dhe rrjedhimisht pasaporten Shqiptare.

Ratifikimi i ketij Neni kushtetues dhe dhenia e menjehershme e nenshtetesise shqiptare te gjithe shqiptareve etnik do te forconte pozicionin e Shqiperise ne Ballkan, por dhe do te konsolidonte me shume pozitat dhe te drejtat e Shqiptareve sidomos ne ato vende si Maqedonia dhe Mali i Zi.

Ndihmesat e vyera te Jup Kastratit edhe në fushën e dialektologjisë shqiptare

Prof. dr.Jup Kastratin, “Mësues i Popullit”, “Mjeshtër i Madh i Punës”, në 85-vjetorin e ditëlindjes së tij, e përkujtojmë me nderimin dhe vlerësimet e larta që meriton një burrë si Ai, i cili qe njëri prej atyre bijve të shquar të Shkodrës, që krenohej me vendlindjen e tij dhe nuk rreshti së dashuri, së vepruari dhe së shkruari për bëmat,vlerat dhe bijtë e saj.

Jup Kastrati qe rreshtambarë në pohimet, hulumtimet dhe shpallimet e tij të shumta e të larmishme rreth vlerave shkrimore të shkodranëve, por jo vetëm.
Si bir fisnik i Shkodrës sonë kulturëlashtë, Ai u nis prej këtij visi, prej një qyteti, por lakmoi hapësirat mbarëkombëtare të dijes, duke u pykëzuar sidomos në disa drejtime më madhore të albanologjisë, siç janë: bibliografia, filologjia, hartimi i teksteve për shkollën e lartë; ai qe gjuhëtar dhe historian i përkushtuar i gramatologjisë shqiptare e më gjerë, por duke mbetur i pakalueshëm sidomos me veprën e tij të jetës “Historia e albanologjisë”.

Ata që e kanë njohur nga afër, studentët dhe kolegët, miqtë e dashamirët e tij të shumtë, mjaft prej të cilëve janë mbledhur edhe sot në këtë tubim përkujtimor e përlëvdues, nuk mund të harrojnë kurrë dijet e tij të gjera, informacionin dhe njohjen shumë të saktë e të imtë të botimeve për gjuhësinë dhe albanologjinë në përgjithësi, si dhe pasionin e përkushtimin e tij proverbial për hulumtime e studime shkencore. Stilografin e tij ngjyrëvishnje e kishte kurdoherë në dorë dhe mbante shënim me zell e vrull studentor edhe kur i kishte fituar të gjitha gradat e titujt shkencorë, edhe pasi kishte shkruar e botuar mbi 900 punime, që kapin shifrën e rreth 15.000 faqe shtypi shkencor: disertacione, monografi, studime, artikuj shkencorë popullarizues, tekste mësimore për shkollat e larta, përshtatje të letërisë arbëreshe në gjuhën e sotme, përkthime në gjuhën shqipe nga latinishtja, italishtja dhe frëngjishtja.
Jup Kastrati lindi, u rrit, jetoi e punoi derisa mbylli sytë në qytetin e Shkodrës, të cilin ai e deshi dhe e përfaqësoi kurdoherë me dinjitet të lartë, porse ai mbante me krenari edhe mbiemrin Kastrati, që i kujtonte origjinën e hershme prej maleve tona, të cilat miku e studiuesi ynë i paharruar, edhe i deshi njësoj si qytetin e tij. Për këtë, ndër të tjera, na flet edhe një pjesë e mirë e veprimtarisë së tij shkencore, sidomos ajo që lidhet me dialektologjinë, me onomastikën dhe me kumtimet rreth temave që i përkasin malësisë sonë. Në vjeshtë të vitit 1996, në Sesionin shkencor “Sofra e letërsisë dhe e artit”, në Koplik, prof. Jupi mbajti kumtesën e tij të bukur “Edith Durham dhe Malësia e Madhe”, si dhe fjalën e mbylljes . Prof. Jupi ishte nga ata studiues që jo vetëm e deshi malësinë shqiptare, po edhe i begeniste dukshëm punën dhe nismat shkencore të mësuesve dhe veprimtarëve të zonave të ndryshme: ai kishte miqësi e nuk përtonte të marrë pjesë në sesione shkencore të Kabashit të Pukës, të Laçit të Kurbinit, të Koplikut,të Lezhës etj. dhe përgatitej për kumtimet që merrte përsipër njësoj si për konferencat a kongreset e mëdha kombëtare e ndërkombëtare, duke fituar kështu dashurinë dhe adhurimin e një plejade të tërë arsimtarësh dhe njerëzish që kishin rastin ta dëgjonin kur kumtonte dhe diskutonte ai . Dhe, për t’u pykëzuar në temën që kemi zgjedhur, do të përmendim se ai e filloi kurorëzimin e gradimin e tij shkencor pikërisht me një temë nga fusha e dialektologjisë. Më 1962 studiuesi ynë i paharruar fitoi gradën “Kandidat i shkencave filologjike” me studimin “E folmja e Thethit” , një punim interesant dhe i shkruar në një kohë kur dialektologjia shqiptare ishte krejt në fillesat e veta dhe njohja e të folmeve të tilla anësore si ajo e Dukagjinit, ku përfshihet e folmja e Thethit, sillte një ndihmesë të mirëseardhur e me vlerë. Po atë vit, në Konferencën e Parë të Studimeve Albanoogjike, ai do të kumtonte pikërisht rreth temës “Mbi disa tipare të së folmes së Thethit” , e cila , bashkë me studimin e V. Cimohovskit për të folmen e Dushmanit dhe të E.Lafes për të folmen e Nikaj Merturit, deri më sot mbeten burimet kryesore të botuara për të folmen e Shalës e të Dukagjinit.

Thethi apo siç e thonë malësorët Thethi i Shalës mund ta tërhiqte studiuesin për bukuritë e tij natyrore, si një nga vendverimet më të këndshme e shëndetkëndellëse të Shqipërisë, porse ai gjente aty edhe një pikë të qëlluar dialektologjike, sepse përbën pikërisht cakun ku ndahen dy degëzime të gegërishtes veripërëndimore: Shtegu i Dhenet (1826 m. lartësi mbi nivelin e detit) është i vetmi udhëkalim nga Malësia e Madhe, që mbetet në anën veriore e perëndimore, në Shalë, që shtrihet drejt pjesës verilindore dhe, në të vërtet, edhe gjuhësisht dallohet e ndahet disi, qoftë edhe në pika të imëta, pikërisht sepse merr diçka edhe nga tiparet e gegërishtes verilindore.

Studimi i së folmes së Thethit ndjek po atë “liturgji” ose metodë kërkimore të zbatuar gati masivisht në përshkrimet tona dialektologjike dhe që, pavarësisht nga mëtimet e deklarimet e ndonjë “modernisti”, vijon të jetë sa tradicionale aq edhe e patundshme përsa u takon vlerave e dobisë që sjell për dialektologjinë, sidomos kur ajo është në fillesat e saj.
Pra, ai nis me një përshkrim të shkurtër gjeografik e historik të Thethit, paraqet përbërjen dhe shtrirjen e nëntë lagjeve të tij, duke i përmendur me emër dhe ashtu si shqiptohen në të folmen e vendit:Gjelaj, Gjeçaj, Nikgjonej, Akol, që i takojnë anës së sipërme dhe quhen edhe me një emër të përbashkët Katundi, pastaj vijnë lagjet e anës së poshtme: Ndreaj, Ulaj, Kolaj, Grunas ose Aliçaj dhe Ndërlysaj. Të gjitha këto lagje, sipas studiuesit tonë, quhen edhe me emrin Fusha.

Kam qenë në Theth dhe në pjesët e tjera të Shalës për anketime dialektologjike në vitin 1980 dhe, në një farë mënyre, kam pasur edhe rastin të kaloj po në ato shtigje e të takoj,ndoshta, edhe të njëjtët njerëz që kishte pasur si informatorë edhe prof. Kastrati. Mund të them se lënda e studimit për të folmen e Thethit,si dhe përshkrimi i tipareve kryesore te saj, ndonëse autori nuk qe mirëfilli dialektolog, po të shprehemi me një mënyrë të thëni të shqipes së moçme, “nuk ka të fëjyem” dhe është mjaft i saktë dhe i shembullzuar më së miri.Punimi për të folmen e Thethit është cituar e përmendur shpesh në të gjitha studimet përgjithësuese rreth dialekteve të shqipes dhe mbetet edhe sot e kësaj dite një pike referimi me vlerë për të folmen e Shalës.
Autori është ndalur në tiparet fonetike të së folmes së Thethit sipas metodës tradicionale të zbatuar edhe në gati të gjitha përshkrimet e të folmeve të shqipes.(Asokohe ende nuk kishte marrë udhë mëtimi i përshkrimeve me metodën e sistemit të çifteve a bigëzimeve të fjalëve që dallohen nga fonemat për të dalluar inventarin fonologjik të së folmes,por, pavarësisht nga kjo, mund të themi se inventari i fonemave zanore dhe bashkëtingëllore të së folmes së Thethit del i qartë dhe i rrokshëm jo vetëm për specialistët, po edhe për një log të gjerë studiuesish të gjuhës).

Në mënyrë të qartë ai na parqet sidomos disa prej dukurive më kryesore që veprojnë në atë të folme, si hundorësia e zanoreve. Ai thekson se hundorësia është “e rëndomtë” në zanoret: â, ê, î, û dhe jep shembuj konkretë duke përcaktuar edhe pozicionet apo fqinjësinë tingullore në kushte e së cilës ndodh hundorësia. Kështu, për zanoren â , si kusht të hundorësisë përmend rënien e bashkëtingëllores n (patâ, bibâ , rikâ, gjâ, zâ, shullâ) dhe thekson se me këtë tipar Thethi “afrohet me Malësinë e Madhe”, gjë që është shumë e vërtetë.Përveç shembujve të tjerë me hundorësi të shkaktuar nga rënia e një n-je (âsht, bâke), dhe rasteve ku hundorësia është edhe sot fryt i ndikimit të bashkëtingëlloreve hundore n, m që vijnë pas zanoreve, Kastrati jep edhe raste të hundorësisë para bashkëtingëllores-j (kopâj, shkullâj).

Të njëjtën gjë ai konstaton edhe për zanoret e tjera hundore: ê, î, û.
Me interes është aty edhe konstatimi se në atë të folme zanorja e patheksuar ë “nuk ndigjohet fare”(ba:ll, pu:n, i fo:rt, dja:l,da:rk ), ndërsa në pozicion pastheksor, e ndodhur para bashkëtingëlloreve l, r, n merr timbrin e e-së (diten, naten, dhelpen). Po ashtu, autori përshkruan si tipar të së folmes së thethit praninë e zanores y (dy, brryl, fyt).
Togjet e zanoreve në Theth janë ue (grue, krue, thue, luej,kërkuen, truell), ye, ie, duke u dalluar kështu nga Malësia e Madhe ku kemi togjet uo dhe ua.

Autori jep në atë studim paraqitjen e tipareve fonetike diferencuese të së folmes, duke u ndalur edhe në pjesën kushtuar sistemit morfologjk si dhe të leksikut. Po lejohemi të përmendim, ndër të tjera, edhe ndonjë nga dukuritë morfologjike të së folmes së Thethit, që anojnë më fort nga pjesa verilindore, si veta e tretë e së pakryerës së foljeve, me mbaresën -ke, të cilën autori ynë e përshkruan si formë ku “janë përzie e pakryemja e dëftores dhe ajo e habitores” (thankesh, thanshnje, thanke, thanshim, thanshit, thanshin).
Me interes është edhe sprova që bën autori edhe për të gjetur e përcaktuar vendin e së folmes së Thethit në kuadrin e ndarjes dialektore të shqipes, duke shprehur sa vijon: “Tue përfundue mund të thomi se e folmja e Thethit, tue u gjetë në mes të Malsisë së Madhe (nga njena anë) dhe Shalës së Dukagjinit (nga ana tjetër), shkon me gegnishten veripërëndimore, pamvarësisht nga ndonjë ndikim nga gegnishtja verilindore, në fonetikë, si p.sh.në kalimin e zanores a në o (ko punue, konari = kandari, lon = ata lane); në kalimin e zanores u në i (liftue =luftue, “tui liftue me do zapti” kangë popullore) ose në leksik, veçanërisht në huazimet sllave” .
Me interes për dialektologjinë shqiptare janë edhe një numër studimesh të tjera të Jup Kastratit, si p.sh.:”Të dhënat e të folmeve të arbëreshëve të Italisë për historinë e gjuhës shqipe” , ”Mbi ekzistencën e difongut në gjuhën shqipe” dhe “Diftongu në gjuhën shqipe” , trajtim me vlerë për fonetikën,por edhe për dukurinë në fjalë në dialektet e shqipes; “ë-ja atone në shqipet” etj. Mendime dhe vlerësime me interes edhe për dialektolgjinë, prof. dr. Jup Kastrati ka shprehur edhe në disa artikuj kushtuar onomastikës arbëreshe, si : “Jeronim de Rada për toponiminë historike shqiptare”, kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor për toponimet në Kabash të Pukës, 21 maj 1977; “Të dhëna e toponime për Lezhën në “Fjamuri i Arbërit” të De Radës” etj.

Në mbyllje, dua të shpreh bindjen time se veprimtaria e prof. dr. Jup Kastratit, në fushën e dialektologjisë për të cilën folëm, po edhe në gjithë ato lëmije të rëndësishme të filologjisë dhe të albanologjisë për të cilat referuan me kompetencë e bindje parafolësit, tregojnë se studimet e tij të shumënduershme përbëjnë ndihmesa me vlerë, të cilave u jemi referuar dhe do t’u referohemi edhe për shumë kohë në studimet albanologjike.

Jam i bindur se të gjithë sa jeni në këtë auditor të nderuar e të dashur për mua, drejtues të Universitetit, profesorë dhe studiues e studentë, familjarë dhe të afërm të jubilearit tonë të paharrueshëm, bashkohemi në vlerësimin se ai qe i kudogjendur për të mirën dhe vlerësimin e pohimin e albanologjisë, të studimeve shqiptare dhe, kurdoherë, me ballin e rrudhur mbi shkrimet e shkrimtarinë e hershme të vendit të vet. Jup Kastrati dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (në krye të herës: ILP i Shkodrës), revista e mirënjohur “Buletin i Institutit të Shkodrës” (sot e revista shkencore e Universitetit), Sektori shkencor albanologjik dhe seria e botimeve shkencore të realizuara (e të pritme) prej tij, madje edhe vetë “trinomi”: prof. dr.Tomor Osmani, prof.dr.Simon Pepa dhe prof.as.dr.Tefë Topalli, kanë qenë pjesë e atij ideimi shpatullagjerë e hapësirëlargët të drejtimit dhe organizimit të punës mësimore në harmoni e gërshetim të natyrshëm me punën studimore shkencore prej ish-shefit të lavdishëm të Katedrës (pastaj: Departamentit) të gjuhësisë: prof.dr.Jup Kastratit.

Ai qe si lisat e mëdhenj, nën hijen e të cilëve freskohen të gjithë ata që e kanë pranë, banorë të vendit e shtegtarë në kalim, prandaj e kujtojnë dhe ndjejnë mall për të kur nuk e kanë më. Emri i Jup Kastratit mbetet përgjithmonë një emër i dalluar në fushën e letrave shqipe.Ai emër (dhe vetëm burrat si Ai) e meriton të kujtohet me citimin e vargjeve të famshme të Dantes, që thoshte:

“E po s’le nam të mirë mbi dhe, çka të duhet jeta?
Zhduket si reja në tym, si shkuma në vale,
Ai që pa lane një gjurmë çoi ditët e veta.”

Shkodër, 21 prill 2009

Buxheti i UNMIK-ut arrin $46 Milion Dollar per 12 muaj


Buxheti i UNMIK-ut ne Kosove, per periudhen 1 Korrik 2009 – 30 Qershor 2010 do te jete $46.8 Milion Dollar, per te cilave $33.9 Milion do te shkojne per rrogat e personelit (shumica te huaj). A nuk do te ishte me mire qe keto shuma ti viheshin ne dispozicion Qeverise dhe Popullit te Kosoves, ne vend qe te shkojne ne xhepat e majmur te administratoreve te huaj te UNMIK-ut?

Robin Hudi i maleve shqiptare në një studim interesant

Prof Gjovalin Shkurtaj
Follow @gjshkurtaj

(Rreth monografisë “Prekë Cali, Piramidë e kufijve të Shqipërisë” të Gjekë Gjonajt)

Prekë Cali ka qenë dhe mbetet emër i nderuar në Malësi të Madhe e në krejt krahinën e Shkodrës, i përmendur për qëndrimin atdhetar dhe bëmat trimërore për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë nga synimet grabitqare të shovinistëve fqinj, sidomos për të mos e lëshuar Vermoshin, të cilin mbreti Zog pat dashur t’ia dhuronte Jugosllavisë si shpërblim për ndihmat dhe prapashpinat që u detyrohej ai qarqeve të caktuara që e sollën në pushtet. Vermoshi mbeti brenda kufijve shqiptarë, populli ia diti për nder Prek Calit që nuk e lëshoi atë pjesë të trojeve tona, porse Prekë Cali, si për ironi të fatit, do ta paguante shumë shtrenjt atë qëndrim atdhetar: ai do të burgosej dhe qe syrgjynosur në Burgun e Gjirokastrës nga pushteti zogist, kurse, më pas, si antikomunist e njeri me bindjen se komunizmi ishte një nga të këqijat më të mëdha që po i kërcënohej Shqipërisë, bashkë me ajkën e burrave të Kelmendit bëri qëndresë të ashpër ndaj atij sistemi dhe, për atë shkak, pasi e shtinë në dorë me tradhti, duke i premtuar se do të lihej i lirë, u pushkatua mizorisht në Fushë të Koplikut, duke thirrur “Rrnoftë Shqypnija!”.

Me rastin e 60-vjetorit të pushkatimit, një nga stërnipat e tij, gazetari dhe studiuesi i njohur Gjekë Gjonaj nga qyteti i Ulqinit, botoi monografinë “Prekë Cali, Piramidë e kufijve të Shqipërisë”, një libër i plotë historik dhe folklorik, në të cilin na jepet një pasqyrë e qartë dhe e dokumentuar mirë e jetës, veprimtarisë atdhetare dhe e personalitetit të Prekë Calit si burrë i lartë i maleve tona, si figura më e njohur dhe më e lëvduar në popull, si emri më i kënduar në këngët e lahutarëve malësorë që nga Malësia e Madhe ku ai lindi, jetoi, luftoi dhe vdiq, deri në Amerikë e në Australi ku gjenden valë të shpërnguljeve të malësorëve të Këlmendit.

Autorin e monografisë, Gjekë Gjonajn, e kisha njohur kryesisht si gazetar dhe më ka pëlqyer interesi i tij i gjerë për të pohuar vlerat më të mira të gjuhës e të kulturës shqiptare, ka bërë intervista me studiues e personalitete të shkencës së sotme shqiptare, është i kudogjendur në veprimtaritë që u kushtohen problemeve të historisë e të kulturës shqiptare në Ulqin e në Mal të Zi, po edhe vjen aq shpesh në Tiranë, duke bashkëpunuar me artikuj në gazetat shqiptare e sidomos ka shkruar në “Koha jonë”. Disa vjet më parë, kur u takuam në Ulqin me rastin e një tubimi shkencor të organizuar nga Bashkia e Ulqinit për të nderuar prof. Ruzhdi Ushakun, teksa kaluam së bashku mbrëmjen e Shën-Kollit në Shëngjergj dhe fjetëm në qelën e Dom Nik Ukgjinit, Gjeka më pat folur për punën që ishte duke bërë për të shkruar një libër për Prekë Calin. I thashë se edhe unë, diku në dosjet e mia, kam shumë shënime e kujtime të të moshuarve malësorë nga Kastrati, Hoti etj. që e kanë njohur atë trim të maleve tona, si dhe një skicë të një trajtimi për të që i kam vënë titullin “Prekë Cali-Robin Hudi i Shqipërisë”. Në vitin 1991 K. Kunora e Marash Mirashi e përkujtuan Prekë Calin me artikullin sa interesant, aq edhe prekës “E burgosi Ahmet Zogu dhe e pushkatoi Enver Hoxha” (“Koha jonë”, 25 tetor ), kurse gazetari i ri Agron Gjekmarkaj me shkrimin “Prekë Cali, ndërgjegje e vrarë e historisë” (“Tribuna demokratike”, 27 tetor 1995). Shkrime të tilla, bashkë me dekorimin e Prekë Calit “Martir i Demokracisë” (23.6.1993) dhe me ngritjen e monumentit të këtij luftëtari e atdhetari vigan në qytetin e Shkodrës do të shënonin, si të thuash, “ringjalljen e Prekë Calit”, prandaj, edhe kreun e katër të monografisë, z. Gjek Gjonaj e ka titulluar pikërisht ashtu.

E mora këto ditë librin, të cilin ma pruri dorazi miku im Dom Nikë Ukgjini, dhuruar nga autori dhe me këtë autograf: “I ndershmi mik, Zoti profesor Gjovalin Shkurtaj, ju dhuroj këtë libër në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin tuaj të madh në fushën e gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Do të më gëzonit, z. Shkurtaj, po të ish e mundur të bënit gjekundi në ndonjë gazette (ose mua nëpërmjet E-mailit) një shkrim të paanshëm mbi përshtypjen që ju bën libri. Sinqerisht, autori Gjekë Gjonaj. Ulqin, 28 shkurt 2005.”

Më vjen keq se libri, kjo dhuratë e vyer dhe e mirëseardhur e mikut tim Gjekë Gjonaj, më ra në dorë pas kaq muajve qëkur ma paska nisur autori, porse kohën për ta kënduar dhe për t’ia përmbushur dëshirën atij e gjeta, duke lënë mënjanë shuëmçka tjetër nga detyrimet e punët që kisha në dorë. Gjekë Gjonajt, gazetarit të talentuar dhe dashamirësit të shkencës e të gjuhës shqipe, që me aq përkushtim shkruan edhe për gjuhëtarët e gjuhësinë shqiptare, ia kisha borxh nderi një përgjigje vlerësuese për monografinë e tij. Por, edhe po të mos ishte midis meje dhe autorit kjo lidhje miqësore, do të mjaftonte titulli dhe lënda e monografisë për të gjetur ngenë e mundësinë e një kundrimi, qoftë edhe të shpejtë, për librin që i kushtohet figurës vigane të Prekë Calit. Monografia çelet me parathënien e shkruar nga prof. as. dr. Romeo Gurakuqi, një nga historianët më të dalluar të ditëve tona, i ri në moshë por i thellë në trajtimet dhe i përkushtuar dukshëm ndaj historisë së Malësisë së Madhe e të trevave veriperëndimore në përgjithësi. Kohë më parë, në monografinë e tij të rëndësishme “Kryengritja e e Malësisë së Mbishkodrës 1911” (Shkodër, 2002) lexuesit iu dha një pamje mjaft besnike e asaj kryengritjeje si dhe e krejt lëvizjes atdhetare që pati ajo si shtysë, duke përcaktuar strategjinë dhe taktikat e saj dhe duke vlerësuar e vënë në pah meritat e bëmat trimërore të bijve të thjeshtë të Malësisë së Madhe për shqiptarinë dhe Shqipërinë. Koha dhe punët e shumta më kanë penguar të ulem e të shkruaj diçka për atë libër, por shënimet i kam dhe, parathënia e thukët dhe e ngjeshur e Gurakuqit për librin e Gjekë Gjonajt, ma rikujtoi se e kam ndërmend të shkruaj edhe për atë libër.

Bashkohem plotësisht me vlerësimin e z. R. Gurakuqi se “vepra e Gjekë Gjonajt është një arritje e rendësishme, e cila jo vetëm ka përmbledhur në mënyrë të sintetizuar arritjet e deritanishme të biografëve të heroit, por edhe u ka shtuar këtyre arritjeve një serë dokumentesh të panjohura më parë, të nxjerra me kujdes nga autori prej Arkivit Qendror të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, dhe prej një serëe tregimesh mjaft të vlefshme të dëshmitarëve të kohës”. Më pëlqen, gjithashtu, ta bashkoj mendimin tim të mirë për monografinë e z.Gjekë Gjonaj edhe me vlerësimin e Prof. As. Dr. Alfred Çapalikut, i cili thekson: “Hulumtuesi e publicisti i palodhur, sa gazetar aq edhe folklorist, z. Gjekë Gjonaj, me botimin e sistemuar të krijimtarisë gojore për Prekë Calin, s’po bën gjë tjetër, veçse po i ngre monumentin e dytë, prej bashkëtingëlloresh që ndrisin si bronzi dhe prej zanoresh që tingëllojnë si bronzi”.

Merita e parë dhe kryesore e librit të Gjekë Gjonajt më duket se qëndron në atë lidhje të ngushtë e të natyrshme që ka gjetur aty figura e Prekë Calit me Këlmendin, vis për të cilin ai shkriu rininë e burrërinë e tij, duke dhënë edhe jetën për të. Nuk mund të jepet në tërë madhështinë dhe vlerat që meriton Prekë Cali si luftëtar i paepur për mbrojtjen e trojeve kombëtare shqiptare, pa njohur Kelmendin dhe përgjithësisht Malësinë e Madhe, si visi më i plleshëm në bëmat trimërore në të mirë të atmes e të shqiptarisë, qysh kur i vuri pushkën Vuça Pashës dhe nuk e la të hynte në Kelmend, akt të cilin e lëvdonte madhërisht Pjetër Budi, deri në mbrojtjen e Vermoshit nga Prek Cali.

Autori, Gjekë Gjonaj, është stërnip i Prekë Calit dhe, për këtë rrethanë, ka pasur mundësinë të njohë nga afër shumë nga njerëzit që jetuan e luftuan krah për krah me Prekën, ka thithur qysh në moshë të njomë ajkën e këngëve popullore që i kushtohen atij dhe kjo e ka pasuruar e qartësuar portretizimin e heroit, ka gjetur kujtime e hollësi interesante nga gurra gojore, porse ai ka lakmuar të hyjë më thellë, duke iu drejtuar studimeve historike, gjeografike, demografike e deri gjuhësore, si dhe duke gjurmuar arkivat, gjë që i ka dhënë atij mundësinë ta ndriçojë figurën e Prek Calit ashtu si e meriton një personalitet i atillë i historisë shqiptare. Autori citon veprat e njohura të historianëve, sidomos ato që i kushtohen historisë së Malësisë së Madhe, siç janë, ndër të tjera, studimet e Petër Bartlit, Edit Durhamit, Atë Kolë Berishës, Ali Hadrit, Muin Çamit, Prenk Grudës, Romeo Gurakuqit, Hasan Gjonbalajt, P. Milos, Gjergj Nikprelajt, K. Prognit, A. Putos etj., një listë e gjerë bibliografike, e cila jo vetëm është shënuar në treguesin përkatës, por edhe është shfrytëzuar me dobi dhe është cituar me korrektësi të lavdërueshme në shënimet në fund të faqeve. Po kështu, është për t’u vënë në dukje informacioni shumë i pasur gojor, tregimet dhe dëshmitë e të afërmve të Prekë Calit, kujtime të bashkëluftëtarëve të tij, si dhe këngët epike të krijuara në vite për të, të cilat këndohen me lahutë anekand trevave të Malësisë dhe në diasporën e saj në dhe të huaj.

Shpreh bindjen se monografia “Prekë Cali, Piramidë e kufijve të Shqipërisë” e Gjekë Gjonajt është një libër i mirësardhur në bibliotekat dhe në tryezat e punës së studiuesve që merren me historinë shqiptare, një ndihmesë e re serioze në fushën e historiografisë së sotme shqiptare, një pasqyrë mjaft e besueshme e jetës dhe veprimtarisë atdhetare të një prej figurave më të ndritura të Malësisë së Madhe, Prekë Calit, të cilin autori, me të drejtë, e ka cilësuar si “Piramidë e kufijve të Shqipërisë”. Dhe, për ta mbyllur, nuk mund të mos përmend një fakt të thjeshtë nga përvoja ime: në vitin 1970 kur shkova për herë të parë në Vermosh për të mbledhur lëndën e duhur për studimin e së folmes së Këlmendit, një vendas që më shoqëronte, kur kaluam ne Velipojë, para postës së kufirit, që është krejt pranë piramidës, më tha me zë të ulët: “Kjo ka qenë shtëpia e Prekë Calit, tashti është posta e kufirit”. Heshta, por në mendje më vetëtiu një ide që asokohe nuk mund ta thosha me zë… Atë do ta thoshte (dhe e tha kur erdhi çasti) z. Gjekë Gjonaj në librin e tij sa interesant, aq edhe të vyer e frymëgjatë. E përgëzojmë me gjithë zemër mikun tonë për këtë sukses të ri të tij në fushën e historisë dhe përgjithësisht të letërisë dokumentare.

Figura e Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut në letërsi dhe në folkor

nga Gjovalin Shkurtaj

Follow @gjshkurtaj


Degjoni emisionin e Radios mbi Skenderbeun


Gjergj Kastrioti pati jehonë të madhe në kohën e vet, jehonë që kurrsesi nuk mund të përligjet me mjetet e komunikimit masiv të kohës, ende të ngathëta e të tilla që çanin kryesisht nëpërmjet letrës së shkruar dhe kumteve të lajmëtarëve gjithsesi të kufizuar në numër. Zulmat e bëmat e tij përhapeshin më fort duke kaluar gojë më gojë, natyrisht edhe duke u stërmadhuar, hiperbolizuar e legjendarizuar aq sa, deri edhe historianë seriozë bashkëkohës të kryetrimit, hera-herës janë rrëmbyer më fort prej legjendares e gojëdhanës, duke mos iu përmbajtur dot arsyes së ftohtë që lypset në shkrimet mirëfilli historike. Dëshmitë e shumta që na kanë mbërritur nga historianë, publicistë dhe udhëpërshkrues evropianë, na bëjnë të ditur se trimëritë e Skënderbeut dhe të luftëtarëve që u printe ai përcilleshin me këngë e valle që në të gjallë. Vetë Marin Barleti, historiani që jetoi dhe, në një farë mase, edhe i përjetoi vetë ngjarjet e lidhura me kryetrimin, duke shërbyer si burimi kryesor referues për studiuesit dhe shkrimtarët e mëpastajmë, na thotë se mbas betejave fitimtare ushtarët shprehnin gëzimin e tyre “me këngë, me shaka e me lojna të ndryshme” . 

Qysh së lashti, popujt e kanë pasur traditë që t’u këndojnë princave e tribunëve të tyre, porse kjo ka qenë ndoshta më e theksuar ndër popujt e vegjël e me armiq të mëdhenj si shqiptarët, prandaj gjatë gjithë kohëve kanë fiksuar në këngët historike çdo akt trimërie e atdhetarie, sepse siç thuhet në anët e Drenicës (Kosovë) “kënga del prej grykës së pushkës”. Gjergj Kastrioti, si shumë prej njerëzve të mëdhenj të dalluar në luftërat çlirimtare, u këndua, u lëvdua dhe u legjendarizua edhe për së gjalli. Kjo ishte në hullinë normale të jetës e të marrëdhënieve të prijësave me popullin. Vegjëlia kurdoherë u ka dhënë si shpërblim tribunëve të vet këngë, vlerësime e hiperbolizime të bëmave trimërore e të pamjes fizike të tyre. Një nga më të bukurat, e zgjedhur prej arsenalit të krijimeve popullore për heroin tonë lavdimadh, është fiksuar në filmin artistik “Skënderbeu”, kënduar nga basi i madhërishëm Lukë Kaçaj, ku fjalët e këngës kanë vlerën e një lapidari:
“Trim mbi trima ai Gjegj Kastrioti,
Forcë të madhe që m’i dhënka Zoti,
S’e djeg flaka, as s’e djeg baroti,
Sa shumë turq menjëherë ai i përlan,
Dhe me një të rame malin dysh e çan!”
Dhe mbyllet me urimin “Kënga jote brez pas brezi u këndoftë!”, si një nga shprehjet më tipike të etnografisë së të folurit shqiptarisht.
Ajo çka shpëtoi prej këngëve të tilla, tregimeve dhe aforizmave të Skëndërbeut do të mblidhej më vonë dhe është botuar nga De Rada në Itali, nga Shtjefën Gjeçovi , Marin Sirdani etj., pastaj edhe në vëllimet e botuara nga Instituti i Folklorit (sot Instituti i Kulturës Popullore).
Trimëritë legjendare të heroit shqiptar, Gjergj Kastriotit, zgjatën njëzet e pesë vjet dhe ai, siç do të thuhej metaforikisht, qe “parzmore çeliku në gjoks të Evropës”, ndaj edhe bëmat e fama e tij u bënë objekt tërheqës për studimet historike si dhe gurrë frymëzimi për vepra të ndryshme letrare e artistike në mbarë kontinentin tonë. Lavdia e tij qe aq e madhe saqë shkrimet e veprat kushtuar atij do të zgjasnin pa shterim në rrjedhë të shekujve, duke u rilindur e rishfaqur heroi ynë sa herë rrymave përparimtare brenda e jashtë vendit u duhej një figurë-simbol, një hallkë e fortë për t’u mbështur breznitë më të reja në luftërat patriotike. Kështu, Skënderbeu që përfaqësoi “Motin e madh të Arbërit” në kujtimet popullore të mërgimtarëve arbëreshë, në penën e dijetarëve dhe shkrimtarëve evropianë, pastaj edhe arbëreshë e, në kohët më të reja, edhe shqiptarë, do të ngrihej në shkallën e pavdekshmërisë, duke e njohur atë si luftëtar të paepur për liri dhe si prijësin që diti të bashkojë shumicën e krerëve dhe masat e gjera popullore, kryesisht fshatare, në një luftë të shenjtë dhe heroike për sovranitetin e popullit të vet dhe dinjitetin kombëtar. Njëkohësisht, studimet historike dhe shkrimtaria evropiane pranuan edhe misionin e rolin e tij të lartë si mbrojtës të denjë të Ballkanit dhe të qytetërimit evropian, duke e quajtur “kalorës i lirisë”, “mbrojtës i krishtërimit”, “mundës i S. Muratit” etj., ndërsa në popull ai do të quhej ”kulshedra e Ballkanit”.
Historianët janë të një mendjeje dhe e kanë shprehur qartë e pa mëdyshje se Kruja dhe kështjellat e tjera shqiptare u bënë beden i pakapërcyeshëm për 25 vjet rresht për osmanët, duke i penguar ata në marshimin e drejtimin e planifikuar drejt Romës, Vjenës dhe Budapestit. Prandaj, kalorësi anglez Njupor, më 1456 bënte këtë vlerësim të lartë dhe real për luftën e popullit shqiptar: “Invazioni i Evropës është i sigurtë, sepse s’ka fuqi tjetër që mund ta bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella arbëreshe” .
Sasia e madhe e veprave të ndryshme historike, letrare (drama, romane, tregime dhe poema e vjersha), që shkon në më se katërqind , të shkruara kryesisht në gjuhë të huaja e nga autorë të huaj, është dëshmi e qartë e interesimit të gjallë që zgjoi në krejt Evropën figura e ndritur e Gjergj Kastriotit.
Shqyrtimi historik dhe letrar i aspekteve të ndryshme të figurës dhe bëmave trimërore atdhetare të Skënderbeut ka bërë të mundur që të kuptohej e të ndriçohej më thellë madhështia e veprës së heroit dhe e epokës së tij në planin ideor, moral dhe, veçanërisht, roli i rëndësishëm ndërkombëtar i luftës që bëri populli shqiptar për 25 vjet rresht nën udhëheqjen dorësigurtë të Gjergj Kastriotit. Natyrisht, letrarët dhe krijimtaria popullore kanë zhdavaritur edhe shkaqet e gjallërisë së pavenitshme dhe të tharmit rilindës që ka pasur e vijon të ketë kjo figurë, ndoshta njëra nga më emblematiket, në mos më emblematikja e krejt Evropës. “Gjergj Kastrioti i detyroi të gjithë shekujt të flasin për të. Dhe çdo shekull, çdo epokë ka folur me zërin e saj, ka zbuluar tek ai diçka të re.”
1.Figura e skëndërbeut në letërsinë botërore
Figura e Skënderbeut ka tërhequr vëmendjen e historianëve, po edhe të shkrimtarëve. Një numër shumë i madh autorësh, të epokave dhe rrymave të ndryshme letrare, i janë qasur kësaj figure duke krijuar një mori veprash të gjinive dhe lloje të ndryshme letrare.
Krijimet e para kushtuar Skënderbeut janë dy vjersha në latinisht, prej autorësh italianë, miq të Marin Barlecit, i cili i vuri këto krijime në krye të veprës së tij për heroin. Në shek. XVI këto u pasuan nga një varg krijimesh poetike, nga të cilat më të njohura janë sonetet e poetëve të Rilindjes, si. p.sh. të francezit Pjer Ronsar (1576) dhe të anglezit E. Spenser (1596), të cilat e ngrejnë lart heroin, duke e krahasuar me njerëzit e mëdhenj të lashtësisë. Po ai na shfaqet edhe në prozën artistike të kohës, si në romanin “Tmerri i turqve” (1548), shkruar nga italiani Antonio Posenti. Kujtimi dhe vlerësimi i luftërave të Skënderbeut vijuan edhe gjatë shek. XVII, si p.sh. në poemën “Skënderbeiada”, botuar në Romë më 1623, shkruar nga poetesha Margerita Sarroki, e cila e paraqet Skënderbeun si hero të vëretë dhe kalorës fisnik. Po ashtu edhe gjermani Jakob Kokert, në “Këngë mburrëse” (1643) dhe francezi Zhan Bysier në poemën “Skënderbeu”(1658). Në këtë shekull u shkruan edhe një varg dramash me protagonist heroin tonë legjendar, prej të cilave mund të përmendim dramën “Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, shkruar nga dramaturgu i njohur anglez Kristofor Marlou. Rrugën e tij e ndoqën edhe dramaturgë të tjerë, të shumtë, nga disa vende të Evropës, si Spanja, Italia, Franca, Suedia, Polonia, Greqia etj. Përmendim, ndër të tjerë, shkrimtarin e madh spanjoll Lopes de Vega, i cili shkroi veprën “Princi Skandërbeg”, që përfshihet në llojin e komedive të tij të famshme. Po në shek. XVII tema e Skëndërbeut u trajtua edhe në prozë, si p.sh. nga francezi Yrben Shevro (“Skënderbeu”, 1644) dhe një autor anonim rus nën titullin “Tregime për Skënderbeun, princin shqiptar”.
Gjithashtu figura e Skëndërbeut do të trajtohej në shek. XVII edhe në një varg veprash të rrymës kalorsiake, që u shkonte përshtat kërkesave ideore të qarqeve të larta shoqërore evropiane. Përmendim, p.sh., veprën “Skënderbeu i madh” (Amsterdam, 1688), shkruar nga një autore anonime, pastaj edhe “Skënderbeu ose aventurat e princit të Shqipërisë”, botuar në Paris më 1732. Po në këtë kohë botohen edhe drama për Skëndërbeun, si në Angli “Skënderbeu ose dashuri dhe liri” (1747) nga Tomas Uinkop, “Skënderbeu” i Uiljam Havardit, “Heroi i krishterë” nga Xhorxh Lilo.
Kësaj kohe i përkasin edhe disa drama të shkruara nga disa autorë italianë dhe francezë, si ”Trimëritë e princit Skënderbe, mundësit të Sulltan Muratit” (1730) nga Antonio Xamboni, “Skënderbeu princ i Shqipërisë” (1770) nga Mauricio Gerardini, pastaj “Skënderbeu” (1786) nga Pol Debyjsoni. Me kohë, nga skenat e teatrove dramatike këto vepra filluan të shfaqeshin edhe nga trupat shëtitëse angleze e gjermane, gjë që ia shtoi shumë popullaritetin heroit tonë kombëtar.
Një nga anët më interesante të figurës së Gj.K.Skënderbeut është jetëgjatësia e famës dhe lavdisë së tij dhe sidomos të rilindurit apo rikthimi i tij në periudhat më të rëndësishme të lëvizjeve përparimtare të popujve të Evropës dhe të popullit shqiptar. Ai, si moskush tjetër nga burrat e mëdhenj, si pinjoll i një visi e populli numerikisht të vogël, por të etur për liri e gati gjithmonë me jetë kombëtare të trazuar prej pushtimesh të huaja, do të kishte shansin e rrallë të të rilindurit.
Me vrullin e lëvizjeve çlirimtare kombëtare që shpërthyen në Evropë në shek. XIX pati një ringjallje të interesimit për figurën dhe bëmat trimërore të Skënderbeut. U botuan një varg veprash, si drama “Çlirimi i Greqisë” (1821) e gjermanit Karl Sondershaun, në qendër të së cilës ishte pikërisht figura e heroit kombëtar shqiptar, Gj. K. Skënderbeut; drama “Skënderbeu” (1835) shkruar nga suedezi F. G. Rudbek, “Skënderbeu, poemë heroike” (1824), shkruar nga poeti romantik gjerman Fridrih fon Nidda etj.
Rreth një gjysmë shekulli më pas, poeti përparimtar maqedonas Grigor Perliçev shkroi dramën në vargje “Skënderbeu” (1861), në të cilën heroin tonë e paraqet si udhëheqës të madh,po edhe të thjeshtë e të shkrirë me popullin. Po ashtu, nga gjinia e romanit, mund të përmedim veprën e Antonio Xonkadës, pjesëmarrës i lëvizjes garibaldine, vepër që dallohet për frymën e saj demokratike dhe që e paraqet heroin tonë si udhëheqës shumë popullor. Po ashtu nuk mund të lëmë pa përmendur romanet “Kapiteni i jeniçerëve” (1887) të anglezit Xh. Ludllou, “Për jetën” i shkrimtarit polak Tomas Jazh. Në Francë, gjithashtu, heroi ynë u bë personazh kryesor i dramave historike të autorit neoklasicist Gijom K. Perlyse dhe të Rogatien Forresë.
Por vepra më e qëlluar në letërsinë botërore për Skënderbeun është poema me të njëjtin titull e Henri Longfellout (1873), e cila është përkthyer edhe në shqip nga mjeshtri i madh i fjalës shqipe Fan S. Noli.
2.Figura e skëndërbeut në letërsinë arbëreshe dhe shqiptare
Figura e Skëndërbeut jo vetëm simbolizoi unitetin kombëtar përballë përçarjes feudale, krahinore e fetare, por shënoi edhe rrugën e fitores, prandaj Rilindja Kombëtare Shqiptare iu drejtua figurës së heroit të shek. XV si simbol të qëndresës së pamposhtur. “Ai qe për rilindasit një shembull i shkëlqyer se si, duke u mbështeur në bashkimin e pathyeshëm të popullit dhe kryesisht në forcat e brendshme, mund të hidhej tej skllavëria osmane”.
Me këtë arsye shpjegohet interesimi dhe vendi i madh që zuri figura e Skënderbeut në letërsinë e Rilindjes, e cila u frymëzua nga idealet e luftës për çlirim kombëtar të popullit shqiptar. Ndër autorët e parë që trajtoi tëmën e Skënderbeut është Jeronim de Rada, poeti romantik arbëresh, në poemat e tij “Skëndërbeu i pafan”, “Pasqyra e një jete njerëzore” dhe “Gjon Huniadi”, ku heroi na shfaqet si simbol i Shqipërisë kryengritëse dhe si kreshnik i pamposhtur dhe udhëheqës i shquar .
Në pajtim me prirjen e përgjithshme të rilindasve, që shihnin te Skënderbeu edhe aspiratat demokratike, poeti tjetër arbëresh, Gavril Dara i Riu, në poemën “Kënga e sprasme e Balës” e paraqet kryetrimin si komandant dhe trim të mençur, sa autoritar e të rreptë, aq edhe popullor dhe të dashur, kurse poeti strigariot Zef Serembe, shkruan për Skëndërbeun duke shprehur besimin se në Shqipëri do të lindnin luftëtarë të denjë për t’i pertëritur traditat dhe shembullin e heroit. Figura e Skëndërbeut gjeti trajtim edhe në poemën e gjatë “Shpata e Skënderbeut në Dibër të Poshtme” të Bernard Bilotës.
Këndej Adriatikut, figurën e heroit tonë të lavdishëm e mishëroi për herë të parë me nota madhore Naim Frashëri në epopenë “Istori e Skëndërbeut”, e cila do t’i jepte tonin krejt letërsisë së mëvonshme shqiptare. Skëndërbeu i Naimit është përsonifikim i shpirtit heroik të popullit dhe shekullit të tij-burim frymëzimi për heroizëm e therori në luftën e ardhshme për çlirim. Këtë udhë të Naimit, do ta ndiqnin edhe edhe poetë të tjerë të Rilindjes, si A. Z. Çajupi, N. Mjeda, Asdreni, R.Siliqi etj. të cilët në krjimet e tyre u përpoqën ta lidhnin kujtimin e Skëndërbeut me detyrat që shtronte lëvizja për çlirim kombëtar.
Në vargun e veprave të kësaj rryme duhen përmendur edhe poema “Kënkat e Krujës” e Kozmo Serembes (në mjediset arbëreshe) dhe dramat e Kolë Mirditës (i njohur me pseudonimin Helenau) “Vdekja e Skëndërbeut” (1917) dhe “Moisi Golemi” (1917). Në periudhën 1912-1939 për t’u përmendur është “Historia e Skëndërbeut” e Fan Nolit, e cila ndonëse është vepër mirëfilli historike, ka edhe cilësinë se është shkruar me stilin e këndshëm e të ngritur që përshkohet edhe nga vrulle epiko-heroike dhe herë-herë lirike.
Edhe pas flakjes së zgjedhës së huaj dhe çlirimit të Shqipërisë, tema e skëndërbeut do të mbetej aktuale, sepse shembulli i qëndresës së tij të pashembullt i mëson vazhdimisht popullit shqiptar se si t’u bëjë ballë heroikisht dallgëve të trysnisë së huaj. Ndërsa në vjershën e shkurtër figura e Skënderbeut u paraqit kryesisht me mjetet e rrymës romantike, në llojet e gjata ajo gjeti pasqyrim më realist. Përmendim, p.sh. romanin “Kalorësi i Skëndërbeut”, vepër postume e Haki Stërmillit (përfunduar në vitin 1950), dramën “Trimi i mirë me shokë shumë” të Sulejman Pitarkës (19589, “Guri i hekurt dhe mokrat e gurta” (1963), dramë nga Misto Markaj. Në një varg veprash, kryesisht poema e romane, që u botuan gjatë vitit jubilar të 500-vjetorit të vdekjes së heroit (1968) dhe më pas, mund të vlerësohet edhe konceptimi i ri artistik i problemeve të epokës dhe i figurës së Gj.K.Skënderbeut. Kështu, mund të përmendim poemat “Garda Krutane” të K. Jakovës, “Shkëmbi që theu dallgët” e Klara Kodrës. Në mënyrë mjaft të plotë e të realizuar me mjeshtëri na del figura e Skënderbeut te romani i Gjergj Zhejit “Muret e Krujës”, ku theksohet ideja e heroit se “besëlidhja është e vetmja shpresë e lirisë së Arbërisë”. Në këtë hulli shkon edhe romani “Shqipja e kreshtave tona” i Skënder Drinit, ku shohim edhe përpjekjen e lëvdueshme për ta dhënë figurën e heroit në zhvillim, të gjallë e njerëzor.
Interesim dhe mëtime të mbara për trajtimin e figurës së Skëndërbeut ka pasur qysh në krye të herës edhe në letërsinë shqipe të trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi.Theksojmë se, qysh në shkrimet e Lukë Bogdanit vlerësohet me krenari se “Skënderbeu shitoi mbretnë” , ndërsa më vonë, Shtjefën Gjeçovi nga Janjeva tregoi interes të veçantë për figurën e heroit tonë, duke mbledhur në rrethet e Kurbinit dhe të Krujës 16 tregime popullore që shënojnë mbledhjen e parë të rëndësishme të gojëdhanave për Skëndërbeun . Emri dhe bëmat e Skëndërbeut do të përmenden me art e theksim të veçantë edhe në poezinë e shqiptarëve të Kosovës, ku mund të rendisim, më së pari, vjershërinë e Esad Mekulit, për të cilin poeti thotë se “shndrit mbi të shkuemen si rrfeja në natën e errët”. Mbas tij, dora-dorës me rritjen e sasisë dhe të cilësisë së krijimeve letrare në ato mjedise, figurës së Skënderbeut i qasen me përmasa të reja poetë si Enver Gjergjeku, Rexhep Hoxha, Beqir Musliu, Muhaed Kërveshi, Daut Demaku, Jakup Ceraja, Teki Dervishi, Ymer Shkreli etj . Nga dramat mund të përmendim “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” të Ahmet Çirezit, me karakter të theksuar lirik dhe rrëfimtar, pastaj vjershën “Nikë Kosova” të Jakup Cerajës, si e vetmja që pohon se edhe shqiptarët e Kosovës dhanë ndihmesën e tyre në luftërat e Skëndërbeut kundër osmanëve .
Kur, më 1968, në vitn jubilar të 500-vjetorit të vdekjes së heroit, u mbajtën aq shumë referate, kumtesa, diskutime në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike që iu kushtua heroit, po edhe u bënë aq shumë botime folklorike e letërsi artistike, saqë mund të dukej se u sos dhe u shterua ajo temë (kemi parasysh referatin magjistral të prof. Aleks Budës me titull “Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu dhe epoka e tij”, si dhe kumtesat të ngjeshura të një armate studiuesish të autoritetshëm nga e gjithë Evropa dhe hapësirat kombëtare e etnike shqiptare), njeriut mund t’i dukej se nuk mbeti më gjë pa u thënë. Por jo. Vitet që vijuan do të sillnin përsëri prurje të reja, madje shumë interesante. Emri dhe veprat e Gj.K.Skëndërbeut do të hynin në vargjet e gati mbarë poetëve shqiptarë, ndërsa vargu i romaneve e dramave historike ku ai është heroi kryesor do të shtohej në mënyrë të ndjeshme. Për hir të kohës nevojisht të kufizuar dhe të auditorit të sotëm, jo vetëm shqiptar, në pamundësi për të trajtuar gjithçka, po përmendim shpejtazi disa prej veprave më interesante, duke ritheksuar se romani historik me Skënderbeun si hero kryesor do të mbetej edhe më tej arë e lakmueshme e disa prej shkrimtarëve të më shquar shqiptarë.
Kryekreje, meriton të përmendet romani “Skëndërbeu” i Sabri Godos, një vepër e shkruar me dije të thella historike dhe me mjeshtëri të lartë artistike, një nga krijimet më të mira të autorit dhe, besojmë, të krejt lëtërsisë shqiptare. Vepra ka pasur disa ribotime, po edhe është përpunuar e rivëshrtruar për kohë të gjatë nga autori, me ngenë dhe ngulmimin e atij që, në kulmin e pjekurisë së vet artistike, si ata piktorët sqimatarë që nuk kënaqen lehtë me frytin e penelit të vet, edhe Godoja mëton me durim, derisa në variantin e dytë, na ka dhënë një Skëndërbe jo vetëm madhështor e legjendar, po edhe njerëzor e mishërues të tipareve më të mira të shqiptarisë. Kur mbaron së lexuari atë vepër zemra të gufon nga një ndjenjë e çuditshme, që ngërthen krenari e brengë të thellë: krenari që trojet shqiptare lindin një vigan si Ai, brengë për rethanën se, ndërkaq, në rrjedhë të moteve e shekujve, shqiparët i ndoqi fati i keq. Ata qenë kurdoherë “parzmore çeliku në gjoks të Evropës”, porse, për ironi të fatit, deri sot e gjithë ditën do të mbeteshin “jashtë mureve” të BE-së.
Figurës së Skëndërbeut, sikundër e cekëm edhe më lart, i janë qasur me dëshirë gati të gjithë krijuesit shqiptarë e arbëreshë të kohëve të reja, kush me ndonjë vjershë lirike, kush me ndonjë poemë, po edhe me krijime të gjata. Në vargun e tyre, një vend të veçantë zë edhe romani “Kështjella” i Ismail Kadaresë, ku heroi vetë nuk na shafaqet, por ai përfaqësohet nga kështjellarët trima që zbatojnë pa mëdyshje ideimin dhe strategjinë luftarake që u ka mësuar Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu. Ka pasur edhe mjaft krijime të tjera, të cilat në parashtresën tonë nuk është e mundur t’i përfshijmë të gjitha, por po mjaftohemi duke thenë se kanë qenë të shumta, sidomos dramatizimet, radiodramatizimet dhe ekranizimet që kanë si hero Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, si dhe vjershat e poemat për fëmijë e të rinj.
Edhe poezia më e re e arbëreshëve të Italisë gëlon nga vjersha dhe krijime dramatike që kanë në themel figurën e Skëndërbeut. Përmendim, ndër të tjera, romanin “La moto di Scanderbeg” e Karmine Abates, nga Karfici arbëresh, që shkruan italisht, vjershën “Skandërbeku” të Karmell Kandrevës dhe “Kruja” të lirikut më të shquar arbëresh Vorea Ujko, me të cilën më pëlqen ta mbyll referimin tim:
“Në majë të malit,
u ngjita në një faltore
të ngritur nga trimëria.
E lavdishme, e papushtueshme
Kjo kala kumbon në histori.
…………………………
Çdo gur kishte duar çeliku
Një gojë, dy buzë të mbyllura,
Një kraharor të gjerë
Dhe sy prej zjarri.
Çdo guri unë ia njoh historinë
E mbi gurinmëtë madh

Ishte skalitur emri yt, Skandërbeg”.

GJUHA SHQIPE SI MJET I VETËRUAJTJES DHE I SHPREHJES SË SHQIPTARËSISË

Follow @gjshkurtaj

Në këtë kumtesë, do të përqëndrohem në theksimin e disa prej akteve dhe dëshmive më madhore që lidhen me ndihmesën e intelektualëve arbëreshë për lëvrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe, për vlerësimin dhe shfrytëzimin e gjuhës amtare si mjet të vetëruajtjes etnike dhe të shprehjes së shqiptarësisë në mjedisin italian. Dhe, sigurisht, për shumë kohë, në mjediset arbëreshe të Italisë, intelektualët përbëheshin gati kryesisht nga klerikët, priftërinj, murgj e përgjithësisht njerëz të kurieve a të abacive, që shërbenin për të mbajtur gjallë fenë, duke kryer ritet dhe shërbesat përkatëse.Këtu, ndërkaq, qëndron edhe thelbi i ndihmesës dhe i synimeve të mëdha gjuhëruajtëse të klerit arbëresh: përpjektet dhe këmbëngulja e tyre për ta kryer shërbimin e mësimet e fesë së krishterë në gjuhën shqipe. Këto përpjekje ndër arbëreshët kanë qenë të hershme dhe të pandërprera, qysh nga krijimi i ngulimeve në diasporë e deri në ditët tona, prandaj edhe Kongresi Gjuhësor i Korilianos, që vinte pas një përvoje e lufte të gjatë të arbëreshëve për ruajtjen e vetiakësisë etnike, kulturore dhe shpirtërore e gjuhësore, u dha një konsistencë e forcë më të madhe mëtimeve tashmë shumëshekullore të kësaj diaspore, duke u kapur në disa hallka themelore, të cilat, në të vërtetë, përbënin edhe themelin e neneve të Shoqërisë Kombëtare Shqiptare të themeluar në Kongres e të drejtuar nga De Rada. Në nenin e parë të Shoqërisë kërkohej:

“a) të hartohej një abetare e gjuhës shqipe,
b) të hartohej një fjalor i shqipes,
c) të botohej një gazetë shqiptare,
ç) të lidheshin marrëveshje me “mëmën” Shqipëri”.

Nuk do të ndalem gjatë as në pjesën historike, as në Kongresin si të tillë, as për Rezolutën e tij aq të rëndësishme, sepse për to është folur e shkruar mjaft, si dhe u diskutua në lartësi të lakmueshme nga gojëtarët parafolës. Desha vetëm të theksoj se, edhe njëqind vjet më parë, ashtu si sot, gjuha shqipe për arbëreshët është përherë e lidhur me thelbin dhe simbolikën e vetë ekzistencës së tyre: ata pohonin atëherë dhe po pohojnë bujshëm edhe sot të njëjtën gjë, sa të thjeshtë e madhështore: “na jemi arbëreshë”. Themi se kjo është një gjë e thjeshtë, sepse është një fakt i njohur dhe i pohuar nga gjithkush, që arbëreshët janë shqiptarë të Ital;isë, janë një element etnik që për më se pesë shekuj qysh nga mërgimi i të parëve të tyre në Kalabri, Sicili, Pulje e Bazilikatë etj., brez pas brezi kanë ruajtur gjuhën shqipe, kanë ruajtur kujtimin se janë arbëreshë apo “gjak i shprishur” nga Shqipëria, kanë ruajtur krenarinë për origjinën e tyre. Po madhështorja ku është?

Ngulimet arbëreshe paraqesin sot një diasporë historike të moçme e disashekullore, të shprishur dhe të përhapur tejendanë nëpër gjithë Italinë Jugore e në Sicili, që natyrisht, është e përfshirë, tashmë, ligjërisht e “in tutto e per tutto” në jetën e në konfiguracionin e Italisë, si shtetas italianë, por që, megjithëkëtë, arbëreshët nuk jepen kurrë: ata duan të flasin e të këndojnë shqip, të dallohen në mjedisin italian se janë pikërisht të tillë: ARBERESH = ITALO-ALBANESI. Ata janë, pra, qytetarë italianë, me origjinë dhe gjuhë të ndryshme prej shtetasve të tjerë të vendeve ku ndodhen, ndonëse tashmë ata edhe italishten e kanë nxënë dhe e kanë kudo si gjuhë “bukje”, kurse shqipen, në variantin e tyre dialektor tradicional e me shumë dukuri ruajtëse (konservative) e kanë pasur dhe vijojnë ta kenë kurdoherë si gjuhë të “zemrës”.

Ka njerëz që këtë e kanë quajtur “mrekulli”, porse ajo nuk është aspak një mrekulli. Përkundrazi, po të ishte një mrekulli, do të kishte zgjatur më pak. Sllavët, që i kemi fqinj, thonë një fjalë të urtë “Vsjako çuda do tre dana”, që do të thotë në shqip: “çdo mrekulli zgjat deri në tri ditë”. Puna e arbëreshëve, jeta e tyre prej kaq shekujsh me kujtimin krenar të mëmëdheut tëlavdishëm dhe, sidomos, ruajtja me aq forcë e gjuhës dhe e etnicitetit të tyre si arbëreshë, nuk është aspak një mrekulli, por është një realitet. Një realitet i bukur dhe i shkëlqyeshëm (ashtu i fortë dhe i pëlleshëm e) që mbetet gjithnjë në vlim, që në vend se të tretet e të shuhet, siç ka ndodhur e ndodh zakonisht me çdo diasporë, përkundrazi, rilind dhe përparon me jetësi të çuditshme. Kjo jetësi arbëreshe ka qenë gjithmonë gurrë e pashtershme për mbrothësinë e gjuhës. Për lëvrimin dhe mbrojtjen e saj kanë shkrirë jetën një plejadë e tërë burrash të shquar, midis të cilëve edhe poetë zëmëdhenj e me një erudicion të shkëlqyeshëm, ashtu siç ishte edhe ideatori, organizatori dhe bashkërenduesi e drejtuesi kryesor i Kuvendit të Korilianos për gjuhën shqipe, Jeronim de Rada nga Maqi (Macchia albanese), personalitet i shquar e me një famë gjithëevropiane, figurë shumë e dashur që na ka bërë të ndihemi krenarë me të , të gjithë sa jemi arbëreshë e shqiptarë, i quajtur thjeshtë dhe madhërishëm: “tatëmadhi inë”.

Është një gjë shumë e bukur që, edhe sot, lulja e intelektualëve të diasporës arbëreshe në Itali, qoftë ata që nëpër katundet apo qendrat e vogla, me modesti, por edhe me shumë devotshmëri, veprojnë si lëvrues e veprimtarë të thjeshtë vendorë (mësues, priftërinj, këngëtarë, mbledhës të folklorit, artistë popullorë, drejtues të bashkive etj.), qoftë ata që kanë detyra e ngarkesa mjaft të larta e me prestigj zyrtar, siç është drejtimi i katedrave dhe i instituteve universitare të gjuhës shqipe e të letërsisë shqiptaree arbëreshe në qytetet e mëdha ku gravitonte dhe ku tashti është e pranishme një masë e madhe e rinisë studentore nga katundet arbëreshe, si në Kozencë, në Palermo, po edhe në Napoli, në Romë, në Bari e në Leçe etj. Mund (dhe duhet) ta themi me një krenari të ligjshme se, në të gjitha qendrat tradicionale të diasporës arbëreshe dhe veçanërisht në universitetet ku ka katedra të gjuhës shqipe apo edhe institute të albanologjisë, qoftë vetë titullarët, qoftë edhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët të gjithë i njohim, nuk shkëputen kurrë nga hullia e shqiptarësisë. Madje, duke i zgjeruar e zhvilluar edhe më tej hapësirat e studimeve rreth gjuhës shqipe, rreth traditave gojore e letërsisë së shkruar të ngulimeve arbëreshe e më gjerë, duke përgatitur e botuar edhe vepra madhore si ato që janë vënë në dorë të lexuesve gjatë këtyre dhjetë- pesëmbëdhjetë vjetve të fundit nga prof. Solano e prof. F. Altimari të Univeristetit të Kalabrisë, nga prof. A. Guzzetta e bashkëpunëtorët e tij në Universitetin e Palermos, si dhe nga drejtues të katedrave të tjera të gjuhës shqipe në univeristetet italiane, janë dishepuj të vërtetë e krenarë të De Radës së Madh.

E, tashti, pasi thashë këto vlerësime, dua të kthehem edhe një herë prapa, në një fakt mjaft të largët: kur vdiq De Rada, dha shpirt duke thënë me hidhërim fjalët që të gjithë i dimë: “Gjaku inë është e birret”. Rreziku i bjerrjes së gjuhës shqipe në mjedisin italian ku rrojnë arbëreshët ishte dhe mbetet i madh, prandaj edhe Tatëmadhi kishte frikë se mos birret gjuha. Dhe ai kishte arsye. Megjithatë, për fat të mirë, në të gjithë këta dhjetëvjeçarë që kanë kaluar pas vdekjes së tij, gjuha shqipe bashkë me gjithë trashëgiminë gojore dhe të shkruar të arbëreshëve vijojnë të jenë të gjalla e në lulëzim dhe, madje, të tërheqin vëmendjen e përfaqësuesve më të mëdhenj të sociolinguistikës e të antropologjisë kulturore etj. Po lejohem të citoj këtu një pohim të kohëve të fundit nga studiuesi i mirënjohur e me famë botërore Tullio de Mauro, i cili, duke prezentuar përmbledhjen me studime “I dialetti italo-albanesi” (“Dialektet arbëreshe”) nën 12kujdesin e F. Altimarit e L. M. Savoia-s, shkruan, ndër të tjera: “Gjuhëtarët nuk duhet të lodhen kurrë së gërmuari në realitetin gjuhësor të Italisë dhe të nxjerrin në dritë pasurinë dhe larminë që lulëzon ende dhe, sidomos, si në rastin që kemi përpara, nuk duhet t’ i kursejnë përpjekjet për të dhënë vepra përgjithësuese rreth aspekteve të varieteteve të tilla”.

Dhe tashti le të ndalemi vetëm në disa pika që dëshmojnë se sa të mëdha e të rëndësishme kanë qenë e janë përpjekjet dhe ndihmesat e intelektualëve arbëreshë në Itali për ruajtjen e gjuhës shqipe, si dhe për të bërë të mundur që ajo edhe të lëvrohej e të përpunohej me kujdes, duke e shikuar e duke e studiuar atë gjerësisht në çdo ngulim apo qendër ku rrojnë arbëreshët. Po përqëndrohemi, pra, vetëm në disa pika më domethënëse:
1. Diaspora arbëreshe në Itali, edhe pas kaq shekujsh qëkur është ndarë nga mëmëdheu, duke jetuar në kushtet e një pakice mjaft të shprishur në të gjithë Jugun e Italisë, që nga Abruci e Pulia deri në Sicili (ku në krye të herës kanë qenë rreth 100 ngulime) diti të gjente një çast të fortë uniteti dhe përbashkimi pikërisht nëpërmjet punës dhe përpjekjeve të pavdira të grupeve intelektuale të atjeshme, që vepronin e veprojnë në emër të amësisë përbashkët etnike, kulturore dhe gjuhësore të kësaj diaspore. Dëshminë më të shkëlqyer për këtë përbashkësi shpirtërore të diasporës arbëreshe dhe të lidhjeve të saj aq të forta me Shqipërinë e shqiptarët e gjejmë në lëvizjen e njohur të Rilindjes, në të cilën ndihmesa e arbëreshëve të Italisë, sidomos e profesorëve dhe e nxënësve të Kolegjit të Shën-Adrianit në gjysmën e parë të shekullit XIX, ka qenë me të vërtetë e madhe. Siç dihet, prania në Kalabri dhe në Sicili, e dy institucioneve shumë të rëndësishme, siç ishin Kolegji i Shën-Adrianit (së pari në Shën-Benedikt Ullano e pastaj në Shën-Mitër Koronë) dhe Seminari Greko-Shqiptar i Palermos u siguronin ngulimeve arbëreshe në Itali një qarkullim të frytshëm e të rëndësishëm të veprave dhe të ideve si edhe një trashëgimi kulturore në saje të të cilave mund të kuptojmë e të shpjegojmë më mirë ndihmesën e dhënë nga intelektualët arbëreshë për thellimin e shqiptarësisë nga shumë pikëpamje etnike, fetare, kulturore, gjuhësore dhe veçanërisht kombëtare. Siç e thotë në mënyrë poetike një këngë e bukur arbëreshe e kohëve të reja, kënduar mjeshtërisht nga Alfio Moça, arbëreshët e Italisë kanë jetuar dhe jetojnë gjithnjë “me Shqipërinë në zemëre në si”. Krenaria kombëtare ka qenë kurdoherë për intelektualët arbëreshë si “ylli i dritës” për çdo shteg të kërkimeve dhe të studimeve të tyre. Mjafton të përmendim se “Rilindja” Shqiptare nuk lindi brenda Shqipërisë, porse, siç kanë vënë re me të drejtë akademik Rexhep Qosja e prof. F. Altimari, shpërtheu në momentet e para në grupet e intelektualëve që shprehnin zërin e bashkësive pakashumë të mëdha të diasporës shqiptare, qoftë në Itali, qoftë gjetkë, si në Turqi, në Rumani, në Egjipt, në Bullgari etj.

2. Qysh në agimin e themelimit të një diaspore arbëreshe në Itali bëri udhë edhe përpjekja për shkollimin e djemve e vajzave të saj, për krijimin e qendrave arsimore në ngulimet më të mëdha arbëreshe apo në qendrat e mëdha urbane italiane rreth të cilave gravitonte kjo diasporë, si Palermoja, Napoli, Kozenca pastaj edhe Roma e qytete të tjera, sidomos Bari, Leçe etj.

Arbëreshët e kuptuan shpejt se, edhe pas mërgimit të tyre, mbijetesa e gjuhës, e zakoneve dhe e kulturës së tyre, mund të arrihej vetëm në qoftë se do të kishin njerëz të ditur, burra të shquar që me shkrimet e fjalën e tyre t’ u dilnin zot këtyre pasurive shpirtërore e kulturore, përndryshe ato do të zhdukeshin. Historia e diasporës arbëreshe në përgjithësi dhe e çdo ngulimi arbëresh në veçanti, dëshmon bindshëm se sa vigane qenë ndër shekuj puna dhe përpjekjet e tyre për arsimin, për formimin e klerit arbëresh e të institucioneve përkatëse, si qendra që, me kohë, do të bëheshin edhe mbështetje për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, si shprehëse e hallkë e vetiakësisë së arbëreshëve në dhe të huaj. Arsimimi (i institucionalizuar) në kolegjet dhe seminaret arbëreshe jepte mundësi për potencimin e një plejade të tërë mendimtarësh të shquar arbëreshë, kryesisht nga radhët e klerit të ngulimeve arbëreshe, që nga Lekë Matrënga e deri në ditët tona. Duhet ta theksojmë se, kur ky bir i madh i Horës së Arbëreshve, më 20 mars 1592, plot 403 vjet më parë, botoi katekizmin shqip “E mbësuame e krishterë” (që përbën librin e dytë të shkruar shqip fill pas Buzukut e të parin dokumentim të toskërishtes së shkruar), krahas motivit (mirëfilli) propogandistik të doktrinës së krishterë ndër arbëreshët, kishte, pa dyshim, edhe një mëtim të lavdërueshëm patriotik që do të mbetej në fillesat e një hullie të pandërprerë të mësimit të gjuhës shqipe nga arbëreshët e Italisë tekdo gjendeshin. Në “fletushkën” që i prin katekizmit të Matrëngës, siç thotë prof. Fadil Sulejmani, shihet qartë qëllimi dhe arsyeja pse Matrënga e përktheu shqip katekizmin, si dhe dobia që do të kishte e roli që do të luante ajo vepër ndër arbëreshët e Italisë, si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit: ajo i shërbente kuptimit më të qartë e më të drejtë të mësimeve të fesë, por, njëherazi, duke thënë meshën në gjuhën shqipe, i shërbejnë drejtpërdrejt edhe mbajtjes gjallë të saj.

Gjuha shqipe dhe riti fetar greko-bizantin në diasporën arbëreshe në Itali, qysh prej themelimit të saj e deri sot, kanë paraqitur dy instrumenta të vetidentifikimit dhe të shfaqjes më të dukshme të qenies së arbëreshëve. Lidhur me këtë, besojmë se nuk është e nevojshme të shtojmë gjë tjetër pas atyre që ka shkruar F. Altimari, me të cilin bashkohem plotësisht se “përveç faktorëve shoqërorë dhe kulturorë, edhe faktorët fetarë kanë pasur dhe kanë edhe sot një pjesë përcaktuese në fushën e asimilimit, si dhe në atë të rezistencës kulturore të një etnie të kërcënuar siçështë ajo arbëreshe. Ndërsa, p. sh., në elementin arbëresh të Greqisë, feja greko-ortodokse, e përbashkët për mjedisin helenik kanë ndihmuar në mënyrë të ndjeshme për asimilimin gjuhësor të atyre bashkësive, në Itali, përkundrazi, vihet re se ky ushtrim i fesë, në formën e ritit greko-bizantin, edhe pse në kuadrin e kishës katolike, ka qenë një faktor i rëndësishëm i ruajtjes së gjuhës dhe të identitetit kombëtar shqiptar”. Është bash rasti për të përmendur rolin pararojë që ka luajtur kleri bizantino-arbëresh në luftën shumëshekullore për mbrojtjen e të drejtave të pakicës arbëreshe dhe rëndësinë që kanë pasur në historinë e kulturës shqiptare dy seminaret e lartpërmendura (Kolegji i Shën-Adrianit dhe Seminari i Palermos) në të cilët është formuar një pjesë e mirë e intelegjencës arbëreshe. Në fillim të shekullit tonë, krahas dy seminareve, një rol shumë të rëndësishëm do të luanin edhe dy institucione të tjera: Eparkia e Ungrës (1719), që përfshin bashkësitë arbëreshe të Kalabrisë dhe ajo e Pianës në Sicili (1937), që përfshin bashkësitë arbëreshe të Sicilisë. Që të dyja kanë ndihmuar fuqimisht për të bërë të mundur që mbrojtja e trashëgimisë etnike, shpirtërore dhe gjuhësore e kulturore arbëreshe të kishin një shtysë të re dhe që, pastaj, do të shpinte në përshtatjen e gjuhës shqipe si gjuhë liturgjie në të dy dioqezet, gjë që ishte në përputhje edhe me këshillin ekumenik të Vatikanit II. Prandaj, duhet ta themi me gojën plot se, në plan institucional, Kisha arbëreshe në Itali ka qenë i vetmi “subjekt” që deri më sot ka njohur dhe ka mbrojtur gjuhën shqipe të pakicës arbëreshe. Nuk ka qenë dhe nuk është e rastit që, qysh nga Lekë Matrënga e deri në ditët tona, pjesa më e madhe e klerikëve arbëreshë kanë qenë gjithnjë nismëtarë ose bashkëpunëtorë të çdo lëvizjeje kulturore dhe të çdo veprimtarie për të ruajtur,vlerësuar dhe për të studiuar gjuhën shqipe dhe traditat etnike arbëreshe.

Nuk është e rastit, gjithashtu, që një pjesë e mirë e veprave me vlerë të madhe rreth gjuhës shqipe në Itali janë shkruar e botuar nga priftërinj apo peshkopë arbëreshë, siç janë, p. sh., duke përmendur disa nga ato të dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit tonë: “Fjalori i Arbëreshvet t’ Italisë” (“Dizionario degli Albanesi d’ Italia”) i Atë Emanuel Xhordanos, botuar më 1963; “Gramatika shqipe” (“Grammatica albanese: Parte I”) e Atë Josif Ferrarit, botuar më 1971 dhe “Manuale di lingua albanese -Elementi di morfologia e di sintassi, esericzzi, cenni sui dialetti”, shkruar nga prof. Francçesko Solano dhe botuar më 1972; “Dizionario fraseologico degli Albanesi d’ Italia” (“Fjalor frazeologjik i arbëreshëve të Italisë”), botuar më 1989 nga Atë A. Bellushi, për të mos përmendur këtu, për mungesë kohe, edhe shumë ndihmesa të tjera të të lartpërmendurve dhe të klerikëve të tjerë arbëreshë, si Atë V. Selvaxhit, Atë Xh. Farakos, Atë Xh. Skiro (Sklicës) etj.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për revistat dhe periodikun arbëresh: pjesa më e madhe e tyre janë themeluar e drejtuar nga priftërinj arbëreshë të famullive arbëreshe, si p. sh.: “Zëri i Arbëreshëvet” në Ejaninë nga Atë E. Xhordani, “Zjarri” në Shën-Mitër nga Atë Xh. Farako, “Vatra jonë” dhe pastaj “Lidhja” në qytetin e Kozencës nga Atë A. Bellushi etj. Për të mos e harruar është, gjithashtu, liturgjia në gjuhën shqipe gjatë meshimit të shenjtë, si në kishat e Eparkisë së Ungrës, ashtu edhe në atë të Piana deli Albanezit.

Nga gjithë sa thamë del se në diasporën arbëreshe të Italisë, bashkë me gjuhën shqipe që flasin dhe shkruajnë me aq dashuri, mbrojtja e ritit fetar greko-ortodoks ka qenë dhe është një element i rëndësishëm i vetidentifikimit të arbëreshëve si një etni e veçantë në mjedisin italian: si qytetarë italianë me origjinë, gjuhë dhe besim të ndryshëm prej mjedisit italian.

GJUHA SHQIPE NE SHTYPIN E SOTEM TE ARBERESHVE TE ITALISE

Këta njëzet- tridhjetë vjetët e fundit, në shumë ngulime arbëreshe të Kalabrisë, të Sicilisë dhe të Molizes etj.,janë shtuar e po shtohen radhët e veprimtarëve të kulturës. Falë punës dhe nismave të shmta të tyre vihet re një zgjim i ri, një lëvizje e gjerë mendore, që ka për qëllim mbrojtjen, vlerësimin dhe njohjen e gjuhës shqipe e të traditave të vyera që arbëreshët i kanë ruajtur të gjalla për më se pesë shekuj. Në këtë “rilindje” të dytë të arbëreshëve të Italisë marrin pjesë një numër përherë e më i madh intelektualësh të sferavet të ndryshme: mësues, klerikë, gazetarë, publicistë, poetë e rapsodë popullorë, këngëtarë e kompozitorë, artistë estudiues të profilizuar, veprimtarë të ndryshëm shoqërorë e drejtues të bashkive dhe të shoqatave a rretheve kulturore, grupe folklorike dhe teatro amatore etj. Të gjithë, në mënyrën e vet, herë spontanisht, herë edhe me një farë bashkërendimi e në kuadër më të gjerë deri panarbëresh, përpiqen jo vetëm për t’ i mbrojtur e shpëtuar gjuhën e kulturën e tyreamtare, po edhe për t’ i lëvruar e pasuruar ato më tej, në hullitë e reja bashkëkohore, me njohje e takime sa më të gjera edhe me gjuhën letrare shqipe të sotme dhe me kulturën më të re shqiptare që zhvillohet brenda në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, si edhe kudo në diasporën e moçme e të re shqiptare. Kjo lëvizje e gjerë gjuhësore dhe etnokulturore e shoqërore zhvillohet kudo: në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë së Epërme e të Poshtme, në anët e Katanxaros e të Potencës, ashtu edhe në Sicili, në ngulimet arbëreshe të Kampobasos etj. Ja si e thotë këtë një poet i sotëm arbëresh nga Piana deli Albanezi: “Çdo katund o çdo horë arbëreshe kërkon të bëjë o bën diçka për ringjalljen e vet: këtu njëherë u bë shkolla arbëreshe, këtje kanë një grup folklorik; këtu kanë një poet, këtje kanë njëqë mbledh përrallëza, këtu shkruajnë arbërisht vetëm dy vetë, këtje e njohin më shumë gjuhën…Kudo mbahet e ndezur një flakë e vogël. E një flakë e vogël disa herë mund të ndezë njëzjarr të madh…Ne nuk jemi arbëreshë të vegjël (ka shumë arbëreshë të vegjël!!!), ne jemi arbëreshë të Mëdhenj, me sy lrgpamës për ringjalljen tonë”. Në gji të kësaj lëvizjeje të re mendore, letrare, shkencore e kulturore e shoqërore dhe si tribuna të saj, prej vitesh janë themeluar edhe disa organe të shtypit arbëresh, kryesisht revista e të përkohshme me profil të përgjithshëm shoqëror e kulturor, të cilat dalin herë me shtyp të lartë, herë me shaptilografim apo në formë fletorëzash të ciklostiluara, herë në trajtën e të përkohshmeve të rregullta, herë si numra unikë, vartësisht nga mundësitë dhe mjetet që kanë në dorë drejtuesit e tyre. E rëndësishme është që ato dalin dhe bëjnë një sherbim të çmueshëm për ruajtjen e gjuhës e të kulturës arbëreshe, për t’ i nxitur arbëreshët që ta mbajnë edhe më tej të gjallë e ta shprehin më me forcë arbëreshësinë. Siç thotë një publicist i njohur arbëresh: “Mjetet që pati Gutembergu nuk i kemi e ashtu vemi përpara si kemi vatur, duke shpresuar se edhe kështu të lëmë dëshmi e të sjellim mesazhin se arbëreshët janë akoma të gjallë e se mirë o lig gjuha shqipe flitet, se mirë o lig rritet ndjenja e qenies dhe e vetëdijes arbëreshe e jo vetëm, por edhe se kultura jonë është e lidhur me kulturën shqiptare (të djeshme e të sotme) e se, pa lidhje me atë kulturë shqiptare jemi të varfër. Kultura jonë arbëreshe e kultura shqiptare na japin mundësinë të plotësojmë të qenët tonë të veçantë (particolare) këtu në Itali”.

Në vijë kronologjike organet e shtypit të sotëm arbëresh rreshtohen si vijon: më 1963 nisi të botohej në Shën-Benedikt Ullano revista “Zgjimi” (“Risveglio”) nën drejtimin e Albin Grekos. Disa vjet më vonë në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë filluan të dalin edhe tri revista të tjera, që, shpejt, do të bëheshin shumë të njohura: më 1970 nisi udhën “Zjarri” (“Il fuoco”), në Shën-Mitër Koronë, nën drejtimin e Atë Xhuzepe Farakos; po atë vit (1970) nisi të dilte “Katundi ynë” në Çift (Çivita) nën drejtimin e Demetrio Emanueles dhe , më 1972, në Ejaninë, filloi të dilte “Zëri i Arbëreshvet” nën drejtimin e Atë Emanuel Xhordanos. Në vitin 1976 në Frasnitë (Frascineto) doli edhe një numër i revistës “Vija”, nën drejtimin e Atë Françesko Solanos, që qe konceptuar si një e përkohshme letrare e “Rrethit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëreshë”, porse ajo nuk pati jetë më tej. Me sa dimë nuk ka dalë numër tjetër i saj.

Në të njëjtën hulli e me synime tëngjashme punojnë edhe veprimtarët e ngulimeve të tjera arbëreshe. Në Sicili, në Horën e Arbëreshëve, më 1972 doli numri i parë i revistës “Lajmëtari i Arbëreshëve”, nën drejtimin e poetit dhe arsimtarit Xhuzepe Skiro di Modika (Giuseppe Schiro di Modica). Më 1975 filloi të dalë po atje “Mondo Albanese”, nën drejtimine poetit dhe dramaturgut Xhuzepe Skiro di Maxho (Giuseppe Schiro di Maggio). Nga fillimi i vitit 1987 pat filluar të dalë në Horë edhe një e përkohshme tjetër “Pranvera” nën drejtimin e Mateo Mandala-së, por nuk pati jetë të gjatë. Për shumë vjet në Horë ka vijuar të dalë vetëm “Mondo Albanese”, e cila, pa dyshim, ndonëse me një tipografi modeste (në shaptilografim) ka pasur një përhapje shumë të gjerë ndër arbëreshët e në botë dhe ka dhënë një ndihmesë jashtëzakonishttë madhe për kulturën e letërsinë arbëreshe e për lidhjet kulturore e miqësore shqiptaro-arbëreshe e më gjerë.

Nga revistat më tëreja, por që ka dalë e po del rregullisht, duke pasur edhe ajo një njohje përherë e më të gjerë jo vetëm në Itali po edhe në botë, është “Lidhja” (L’ Unione), që filloi të nxjerrë në qytetin e Kozencës Atë Antonio Bellushi. Po në qytetin e Kozencës dhe me mëtime për një rrezatim panarbëresh, nga fundi i viteve ’80 pat filluar tëdalë edhe revista “Rilindja Arbëreshe”, organ i Lidhjes Italiane për Mbrojtjen e Pakicës Arbëreshe. Me sa dimë prej saj kanë dalë vetëm nja dy numra, pastaj është ndërprerë.

Përmendëm këtu vetëm revistat a të përkohshmet arbëreshe më të njohura e që dalin më rregullisht, po edhe që janë shquar më tepër si tribuna të mendimit e të nismave përparimtare të studiuesve e të lëvruesve të gjuhës shqipe, të veprimtarëve arsimorë e kulturorë, të mbledhësve të materialeve me vlera gjuhësore e folklorike nga goja e popullit. Mund të thuhet se shtypi i sotëm arbëresh, në përgjithësi, ecën në hullinë e mbarë të shtypit përparmtar të Rilindjes, që pat themeluar De Rada, së pari, me “L’Albanese d’ Italia” (“Shqiptari i Italisë”), pastaj me “Fjamuri i Arbërit”, organi më jetëgjatë i shtypit arbëresh. Ashtu si në kohën e Rilindjes edhe në revistat arbëreshe të kohës sonë pasqyrohen gjerësisht përpjekjet dhe nismat e shumta për mësimin e gjuhës amtare në shkollat arbëreshe me program të rregullt, ashtu siç janë zhvilluar disa herë në ngulimet arbëreshe të “Comunità montana” në Kalabri, në Katanxaro dhe në Kuntisë (Contessa Entellina) të Sicilisë. Lidhur me mësimin e gjuhës shqipe në ngulimet arbëreshe, qoftë me anë kursesh të shkurtra, qoftë me synimin më largvajtës për ta vënë si lëndë mësimi në shkollë, parashtrohen gjerë kërkesat e hapat që janë bërë, si dhe mundësitë që ekzistojnë, qoftë në kuadrin krahinor, qoftë edhe në rrafsh më të gjerë kushtetues. Na duket me interes që të përmendim këtu disa nga arritjet dhe drejtimet më të rëndësishme të shtypit të sotëm arbëresh lidhur me gjuhën shqipe.

1.Të përkohshmet arbëreshe, pavarësisht nga profilet e ndryshme që kanë, ku më shumë e ku më pak, (vartësisht nga prirjet, formimi kulturor e drejtimet ideologjike të drejtuesve të tyre, si dhe nga “klima” kulturore e mjediseve përkatëse të ngulimeve ku ato dalin) i kanë dhënë e i japin rëndësi të veçantë gjuhës shqipe, duke e parë e trajtuar atë me përparësinë që i përket një problemi thelbësor për jetën e komunitetit arbëresh. Publicistët dhe shkrimtarët më në zë të diasporës arbëreshe, në shkrimet që botojnë në organet e shtypit arbëresh, theksojnë se “Pa gjuhën e vet amtare një popull nuk ka rëndësi në kontekstin e qytetërimit”.

Po të shfletojmë koleksionet e revistave që përmendëm më lart, na bie në sy fakti që, në faqet e tyre, kryeartikujt dhe artikujt problemorë më të shpeshë e më me peshë janë ata që i kushtohen gjuhës. Ato mbështesin përpjekjet dhe punën që bëjnë shumë veprimtarë shoqërorë, arsimtarë, priftërinj etj. për të arritur që gjuha e tyre amtare të përvlerësohet e të konsiderohet si pjesë përbërëse themeloree një kulture akoma të gjallë, si mjet që, po të ushtrohet e të mësohet në shkollat e ngulimeve arbëreshe krahas italishtes, mund të shërbejë për të formuar shkollarë arbëreshë me një personalitet më të plotë. Mund të thuhet se shtypi i sotëm arbëresh ka qenë dhe vijon të jetë tribunë e gjallë për të gjitha ata veprimtarë shoqërorë, klerikë, mësues, profesorë të universiteteve apo studiues të qendrave albanologjike nëpër universitetet itliane apo nëpër ngulimet arbëreshe që kanë dashur t’ i dalin zot gjuhës shqipe e kulturës arbëreshe në përgjithësi. Për më tepër, duhet theksuar se, vetë drejtuesit dhe bashkëpunëtorët kryesorë të organeve të përmendura vijnë nga radhët e veprimtarëve kulturorë arbëreshë. Ata janë, shumica, arsimtarë, klerikë, studiues, gazetarë dhe publicistë demokratë. Shumë i dukshëm ka qenë në revistat arbëreshe roli i profesoratit arbëresh të katedrave albanologjike të Kozencës (F. Solano. F. Altimari, G. Bellushio), të Palermos (A. Guzzetta, M. Mandala), të Napolti (I. C. Fortino).

Të shumta janë në revistat arbërese edhe shënimet, njoftimet e kronikat kushtuar diskutimeve e debateve, kuvendeve a kongreseve për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat arbëreshe. Kështu, emrat e mësueseve dhe veprimtareve të dalluara Xhuzepina Kuçia Lo Jakono dhe Guarino Tomasa in Çilufo nga Kuntisa e Sicilisë i gjen aq dendur në faqet e “Mondo Albanese”, ashtu siç gjen te “Zjarri” artikujt dhe sprovat didaktike për mësimin e shqipes në kantonin kozentin , nga mësues si Françeko Fuska, Xh. Marano; siç gjen artikujt e mësueses Roza Bruno dhe të anëtarëve të tjerë të AIADI-i në revistën “Zëri i Arbëreshëve”. Një bashkëpunim të gjerë me mësues e profesorë të gjuhës shqipe ka edhe revista “Katundi ynë”. Aty, ndër të tjerë, kanë shkruar shpesh I. C. Fortino, E. Mirako, V. Golleti Bafa, K. Zukaro, D. Mazeo, S. Maiorana etj. Mund të përmendim, sidomos, rubrikën e vijueshme “Restauri linguistici” që kanë mbajtur ër shumë numra radhazi prof. I. C. Fortino dhe mësuesi Elio Mirako. Shumë artikuj e studime për të folmet arbëreshe janë botuar në revistat “Zëri i Arbëreshëve” dhe “Zjarri”. Madje, mund të thuhet se , me kalimin e kohës. revista “Zjarri” ka ardhur duke u profilizuar pothuajse kryesisht për kërkime shkencore albanologjike, duke u shtuar faqeve të mirëfillta të saj, edhe kolanën shumë interesante “Rradhonjtë e Zjarrit”. Aty, deri tashti, janë botuar një numër i mirë veprash me rëndësi për të folmet dhe për filologjinë arbëreshe, si dhe vepra letrare etj. Le të përmendim, më konkretisht, disa nga ndihmesat dhe punimet e botuara në shtypin arbëresh rreth të folmeve arbëreshe apoproblemit të gjuhës në përgjithësi, duke bërë, me këtë rast, edhe disa rubrikime e përgjithësime:

a)Probleme të mësimit të shqipes në shkollat e ngulimeve arbëreshe

Të dendur kanë qenë në shtypin arbëresh artikujt, studimet që mbështesin dheargumentojnë kërkesat e kahershme dhe të sotme të arbëreshëve për ta mësuar ggjuhën shqipe në shkollë e me program të regullt, krahas italishtes. Gati në të gjitha revistat arbëreshe ka pasur kryeartikuj e artikuj problemorë si dhe mendime të kualifikuara të profesoratit arbëresh e më gjerë, që rreken të argumentojnë se në mjedisin familjar dhe shoqëror të ngulimeve arbëreshe (në shtëpi,në gjitoni, në udhë e në sheshë) flitet gjithnjë vetëm shqip, prandaj rezulton që shumica e fëmijëve deri në moshën shkollore janë njëgjuhës: vetëm albanofonë. F. Altimari për ngulime arbëreshe të Kozencës ka theksuar se “pothuajse dy në çdo tre fëmijë me amësi arbëreshe arrijnë në moshën shkollore pa e ditur gjuhën italiane” . Të dhëna të ngjashme japin edhe studimet e bëra për ngulime të tjera arbëreshe të kalabrisë e të Sicilisë, të cilat na bindin për një mospërputhje të gjuhës së familjes e të krejt mjedisit tradicional arbëresh, vetëm albanofon, dhe të shkollës , vetëm në italisht.

Shumë qartë dhe duke shprehur zërin e mbarë kësaj mase të gjerë arsimtarësh e studiuesish, F. Solano, një nga emrat më në zë të profesoratit arbëresh në Itali, në një artikull te “Zjarri” thekson: “… i vetmi mjet pozitiv kundër asimilimit dhe zhdukjes sonë nëdetin e elementit italian që na rrethon është mësimi i gjuhës shqipe: që çdo arbëresh të bëhet një dygjuhës i përsosur. Krahas gjuhës dhe kulturës italiane ai duhet të zotërojë në masë e nivel të barabartë edhe gjuhën shqipe e kulturën shqiptare”. Shumë artikuj të botuar në shtypin arbëresh nga F. solano, F. Altimari, K. Kandreva, K. Stamile, F. Fuska, G. Korteze, G. Marano, R. Bruno, S. Maiorana etj. flasin për traumën e vërtetë psikike që pëson fëmija arbëresh albanofon kur, në moshën enjomë prej 6 ose 7 vjetësh, nga mjedisi i tij njëgjuhës shqipfolës, kalon në atë shkollor ku vihet mënjëherë në detyrimin për të përdorur vetëm italishten dhe pa asnjë përgatitje paraprake dhe pa e ditur atë gjuhë. Sipas mësuesit dhe publicistit F. Fuska kjo përbën “një paradoks pedagogjik, në kuptimin që për të përshpejtuar përdorimin e italishtes në nivelet më të larta shprehëse, shtrohet si domosdoshmëri kultivimi i saj me një intensitet të tillë që injoron tërësisht kushtet gjuhësore të bazës”.

Mësuesit dhe pedagogët arbëreshë sjellin edhe shumë shembuj që tregojnë se nxënësit e klasës së parë kur shprehem në shqip arrijnë t’ i dallojnë qartë objektet e paraqitura në tablotë e kartelave murore të klasës, që përfaqësojnë diellin, hënën, ujin etj., ndërsa, kur atyre u kërkohet kjo në italisht, atëherë ata i ngatërrojnë me njëra-tjetrën, “sepse arbëreshi në strukturën psikologjike pranë figurës së diellit nuk pret një fjalë që nis me shkronjën /s/ (=it. sole), por një fjalë që nis me /d/ (=diell). Dhe kjo edhe për shkronja të tjera”.

b) Artikuj dhe studime të mirëfillta gjuhësore
Në radhë të parë janë për t’ u përmendur një numër trajtesash kushtuar përshkrimit të disa të folmeve më interesante të diasporës arbëreshe si dhe sprova për ravijëzimin e paraqitjen përgjithësuese të tipareve karakterizuese të mbarë të folmeve arbëreshe të Italisë. Pas sprovës për një klasifikim e tiparezim të të folmeve arbëreshe që na jep E. Xhordano në studimin e tij “Le parlate degli Italo-albanesi” (“Të folmet e arbëreshëve të Italisë) , një numër i mirë artikujsh dhe studimesh dialektologjike u botuan në faqet e revistës “Zjarri” e në kolanën “Rradhonjtë e Zjarrit” në formë fashikujsh të veçantë.

Vendin kryesor e zënë aty studimet e vetë studiuesve arbëreshë të kantonit kozentin, siç janë ato për të folmen e Plataçit e të Shën-Vasilit , për të folmen e Fermës dhe, sidomos, studimi përgjithësues përmbi krejt të folmet arbëreshe në Itali, që përbën të parën sprovë serioze për një klasifikim shkencor të tyre mbi bazën e dukurive fonetike, shoqëruar edhe me izoglosat përkatëse të një numri hartash gjuhësore. Nga ndihmesat më të reja në lëmin e dialektologjisë janë për t’ u përmendur studimi i F. Altimarit kushtuar sistemit fonetik e fonologjik të të folmes së Maqit dhe i L. Savoia-s për të folmebn e Shën-Marcanos. Me interes janë edhe artikuj të tjerë të botuar në “Zjarri” rreth marrëdhënieve të të folmeve arbëreshe me italishten, sidomos rreth ndikimit e depërtimit të elementit kalabrez në arbërishten si dhe për dukuri të tjera.

Një vend të mirë në të përkohshmet arbëreshe (“Zjarri”, “Mondo Albanese”, “Lidhja”) zë edhe botimi i studimeve dhe i artikujve filologjikë nga studiues shqiptarë, sidomos ato me tematikë nga të folmet arbëreshe të Italisë, si p. sh. nga E. Çabej , J. Gjinari , M. Domi , M. Totoni, Gj. Shkurtaj . Në “Mondo Albanese” është zbatuar gjerë edhe ribotimi i artikujve gjuhësorë të autorëve shqiptarë që kanë qenë botuar në “Gjuha jonë” etj.. Kjo praktikë, përveç vlerave mirëfilli shkencore, shërben për veprimtarët arbëreshë edhe si një nxitje e ndjenjës së krenarisë kombëtare; ata bëjnë që lexuesi arbëresh “të mësojë se gjuha që flet ai, në variantin letrar, sot ka dinjitet të madh botëror e se bën mirë të krenohet e të mbajë të gjallë edhe arbërishten në katundin e tij”. Një fushë me interes në botimet në shtypin arbëresh përbëjnë edhe kërkimet rreth leksikut dialektor të arbërishtes. Mund të përmendim, sidomos, studimesi “Huazimet italiane tek Variboba” nga I. K. Fortino , si dhe rubrikat e fjalës së rrallë arbëreshe, sipas fushave të ndryshme tematike, që botohen në “Zjarri”, “Zëri i Arbëreshëvet”, “Lidhja” etj. Në këtë lëmë përfshihet edhe “Fjalori arbërisht- italisht” i hartuar nga S. Prençi që botohet me vijime në “Mondo Albanese”.

c) Probleme të kulturës së gjuhës
Në ndonjë nga revistat arbëreshe, si p. sh., në “Mondo Albanese”, herë pas here janë trajtuar edhe çështje të kulturës së gjuhës, artikuj për pastrimin e gjuhës nga fjalët e huaja të panevojshme ose kundër ndikimeve të dëmshme në strukturën sintaksore të shqipes etj. P. sh. në rubrikën “Si flasim… si duhet të flasim?” të “Mondo Albanese”, Atë Gjergj Skiroi Sklica, ka shkruar artikuj tëashpër kritikë kundër përdorimit të italianizmave të panevojshme në të folmen e Horës së arbëreshëve. Ai thotë, ndër të tjera: “Me të madhe qetësi përdoren fjalë të huaja si të ishin arbëreshe…shërbesi çë më shumë mërzit isht kur gjegj gjinde që njohjen fjalën arbëreshe, por thonë fjalën lëtire, p. sh., thonë rispundir në vend të përgjegjem, nkuntrar në vend të përpjek, rimproverar në vend të kjertonj fjalë arbëreshe që thuhen edhe sot”.

Një vend të veçantë në këtë kuadër i jepet në shtypin e sotëm arbëresh formimit të një mendimi sa më të përgjithshëm për nevojën e zbatimit të gjuhës letrare shqipe nga arbëreshët. Di Maxho, Kjaramonte, Xhordano, Korteze etj. theksojnë: “Të evitojmë në takimet tona polemikat e panevojshme për tipin e gjuhës që duhet të mësojmë në shkollë: arbërisht apo gjuhën letrare shqipe. Ai është një diskutim bizantin, që na largon nga synimet tona. Ne duam që gjuha arbëreshe, gjuha jonë amtare të mbijetojë, që shkrimtarët arbëreshë të jenë të njohur e të lexuar, që kultura jonë aq e pasur të mos ketë rrezikim”. Nga dita në ditë veprimtarët arbëreshë po e kuptojnë se për ta shpëtuar gjuhën e tyre është e nevojshme të zgjohet vetëdija e masës së arbëreshëve kudo që gjenden: “Gjuha dhe traditat tona nuk mund të ruhen vetëm nga lëvruesit, por nga e gjithë popullsia arbëreshe. Kjo, nën drejtimin e lëvruesve, duhet të bëhet e vetëdijshme për identitetin e vet: ta studiojë, ta analizojë, ta shtojë dhe ta mbrojë…Gjuha shqipe duhet të futet e të mësohet në çdo shkollë të mesme të katundeve arbëreshe”. Edhe mëqartë shprehet ky koncept në disa nga kryeartikujt e revistës “Mondo Albanese”, ku, duke i mëshuar mendimit të drejtë se “gjuha ruhet atje ku shkruhet”, Di Maxho thekson: “Njerëzit e redaksisë sonë “Mondo Albanese” dinë të gjithë të shkruajnë arbërisht të qëruar… e disa shkruajnë drejtpërdrejt shqip, një shqipe të bukur, si për shembull Mateo Grifo. Prandaj problemi në duhet të shkruajmë arbërisht o shqip ngë ekziston: e rëndësishmja ë të shkruash arbërisht për arbëreshët (e katundit tënd) e shqip për gjithë shqiptarët e botës. E pra, jec e mëso gjuhën e çdo katundi arbëresh! Mëso atëherë drejtpërdrejt shqip”.

c) Artikuj e të dhëna për historinë e albanologjisë
Nëpër faqet e shtypit të sotëm arbëresh gjejmë jo pak shënime, të dhëna, dokumente e artikuj, dorëshkrime etj. me vlerë për njohjen e veprimtariës dhe të interesave shkencore e kulturore të disa prej personaliteteve të shquara të kulturës arbëreshe e shqiptare. Pa qenë e mundur të japim këtu tregues të plotë të kësaj tematike, po përmendim vetëm disa shembuj. Ka aty jetëshkrime e artikuj përkujtimorë për burra të shquar arbëreshë, letërkëmbime të tyre me personalitete shqiptare e me albanologë të huaj të kohës, si p. sh., midis Dh. Kamardës me Th. Mitkon (“Mondo Albanese”, 1984, nr. 41), i De Radës me G. Majerin (“Zjarri”,1980, nr. 27); një letër e panjohur e Pal Skiroit (1866-1941) me të cilën kërkohen të dhëna për K. Kristoforidhin (“Mondo Albanese”, nr. 43); shënimet dhe të dhënat interesante nga veprimtaria e hershme kërkimore që E. Çabejt për studimin e të folmeve arbëreshe të Sicilisë, që botoi Gj. Skiro Sklica (“Mondo albanese”,1984, nr. 40) etj.

d) Recensione e njoftime për botimet gjuhësore
Një vend të mirë në shtypin arbëresh zënë shënimet, njoftimet, recensionet e kritikat përmbi botimet e reja në fushën e studimeve filologjike e përgjithësisht të letërsisë, të historisë e të kulturës shqiptare. Në këtë kuadër aty u është bërë vend me përparësi njoftimeve për botimet gjuhësore më të rëndësishme që kanë dalë në Shqipëri, siç janë “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme shqipe” (1976), “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe” e “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”, fjalorët terminologjikë, fjalorët dygjuhësh si ai italisht-shqip etj. Me parapëlqim jepen në shtypin e sotëm arbëresh njoftime për librat dhe studimet e autorëve shqiptarë kushtuar arbëreshëve, historisë, gjuhës dhe kulturëssë tyre, siç janë, ndër të tjera, monografitë “Romantizmi arbëresh” , “Shqiptarët ghe Garibaldi”, “De Rada – jeta dhe vepra”, “Shpirti i arbërit rron”, “Larg dhe afër” etj., libra përtë cilët ka pasur recensione e ribotim kapitujsh të tyre gati në të gjitha organet e shtypit arbëresh e , sidomos, në “Mondo albanese”, “Zjarri”, “Lidhja”.

Si përfundim, mund të thuhet se të gjitha këto rubrika, në tërësinë e tyre, si me shtjellimet e argumentimet, ashtu edhe me lëndën e pasur që sjellin, tregojnë më së miri për atë gjallëri e shtysë të re që ka marrë sot lëvizja kulturore dhe shkencore në diasporën shqiptare. Njohja e ndihmesave dhe botimeve filologjike, qoftë në faqet e shtypit arbëresh, qoftë në forma të tjera botimi, paraqitet me interes shkencor e kulturor. Në këtë krye, sigurisht, u bë vetëm një sprovë modeste për një vlerësim paraprak, por që mbetet, gjithsesi, për t’ u thelluar në të ardhshmen.

Kultura e gjuhës në universitetet shqiptare në epokën e globalizimit: hapje dhe kufij kulturorë të domosdoshëm

nga Prof. Gjovalin Shkurtaj

Follow @gjshkurtaj 

Në përputhje me temën-bosht të Konferencës shkencore te UFO mendoj të kumtoj për temën “Kultura e gjuhës në universitetet shqiptare sot: hapje dhe kufij kultororë të domosdoshëm”, në të cilën do të vihet theksi në disa prej dukurive të përdorimit të shqipes standarde në universitetet shqiptare, duke u ndalur, sidomos, në disa bulëza të asaj që, ndërsa i kishim vënë re qëkur dhe jo pa shqetësim , si prirje, si rrezik potencial, tashmë mesa duket po bëhen më të shpesha se norma dhe, në këto rrethana, po të vazhdojmë të heshtim edhe më tej, do të biem në lojën e strucit. Kam bindjen se proceset e ndikimit të faktorëve shoqërorë në gjuhën e folur i kemi ndjekur fare pak, kryesisht në studimet dialektore, por jo edhe në hapësirat e tjera po aq të vlefshme për t’u njohur e marrë parasysh, kur është fjala për rrjedhat e sotme zhvillimore, qoftë brenda hapësirave mirëfilli shqiptare, po edhe në kahun e shndërrimeve të mëtejshme rruzullimore a globalizuese. Sigurisht, sikundër ka qenë vënë re prej kohësh edhe në gjuhësinë evropiane, duhet të ruhemi nga fetishizimi i gjuhës së shkruar, qoftë edhe i asaj që sot ne po e themi më shpesh “shqipja standarde”. Le të citojmë për këtë, vlerësimin e rëndësishëm të Sharl Balisë, i cili, qysh më 1952, ngulte këmbë me të drejtë se “asnjë përpjekje nuk arrin të ndalojë lëvizjen e pamposhtshme të shtysës jetësore e shoqërore, e cila përcakton zhvillimin (evoluimin) e gjuhës. Idioma (gjuha) vulgare dhe e folur vazhdon marshimin e saj të sigurtë edhe pse duket të jetë nëntokësore (e padukshme); ajo rrjedh si ujët e një lumi nën sipërfaqen e akullin e ngrirë të gjuhës së shkruar e kovencionale, por pastaj, një ditë të bukur me diell akulli shkrin ose thyhet, vala e gjuhës vulgare a popullore del me potere mbi sipërfaqen e palëvizshme të akullit, duke sjellë me vete përsëri jetën e gjallërinë” .

Me fjalë të tjera, zhvillimi i gjuhës nuk ka qenë dhe nuk është proces që varet nga vullneti i arsyeshëm i letrarëve dhe dijetarëve, qoftë edhe i gjuhëtarëve, por është i pavetëdijshëm e kolektiv, që shpesh vjen nga poshtë e ngjitet lart nga turma e gjallë (aktive). Gabimet, të paktën ato që jetojnë gjatë e i rezistojnë qortimit të ashpër nga normativizuesit a gjuhëruajtësit, janë shpesh prirje të thella të gjuhës në përgjithësi ose të një idiome në veçanti; kështu edhe kur i vëmë vetes qëllim për t’i flakur, nuk dihet a do t’ia arrinim po të injoronim burimin a shkakun: nuk mund të shërohet një sëmundje nëse injorohet shkaku. Globalizimi dhe procesi i pagëzuar me foljen: globalizoj, që shqip do të ishte më e kuptueshme: botërorizoj, rruzullimoj a rruzullimëzoj, pa diskutim, përbën sot një shkak shumë të lidhur me emocionet, me ngazëllimin dhe me ndjenjat e njerëzve të veçantë dhe të shtresave të caktuara, përherë e më të mëdha të bashkësive shoqërore kombëtare dhe të mbarë njerëzimit. Dhe, duke e rimarrë një ide të hershme të Sharl Balisë, nuk mund të mos theksojmë se “shumë gabime vijnë nga shkaku i kërkesave për të shprehur emocione”.

Hapja e Shqipërisë dhe e hapësirave të tjera etnike shqiptare ndaj botës dhe, sidomos, ndaj Evropës, shtimi i pakufizuar tashmë i shtegtimit fizik dhe virtual të njerëzve dhe të informacioneve e botimeve, kuptuar kjo: e fjalës së shkruar dhe të folur, e gjuhëve dhe e kulturave të ndryshme në shkallë evropiane e, me kohë, edhe ndërrruzullimore (ndërplanetare), edhe pse i shumëpritur e i mirëseardhur jo vetëm politikisht, po edhe kulturalisht, nuk mund të mos sillte me vete, krejt natyrshëm, edhe trysninë e sistemeve të ndryshme nga ai i shqipes, mbi shqipen e shkruar, po edhe mbi formën e saj të folur.Universitetet, qysh kur janë krijuar e deri në ditët tona, kurdoherë kanë qenë të hapura edhe për prurjet ditunore nga bota, për hir të të cilave, sigurisht, gjithmonë kanë ardhur e do të vijojnë të vijnë edhe fjalë, terma e mënyra të thëni tipike për botën universitare, për leksematikën e profesoratit dhe madje, deri për “zhargonin” e profesoratit dhe të studentëve. Ndikimi dhe, (thënë pa të keq e pa asnjë ironizim) përulja a, në mos tjetër, thyerja para së huajës, sepse ajo vjen nga pushtete më të fuqishme e si gjuhë e atyre që, siç thoshte i madhi dhe i ndjeri prof.Aleks Buda, përbëjnë “shtemëdhenjtë” e botës, ku zotëron gati plotësisht e gjithandej anglishtja dhe ligjërimet e deri këngët e prodhuara në atë gjuhë, sjellin dhe (patjetër) do të vijojnë ta përforcojnë atë trysni e ndikim që shfaqet, si prirje e përgjithshme, madje edhe si objektiv për t’u arritur, duke u paraqitur deri si tregues i mbërritjeve e i shkallës së arsimimit të brezit të ri. Dhe, le ta themi edhe më shkoqur e, siç thonë italianët, “pa qime në gjuhë”: nëse deri para nja dy-tre dhjetëvjeçarësh, kur sapo kishte vringëlluar trysnia e pohimit të anglishtes si gjuhë e parë e ndërkomunikimit në shkallë botërore, përballë gjuhëve të mëdha të Evropës, sidomos të frëngjishtes, gjermanishtes e rusishtes, ithtarë dhe përkrahës të asaj gjuhe ndërrruzullimore mbanin leksione e botonin edhe revista me titullin përpallës “Anglishtja gjuha e botës”, sot caqet kanë shkuar shumë e shumë më përpara. Tani, sipas disa studiuesve të autoritetshëm të sociolinguistikës, rreth 92% e botës e mësojnë anglishten si gjuhë të dytë. Dhe, për të dhënë një shembull konkret nga mjediset tona, një nga “sukseset” (për mua në thonjëza) të ish-Ministrit Pollo, ka qenë pohimi dhe vendimi i Ministrisë së drejtuar prej tij që anglishtes t’i jepet përparësi në formimin e nxënësve të shkollave të mesme shqiptare.

Nuk kam pasur e nuk kam ndonjë kundërshtim me atë politikë, sepse, në thelbin e vet, ideja që shqiptarët të dinë sa më mirë anglishten dhe gjuhët e huaja të Evropës është e mirë, porse mendoj se do të ishte mirë që të dinin edhe gjuhët e fqinjëve, me të cilat realisht sot hanë bukë më shumë se një milion shqiptarë, në Greqi e në Itali, po edhe shumëkund tjetër në vendet e Evropës Perëndimore, por, nuk mund të mos e them sot, sikundër nuk kam mënuar ta theksoj edhe disa herë të tjera, krejt qartë e shkoqur, katërcipërisht shkoqur: nuk më ka pëlqyer (dhe deri sa të marr frymë do të vijoj ta pohoj) se, ndërkaq, nuk i është dhënë kujdesi e vlerësimi që meriton gjuhës shqipe, e cila, faqe anglishtes, le ta themi ashtu si na ka hije edhe në këtë tubim shkencor: ka mbetur si dy thjeshtrat ndaj djalit të njerkës në rrotullën e njohur të Drenicës .

1.Pas kësaj hyrjeje, natyrisht, duhet të vijmë te ajo që na shqetëson sot secilin prej nesh, veç e veç dhe të tërëve së bashku: trysnia sistemore prej gjuhësh të huaja, sidomos prej anglishtes e gjuhëve të tjera që kanë pasur e kanë dallime të mëdha tipologjike dhe strukturore në krahasim me shqipen.
Kjo trysni ka qenë dhe vijon të jetë e fortë në botimet universitare, në librat originalë dhe sidomos në përkthimet, si dhenë ligjërimin e folur të pedagogëve e të asistentëve, pastaj edhe të studentëve. Shqipja, ashtu si gjuhët e mëdha e të vjetra, greqishtja e vjetër e latinishtja, ndonëse tashmë të vdekura, ashtu si gjermanishtja e disa gjuhë të tjera, në një farë mase edhe si rusishtja, ka eptim shumë të zhvilluar, ka shquarësinë dhe pashquarësinë e emrave, si dhe lakimin e tyre sipas të dyja këtyre trajtave. Këtë diferncim a dallim themelor ndërmjet shqipes dhe, p.sh. anglishtes, e dinë mirë dhe (në mos e ditshin teorikisht siç e dinë gjuhëtarët) e ndiejnë thellë të gjithë shqiptarët e brezit të vjetër e të mesëm, si dhe ata prej të rinjve që e kanë tërrënjosur sadopak ndiesinë e të qenit shqiptarë dhe të të folurit shqiptarisht. Ndërkaq, nuk mund të mos e vëmë re se, tashmë, ka edhe një kategori pedagogësh, kryesisht të rinj, por jo vetëm, që, duke qenë nën trysninë dhe modelin e gjuhëve të huaja, posaçërisht të anglishtes, kanë filluar të mos e ndiejnë (ose ta ndiejnë gjithmonë e më pak) se shqip duhet p.sh. Tiranë, 2009 (dhe jo Tirana 2009), vizita e Bush-it (dhe jo vizita e Bush), njësoj siç thuhet normalisht: vizita e Berishës (dhe jo vizita e Berisha), vizita e Thaçit (dhe jo vizita e Thaçi). Cilido që është shqiptar dhe i thotë bukës bukë e ujit ujë dhe që shqipen e ka gjuhë të nënës dhe jo të nxënë nga librat e nga larg si gjuhë të huaj, kur dëgjon (ose sheh të shkruar) togfjalësha si: vdekja e Arafat, faturat e KESH, vizita e Rise etj. i vjen për të vjellë me atë lloj shqipeje, jo sipas natyrës së saj, por të shartuar, sipas modelimit që lind si hibrid nën trysninë e anglishtes dhe të zellit për të qenë sa më “modernë” dhe, pa asnjë dyshim, sot “moderniteti” gjithandej shprehet duke dëshmuar njohjen e anglishtes. Gëzimi i shqiptarëve kur mbarojnë “Kafazi i artë” dhe “Big Bradher-i” është shumë i madh, sepse na bien veshët rehat nga shumë marrëzira e palavina, po edhe se shpëtojmë, së paku për një kohë, nga “refreni” i çmendur që përsëritet neveritshëm: shtëpia e Big Bradher. Nuk po guxojmë të themi se, me siguri, atë fjalë mund ta kishim mënjanuar krejtësisht, duke e thënë shqip ”Vëllai i madh”, sikundër e kanë thënë prej shumë vitesh italianët në atë lloj shfaqjeje (Grande Fratello), sepse do të na vinin “etiketimin” si anakronistë, ndoshta edhe si anglofobë a Zoti e di se çfarë, por, po mjaftohemi me atë që përbën “plasje të digës” në strukturën gramatikore të shqipes. Një fjalë, po edhe njëqind a njëmijë fjalë të huaja, nuk e prishin dot gjuhën, ato sikundër vërshojnë, edhe mund të zbythen, po të tregohet kujdes e po të zbatohet një politikë kulturore e mirë, kurse moszbatimi i rregullave eptimore, mosrespektimi i lakimit të emrave, qofshin të përgjithshëm,qofshin të përveçëm, duke zbatuar dallimin e shquarësisë dhe të pashquarësisë së emrave, përfshirë edhe shquarësinë formale të emrave të përveçëm shqiparë dhe të huazuar a të huaj, që sjell edhe moslakimin e tyre, përbën goditje të rëndë në strukturën gramatikore të shqipes. Jo më kot, kam bërë krahasimin me plasjen e digave dhe, jo vetëm inxhineierët po edhe njerëzit e thjeshtë, e dinë se çfarë shkaktojnë plasaritjet sado të lehta të digës në ujëmbledhësit gjigandë: prej tyre vjen pashmangshëm shembja. Për një plasaritje të tillë, madje edhe më të lehtë, shkrimtari Skifter Këlliçi, që nga Amerika e largët ku ka emigruar, i zemëruar ndaj atyre që, në dëm të natyrës së shqipes, të ndikuar nga italishtja, përdornin forma të së kryerës në vend të së kryerës së thjeshtë, shkroi kohë më parë artikullin kriktikues me titull “Atentat kundër së kryerës së thjeshtë”. Po ta vijonim metaforën e atij shkrimtari e komentatori fjalëbukur, mund të thoshim se, “atentatet” ndaj strukturës gramatikore të shqipes vazhdojnë dhe, për fat të keq, disa prej tyre po marrin përmasa gjuhëprishëse dhe gjuhëshëmtuese, sikundër është, ndër të tjera, përdorimi i tepruar dhe i panevojshëm i një-së në togfjalëshat që përmbajnë edhe përcaktorin përkatës, si: dha një ndihmesë të madhe (në vend të: ndihmesë të madhe) dhe, mbi të gjitha mosrespektimi i normës së shquarësisë dhe të pashquarësisë së emrave. Për fat të keq, ky lloj gabimesh po del gjithmonë e më shpesh edhe në botimet universitare, në libra e studime monografike, në leksione dhe në seminaret me shklrim.
Për këtë dukurinë e fundit, siç do ta thekesojmë e faktojmë edhe më poshtë, “atentatorët” më të shumtë sot për sot, janë në radhët e folësve dhe paraqitësve të programeve të RTV-ve shqiptare të Tiranës. Kam formuar përshtypjes se shumë prej folëseve të radiove dhe televizioneve tona, kaq shumë janë dhënë e dashuruar me të folurit sipas “gjedhes” anglicizuese, saqë duket sikur, çdo mëngjes në vend të kafes pinë ndonjë “elizir” shpërshqiptarizues dhe dukshëm “anglo-italianodëshmues”. Kjo situatë, le ta ritheksojmë, nuk vjen nga “padija”, por nga ajo që e përmendëm, nga dëshira e papaërmbajtur për t’u dukur “ndryshe” dhe pikërisht të qenët ndryshe, qoftë edhe pse gabim dhe kundër natyrës së shqipes, përbën bazën e atij emocioni shprehës. Në këtë pikë, sigurisht, nuk mbeten aspak mbrapa politikanët dhe shtetarët tanë, shumë prej të cilëve, sa herë flasin e japin intervista, e kanë bërë zakon që, përpos anglicizmave tashmë të përfolura e të mërzitshme, shfaqin bujshëm edhe vesin e të folurit me “poza” angloamerikanodëshmuese, siç është, të folurit me (aaa), që disa gjuhëtarë e kanë stigmatizuar si “të folur me të pëllitur”, si për të treguar se sa shumë i pengon të flasin shqip anglishtja e tyre. (Dhe, neve më të vjetërve, sigurisht, na vjen në mendje dialogu grotesk e fallcitetdëshmues i Ollgës te “Karanavalet e Korçës”, që ankohej se të bijën injorante, Afrovitin, ia pengon ta flasë frëngjishten “kjo e flamosur shqipe”.

2. Luhatje të normës: procese të dysorësisë dhe të paqëndrueshmërisë së disa trajtave drejtshkrimore, drejtshqiptimore dhe gramatikore.
Kush ka sy të shikojë, sa herë lexojmë shtypin, revistat dhe shumë prej botimeve, sidomos përkthimet e letërsisë artistike dhe të filmave, e sheh se disa trajta të shpallura si normative, tashmë janë zbehur ose mëjnanuar gati plotësisht; po ashtu, kush ka veshë dhe dëgjon radiot, televizionet dhe të folurit në tubime masive, jo vetëm nga politikanë e shtetarë në raste fushatash, po edhe nga paraqitës programesh, analistë etj., nuk mund të mos i bjerë në vesh, gjithashtu, fakti se shumë nga dukuritë jonormative, pavarësisht nga kritikat e vërejtjet e bëra nga gjuhëtarët, po lëshojnë rrënjë e po klyzohen duke mos mbetur më vend për asnjë mëdyshje: duhet ta pranojmë se disa trajta të normës drejtshkrimore e drejtshqiptimore, si dhe jo pak të tjera nga morfologjia emërore e foljore, natyrisht edhe shumë leksema e mënyra të thëni a frazeologjizma, kanë dhënë shenja se po zbythen nga trysnia e dendurisë së dysorëve jonaomativë që nden përdorimi në vend të tyre.Thashë në vend të tyre (e jo krahas tyre), sepse tashmë disa trajta normative, si p.sh. vajzës sime, nënës sime, motrës sonë, shoqes sonë; shtëpisë suaj, kohës suaj etj. folësit dhe shkruesit e brezit të ri u shmangen si djadhi temianit. Po atë rrugë po ndjekin edhe forma normative foljore të tipit shkrova, që gati është përmbytur nga dysorët jonormativë kryesisht dialektorë: shkrojta, shkruajta, madje edhe shkruva (!?); thosha (thoshe, thoshte, thoshim, thoshit, thoshin), po bjerrin truall ditë për ditë në të mirë të formave dysore, kryesisht nga toskërishtja: thoja ose thonja (thoje, thonte, thonim, thonit, thonin), të cilat ndihmohen fuqishëm nga analogjia me format normative të foljeve të tjera me-oj (punoja, punoje, punonte…). Më kot e kemi shpotitur dhe vijojmë ta qesëndisim njërin nga ish-kryetarët tanë të shtetit, i cili e kishte zakon të thoshte oreçast: “unë do të thonja”. Në mos fitoftë ajo formë, që sidoqoftë është jo vetëm dukshëm hipertoske, po edhe qartazi e shtresës së vjetëruar, me siguri nuk ka për t’u zbrapsur forma me -ja (thoja). Nga leximet e bëra enkas për këtë kumtesë këto kohët e fundit, na del se forma thoja, jo vetëm mbizotëron ndaj formës normative (thosha), po edhe ka prirje të zotërojë gjithandej në letërsinë e përkthyer që botohet, si dhe në shtyllat zanore të filmave artistikë e dokumentarë që jepen me folës ose me të shkruar (subtitrim).

Po, le të ndjekim sistemet përkatëse e të ndalemi në disa prej shenjave që, sipas nesh, janë me prirje më të dukshme kundër normës së sotme:

2.1.Në fushën e drejtshqiptimit, natyrisht, përveç shqiptimit e leximit në mënyrë gati analfabete, që mjafton të dëgjojmë pasqyrën e shtypit te “News 24” për t’u bindur sa keq kemi punuar me përgatitjen drejtshqiptimore në shkollat e larta, ku janë diplomuar shumica e gazetarëve dhe folësve të mediave të sotme, ndeshim edhe prirje të dëmshme, që, ndoshta, po të veprojmë me ngut e forcë, mund t’ua presim turrin. Nga më të shëmtuarat, por edhe nga më të mundshmet për t’u përgjithësuar, është prirja veskeqe për të shqiptuar shkronjat e alfabetit të shqipes sipas mënyrës së gjuhëve të huaja, sidomos duke imituar spellingun e anglishtes dhe të italishtes. Ka një jetë që shqiptarët ishin mësuar të thoshin FBI-ja, njësoj si KKB-ja, OKB-ja, SMT-ja etj., mirëpo folëset dhe folësit e disa prej mediave të sotme elektronike (radio, televizione dhe reklama) kanë filluar t’i “modernizojnë” këto shqiptime dhe, shpesh e më shpesh, po dëgjojmë të shqiptohen: eFBiaI, XhiDiPi, BiBiSi dhe, sidomos, e urryera CiVi.
Përgjithësisht, mesa duket, shkurtesat në shqipen dhe shkurtesa të marra ashtu siç janë në praktikën ndërkombëtare, ndejnë një situatë dyjarësie a dysorësie, si p.sh.KFOR (dhe KeiFor), ndaj së cilës, na duhet të ndihmojmë me anësimin tonë nga format tradicionale shqiptare dhe jo nga shqiptimi i huaj. Gjej rastin të theksoj, me këtë rast, përvojën gati përgjithësisht të lëvdueshme të mediave të shkrura e të folura të Kosovës, ku shkruhet rregullisht me trajtën e shquar sikundër këshillon norma drejtshkrimore: AAK-ja, e OKB-së, OKB-në, UNMIK-ut etj .
Me shqetësimin dhe kujdesin e nevojshëm duhen parë edhe termat e elektronikës dhe përgjithësisht të teknikës moderne që huazohen nga anglishtja. Fjalë si dixhital, dixhitalizoj , monitor, monitoroj etj. me siguri do të ndikojnë dhe do të nxjerrin probleme edhe për drejtshkrimin e normën morfologjike të shqipes. P.sh. tashmë po duket sheshit se, ata që thonë miush e mi për mausin janë betejëhumbur. Po ashtu edhe ata që thonë ruaj a kursej janë shumë më pak se ata që thonë seivoj, sikundër janë më të shumtë ata që thonë printoj e jo shtyp, printim e jo shtypje. (Anipse, në gjuhë të mëdha, si p.sh. në italishten, për ato fjalë përdoren gjerësisht fjalët ekzistuese, përkat. stampare “shtyp”, stampato “shtypur” etj.). Po, duke vijuar më këtë kategori fjalësh, le të marrim si të mirëqenë hyrjen e tyre dhe të mbetemi në fushën drejtshkrimore: si do të veprohet me fjalët e tilla si: file, live, line, mobil etj.? Gjithandej, këto fjalë dhe të tilla, po shkruhen si në anglisht prej nga janë marrë, mirëpo ato, ndërsa shihet se nuk kemi asnjë mundësi për t’i mënjanuar, na shtrojnë edhe problemin e madh të shqiptimit: pra, si do t’i shqiptojmë pas hyrjes në shqipen?

Ashtu si shkruhen- do të ishte përgjigjja e duhur, mirëpo kjo do të dukej shumë e parapmbetur, krejt e vjetëruar dhe aspak “moderne” për ata që i sollën dhe që, natyrisht, i mbajnë gjallë, në gojën e të cilëve shqiptimi është tashmë gjithandej sipas anglishtes (përkat. fail,-i a faill,-i, sh. faile-t a faille-t; lajf a llajf a llajv, si p.sh. muzikë lajf, këndon lajf; llajn o lajn si p.sh. Albania Online. Kemi pasur shumë fjalë të huazuara që përmbajnë rrënjën mikro- ( mikroskop, mikrob, mikrobiologji etj.), tashti kemi edhe Mikrosoftin, që shumëkush po e shqipton edhe Majkrofoft (?!). Amerikanët e shkruajnë Mikel dhe e lexojnë Majkëll, Marie dhe e lexojnë Maraja, Rice dhe e lexojnë Rajs; Jastin dhe e lexojnë Xhastin. Tashti, madje, edhe reklamat për telefoninë e lëvizshme a celulare po bëhen duke e “modernizuar” shqiptimin e fjalës mobil (Egëll Mobajll, Digitalb-Mobaile). Kushedi, mbase së afërmi do të fillojmë të themi edhe automobajll (?!) për të shkretin automobil dhe kështu me radhë. Kjo gjendje, sigurisht, nuk mund të mos na shqetësojë, kur dihet se kemi pasur në përdorim prej kohësh edhe aq fjalë që përmbajnë rrënjën e mësipërme, si automobil, mobilizohem, mobilizim, i mobilizuar; mobilje e mobiloj e mobilim.

2.2.Prirja për ta shqiptuar u-në e huazimeve si në angloamerikanishten.
Gjithmonë e më dendur në vend të klub në radiotelevizionet tona, po edhe përtej tyre, ka bulëzuar prirja për ta shqiptuar jo sipas traditës shqiptare, por sipas anglishtes dhe kemi: kllëb (p.sh. vodafon kllëb) dhe një farë radioje që shqip do të ishte Klubi FM na e “servirin” të modernizuar në Kllëb eFeM. Po të vazhdojë kjo “stuhi” anglofile, nuk do të jetë e largët dita kur, edhe Klubin e Selanikut do të na duhet ta shqiptojmë të “modernizuar”në Kllëbi i Selanikut, ndërsa për fjalën Republikë e republikan, me siguri, duke ecur pas shqiptimit te PUB > Pab, do t’u duhet shqiptarëve të thonë edhe Repablika, Partia Repablikane etj. dhe, pa dyshim, edhe mobaillizim e mobajllizohem.

Zoti na ruajtë! Por, plakat e mençura të Mbishkodrës sime, thoshin me të drejtë: Ruaju ti fort, që edhe Zoti të bëjë punën e vet. Ne, fatkeqësisht nuk po dimë (po mbi të gjitha nuk po duam) të ruhemi fare nga e huaja. Anomia sociale ose (thënë më hapur) mallkimi me zhdukje e tjetërsim, më shumë se në asnjë vend tjetër të Evropës është shfaqur e po vijon të zbatohet në trojet tona.

2.3. Një problem grafik jo pa rëndësi, që vjen nga prurjet e reja, është edhe shtimi i fjalëve dhe emrave të huaj, kryesisht anglo-amerikanë që përmbajnë shkronjën w apo sikundër po e shqiptojnë modernët “dabëll ju”. Kohëve të fundit, nga ndikimi përherë e më i fuqishëm i gjuhëve të huaja, kanë hyrë e po zënë vend në shqipen edhe disa fjalë, kryesisht emra të përveçëm, po edhe fjalë të artit e të politikës, që shkruhen si në gjuhët huazuese (Show, Show-Biz, News, News-24, Euro-News). Kemi shtënë në përdorim kompjuterin dhe aty, ndër të tjera, kemi edhe programet e tilla, kryesore, si Word, Word-Perfckt, Window etj. Pyetja që shtrohet është edhe këtu: si do të shkruhen fjalë të tilla?

Mesa shihet, shtimi i fjalëve dhe emrave të huaj të tillë po sjell edhe domosdoshmërinë e përfilljes së shkronjës /w/ në shqipen. Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke u nisur nga situata e kohës kur me atë shkronjë dilnin vetëm disa emra personalitetesh të shkencës e të letrave, si Wat, Wiliam, Wilson etj. kishte parashikuar që në shqipen emra të tillë të jepen ose me U (p.sh.Uljam, Nju Jork, Uilson) .

Prirja është e dukshme dhe anon nga forma huaj. Edhe ndaj kësaj dukurie normativistët nuk mund të vijojnë më tej me “lojën e strucit”. Prurjet gjithmonë në shtim të fjalëve të tilla dhe përdorimi i gjerë që kanë disa prej tyre në mediat e sotme, natyrisht, nuk mund të kalohen vetëm me qesendisje a shpotitje ironizuese. Ditë për ditë dëgjojmë të jepen reklamat duke shënuar edhe adresën e faqeve të internetit, të cilat, duam apo nuk duam, fillojnë patjetër me tri dopio-v njërën pas tjeterës. Edhe këtu, sigurisht, mund të kishim zgjidhje të ndryshme, duke përfituar edhe nga sa kanë bërë fqinjët tanë, p.sh. italianët, e shkruajnë w si në gjuhën dhënëse, por e shqiptojnë sipas traditës italiane: vu-vu-vu, prej nga edhe ne mund të merrnim gjedhen positive të thoshim vë-vë, vë-vë, vë-vë, porse ka edhe asish që e thonë Dabëll, si p.sh. kur i referohen Bushit: Georges W.Bush (shqiptohet Xhorxh Dabëll Bush).

3. Prirja veskeqe dhe të dëmshme për të folur sido. Shumëçka e pamirë, jo vetëm në drejtshqiptim e në drejtshkrim, po edhe përgjithësisht në qëndrimin ndaj shqipes standarde, këto vitet e fundit, ka qenë e lidhur me një farë mode a sjelljeje “moderniste” që, nga ana e jashtme, shfaqet në prirjen e shumë vetave, sidomos të artistëve e gazetarëve për t’u veshur “pa protokoll” në mjedise publike, qoftë edhe në emisione televizive, në shfaqje etj., që sigurisht ka edhe të mirën e vet, porse ajo ka sjellë me vete edhe prirjen veskeqe dhe të dëmshme për të folur sido. Le të kuptohemi: nuk po them se medoemos të gjithë sa janë folës, gazetarë e parqitës programesh duhet të jenë gjithmonë të veshur “me xhaketë e kollare”. Vetëm kjo nuk na shpëton, sepse të gjithë e kemi parë se, p.sh., në Kuvendin e Shqipërisë, shumë prej atyre që shkojnë atje të veshur“me protokoll”, me kostume të shtrenjta e “firmato”, kur flasin dëshmojnë se cili është nivlei i yre dhe nuk kursejnë as sharjet me nënë, me motër e deri me kunatë. Ka pasur dhe (për fat të keq) vijon të ketë ende raste që, ndër ne, shtetarë e politikanë flasin enkas në gjuhë të trashë, aq sa, dukshëm, shfaqen si përfaqësues të rrugës dhe jo të ligjërimit normal, qoftë edhe dialektor, të qyteteve që gjoja përfaqësojnë. Po jap shembuj pa përmendur personazhin, por janë të vetëmjaftueshëm dhe të gjithëve do t’ju kujtohet edhe kush i thotë ashtu: llakabond, pulatik, merrnie për zhelesh etj. Po të ishte gjallë i ndjeri Atë Anton Harapi, me të drejtë do ta thoshte me gojën plot ankesën e tij të njohur: ”na mbuloi horlleku”.
Por, dëshirojmë të ndalemi e të tërheqim vëmendjen e mediave, sidomos të atyre që i drejtojnë ato, të kenë më shumë kujdes për të shmangur vulgarizmat e fjalët e ndyra, të cilat prodhojnë atë lloj të qeshuri që vetëm humor nuk mund të quhet. (Po lejohem të kujtoj, ndër të tjera, kritikën e rreptë dhe të pamëshirshme që i kam bërë disa vjet më parë emsionit të RTSh-së “Mini-Mini SHOW” dhe, disa herë radhazi, “pornoligjërimeve” të disa mediave e shfaqjeve të humorit).Në librin tim “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës”, kam trajtuar gjerë dhe besoj ta kem përthekuar mjaft qartë idenë se “liria e shypit nuk do të thotë aspak liri për gojështhurje”. (f.40-46) 4. Në të njëjtin grup e për të njëjtat arsye, që shprehin edhe përuljen ndaj së huajës, dalin edhe prirjet kundërnormative të të shkruarit të emrave vetjakë të huaj (dhe të onomastikës së huaj) si në origjinalin nga mirren e jo sipas rregullave të drejtshkrimit të shqipes. Për këtë dukuri, ndërkaq, mendoj se është shkruar e folur gjerë, çfarë kam pasur për të thënë e kam shkruar edhe në artikuj edhe në faqet e librave të mi .Po citoj vetëm një vlerësim të përkthyesit e njohësit të pashoq të shqipes, Robert Shvarcit të ndjerë, i cili jo shumë kohë para se të ndahej së gjallësh, pikërisht në një artikull të botuar edhe te “Gjuha jonë”, duke kritikuar rreptë gabimin trashaman të atyre që i përdorin në trajtë të pashquar emrat e përveçëm të huaj si dhe shkurtesat, thotë: ”…kësaj i thonë të luash mnga mendt e kokës!”.

5.Me shqetësim të madh e shikoj edhe shtimin e papërligjshëm të një-së jo shquese, për të cilën, gjithashtu, jam shprehur edhe disa herë të tjera . Po ritheksoj se aty ndikimi i gjuhëve të huaja, sidomos i atyre gjuhëve që nuk e kanë kategorinë gramatikore të shquarësisë e të pashquarësisë është dëmprurës dhe mund të shkaktojë gërryerjen e plasjen e strukturës së shqipes.

6.Nga fusha e morfologjisë, përveç sa shprehëm lidhur me formën e së kryerës së thjeshtë të them, shkruaj, mendoj se duhet të ndalemi edhe te format e së kryerëss ë thjeshtë të foljeve lyej, ngjyej, çlyej, shqyej, gërryej. Format e cilësuara në gramatika si normative (leva, ngjeva, çleva, shqeva, gërreva), sot kanë ngjyresë të vjetëruar dhe, pjesa më e madhe e njerëzve, si në të shkruar ashtu edhe në të folur, anojnë kryesisht nga format dysore, sot për sot të cilësuara si jonormative (përkat. lyejta, ngjyejta, çlyejta ose òlyva, shqyejta, gërryejta).

7. Nga fusha e etnografisë së të folurit, gjithashtu, si prirje të rrezikshme dhe të atillë që e shëmton shumë shqipen, po edhe bie në kundërshtim të plotë me tradtën shqiptare, është të folurit duke përmendur vend e pa vend emrin e vet. Kemi të bëjmë aty me një ndikim të politikës dhe të snobizmit të disa politikanëve, sigurisht edhe të jo pak gazetarëve që u shkojnë pas “avazit’, që kujtojnë se duke folur në vetën e tretë e duke cituar vetveten, do të bëhen më “tërheqës”. Bota e qytetëruar i largohet asaj praktike, duke shtënë në punë sidomos format “maestatis”, si p.sh. ne (fr. Nous, rus. Mëi, it. Noi) në vend të unë dhe sidomos në vend të emrit të përveçëm të atij që pyetet ose që flet.
Pra, në praktikën shqiptare, janë për t’u kritikuar, së pari, gazetarët që i formulojnë pyetjet gabim dhe, në vend të : Si mendoni ju, zoti X, thonë për së mbrapshti: Çfarë mendon për këtë F. N. (ose S.B) dhe, prej kësaj pyetjeje, si për inerci, edhe përgjigjja do të shkojë po ashtu mbrapsht: F.N. mendon (në vend të ne mendojmë); S.B. do të realizojë…(në vend të ne do të realizojmë).
Edhe këtë formë, që është pa dyshim, nga më të pabukurat e më të paparanueshmet në etnografinë e të folurit të shqipes, sikundër e dinë ata që i ndjekin sa shkruajmë, e kemi kritikuar ashpër, madje edhe jo pa guxim se mund të zemëroheshin “zeusat” .

Së fundi, në mbyllje të kësaj kumtese, nuk mund të lëmë pa përfshirë edhe shqetësimin e ligjshëm që vjen nga zgjerimi i gjeografisë letrare të shqipes apo, me fjalë të tjera, nga zbatimi i shqipes në shkrimtarinë e diasporës dhe të diasporës së diasporës.
Zgjerimi i gjeografisë letrare në hapësira tashmë mbarërruzullimore, përderisa sot shqiptarë dhe gjuhë shqipe ka në krejt rruzullin apo në mbarë botën, duhet parë si gurrë pasurimi e jo si “shprishje” e shqipes. Sot në qytete të Evropës, të Amerikës , të Australisë etj. ka shqiptarë që jo vetëm e flasin shqipen, por edhe shkruajnë e botojnë artikuj, libra e revista a gazeta në gjuhën shqipe. Shkrimtaria dhe fjala e tyre nuk është “voce in deserto”, por prodhimtari që mëton të pasurojë rrjedhat dhe hapësirat e shqipes e të kulturës shqiptare, prandaj edhe duhet t’i përfillim e t’i vlerësojmë më shumë.Mbi të gjitha, është e nevojshme t’i njohim e t’ua bëjmë të njohur shkollarëve, studiuesve dhe më gjerë njerëzve tanë. E kam fjalën, sidomos, për figura të tilla si përkthyesi Stavri Dajo në Selanik (Greqi), poeti Nokë Sinishtaj në Lucernë (Zvicër), Luigj Çekaj e Gjek Marina në SHBA etj., vargu i të cilëve do të shkonte shumë i gjatë po t’i përmendnim të gjithë.

Gjuha shqipe dhe mendësia shqiptare në Ballkanin shumetnik e shumëgjuhës

nga Prof. Gjovalin Shkurtaj

1. Së pari, do të trajtojmë në vija të përgjithshme disa probleme themelore lidhur me shtrirjen, gjendjen dhe statusin e gjuhës shqipe në trojet kompakte ballkanike dhe në diasporën arbëreshe e shqiptare, duke mëtuar të bëhet një shtjellim sa më objektiv dhe në dritën e sociolinguistikës moderne. Do të prekim huazimet, ndërkalimet dhe situatat dy- dhe shumëgjuhëse, pa u ndikuar nga asnjë mllef a ngjyresë e rastit, por duke synuar që të japim një ndihmesë modeste për t’ i zhdavaritur e kthjelluar sa më mirë gjërat në pikëpamje shkencore, në mënyrë që ashtu (dhe vetëm ashtu) të mund të dilet jashtë kuadrit të ngushtë e veskeq të politikave nacionaliste e shoviniste që janë zbatuar e, mjerisht, vijojnë të mbahen gjallë edhe sot e gjithë ditën në Ballkan nga politikanët e që shkojnë, për fat të keq, krejt kundër rrjedhave përbashkuese e integruese të bashkësive të ndryshme plurietnike e plurinacionale të shumicës së shteteve ballkanike. Nyja apo çështja-bosht e kumtesës sonë do të jetë: ndeshja, përzierja e kodeve (codsmixting) dhe prishja e kodeve (codswiching) në mjediset shqiptare dhe arbëreshe ku shqipja është gjuhë në kontakt me gjuhët e popujve fqinjë të Ballkanit.

1.1.Bashkësitë gjuhësore, sado të pastra dhe unitare që të duken, shpesh janë dy- ose shumëgjuhëse. P. sh., shqiptarët janë një popull i Ballkanit që flasin një gjuhë të veçantë, pa lidhje birërie (filiacioni) me asnjërën nga gjuhët e popujve fqinjë. Mjafton të kujtojmë se në drurin gjenealogjik të August Shlajherit shqipja vihet në mes të latinishtes e të greqishtes, porse pa lidhje birërie më asnjërën prej tyre. Ndërkaq, siç ka theksuar dijetari ynë i madh, prof. E. Çabej, vendi që zuri ndër shekuj populli shqiptar në brigjet e Adriatikut e të Jonit, (pranë grekëve, romakëve dhe, pas dyndjeve sllave, pranë popujve sllavofonë, si : serbët e malazezët në Veri e në Verilindje, maqedonët në Lindje), do të përcaktonte edhe fatet historike të gjuhës e të kulturës së tij. Shqiptarët, si fqinjë me grekët qysh në periudhën parahistorike, do të merrnin e jepnin me njëri-tjetrin dhe, natyrisht, do të shkëmbenin edhe gjuhësisht si shefitarë. Nga të dy anët, ku më shumë e ku më pak, do të depërtohej përtej pyetjes “ç’do të thotë” apo “ç’është kjo”? Kështu edhe fqinjët sllavë që zbritën në Ballkan shumë shekuj pas iliro-shqiptarëve. Grupe pak a shumë masive barinjsh shtegtarë nga Vllahia e moçme do të gjenin kullota e vendbanime të përkohshme nëpër fushat bregdetare të Shqipërisë e, më vonë, prej tyre do të krijoheshin edhe disa enklava arumune. Këta njerëz flisnin një tjetër gjuhë dhe, natyrisht, për të komunikuar me shqiptarët kishin nevojë edhe ata të merreshin vesh, të kuptoheshin e të kuptonin.

Kjo kërkesë u ka dalë shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre ndër shekuj, sidomos në kohë dyndjesh të pushtuesve të huaj, të ardhur nga vise fqinje, si, p.sh., romakët, që e mbajtën Ilirinë nën sundimin e tyre për shumë shekuj, apo të ardhur nga larg, si osmanët, hordhitë zaptuese të të cilëve u dyndën që nga Anadolli dhe e mbajtën nën pushtim për rreth pesë shekuj.

Krijimi i shteteve të mëdha ballkanike do të shkaktonte mospërkime të shumta midis kufijve etnikë e gjuhësorë dhe atyre politikë të shqiptarëve, në mënyrë që, një pjesë e madhe e trojeve dhe e popullsisë shqiptare të mbeteshin në shtetet e huaja fqinje, si në ish- Jugosllavi : Kosova, trevat shqiptare të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe të Serbisë dhe të Serbisë Jugore; në Greqi: gjithë Çamëria, dmth. trevat shqiptare që nga Konispoli e deri në Prevezë. Ndërkaq, brenda kufijve politikë të shtetit shqiptar, do të mbetej edhe një element joshqiptar, me gjuhë dhe tradita joshqiptare, i ardhur kryesisht në formë diaspore, si minoriteti grek në Dropull e në disa vise të tjera të skajit jugor, pastaj minoriteti maqedonas në anët e Prespës e të Gollobordës, si dhe një mikrominoritet malazez në ndonjë fshat të Mbishkodrës (Vrakë e Kamicë) etj. Porse, shqiptarë dhe gjuhë shqipe, në rrjedhë të shekujve, janë shpërngulur edhe në shumë vise fqinje apo të largëta. Mund të thuhet se historikisht Evropa Juglindore është hapësira e natyrshme e shqiptarëve. Shqipëria e sotme, Kosova dhe zonat përreth në Serbinë Jugore, në Mal të Zi, në Maqedoninë Perëndimore, Çamëria dhe pjesët përreth në Greqinë Veriore, përbëjnë truallin etnik shqiptar. Brigjet e Adriatikut Verior, zonat rreth Selanikut, Stambolli dhe hapësirat përreth, pjesë rreth Detit të Zi, qytete të Rumanisë dhe të Bullgarisë, Athina përbëjnë hapësirën e mërgimeve të vazhdueshme ekonomike e të tjera, të qendrave ku ruhet e kaluara dhe lidhje të shumta me të sotmen. Për më tepër ato, siç shkruan akademiku kosovar Rexhep Ismajli, janë edhe qendra të veprimit intensiv kulturor e politik të shqiptarëve, shpesh drejtpërsëdrejti emancipues, për rrjedhat në truallin etnik. Jugosllavia me qendrat e saj, si : Beogradi, Sarajeva, Lubjana etj. , në këta shtatëdhjetë vjetët e fundit, paraqet poashtu një hapësirë të mërgimit ekonomik, por edhe të veprimit kulturor. Në disa prej këtyre viseve, si në Zarë, në Turqi, në Greqi, në Bullgari, në Rumani shqiptarët kanë diasporat historike me të cilat mbajnë lidhje të shumanshme, herë më të zëshme e herë të heshtura fare. Me një fjalë, ndryshe nga hapësirat e tjera të Evropës Perëndimore, ku shqiptarët shtrihen vazhdimisht si një mërgatë ekonomike e politike, nga hapësirat e botës arabe me diasporë historike, hapësira e Evropës Juglindore është gjithnjë aty shumë e gjallë, pavarësisht nga ndarjet me kufij më pak a më shumë të pakapërcyeshëm.

Nëse duam të bëjmë një klasifikim në frymën e dijetarit frëng M. Ruks, do të mund të thoshim se : Shqipëria dhe trojet shqiptare në ish-Jugosllavi bashkë me Çamërinë do të përbënin hapësirën e Evropës Juglindore të identitetit shqiptar. Atika, Peleponezi, ujdhesat greke, Turqia Evropiane dhe Anadolli, Zara, vise dhe qytete të Rumanisë e të Bullgarisë- hapësirën e diasporës historike dhe të mërgimit të pashkëputur ekonomik të shqiptarëve, posaçërisht të intensifikuar në kohën tonë. Këto hapësira, sipas R. Ismajlit, karakterizohen sot nga dy procese të papajtueshme me njëri-tjetrin: nga njëra anë, shprishja dhe rreziku i shpërbërjes së vazhdueshme të truallit etnik, që nxitet enkas edhe nga shtetet hegjemoniste aktuale, nga ana tjetër, këto hapësira mund të luajnë dhe po luajnë një rol pozitiv në dinamizimin e jetës e të rrjedhave kulturore shqiptare në përgjithësi, sepse ato po bëhen qendra të veprimeve të ndaluara nga shteti në truallin etnik, po edhe për shkak se po sjellin përvoja të reja. (Le të përmendim, ndër të tjera, rolin e mërgimtarëve kosovarë për mbajtjen e transmetimit të emisioneve të televizionit shqiptar me satelit, sponsorizimet e shfaqjeve artistike të grupeve nga Shqipëria e nga Kosova etj. dhe, së fundi, por më së forti, përkrahjen e zjarrtë dhe aq dobiprurëse të UÇK-së dhe për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar në të mirë të çështjes së Kosovës).

Në situatën e njërës nga ndarjet më absurde të truallit dhe të kulturës e të hapësirës etnike që njeh bota e sotme, vështrimi i shqiptarëve, i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare në kontekstin e Evropës Juglindore, siguron mundësinë e vështrimit integral dhe patjetër më thelbësor të kulturës shqiptare. Në këtë klasifikim, megjithatë, mbetet diçka jashtë: mbeten mërgimet shqiptare në Perëndim (në Evropë, në Amerikë), si dhe përgjithësisht në pellgun mesdhetar përmes vetë Shqipërisë dhe diasporave në botën arabe, hapësira e mërgimit intensiv në Evropën Perëndimore dhe në SHBA, e vendosin etninë dhe kulturën shqiptare qenësisht në botën e sotme moderne, ndërsa hapja edhe më e madhe ndaj tyre, komunikimi më normal, do ta bënin të mundur integrimin dhe kristalizimin më cilësor të tipareve të saj më autentike.

Pas kësaj paraqitjeje të gjerë të situatës së etnisë shqiptare e të shprishjes së saj të kahershme e të sotme nëpër botë, mund të themi se në vise të ndryshme të Evropës e më gjerë, sot ka arbëreshë apo shqiptarë të moçëm, të cilët diku quhen arbëreshë apo arbërorë a arvanitë, diku arrnautë, diku arbneshë, siç janë, përkatësisht: arvanitët apo arbërorët e Greqisë, arbëreshët e Italisë, arrnautët apo shqiptarët e Turqisë, arbneshët e Zarës (Dalmaci). Por ka edhe shumë ngulime shqiptare më të reja, si në Evropë: fshati Mandrica në Bullgari, fshatrat Zallëf, Ibriktepe, Alltëntash, Sulltan Kiçi, Pazar-Dere, dy fshatra në Marmara dhe vetë Stambolli në Turqi, si një nga metropolet shekullore ku janë dyndur shqiptarë. Në fillim të shekullit të 19-të nga Devni i Varnës, një masë shqiptarësh u shpërngulën, së pari, në Karakurt e pastaj themeluan tri fshatra buzë detit Azov: Gamovka, Georgievka dhe Devenska. Deri vonë, këta shqiptarë të Rusisë, mbanin lidhje me atdheun dhe ruanin gjuhën shqipe.

Jo të vogla dhe jo të papërfillshme kanë qenë edhe diasporat e shqiptarëve në viset e ndryshme të Rumanisë, me gjasë qysh nga shekulli XVII, por të dendësuara në shek. XIX dhe në fillim të shekullit tonë.

Në Bullgari dhe në Rumani, në qendrat Sofje, Bukuresht, Brailë etj., në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit tonë, është zhvilluar një veprimtari kulturore shqiptare, në të cilën kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të diasporës së hershme. Përmendim, një emër të mirënjohur siç është Naum Veqilharxhi, i cili veproi në atë ngulim shqiptar.

Edhe Turqia, Siria, Egjipti dhe gjithë bota arabe, kanë qenë zona ku popullsia shqiptare ka gravituar vazhdimisht. Në anët e Lindjes, diasporat janë shkrirë e tretur, por ka edhe atje ndonjë vis ku shqiptarët rrojnë e mbahen të tillë deri më sot, si në Siri, kurse në Turqi, për shkak të numrit shumë të madh të tyre, si dhe të përtëritjes së tyre të vazhdueshme, shqiptarët ndihen shumë. Vlerësohet se vetëm nga ish-Jugosllavia, në vitet 1953-1960 janë shpërngulur në Turqi mbi 400.000 shqiptarë. Sot në Turqi, sipas disa studiuesve, ka rreth një deri dy milionë shqiptarë që rrojnë kryesisht në Stamboll, Burgas, Bursë dhe deri në Ankara. Shumë prej tyre e ruajnë gjuhën shqipe.

Fundi i shekullit të kaluar dhe fillimi i shekullit tonë për arsye të varfërimit të vendit sollën valë të reja mërgimtarësh shqiptarë në botën e zhvilluar perëndimore. Kjo mërgatë, që mëtonte të kthehej përsëri pasi të fitonte diçka, veproi dhe u njoh sidomos në Belgjikë, Londër, Paris etj., qoftë duke bashkëvepruar me të shpërngulurit e mëhershëm apo me qendrat e tjera si, Bukureshti, Damasku, Stambolli, Kajroja, Aleksandria, Triestja etj. Deri në fillim të shek. XX vlerësohet se në Amerikë nuk ka pasur më shumë se 30.000 shqiptarë, kurse sot mendohet se atje ka rreth 400.000 deri në 500.000 shqiptarë. Kjo rritje kaq e madhe është pasojë e rrethanave të vështira të shqiptarëve në Kosovë e në Mal të Zi, por edhe e shpërnguljeve nga vise të tjera si dhe nga diaspora arbëreshe. Po kështu, në Evropën Perëndimore, vlerësohet se sot ka rreth 500.000 shqiptarë të vendosur përkohësisht pas bukës së gojës apo si të ikur politikë, ku mbizotërojnë të ikurit nga ish-Jugosllavia. Valët e reja të eksodeve shqiptare, të përziera e të shkrira me shtresat e mërgimtarëve relativisht më të moçme, kanë përtëritur e shtuar dukshëm elementin shqiptar e gjuhën shqipe në botë. Krahas pyetjes se ku ndodhen e sa janë sot shqiptarët në botë, së cilës i janë përgjigjur e i përgjigjen antropologët socialë, shtrohet edhe pyetja e statusit dhe e gjendjes së gjuhës shqipe në ato vise, dmth. : a flitet, ku flitet, me ç’ status është shqipja në krahasim me gjuhët zyrtare të shteteve përkatëse. Kështu, dashur pa dashur, dalim në fushën e vrojtimeve a kërkimeve sociolinguistike, duke kundruar me doemos bashkësitë e shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë si dhe gjithë ç’ përmban ajo në gji të saj, duke përfillur e vlerësuar edhe ato elemente a bashkësi joshqiptare, sado të vogla qofshin, pastaj bashkësitë e shqiptarëve në trojet e veta, por të përfshira në strukturën e shteteve të tjera fqinje, si në Serbi, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe në Greqi; një vështrim të veçantë, sigurisht, meritojnë edhe bashkësitë e shqiptarëve shqipfolës të diasporës së hershme e të asaj më të re, në Greqi, në Itali, në Dalmaci, në Turqi, në Egjipt, në Amerikë etj.

Në të gjitha këto bashkësi shqipja na shfaqet edhe si gjuhë në kontakt, dmth. si gjuhë pranë (apo krahas) një gjuhe tjetër, duke qenë shqipja gjuhë e parë (L1), kurse gjuha e huaj e dytë (L2). P.sh.: shqip-serbisht në Kosovë, shqip-maqedonisht në Maqedoni, shqip-stokavisht në Mal të Zi, shqip-greqisht në Çamëri (Greqi) ose duke qenë shqipja si gjuhë e dytë (L2), p.sh., stokavisht-shqip në minoritetin malazez në anët e Mbishkodrës, greqisht-shqip në minoritetin grek në Shqipëri të Jugut, maqedonisht-shqip në minoritetin maqedonas në anët e Prespës e të Gollobordës, arumunisht-shqip në diasporën vllehe në Shqipërinë Qendrore e në atë Juglindore etj. Së këtejmi rrjedh se, ata që flasin shqip, mund të jenë shqiptarë ose arbëreshë, që e kanë shqipen gjuhë amtare (L1); këtë idiomë ata e mësojnë nga nënat e tyre dhe e flasin në shtëpi, në gjitoni e kudo me shqiptarë apo arbëreshë. Kjo gjuhë shqipe, ndërkaq, për bashkësi të ndryshme shqiptare, ka statuse të ndryshme, dmth. ka bashkësi që flasin vetëm shqip dhe nuk dinë (sepse nuk u duhet) tjetër gjuhë. Në këtë rast gjuha e zemrës është njëherazi edhe gjuhë e bukës. E tillë është shqipja e pjesës dërmuese të shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë si dhe në bashkësitë shqiptare që ndodhen në pjesët e tjera të Ballkanit dhe që u përmendën më lart. Në ato vise shqipja është gjuhë amtare, e mësojnë qysh në gji të nënës, e flasin në shtëpi, në gjitoni, në rrugë e kudo, porse ajo nuk është gjuhë e njohur nga shteti ose mund të jetë e njohur vetëm formalisht, dmth. krahas shqipes së folur, për nevoja të komunikimit zyrtar, shqiptarët në shtetet e tjera të Ballkanit duhet të përdorin një gjuhë të huaj, përkatësisht serbokroatishten në Kosovë dhe në Mal të Zi, maqedonishten në Maqedoni, greqishten në Greqi. Po kështu edhe arbëreshët e shqiptarët në vise të tjera të botës. Në këtë rast kemi të bëjmë me dialekte të pambuluara, apo siç i quan H. Klosi “Dachlose Mundarten”, sepse nuk mbulohen nga gjuha kombëtare e vet, por nga një gjuhë tjetër kombëtare, pra nga një gjuhë e tjetërkujt. Kemi, kështu, një tip të kontaktit a takimit gjuhësor, ku shqipja – gjuhë e zemrës – nuk përputhet me gjuhën e bukës. Gjuha e bukës apo gjuha zyrtare e shtetit është ajo pjesë e dytë e binomit e cila zotëron në të gjitha rastet me karakter zyrtar, si gjuhë e administratës, e mjeteve të komunikimit masiv etj.

Për të mos shpërdoruar më tej me durimin e të pranishmëve, nuk po ndalem këtu në trajtime e shtjellime që ftillojnë rastet e takimit të shqipes me gjuhët fqinje dhe gjendjen e gjuhës shqipe në ato mjedise. Atyre u kemi kushtuar shumë faqe në ligjeratat universitare të Sociolinguistikës si dhe në tekstin përkatës që sapo doli këto ditë nga shtypi në një version të ri e të zgjeruar. Po theksoj vetëm faktin e rëndësishëm që këto trajtime si dhe shumëçka tjetër që ka libri ynë i sociolinguistikës përbëjnë kahe dhe sprova të reja, qoftë edhe të guximshme, ndonjëherë edhe krejt në zgrip të lajthitjeve, por që nisen pikërisht nga mëtimi i mbarë dhe i hapët i trajtimeve shkencore e pa mllefe shoviniste të asaj që nden realisht mjedisi shumëgjuhës e shumetnik i Ballkanit tonë, ndonëse mjerisht edhe aq të trazuar.

Kurdoherë, ashtu si në fillesat e shqyrtimeve e paraqitjeve për informimin e formimin e studentëve, të dhënat e fqinjësisë së shqipes me gjuhët ballkanike, janë parë e duhen parë në dritën e një ideje që jep dorë për objektivitet po edhe për maturi, duke ndjekur ato hulli që kryemjeshtri i albanologjisë shqiptare, Eqrem Çabej, e shprehte në binomin: “objektivë, por jo indiferentë”.

1.2. Në tekstet e shkollës së lartë për degën gjuhë-letërsi, qysh në agimet e arsimt të lartë, ka qenë një fat i madh që, në lëndën “Historia e gjuhës shqipe – Fonetka historike e shqipes” të mbajtur për shumë vjet nga vetë prof. Çabej, si dhe në “Gramatika historike e shqipes” fillimisht të prof. Mahir Domit, pastaj të prof. Shaban Demirajt, breza të tërë studentësh dhe pasuniveritarësh, kanë marrë një paraqitje të shëndoshë dhe shumë të nevojshme rreth marrëdhënive të shqipes me gjuhët tjera fqinje, duke parë aty, jo vetëm huazimet prej gjuhëve të huaja në shqipen, punë që ka dobinë e vet dhe s’ ka pse të fshihet, por edhe rolin dhënës të shqipes, sidomos shtegtimin e jo pak fjalëve të sferave blegtorale e të veshjeve, të veglave muzikore etj. në areale të gjera të viseve ballkanike fqinje, gjë që ndillte mbarë pikërisht për aso trajtimesh e hulumtimesh shkencore ku huazimi shihet si ndikim kulturor i ndërsjellë dhe jo si tregues “epërsie”.

Mund t themi se, më vonë, lëndët e përmendura më lart, kanë vijuar të pasurohn edhe me trajtime e shtjellime të reja, nga titullarë të tjerë, si prof. Seit Mansaku, prof. Ethem Likaj, prof. Kolec Topalli.

Të njëjtën gjë duhet të themi edhe për trajtimet në ligjeratat, tekstet dhe botimet shkencore jo të pakta të profesorëve shqiptarë të trevave përtej kufijve të RSH-së, sidomos për lëndët e historisë së gjuhës shqipe e të gramatikës historike të shqipes , të mbajtura fillimisht nga akademik Idriz Ajeti në Universitetin e Prishtinës, pastaj edhe nga ligjërues të tjerë të atjeshëm si prof. Besim Bokshi e prof.Rexhep Ismajli etj. Këtu është rasti të themi se, krahas teksteve-bazë të historisë së gjuhës shqipe e të gramatikës historike, këta dhjetë-pesëmbëdhjetë vjetët e fundit, janë shënuar mbërritje e janë botuar edhe një numër veprash monografike, të cilat u japin një shtysë të mëtejme kërkimeve në lëmin e ballkanologjisë dhe krijojnë një mbështetje më të sigurtë edhe për mësimdhënien e historisë së gjuhës shqipe si lëndë universitare. Të tilla janë “Gjuhësi ballkanike”(1994) e Sh. Demirajt, “Sistemi i eptimit në gjuhët ballkanike” dhe “Prapavendosja e nyjës në gjuhën shqipe e në gjuhë të tjera ballkanike” të Besim Bokshit, “Konservacione dhe inovacione gjuhësore në fushë të shqipes” të Q. Muratit si dhe një numër monografish të kohëve të fundit nga E.Likaj, Xh. Ylli , B. Demiraj etj.

Trajtime të hapëta dhe me vlerë rreth ndikimeve të ndërsjella të shqipes me gjuhët fqinje të Ballkanit nuk kanë munguar edhe në tekste të lëndëve të tjera gjuhësore, si p. sh. në lëndën e leksikologjisë dhe të semantikës (dhe tekstin përkatës) që mbahet qysh prej gati 40 vjetësh nga prof. Jani Thomai, në ligjeratat e “Gjuhësisë ballkanike” dhe të “Historisë së albanologjisë”, të mbajtura për disa vjet radhazi nga prof. Mahir Domi, pastaj edhe nga ligjërues të tjerë më të rinj.

1.3.Viteve të fundit, në kuadrin e shtimit të lëndëve të reja në planin mësimor të shkollës së lartë, në degën tonë të gjuhës e të letërsisë, kemi shtuar edhe “lëndë të formimit special” si dhe të “lëndë me të zgjedhur”, ku hyjnë edhe gjuhësia ballkanike e gjuhët ballkanike. Prej më se pesë vjetësh tek ne mësohen si gjuhë të dyta me dëshirë greqishtja e re, serbokroatishtja, bullgarishtja dhe rumanishtja. Do të dëshiroja që, krijimi dhe puna e zellshme e Institutit tonë të Studimeve Ballkanike të ketë jehonë të mirë po edhe të vlejë si shtysë për t’ i shpënë më tej punët, kërkimet dhe hulumtimet në ndriçimin e hapët e pa asnjë mllef të marrëdhënieve të vjetra e të reja të popujve, gjuhëve, kulturave në Ballkanin tonë multietnik e pluriling.

Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ka disa vjet që është çelur e po mëkëmbet edhe departamenti i gjuhëve ballkanike, duke u çelur aty katedra e degët përkatëse për mësimdhënien e greqishtes, të turqishtes, të bullgarishtes, ndërsa pranë degës sonë të gjuhë-letërsisë, ndër vite, sipas mundësive e nevojave për gatitjen e kuadrit të duhur, janë çelur disa herë edhe kurse të rumanishtes. Duhet të vemë re se në këto katedra ka pasur edhe shkëmbime lektorësh nga vendet përkatëse dhe, disa herë, ata kanë qenë edhe studiues te njohur, të cilët edhe kanë dhënë ndihmesa të mira gjatë qendrimit të tyre në Shqipëri. Përmendim, p. sh. studiuesen e njohur Petja Asenova, që ishte si “gast-professor” tek ne gjatë vitit 1995-96 dhe që, gjatë asaj periudhe, përveç e krahas mësimdhënies së gjuhës bullgare, ka marrë pjesë në veprimtaritë shkencore të Departamentit tonë dhe botoi në revistën “Studime Albanologjike” studimin e saj shumë interesant “Gruaja monolinge ne Ballkanin biling” . Nuk mund të mos përmend, gjithashtu, edhe një lektore tjetër bullgare, që ishte pranë Departamentit të gjuhëve ballkanike gjatë vitit që kaloi (1998-99), As. Prof. Pravda Këneva, e cila bashkëpunoi mjaft me studiuesit tanë dhe drejtoi një punim diplome të një studenteje të departamentit tonë të gjuhësisë me temë “Vështrim përqasës i sistemeve fonologjike të gjuhës bullgare dhe të gjuhës shqipe në planin nyjëtimor e korrelativ”. Mendoj se kjo përvojë duhet thelluar e shpënë edhe më tej. Prej bashkëpunimeve të tilla vijnë me siguri vetëm ndihmesa të mira.
Së fundi, por gjithnjë në vijim të asaj që u theksua më lart, mendoj se në të ardhshmen, sidomos pas situatës më të re në Kosovë, bashkë me këndelljen e rifillimin e veprimtarisë shkencore të Universitetit të Prishtinës e të Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, në kuadrin e nismave që do të marrë dhe punëve që do të kryejë Instituti ynë i Studimeve Ballkanike, duhet të ndiqen më mirë rezultatet dhe botimet e balkanologëve të huaj. P. sh. mund të bëhet ribotimi dhe përurimi i disa veprave me rëndësi siç janë “Gjuhë dhe etni” apo “Etni dhe modernitet” të Akademikut Rexhep Ismajli, si dhe i veprave të tjera që pakkush i ka ndër ne. Nga fusha e historisë, gjithashtu, do të përmendja për të njëjtat arsye veprën monografike “Kosova” të studiuesit italian Marko Dogo, profesor i historisë së Ballkanit në Universitetin e Triestes. Mjerisht, një vepër aq interesante as nuk njihet, as nuk është recensionuar a bërë e njohur për studentët e më gjerë.

I bindur se shembuj si këta mund të jenë të shumtë edhe nga fusha e letërsisë dhe e lëmijeve të tjera, propozoj që në ISB dhe në departamentet tona përkatëse, të ngremë një “Lektorium të përhershëm” ku të referohet e të diskutohet për veprat dhe botimet e rëndësishme të ballkanologjisë. Kur të jetë e mundur edhe duke ftuar autorët e tyre, gjë që, veç së tjerash, do ta bënte edhe më të vlefshëm shkëmbimin e mendimeve dhe të ideve rreth çështjeve të mëdha të historisë, të gjuhës dhe përgjithësisht të kulturës në Ballkanin tonë shumëgjuhës e shumetnik.

Rreshta të mbarë gazetës “Agon”!

nga Prof. Gjovalin Shkurtaj

Gazetaria në kohën tonë, si kudo në botën moderne, edhe ndër ne është bërë pjesë jetike e kulturës dhe përgjithësisht e ecurisë së shoqërisë.Mediat e shkruara dhe të folura kanë pasur e kanë ndikimim të madh, madje kryesor, në rrjedhat e zhvillimit e të përparimit të çdo vendi, prandaj edhe vlerësimi ynë qysh herët ka qenë dhe mbetet i njëjtë: fjala e gazetarëve dhe e mediave në përgjithësi përbën modelin e të shkruarit dhe të folurit dhe, pikërisht për këtë arsye, më se një herë kemi theksuar se gazetarët kanë detyrë që, krahas asaj çfarë thonë, që lidhet me mjeshtërinë e tyre mirëfilli si gazetarë, kanë përgjegjësi të lartë qytetare dhe kombëtare edhe për mënyrën se si e thonë, sepse fjala e shkruar në gazeta e revista, bashkë me fjalën e thënë nëpërmjet të folurit në mediat elektronike përbëjnë shembullin më të fuqishëm e modelin më të ndjekur të gjuhës së një kombi.Shumëkush, pasi mbaron shkollën e mesme, rrallë e tek lexon letërsi artistike, por shtypin e lexojnë çdo ditë, gazetën dhe informacionet e shtypit të shkruar i ndjekin të gjithë, radiot dhe televizionet ndiqen masivisht nga të mëdhenj e të vegjël. Kjo ka qenë edhe baza që më ka nxitur të pohoj e ta përsëris shpesh se ne kemi punuar e duhet të vijojmë gjithnjë të përgatisim mësues të mirë të gjuhës shqipe dhe përgjithësisht edukatorë e arsimtarë, por nëse nuk kujdesemi për përgatitjen gjuhësore dhe kulturore të gazetarëve, nëse nuk bëjmë kujdes që folësit e radiove e të televizioneve të shqiptojnë qartë e bukur, nëse artikujt e gazetave i botojmë të shkruar dosido, pa i korrektuar e redaktuar me kujdes, mjaft që të mbushim faqet, atëherë do t’i bëjmë dëm shumë të madh jo vetëm gazetarisë në kuptimin e ngushtë, por edhe krejt kulturës kombëtare e sidomos kulturës së gjuhës shqipe. Kam shkruar shpesh për gjuhën e mediave, kam bërë vlerësime dhe kritika, por kurdoherë kam pasur synimin që të përmirësojmë cilësinë e të shkruarit, të zbatojmë drejtshkrimin e njësuar, të mënjanojmë fjalët e huaja të panevojshme, të çelim shtigje të reja për prurjet më të mira nga pasuria e të folurit të shqipes, t’u prijmë mediave dhe gazetarisë së shkruar në lëmijet e etnografisë së të folurit shqiptarisht, pa sharje e fjalë të ndyra, pa fjalor të rënduar e mërindjellës, pa shfrime të tepruara e vulgare që cënojnë etikën dhe traditën e të shkruarit e të të folurit të shqipes.
Vite më parë, kur z.Frrok Çupi ishte drejtor i ATSH-së, më ka ftuar të mbaja leksione me redaktorët, përkthyesit dhe punonjësit e atij institucioni dhe kjo ka qenë një punë e vyer, një përvojë që duhet ndjekur edhe nga redaksitë e gazetave e të revistave, nga televizionet dhe radiot publike e private. Kam dëgjuar se në disa prej gazetave dhe ndonjë revistë kanë reaguar pozitivisht ndaj vërejtjeve të gjuhëtarëve dhe kanë përfshirë në organikat e tyre edhe korrektorë letrarë, gjë që ka dhënë e do të japë edhe më tej frytet e veta. Jam i bindur se këtë do ta bëjë edhe gazeta “Agon”, sepse pa shtuar kujdesin dhe punën konkrete për njohjen e gjuhës shqipe gazetaria nuk mund ta kryejë funksionin e vet modeldhënës që i takon. Gjithçka është privatizuar ose drejt privatizimit ndër ne, ashtu si gjetkë në demokracitë perëndimore e më gjerë, por gjuha nuk do të privatizohet kurrë. Shqipja, gjuha jonë e bukur dhe e lashtë, do të jetë kurdoherë mjet i të gjithë shqiptarëve, ajo ka qenë, është e do të jetë kurdoherë “pronë e përbashkët” e të gjithë shqiptarëve, shenjë e bashkarisë shpirtërore e kulturore të kombit tonë, dukuria më spikatëse e të qenit shqiptar. Kjo është arsyeja pse duhet ta vlerësojmë, ta ruajmë dhe mbi të gjitha ta duam shqipen, gjuhën tonë të shenjtëruar siç e quanin Rilindasit tanë mendjendritur.

Uroj me gjithë zemër që gazeta e re “Agon”, jo vetëm të ketë hapësira të nevojshme edhe për problemet e shqipes, por edhe të japë shembullin e mirë për kujdes e vlerësim të zbatimit të normës letrare, për luftën kundër fjalëve të huaja të panevojshme, për tëhollimin dhe mëtimet drejt një paraqitjeje gjuhësore të atillë siç e kërkojnë koha jonë dhe përparimi i kulturës sonë kombëtare. Jam i bindur se z.Çupi dhe ekipi i tij drejtues i gazetës “Agon”, në faqet e kësaj gazete të re do të na japin edhe një mënyrë të re të qëndrimit ndaj gjuhës shqipe, do të kenë në përbërje edhe figurën e korrektorit gjuhësor, që aq shumë është lënë në harresë gjatë këtyre viteve të tranzicionit në shtypin shqiptar. Uroj që, gjithashtu, edhe gazetat e revistat e tjera shqiptare, kërkesat për gjuhë të pastër, të lëmuar e të përpunuar t’i zbatojnë me të njëjtin përkushtim që synojnë lajmin e informacionin përkatës. Në një nga kanalet televizive reklamohet me krenari “Lajmi jemi ne”. Mendoj se në të gjitha organet e shtypit duhet të zotërojë synimi për të pohuar e faktuar se gjuha e shtypit shqiptar është gjuha e shkruar që mund të merret si model nga të gjithë lexuesit e tyre. Kështu, natyrisht, do të agojë edhe dita kur gjuhëtarët dhe dashamirësit e shqipes nuk do te cilësohen me ironi si “gardianë”, por do të vlerësohen me nderimin dhe cilësimin dashamirës që u takon, si ruajtës e kujdestarë të tiparit më të rëndësishëm përbashkues të kombit tonë.Në shumë vende të qytetëruara të botës, si p.sh. në Danimarkë, gjuhëtarët nderohen e vlerësohen si figurat më të lavdishme të kombit dhe shtatoret e tyre i gjen në vende publike krahas burrave mw të shquar të vendit. Tek ne, për fat të keq, sikur të mos mjaftonte pagesa modeste dhe pensionet gati qesharake që marrin professorët e gjuhës shqipe, nuk mungojnë edhe asi kalemxhinjsh që i shajnë dhe i etiketojnë me cinizëm
si “gardianë” dhe me paturpësi dalin hapur kundër shqipes së njësuar, paçka se nuk kanë as përgatitjen as atributet që duhen për t.u marrë me probleme të tilla të rendësishme të gjuhësisë dhe të kulturës shqiptare siç ka qenë dhe mbetet krijimi i gjuhës së përbashkët zyrtare.

Ndre Mjedja, poeti i ëmbël që ishte edhe një gjuhëtar meritor, në kohën e vet, në vjershën e tij të famshme “Gjuha shqype” qe ngritur me forcë kundër atyre që nxirnin pengesa për bashkimin e shqiptarëve duke mbivlerësuar dallimet dialektore për të penguar bashkimin e njësimin e shqipes së shkruar.

“Qoftë mallkue kush qet ngatërrime
Ndër këta vëllazën shoq me shoq
Kush e ndan me fjalë e shkrime
çka natyra vetë përpoq”.

Vjersha e Mjedës, si dhe mjaft simotra të saj në shkrimtarinë e Naimit, Fishtës, Filip Shirokës etj., me përmbajtjen e frymën e tyre kombëtare mbeten aktuale dhe të vlefshme edhe sot, kundër disa kalemxhinjve që, vijojnë ta vajtojnë për zgjidhje të tjera të standardit e kundër gjuhës shqipe të njësuar, duke ngritur tym pa nevojë e duke ndjekur avzazin ndonëse tashmë krejt anakronik e bajat të “ristandardizimit të shqipes”.I zëntë të githë mallkimi i Mjedës dhe i vraftë buka siç do të thoshte Fishta për ata antishqiptarë që duan t’i ndajnë shqiptarët sipas vijave të shovinistëve serbomëdhenj: ”allbanci” (shqiptarë të Shqipërisë) dhe “shiftari” (shqiptarë të Kosovës).

Ideja jonë ka qenë dhe mbetet e patundur se, edhe në epokën e sotme të evropianizimit dhe të botërorizimit të thellë kulturor dhe gjuhësor, pavarësisht nga domosdoshmëria për të mësuar sa më mirë e sa më gjerë anglishten dhe gjuhë të tjera të BE-së, do të mbetet kurdoherë hapësirë e gjerë dhe për gjuhët kombëtare të popujve të ndryshëm, pra edhe për shqipen e folur dhe të shkruar. Mëtimi ynë, natyrisht, në kuadrin sociolinguistik mbështet në rrethanën e padyshimtë se standardizimi dhe ushtrimi sa më i gjerë i shqipes së shkruar mbetet faktori kryesor që i shërben mbijetesës së gjuhëve kombëtare. Parimi im mbarë i shkrimtarisë dhe i gazetarisë së çdo kombi është ai që ndjek hullinë e mbarë të vijës nga dialekti te gjuha e përbashkët standarde dhe jo e kundërta. Dialektet janë pjesë e gjuhës së një kombi, ato kanë pasur më shumë hapësirë në kohët e vjetra, në përiudhat kur nuk kishte as shtet të përbashkët, as instituciuone shtetërore e kulturore të atilla që t’i prijnë zhvillimit të njësishëm e sa më unitar. Në kohët e reja, dialektet mbeten dhe do të përdoren edhe për shumë e shumë kohë krahas gjuhës standarde, krahas gjuhës së njësuar zyrtare, për funksione më pak zyrtare dhe sidomos për arsye artistike e folklorike, si dhe si ngjyresë e krahinave të caktuara, porse rolin kryesor në jëtën e vendit e marrin standardi dhe variantet nënstandarde, që lindin e zhvillohen krahas tij.

“Concordia parve res crescunt, discordia maxime dilabuntur” kanë thënë qysh së lashti latinët e mençur. Kurrë më shumë sesa sot nuk kemi pasur nevojë për bashkim shpirtëror e kombëtar ne shqiptarët, kur kombin vijojmë ta kemi me një gjuhë të përbashkët, por të ndarë me kufij shtetërorë, kur ende dikush paguhet për të shkruar e folur kundër gjuhës së njësuar zyrtare, kur ende nuk mungojë asish që nxisin me shkrime e fjalime për t’u kthyer mbrapa në kohë e në mendësitë tashmë fatmirësisht të kapërcyera. Dhe, përsëri, në mbyllje po i drejtohemi një strofe të Ndre Mjedës, të cilën e harrojnë enkas disa:

“Geg’ e Toskë, Malci Jallia
janë nji komb, m’u da s’duron,
Fund e maje nji asht Shqypnia
E nji gjuhë të gjithve na bashkon!”

Rreshta të mbarë gazetës “Agon”!
Tirane, 9 Shtator 2007

Prirje dhe prurje si fryte të ndeshjes së normave me thyerjet e saj në shqipen e sotme

Nga Gjovalin Shkurtaj

Në përputhje me temën-bosht të Sesionit shkencor të Seminarit të sivjetëm të Prishtinës, ndonëse jo pa mëdyshje, për sherr të shqetësimeve që na shakton ajo trysni gërryese dhe ndonjëherë hapur mospërfillëse e disa mjediseve ndaj gjuhës shqipe, mendova të kumtoj për disa bulëza të asaj që, ndërsa i kishim vënë re qëkur dhe jo pa shqetësim , si prirje, si rrezik potencial, tashmë mesa duket po bëhen më të shpesha se norma dhe, në këto rrethana, po të vazhdojmë të heshtim edhe më tej, do të biem në lojën e strucit. Kam bindjen se proceset e ndikimit të factorëve shoqëror në gjuhën e folur i kemi ndjekur fare pak, kryesisht në studimet dialektore, por jo edhe në hapësirat e tjera po aq tëvlefsme për t’u njohur e marrë parasysh, kur është fjala për rrjedhat e sotme zhvillimore, qoftë brenda hapësirave mirëfilli shqiptare, po edhe në kahun e shndërrimeve të mëtejshme rruzullimore a globalizuese. Sigurisht, sikundër ka qenë vënë re prej kohësh edhe në gjuhësinë evropiane, duhet të ruhemi nga fetishizimi i gjuhës së shkruar, qoftë edhe i asaj që sot ne po e themi më shpesh “shqipja standarde”. Le të citojmë për këtë, vlerësimin e rëndësishëm të Sharl Balisë, i cili, qysh më 1952, ngulte këmbë me të drejtë se “asnjë përpjekje nuk arrin të ndalojë lëvizjen e pamposhtshme të shtysës jetësore e shoqërore, e cila përcakton zhvillimin (evoluimin) e gjuhës. Idioma (gjuha) vulgare dhe e folur vazhdon marshimin e saj të sigurtë edhe pse duket të jetë nëntokësore (e padukshme); ajo rrjedh si ujët e një lumi nën sipërfaqen e akullin e ngrirë të gjuhës së shkruar e kovencionale, por pastaj, një ditë të bukur me diell akulli shkrin ose thyhet, vala e gjuhës vulgare a popullore del me potere mbi sipërfaqen e palëvizshme të akullit, duke sjellë me vete përsëri jetën e gjallërinë” .

Me fjalë të tjera, zhvillimi i gjuhës nuk ka qenë dhe nuk është proces që varet nga vullneti i arsyeshëm i letrarëve dhe dijetarëve, qoftë edhe i gjuhëtarëve, por është i pavetëdijshëm e kolektiv, që shpesh vjen nga poshtë e ngjitet lart nga turma e gjallë (aktive). Gabimet, të paktën ato që jetojnë gjatë e i rezistojnë qortimit të ashpër nga normativizuesit a gjuhëruajtësit, janë shpesh prirje të thella të gjuhës në përgjithësi ose të një idiome në veçanti; kështu edhe kur i vëmë vetes qëllim për t’i flakur, nuk dihet a do t’ia arrinim po të injoronim burimin a shkakun: nuk mund të shërohet një sëmundje nëse injorohet shkaku.

Globalizimi dhe procesi i pagëzuar me foljen: globalizoj, që shqip do të ishte më e kuptueshme: botërorizoj, rruzullimoj a rruzullimëzoj, pa diskutim, përbën sot një shkak shumë të lidhur me emocionet, me ngazëllimin dhe me ndjenjat e njerëzve të veçantë dhe të shtresave të caktuara, përherë e më të mëdha të bashkësive shoqërore kombëtare dhe të mbarë njerëzimit. Dhe, duke e rimarrë një ide të hershme të Sharl Balisë, nuk mund të mos theksojmë se “shumë gabime vijnë nga shkaku i kërkesave për të shprehur emocione”.

Hapja e Shqipërisë dhe e hapësirave të tjera etnike shqiptare ndaj botës dhe, sidomos, ndaj Evropës, shtimi i pakufizuar tashmë i shtegtimit fizik dhe virtual të njerëzve dhe të informacioneve e botimeve, kuptuar kjo: e fjalës së shkruar dhe të folur, e gjuhëve dhe e kulturave të ndryshme në shkallë evropiane e, me kohë, edhe ndërrruzullimore (ndërplanetare), edhe pse i shumëpritur e i mirëseardhur jo vetëm politikisht, po edhe kulturalisht, nuk mund të mos sillte me vete, krejt natyrshëm, edhe trysninë e sistemeve të ndryshme nga ai i shqipes, mbi shqipen e shkruar, po edhe mbi formën e saj të folur.Ndikimi dhe, (thënë pa të keq e pa asnjë ironizim) përulja a, në mos tjetër, thyerja para së huajës, sepse ajo vjen nga pushtete më të fuqishme e si gjuhë e atyre që, siç thoshte i madhi dhe i ndjeri prof.Aleks Buda, përbëjnë “shtemëdhenjtë” e botës, ku zotëron gati plotësisht e gjithandej anglishtja dhe ligjërimet e deri këngët e prodhuara në atë gjuhë, sjellin dhe (patjetër) do të vijojnë ta përforcojnë atë trysni e ndikim që shfaqet, si prirje e përgjithshme, madje edhe si objektiv për t’u arritur, duke u paraqitur deri si tregues i mbërritjeve e i shkallës së arsimimit të brezit të ri. Dhe, le ta themi edhe më shkoqur e, siç thonë italianët, “pa qime në gjuhë”: nëse deri para nja dy-tre dhjetëvjeçarësh, kur sapo kishte vringëlluar trysnia e pohimit të anglishtes si gjuhë e parë e ndërkomunikimit në shkallë botërore, përballë gjuhëve të mëdha të Evropës, sidomos të frëngjishtes, gjermanishtes e rusishtes, ithtarë dhe përkrahës të asaj gjuhe ndërrruzullimore mbanin leksione e botonin edhe revista me titullin përpallës “Anglishtja gjuha e botës”, sot caqet kanë shkuar shumë e shumë më përpara. Dhe, për të dhënë një shembull konkret nga mjediset tona, një nga “sukseset” (për mua në thonjëza) të ish-Ministrit Pollo, ka qenë pohimi dhe vendimi i Ministrisë së drejtuar prej tij që anglishtes t’i jepet përparësi në formimin e nxënësve të shkollave të mesme shqiptare.

Nuk kam pasur e nuk kam ndonjë kundërshtim me atë politikë, jo vetëm pse nuk merrem me politikë, por sepse, në thelbin e vet, ideja që shqiptarët të dinë sa më mirë anglishten dhe gjuhët e huaja të Evropës është e mirë, mbi të gjitha mendoj se do të ishte mirë që të dinin edhe gjuhët e fqinjëve, me të cilat realisht sot hanë bukë më shumë se një milion shqiptarë, në Greqi e në Itali, po edhe shumëkund tjetër në vendet e Evropës Perëndimore, por, nuk mund të mos e them sot, sikundër nuk kam mënuar ta theksoj edhe disa herë të tjera, krejt qartë e shkoqur, katërcipërisht shkoqur: nuk më ka pëlqyer (dhe deri sa të marr frymë do të vijoj ta pohoj) se, ndërkaq, nuk i është dhënë kujdesi e vlerësimi që meriton gjuhës shqipe, e cila, faqe anglishtes, le ta themi ashtu si na ka hije edhe në këtë tubim shkencor: ka mbetur si dy thjeshtrat ndaj djalit të njerkës në rrotullën e njohur të Drenicës .

1.Pas kësaj hyrjeje, natyrisht, duhet të vijmë te ajo që na shqetëson sot secilin prej nesh, veç e veç dhe të tërëve së bashku, te trysnitë sistemore prej gjuhësh të huaja, sidomos prej anglishtes e gjuhëve të tjera që kanë pasur e kanë dallime të mëdha tipologjike dhe strukturore në krahasim me shqipen. Shqipja, ashtu si gjuhët e mëdha e të vjetra, greqishtja e vjetër e latinishtja, ndonëse tashmë të vdekura, ashtu si gjermanishtja e disa gjuhë të tjera, në një farë mase edhe si rusishtja, ka eptim shumë të zhvilluar, ka shquarësinë dhe pashquarësinë e emrave, si dhe lakimin e tyre sipas të dyja këtyre trajtave. Këtë diferncim a dallim themelor ndërmjet shqipes dhe, p.sh. anglishtes, e dinë mirë dhe (në mos e ditshin teorikisht siç e dinë gjuhëtarët) e ndiejnë thellë të gjithë shqiptarët e brezit të vjetër e të mesëm, si dhe ata prej të rinjve që e kanë të rrënjosur sadopak ndiesinë e të qenit shqiptarë dhe të të folurit shqiptarisht. Ndërkaq, nuk mund të mos e vëmë re se, tashmë, ka edhe një kategori njerëzish, kryesisht të rinj, por jo vetëm, që, duke qenë nën trysninë dhe modelin e gjuhëve të huaja, posaçërisht të anglishtes, kanë filluar të mos e ndiejnë (ose ta ndiejnë gjithmonë e më pak) se shqip duhet p.sh. vizita e Bush-it (dhe jo vizita e Bush), njësoj siç thuhet normalisht: vizita e Berishës (dhe jo vizita e Berisha), vizita e Thaçit (dhe jo vizita e Thaçi). Cilido që është shqiptar dhe i thotë bukës bukë e ujit ujë dhe që shqipen e ka gjuhë të nënës dhe jo të nxënë nga librat e nga larg si gjuhë të huaj, kur dëgjon (ose sheh të shkruar) togfjalësha si:vdekja e Arafat, faturat e KESH, vizita e Rise etj. i vjen për të vjellë me atë lloj shqipeje, jo sipas natyrës së saj, por të shartuar, sipas modelimit që lind si hibrid nën trysninë e anglishtes dhe të zellit për të qenë sa më “modernë” dhe, pa asnjë dyshim, sot “moderniteti” gjithandej shprehet duke dëshmuar njohjen e anglishtes. Gëzimi i shqiptarëve kur mbaron “Big Bradher-i” është shumë i madh, sepse na bien veshët rehat nga shumë marrëzira e palavina, po edhe se shpëtojmë, së paku për një kohë, nga “refreni” i çmendur që përsëritet neveritshëm: shtëpia e Big Bradher. Nuk po guxojmë të themi se, me siguri, atë fjalë mund ta kishim mënjanuar krejtësisht, duke e thënë shqip ”Vëllai i madh”, sikundër e kanë thënë prej shumë vitesh italianët në atë lloj shfaqjeje (Grande Fratello), sepse do të na vinin “etiketimin” si anakronistë, ndoshta edhe si anglofobë a Zoti e di se çfarë, por, po mjaftohemi me atë që përbën“plasje të digës” në strukturën gramatikore të shqipes. Një fjalë, po edhe njëqind a njëmijë fjalë të huaja, nuk e prishin dot gjuhën, ato sikundër vërshojnë, edhe mund të zbythen, po të tregohet kujdes e po të zbatohet një politikë kulturore e mirë, kurse moszbatimi i rregullave eptimore, mosrespektimi i lakimit të emrave, qofshin të përgjithshëm,qofshin të përveçëm, duke zbatuar dallimin e shquarësisë dhe të pashquarësisë së emrave, përfshirë edhe shquarësinë formale të emrave të përveçëm shqiparë dhe të huazuar a të huaj, që sjell edhe moslakimin e tyre, përbën goditje të rëndë në strukturën gramatikore të shqipes. Jo më kot, kam bërë krahasimin me plasjen e digave dhe, jo vetëm inxhineierët po edhe njerëzit e thjeshtë, e dinë se çfarë shkaktojnë plasaritjet sado të lehta të digës në ujëmbledhësit gjigandë: prej tyre vjen pashmangshëm shembja. Për një plasaritje të tillë, madje edhe më të lehtë, shkrimtari Skifter Këlliçi, që nga Amerika e largët ku ka emigruar, i zemëruar ndaj atyre që, në dëm të natyrës së shqipes, të ndikuar nga italishtja, përdornin forma të së kryerës në vend të së kryerës së thjeshtë, shkroi artikullin kriktikues me titull “Atentat kundër së kryerës së thjeshtë”. Po ta vijonim metaforën e atij shkrimtari e komentatori fjalëbukur, mund të thoshim se, “atentatet” ndaj strukturës gramatikore të shqipes vazhdojnë dhe, për fat të keq, disa prej tyre po marrin përmasa gjuhëprishëse dhe gjuhëshëmtuese, sikundër është, ndër të tjera, përdorimi i tepruar dhe i panevojshëm i një-së në togfjalëshat që përmbajnë edhe përcaktorin përkatës, si: dha një ndihmesë të madhe (në vend të: ndihmesë të madhe) dhe, mbi të gjitha mosrespektimi i normës së shquarësisë dhe të pashquarësisë së emrave.

Për këtë dukurinë e fundit, siç do ta thekesojmë e faktojmë edhe më poshtë, “atentatorët” më të shumtë sot për sot, janë në radhët e folësve dhe paraqitësve të programeve të RTV-ve shqiptare të Tiranës. Kam formuar përshtypjes se shumë prej folëseve të radiove dhe televizioneve tona, kaq shumë janë dhënë e dashuruar me të folurit sipas “gjedhes” anglicizuese, saqë duket sikur, çdo mëngjes në vend të kafes pinë ndonjë “elizir” shpërshqiptarizues dhe dukshëm “anglo-italianodëshmues”. Kjo situatë, le ta ritheksojmë, nuk vjen nga “padija”, por nga ajo që e përmendëm, nga dëshira e papaërmbajtur për t’u dukur “ndryshe” dhe pikërisht të qenët ndryshe, qoftë edhe pse gabim dhe kundër natyrës së shqipes, përbën bazën e atijemocioni shprehës. Në këtë pikë, sigurisht, nuk mbeten aspak mbrapa politikanët dhe shtetarët tanë, shumë prej të cilëve, sa herë flasin e japin intervista, e kanë bërë zakon që, përpos anglicizmave tashmë të përfolura e të mërzitshme, shfaqin bujshëm edhe vesin e të folurit me “poza” angloamerikanodëshmuese, siç është, të folurit me (aaa), që disa gjuhëtarë e kanë stigmatizuar si “të folur me të pëllitur”, si për të treguar se sa shumë i pengon të flasin shqip anglishtja e tyre. (Dhe, neve më të vjetërve, sigurisht, na vjen në mendje dialogu grotesk e fallcitetdëshmues i Ollgës te “Karanavalet e Korçës”, që ankohej se të bijën injorante, Afrovitin, ia pengon ta flasë frëngjishten “kjo e flamosur shqipe”.

2. Luhatje të normës: procese të dysorësisë dhe të paqëndrueshmërisë së disa trajtave drejtshkrimore, drejtshqiptimore dhe gramatikore.

Kush ka sy të shikojë, sa herë lexojmë shtypin, revistat dhe shumë prej botimeve, sidomos përkthimet e letërsisë artistike dhe të filmave, e sheh se disa trajta të shpallura si normative, tashmë janë zbehur ose mëjnanuar gati plotësisht; po ashtu, kush ka veshë dhe dëgjon radiot, televizionet dhe të folurit në tubime masive, jo vetëm nga politikanë e shtetarë në raste fushatash, po edhe nga paraqitës programesh, analistë etj., nuk mund të mos i bjerë në vesh, gjithashtu, fakti se shumë nga dukuritë jonormative, pavarësisht nga kritikat e vërejtjet e bëra nga gjuhëtarët, po lëshojnë rrënjë e po klyzohen duke mos mbetur më vend për asnjë mëdyshje: duhet ta pranojmë se disa trajta të normës drejtshkrimore e drejtshqiptimore, si dhe jo pak të tjera nga morfologjia emërore e foljore, natyrisht edhe shumë leksema e mënyra të thëni a frazeologjizma, kanë dhënë shenja se po zbythen nga trysnia e dendurisë së dysorëve jonaomativë që nden përdorimi në vend të tyre.Thashë në vend të tyre (e jo krahas tyre), sepse tashmë disa trajta normative, si p.sh. vajzës sime, nënës sime, motrës sonë, shoqes sonë; shtëpisë suaj, kohës suaj etj. folësit dhe shkruesit e brezit të ri u shmangen si djadhi temianit. Po atë rrugë po ndjekin edhe forma normative foljore të tipit shkrova, që gati është përmbytur nga dysorët jonormativë kryesisht dialektorë: shkrojta, shkruajta, madje edhe shkruva (!?); thosha (thoshe, thoshte, thoshim, thoshit, thoshin), po bjerrin truall ditë për ditë në të mirë të formave dysore, kryesisht nga toskërishtja: thoja ose thonja (thoje, thonte, thonim, thonit, thonin), të cilat ndihmohen fuqishëm nga analogjia me format normative të foljeve të tjera me-oj (punoja, punoje, punonte…). Më kot e kam shpotitur dhe vijoj ta qesëndis njërin nga ish-kryetarët tanë të shtetit, i cili e kishte zakon të thoshte oreçast: “unë do të thonja”. Në mos fitoftë ajo formë, që sidoqoftë është jo vetëm dukshëm hipertoske, po edhe qartazi e shtresës së vjetëruar, me siguri nuk ka për t’u zbrapsur forma me – ja (thoja). Nga leximet e bëra enkas për këtë kumtesë këto kohët e fundit, na del se forma thoja, jo vetëm mbizotëron ndaj formës normative (thosha), po edhe ka prirje të zotërojë gjithandej në letërsinë e përkthyer që botohet, si dhe në shtyllat zanore të filmave artistikë e dokumentarë që jepen me folës ose me të shkruar (subtitrim).

Po, le të ndjekim sistemet përkatëse e të ndalemi në disa prej shenjave që, sipas nesh, janë me prirje më të dukshme kundër normës së sotme:

2.1.Në fushën e drejtshqiptimit, natyrisht, përveç shqiptimit e leximit në mënyrë gati analfabete, që mjafton të dëgjojmë pasqyrën e shtypit te “News 24” për t’u bindur sa keq kemi punuar me përgatitjen drejtshqiptimore në shkollat e larta, ku janë diplomuar shumica e gazetarëve dhe folësve të mediave të sotme, ndeshim edhe prirje të dëmshme, që, ndoshta, po të veprojmë me ngut e forcë, mund t’ua presim turrin. Nga më të shëmtuarat, por edhe nga më të mundshmet për t’u përgjithësuar, është prirja veskeqe e disa prej folëseve dhe gazetarëve shqiptarë, kryesisht të pjesës sonë (në mënyrë të veçantë televizionet dhe radiot e Tiranës) për të shqiptuar shkronjat e alfabetit të shqipes sipas mënyrës së gjuhëve të huaja, sidomos duke imituar spellingun e anglishtes dhe të italishtes. Ka një jetë që shqiptarët ishin mësuar të thoshin FBI-ja, njësoj si KKB-ja, OKB-ja, SMT-ja etj., mirëpo folëset dhe folësit e disa prej mediave të sotme elektronike (radio, televizione dhe reklama) kanë filluar t’i “modernizojnë” këto shqiptime dhe, shpesh e më shpesh, po dëgjojmë të shqiptohen: eFBiaI, XhiDiPi, BiBiSi dhe, sidomos, e urryera CiVi.

Përgjithësisht, mesa duket, shkurtesat në shqipen dhe shkurtesa të marra ashtu siç janë në praktikën ndërkombëtare, ndejnë një situatë dyjarësie a dysorësie, si p.sh.KFOR (dhe KeiFor), ndaj së cilës, na duhet të ndihmojmë me anësimin tonë nga format tradicionale shqiptare dhe jo nga shqiptimi i huaj. Gjej rastin të theksoj, me këtë rast, përvojën gati përgjithësisht të lëvdueshme të mediave të shkrura e të folura të Kosovës, ku shkruhet rregullisht me trajtën e shquar sikundër këshillon norma drejtshkrimore: AAK-ja, e OKB-së, OKB-në, UNMIK-ut etj .

Me shqetësimin dhe kujdesin e nevojshëm duhen parë edhe termat e elektronikës dhe përgjithësisht të teknikës moderne që huazohen nga anglishtja. Fjalë si dixhital, dixhitalizoj , monitor, monitoroj etj. me siguri do të ndikojnë dhe do të nxjerrin probleme edhe për drejtshkrimin e normën morfologjike të shqipes. P.sh. tashmë po duket sheshit se, ata që thonë miush e mi për mausin janë betejëhumbur. Po ashtu edhe ata që thonë ruaj a kursej janë shumë më pak se ata që thonë seivoj, sikundër janë më të shumtë ata që thonë printoj e jo shtyp, printim e jo shtypje. (Anipse, në gjuhë të mëdha, si p.sh. në italishten, për ato fjalë përdoren gjerësisht fjalët ekzistuese, përkat. stampare “shtyp”, stampato “shtypur” etj.). Po, duke vijuar më këtë kategori fjalësh, le të marrim si të mirëqenë hyrjen e tyre dhe të mbetemi në fushën drejtshkrimore: si do të veprohet me fjalët e tilla si: file, live, line, mobil etj.? Gjithandej, këto fjalë dhe të tilla, po shkruhen si në anglisht prej nga janë marrë, mirëpo ato, ndërsa shihet se nuk kemi asnjë mundësi për t’i mënjanuar, na shtrojnë edhe problemin e madh të shqiptimit: pra, si do t’i shqiptojmë pas hyrjes në shqipen?
Ashtu si shkruhen- do të ishte përgjigjja e duhur, mirëpo kjo do të dukej shumë e parapmbetur, krejt e vjetëruar dhe aspak “moderne” për ata që i sollën dhe që, natyrisht, i mbajnë gjallë, në gojën e të cilëve shqiptimi është tashmë gjithandej sipas anglishtes (përkat. fail,-i a faill,-i, sh. faile-t a faille-t; lajf a llajf a llajv, si p.sh. muzikë lajf, këndon lajf; llajn o lajn si p.sh. Albania Online. Kemi pasur shumë fjalë të huazuara që përmbajnë rrënjën mikro- ( mikroskop, mikrob, mikrobiologji etj.), tashti kemi edhe Mikrosoftin, që shumëkush po e shqipton edhe Majkrofoft (?!). Amerikanët e shkruajnë Mikel dhe e lexojnë Majkëll, Marie dhe e lexojnë Maraja, Rice dhe e lexojnë Rajs; Jastin dhe e lexojnë Xhastin. Tashti, madje, edhe reklamat për telefoninë e lëvizshme a celulare po bëhen duke e “modernizuar” shqiptimin e fjalës mobil (Egëll Mobajll, Digitalb-Mobaile). Kushedi, mbase së afërmi do të fillojmë të themi edhe automobajll (?!) për të shkretin automobil dhe kështu me radhë. Kjo gjendje, sigurisht, nuk mund të mos na shqetësojë, kur dihet se kemi pasur në përdorim prej kohësh edhe aq fjalë që përmbajnë rrënjën e mësipërme, si automobil, mobilizohem, mobilizim, i mobilizuar; mobilje e mobiloj e mobilim.

2.2.Prirja për ta shqiptuar u-në e huazimeve si në angloamerikanishten.
Gjithmonë e më dendur në vend të klub në radiotelevizionet tona, po edhe përtej tyre, ka bulëzuar prirja për ta shqiptuar jo sipas traditës shqiptare, por sipas anglishtes dhe kemi: kllëb (p.sh. vodafon kllëb) dhe një farë radioje që shqip do të ishte Klubi FM na e “servirin” të modernizuar në Kllëb EFEM. Po të vazhdojë kjo “stuhi” anglofile, nuk do të jetë e largët dita kur, edhe Klubin e Selanikut do të na duhet ta shqiptojmë të “modernizuar”në Kllëbi i Selanikut, ndërsa për fjalën Republikë e republikan, me siguri, duke ecur pas shqiptimit te PUB > Pab, do t’u duhet shqiptarëve të thonë edhe Repablika, Partia Repablikane etj. dhe, pa dyshim, edhe mobaillizim e mobajllizohem.

Zoti na ruajtë! Por, plakat e mençura të Mbishkodrës sime, thoshin me të drejtë: Ruaju ti fort, që edhe Zoti të bëjë punën e vet. Ne, fatkeqësisht nuk po dimë (po mbi të gjitha nuk po duam) të ruhemi fare nga e huaja. Anomia sociale ose (thënë më hapur) mallkimi me zhdukje e tjetërsim, më shumë se në asnjë vend tjetër të Evropës është shfaqur e po vijon të zbatohet në trojet tona.

2.3. Një problem grafik jo pa rëndësi, që vjen nga prurjet e reja, është edhe shtimi i fjalëve dhe emrave të huaj, kryesisht anglo-amerikanë që përmbajnë shkronjën w apo sikundër po e shqiptojnë modernët “dabëll ju”. Kohëve të fundit, nga ndikimi përherë e më i fuqishëm i gjuhëve të huaja, kanë hyrë e po zënë vend në shqipen edhe disa fjalë, kryesisht emra të përveçëm, po edhe fjalë të artit e të politikës, që shkruhen si në gjuhët huazuese (Show, Show-Biz, News, News-24, Euro-News). Kemi shtënë në përdorim kompjuterin dhe aty, ndër të tjera, kemi edhe programet e tilla, kryesore, si Word, Word-Perfckt, Window etj. Pyetja që shtrohet është edhe këtu: si do të shkruhen fjalë të tilla?
Mesa shihet, shtimi i fjalëve dhe emrave të huaj të tillë po sjell edhe domosdoshmërinë e përfilljes së shkronjës /w/ në shqipen. Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke u nisur nga situata e kohës kur me atë shkronjë dilnin vetëm disa emra personalitetesh të shkencës e të letrave, si Wat, Wiliam, Wilson etj. kishte parashikuar që në shqipen emra të tillë të jepen ose me U (p.sh.Uljam, Nju Jork, Uilson) .

Prirja është e dukshme dhe anon nga forma huaj. Edhe ndaj kësaj dukurie normativistët nuk mund të vijojnë më tej me “lojën e strucit”. Prurjet gjithmonë në shtim të fjalëve të tilla dhe përdorimi i gjerë që kanë disa prej tyre në mediat e sotme, natyrisht, nuk mund të kalohen vetëm me qesendisje a shpotitje ironizuese. Ditë për ditë dëgjojmë të jepen reklamat duke shënuar edhe adresën e faqeve të internetit, të cilat, duam apo nuk duam, fillojnë patjetër me tri dopio-v njërën pas tjeterës. Edhe këtu, sigurisht, mund të kishim zgjidhje të ndryshme, duke përfituar edhe nga sa kanë bërë fqinjët tanë, p.sh. italianët, e shkruajnë w si në gjuhën dhënëse, por e shqiptojnë sipas traditës italiane: vu-vu-vu, prej nga edhe ne mund të merrnim gjedhen positive të thoshim vë-vë, vë-vë, vë-vë, porse ka edhe asish që e thonë Dabëll, si p.sh. kur i referohen Bushit: Georges W.Bush (shqiptohet Xhorxh Dabëll Bush).

3. Prirja veskeqe dhe të dëmshme për të folur sido. Shumëçka e pamirë, jo vetëm në drejtshqiptim e në drejtshkrim, po edhe përgjithësisht në qëndrimin ndaj shqipes standarde, këto vitet e fundit, ka qenë e lidhur me një farë mode a sjelljeje “moderniste” që, nga ana e jashtme, shfaqet në prirjen e shumë vetave, sidomos të artistëve e gazetarëve për t’u veshur “pa protokoll” në mjedise publike, qoftë edhe në emisione televizive, në shfaqje etj., që sigurisht ka edhe të mirën e vet, porse ajo ka sjellë me vete edhe prirjen veskeqe dhe të dëmshme për të folur sido. Le të kuptohemi: nuk po them se medoemos të gjithë sa janë folës, gazetarë e parqitës programesh duhet të jenë gjithmonë të veshur “me xhaketë e kollare”. Vetëm kjo nuk na shpëton, sepse të gjithë e kemi parë se, p.sh., në Kuvendin e Shqipërisë, shumë prej atyre që shkojnë atje të veshur“me protokoll”, me kostume të shtrenjta e “firmato”, kur flasin dëshmojnë se cili është nivlei i yre dhe nuk kursejnë as sharjet me nënë, me motër e deri me kunatë. Ka pasur dhe (për fat të keq) vijon të ketë ende raste që, ndër ne, shtetarë e politikanë flasin enkas në gjuhë të trashë, aq sa, dukshëm, shfaqen si përfaqësues të rrugës dhe jo të ligjërimit normal, qoftë edhe dialektor, të qyteteve që gjoja përfaqësojnë. Po jap shembuj pa përmendur personazhin, por janë të vetëmjaftueshëm dhe të gjithëve do t’ju kujtohet edhe kush i thotë ashtu: llakabond, pulatik, merrnie për zhelesh etj. Po të ishte gjallë i ndjeri Atë Anton Harapi, me të drejtë do ta thoshte me gojën plot ankesën e tij të njohur: ”na mbuloi horlleku”.
Por, dëshirojmë të ndalemi e të tërheqim vëmendjen e mediave, sidomos të atyre që i drejtojnë ato, të kenë më shumë kujdes për të shmangur vulgarizmat e fjalët e ndyra, të cilat prodhojnë atë lloj të qeshuri që vetëm humor nuk mund të quhet. (Po lejohem të kujtoj, ndër të tjera, kritikën e rreptë dhe të pamëshirshme që i kam bërë disa vjet më parë emsionit të RTSh-së “Mini-Mini SHOW” dhe, disa herë radhazi, “pornoligjërimeve” të disa mediave e shfaqjeve të humorit).Në librin tim “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës”, kam trajtuar gjerë dhe besoj ta kem përthekuar mjaft qartë idenë se “liria e shypit nuk do të thotë aspak liri për gojështhurje”. (f.40-46)

4. Në të njëjtin grup e për të njëjtat arsye, që shprehin edhe përuljen ndaj së huajës, dalin edhe prirjet kundërnormative të të shkruarit të emrave vetjakë të huaj (dhe të onomastikës së huaj) si në origjinalin nga mirren e jo sipas rregullave të drejtshkrimit të shqipes. Për këtë dukuri, ndërkaq, mendoj se është shkruar e folur gjerë, çfarë kam pasur për të thënë e kam shkruar edhe në artikuj edhe në faqet e librave të mi .Po citoj vetëm një vlerësim të përkthyesit e njohësit të pashoq të shqipes, Robert Shvarcit të ndjerë, i cili jo shumë kohë para se të ndahej së gjallësh, pikërisht në një artikull të botuar edhe te “Gjuha jonë”, duke kritikuar rreptë gabimin trashaman të atyre që i përdorin në trajtë të pashquar emrat e përveçëm të huaj si dhe shkurtesat, thotë: ”…kësaj i thonë të luash mnga mendt e kokës!”.

5.Me shqetësim të madh e shikoj edhe shtimin e papërligjshëm të një-së jo shquese, për të cilën, gjithashtu, jam shprehur edhe disa herë të tjera . Po ritheksoj se aty ndikimi i gjuhëve të huaja, sidomos i atyre gjuhëve që nuk e kanë kategorinë gramatikore të shquarësisë e të pashquarësisë është dëmprurës dhe mund të shkaktojë gërryerjen e plasjen e strukturës së shqipes.

6.Nga fusha e morfologjisë, përveç sa shprehëm lidhur me formën e së kryerës së thjeshtë të them, shkruaj, mendoj se duhet të ndalemi edhe te format e së kryerëss ë thjeshtë të foljeve lyej, ngjyej, çlyej, shqyej, gërryej. Format e cilësuara në gramatika si normative (leva, ngjeva, çleva, shqeva, gërreva), sot kanë ngjyresë të vjetëruar dhe, pjesa më e madhe e njerëzve, si në të shkruar ashtu edhe në të folur, anojnë kryesisht nga format dysore, sot për sot të cilësuara si jonormative (përkat. lyejta, ngjyejta, çlyejta ose òlyva, shqyejta, gërryejta).

7. Nga fusha e etnografisë së të folurit, gjithashtu, si prirje të rrezikshme dhe të atillë që e shëmton shumë shqipen, po edhe bie në kundërshtim të plotë me tradtën shqiptare, është të folurit duke përmendur vend e pa vend emrin e vet. Kemi të bëjmë aty me një ndikim të politikës dhe të snobizmit të disa politikanëve, sigurisht edhe të jo pak gazetarëve që u shkojnë pas “avazit’, që kujtojnë se duke folur në vetën e tretë e duke cituar vetveten, do të bëhen më “tërheqës”. Bota e qytetëruar i largohet asaj praktike, duke shtënë në punë sidomos format “maestatis”, si p.sh. ne (fr. Nous, rus. Mëi, it. Noi) në vend të unë dhe sidomos në vend të emrit të përveçëm të atij që pyetet ose që flet.

Pra, në praktikën shqiptare, janë për t’u kritikuar, së pari, gazetarët që i formulojnë pyetjet gabim dhe, në vend të : Si mendoni ju, zoti X, thonë për së mbrapshti: Çfarë mendon për këtë F. N. (ose S.B) dhe, prej kësaj pyetjeje, si për inerci, edhe përgjigjja do të shkojë po ashtu mbrapsht: F.N. mendon (në vend të ne mendojmë); S.B. do të realizojë…(në vend të ne do të realizojmë).

Edhe këtë formë, që është pa dyshim, nga më të pabukurat e më të paparanueshmet në etnografinë e të folurit të shqipes, sikundër e dinë ata që i ndjekin sa shkruajmë, e kemi kritikuar ashpër, madje edhe jo pa guxim se mund të zemëroheshin “zeusat” .

Së fundi, në mbyllje të kësaj kumtese, nuk mund të lëmë pa përfshirë edhe shqetësimin e ligjshëm që vjen nga zgjerimi i gjeografisë letrare të shqipes apo, me fjalë të tjera, nga zbatimi i shqipes në shkrimtarinë e diasporës dhe të diasporës së diasporës.

Zgjerimi i gjeografisë letrare në hapësira tashmë mbarërruzullimore, përderisa sot shqiptarë dhe gjuhë shqipe ka në krejt rruzullin apo në mbarë botën, duhet parë si gurrë pasurimi e jo si “shprishje” e shqipes. Sot në qytete të Evropës, të Amerikës , të Australisë etj. ka shqiptarë që jo vetëm e flasin shqipen, por edhe shkruajnë e botojnë artikuj, libra e revista a gazeta në gjuhën shqipe. Shkrimtaria dhe fjala e tyre nuk është “voce in deserto”, por prodhimtari që mëton të pasurojë rrjedhat dhe hapësirat e shqipes e të kulturës shqiptare, prandaj edhe duhet t’i përfillim e t’i vlerësojmë më shumë.Mbi të gjitha, është e nevojshme t’i njohim e t’ua bëjmë të njohur shkollarëve, studiuesve dhe më gjerë njerëzve tanë. E kam fjalën, sidomos, për figura të tilla si përkthyesi Stavri Dajo në Selanik (Greqi), poeti Nokë Sinishtaj në Lucernë (Zvicër), Luigj Çekaj e Gjek Marina në SHBA etj., vargu i të cilëve do të shkonte shumë i gjatë po t’i përmendnim të gjithë.